Zheji: Gazi lotsjellës u përdor si torturë, u hodh për ndëshkim

 

Analisti Artur Zheji mendon se hedhja e gazit lotsjellës gjatë protestës së 13 prillit ka qenë e qëllimshme për të ndëshkuar protestuesit.

“Sigurisht që urdhrin për të lëshuar gaz të shumtë, në disa seanca të përsëritura, kundrejt protestuesve që po qëndronin paqësisht dhe me flamur kombëtar, përpara Kuvendit të Shqipërisë, e keni dhënë ju zoti Ministër!

Por unë nuk dua ta besoj, ose më saktë nuk do të doja ta besoja. Sepse pikërisht kur gazi u derdh mbi shqiptarët që nuk e mendojnë si ju, por që janë shqiptarë po aq sa ju, ata, ishin më paqësorë se asnjë çast tjetër të asaj proteste.

Kjo do të thotë se gazi, u përdor si torturë dhe si ndëshkim masiv, thjesht sepse, ata po protestonin kundër kryeministrit tuaj dhe kundër qeverisë ku ju bëni pjesë. Kjo ndoshta ju, që e mendoni ndryshe nga ata, por keni pushtet, policë, pushkë e gaz, mund tju ketë lënduar dhe revoltuar në brendësi,” shkruan Zheji në portalin e tij 360grade.al.

“Ajo që ndodhi në datën 13 prill 2019, ishte një goditje ndëshkuese me gaz nga policia e shtetit!

Ishte një goditje për të shkaktuar dhimbje dhe vuajtje, pa asnjë shkak dhe detyrim operacional. Perimetri i Kuvendit, ndryshe nga perimetri i Aeroportit të Rinasit, ku u grabitën ditën për diell 10 milionë euro, ishte i sigurtë, i paprekur dhe aspak nën sulmin e protestuesve.

Dhatë pra, ju zoti Lleshaj, një urdhër krejt antiligjor, ndëshkues dhe torturues, ndaj mijëra njerëzve të pafajshëm dhe të pambrojtur, madje më pas, patët edhe hipokrizinë të akuzonit se shkaku ishin ata dhe maskat e tyre.

Gjithsesi, unë ju falenderoj për këtë veprim që bëtë, sepse ju zoti ministër, me këtë akt, themeluat shtetin e ri policor të vitit 2019 dhe bëtë edhe më të dukshme se jeni i gatshëm të urdhëroni ose të jepni edhe vetë, urdhra kundra popullit, që ju paguan mirë dhe shtrenjtë, që ta mbroni dhe jo ta sulmoni!”

Shkruar Nga
More from Redaksia

Libri i ditës/ Jeronim de Rada, “Rapsodi të një poeme arbëreshe”

  Shtëpia Botuese “Milosao” hodhi në qarkullim përmbledhjen “Rapsodi të një poeme...
Read More