Zgjidhja? Me pi gjak nga njëri-tjetri!

 

Nga Gjergj Meta

Jemi në fund të shekullit XIX në Fushë-Krujë, zonë e cila zë fill në kambët e Malit të Krujës e mbaron diku në kreshtën e vargkodrave të Ishmit. Ndërmjet dy fshatrave, që i ndan lumi, disa njerëz të një fisi mysliman të zonës qëllojnë mbi një tjetër të një fisi katolik. Fshatrat e Fushë-Krujës janë të banuar nga katolikë e myslimanë. E lënë për të vdekur, pak pa i dalë shpirti. Të vetët vijnë dhe e marrin. Nga dita në ditë presin që të vdesë nga plagët. Ndërkohë disa djem të fisit katolik, të organizuar shpejt e shpejt, dalin dhe vrasin vetë dorasin, atë pra që kishte qëlluar mbi njeriun e tyre, dhe ky vdes në vend. Kaluan pak ditë dhe për personin e plagosur ndodh “mrekullia”. Pas pak kohësh kalon rrezikun nga vdekja, pra shpëton.

Problem ishte i madh për t’u zgjidhur, sepse kishim një të vrarë e një të plagosur që ishte qëlluar për vdekje, por kishte shpëtuar. Ligji i kanunit ishte i paqartë, se si duhej të zgjidhej. Precedentët ishin të paktë ose krejt të paqartë. Duhej një jurisprudencë e re. Ishte një rrugë pa krye, një qorrsokak në të cilin hynë shumë burra dhe nuk mundën me dalë. Sapo i afroheshin zgjidhjes, dilte gjithmonë dikush, që duke hedhur një fjalë, a një hokë, prishte punë e duhej filluar nga e para. Të dyja këto fise njiheshin në zonë si fise të mëdha e familje të mira, përfaqësuese, si për katolikët e zonës e si për myslimanët, por kjo ngatërresë u kishte ngelur në derë e nuk po dinin si të dilnin në shteg.

U morën ekspertët më të mirë e u pyetën, njerëz që njihnin familjet, por edhe kanunin. U gjetën njerëz të mençur e dashamirë me të dyja familjet. Ishin dy fise të forta e nuk donin të lëshonin pe asnjëri. Vetëm fati kishte dashur që njëri prej të qëlluarve për vdekje të kishte shpëtuar për fije të perit. Ndërkohë, aq sa shtoheshin ecejaket e dashamirëve, aq shtoheshin edhe ecejaket e gërgasësve: të parët për të pajtuar e të dytët për të ngatërruar. Kjo histori po i ngjante paksa historisë së Kalasë së Rozafës, që ditën ndreqej e natën prishej. Diçka duhej bërë.

Kush e njeh atë zonë, historinë e saj, temperamentin e njerëzve, gjaknxehtësinë e tyre, e kupton mirë se në këtë situatë nuk ishte e lehtë të pajtoje këto dy fise.

Fisi mysliman ishte ai që duhej të thoshte fjalën e fundit, sepse kishte një të vrarë, ndërsa personi nga fisi katolik ishte ende gjallë, edhe pse kishte mbetur pothuajse i paralizuar nga plumbat që kishte marrë. Kush njeh terminologjinë kanunore e kupton se bëhej fjalë për një gjysmë gjaku.

Kalonin muajt e nuk po i jepej një drejtim kësaj situate. Nuk po vinte ai njeri i duhur që të zgjidhte këtë nyjë gordiane e cila mbante peng dy fise të mëdha. Ndërsa burrat po rrihnin mundësitë e zgjidhjeve, pasi kishin bërë edhe shumë seanca kuvendi në shtëpinë e të vdekurit, për t’i bindur për pajtim, dukej se kjo punë nuk do të kishte zgjidhje. Nëse situata nuk zgjidhej, do të kishte ende viktima e të vrarë.

Por pikërisht në atë moment erdhi një burrë, diku nga fshatrat përreth. Ishte një burrë i dëgjuar e pinjoll i një shtëpie të mirë, të cilës ia dëgjonin fjalën myslimanë e katolikë. Edhe pse nuk ishte farë nga ajo zone, fjala i zinte vend. E megjithatë, përballë kësaj situate, suksesi i tij nuk ishte i garantuar. Megjithatë ai e provoi. Zgjodhi një grup të përbërë me burrat më në zë të zonës dhe bashkë me ta mori me vete edhe një djalë të ri, pak ma shumë se 12 vjeç. I çuan fjalë familjes myslimane se do të vinte filani me disa burra. Ata, sipas zakonit, jo vetëm nuk ia mbyllën derën, por i thanë lajmësit: mirë se të vijnë. Para se të afroheshin te kulla, e atëherë shkohej me kalë, ata u ulën prej kuajve dhe morën atë djalin e ri që kishin me vete e ia lidhën duart nga pas shpine me një copë litar, si të ishte i burgosur. I hodhën krahëve një xhaketë a setër si i thonin dikur e u nisën drejt shtëpisë që i priste. Me pak marifet e fshehtësi arritën që djalin ta ulnin pa e kuptuar kush se kishte duart e lidhura. U nxorën kafen si ishte zakoni në ato anë. Por askush nuk po merrte filxhanin e kafes. I zoti i shtëpisë pak i habitur, por edhe me një lloj shqetësimi se çfarë po ndodhte u thotë: or burra merrini ato kafe. Atëherë i pari i dërgatës, ai që kishte organizuar gjithçka, i thotë:

“Or filani, ty t’u rritë ndera e erzi që na ke pranu në shtëpi, por ne nuk mund ta pijmë kafen se i kena duert e lidhuna e nuk kena si e marrim filxhanin”.

Atëherë plaku i shtëpisë brofi në kambë me shpejtësi e bashkë me të edhe djemtë e tij, a thu se po bëheshin gati për luftë. Por ai u bani me shenjë djemve të ulen e iu drejtua atij burrit:

“E kush i ka duert e lidhuna ndër ju?”

“Qe – ia ktheu ai – ky djaloshi ktu, djali i Gjinit”.

Plaku shtëpisë e kuptoi “hilen” dhe kur i thanë emrin e të atit të djalit e kuptoi mirë se nuk kishte ku me shku.

“Çohu në kambë” – i thotë djalit me duart e lidhura!

Ai u ngrit në këmbë, me kokën ulur si e kishin mësuar e gjithë frikë nga mosha e njomë. Kishte ra një heshtje humnere në katin e  dytë të kullës.

“Ma thirrni djalin e Xhemalit”. Ky djalë ishte nipi i tij, e Xhemali ishte burri i vrarë e që kishte vdekur.

Ai erdhi menjëherë e plaku i dha urdhër:

“Zgjidhja durt djalit”.

Në atë moment dikush nga djemtë e plakut desht me fol, por plaku iu hakërrua veç me sy e ai nuk foli, por uli kryet. Djaloshi ia zgjidhi duart dhe të dy djemtë, pothuajse moshatarë, po qëndronin në këmbë kundruall njëri – tjetrit. E dinin mirë kush ishin baballarët e tyre e po shikonin njëri –tjetrin në sy. Atëherë plaku nxori biçakun nga brezi, i preu paksa gishtin nipit të vet e po ashtu edhe djalit tjetër dhe u tha:

“Tash pijeni gjakun e njëri-tjetrit. E mos e harroni kurrë këtë ditë, e as këtë gjak. Deri tash ishit armiq. Tash e mbrapa jeni byrazerë, jeni vllazën. Në shpinë tonë gjithnjë, për mort e për dasëm, do të ketë një përfaqësues të fisit tuaj e po ashtu te fisi juaj për mort e për dasëm do të jetë gjithmonë një i joni. E kshtu le t’bahet për jetë e mot se nuk dona me i lanë ngatërru fmijët”.

I pari i dërgatës u çua në kambë e i tha:

“Paç faqen e bardhë he burrë se e çove ma hijshëm se sa e kishim mendu ne. Nuk i paskan vdek burrat fisit tuaj”.

Atëherë morën me pi kafen. Atë natë u therën bagëtitë e nuk i lanë me ikë. Vetëm një djalë i ri fluturoi me gjogun e tij e shkoi e i tregoi fisit tjetër se gjaku ishte falur.

Edhe sot e kësaj dite, kur burrat e dy fiseve takohen në rrugë a në pazar apo edhe në emigrim i thonë njëri-tjetrit: tjeta jote or byrazer!

Sa ka për të na mësuar e kaluara neve sot. Sa shumë pasuri fshihet në historinë dhe jetën e këtij populli tonë të thjeshtë e sa shumë mund të mësojnë ata që na udhëheqin se gjithmonë ka një rrugëdalje, gjithmonë ka një shteg që çon drejt të mirës së përbashkët.

Shkruar Nga
More from admin

Europa nuk është gati për Shqipërinë dhe Ballkanin

Nga Ervis Iljazaj Lajmi se Holanda ka kërkuar vendosjen e regjimit të...
Read More