Zgjedhje të parakohshme? PS, koalicion me komunistët dhe G 99

Partia Socialiste mblodhi dje aleatët e saj politikë në një platformë koalicioni për zgjedhjet e ardhshme lokale. Afrimi me pesë parti komuniste dhe “rikthimi” i G 99. Thirrja për të ndryshuar Kodin Zgjedhor dhe “kritikat” ndaj opozitës pas djegies së mandateve. A po përgatitet PS për zgjedhje të parakohshme?  Basha: Nuk ka qeveri, por bandë hajdutësh.

Partia Socialiste ka mbledhur të gjithë “aleatët” e saj të harruar ndër vite për t’u bërë gati për zgjedhjet si fillim ato lokale, por më shumë për të treguar forcë edhe në numër partish. Në një deklaratë të përbashkët, të nënshkruara nga 26 parti politike, ndër të cilat PS renditet e para, theksohet se me braktisjen e Parlamentit nga opozita dëmtohen interesat kombëtarë. “Braktisja nga një grup deputetësh të PD dhe LSI të Kuvendit, të tempullit të demokracisë institucionale, synon të dëmtojë rëndë interesat tanë kombëtarë dhe strategjikë në favor të interesave të ngushta të karrierës personale dhe llogarive partiake”, thuhet në qëndrimin e përbashkët. Sipas tyre, retorika dhe përdorimi i dhunës prej PD dhe LSI për qëllime politike tenton destabilizimin e vendit dhe kaosin shoqëror. Partitë politike në tryezën e drejtuar nga numri dy i PS-së Taulant Balla, mbështetën propozimet e depozituara në Kuvend nga mazhoranca për reformën zgjedhore. “Mbështesim ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor dhe thellimin e këtyre ndryshimeve për të garantuar depolitizim të plotë të të gjithë Administratës Zgjedhore, pjesëmarrjen e emigrantëve në proceset zgjedhore dhe përdorimin e teknologjisë për numërimin elektronik të votave në një projekt pilot qysh në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit”, citohet më tej në deklaratë. Ajo që bie në sy është rikthimi në këtë koalicion i Partive Komuniste, të ndara në disa partiza, por të bashkuara rreth Rilindjes. Gjithashtu aleatet e vjetra si Partisë Social Demokrate e drejtuar nga Skënder Gjinushi, Demokracia Sociale e Paskal Milos, apo edhe subjektet më të reja, që deri dje ishin shkrirë brenda Rilindjes, siç është G 99, e themeluar më parë nga kryebashkiaku aktual i Tiranës Erion Veliaj.

<

Koalicioni i hallit…

Nën moton e përgatitjes për zgjedhjet lokale të qershorit të këtij viti, Partia Socialiste mblodhi në një takim përfaqësues të partive të tjera aleate. Janë 25 parti, të shumtë nga numri, por vështirë që t’u mbahet mend emri që në fund të gjithë firmosën një platformë të hartuar nga zyrat e PS-së, që iu server drejtuesve të partive aleate vetëm për të firmosur. “Mbështesim ndryshimet e propozuara të Kodit Zgjedhor dhe thellimin e këtyre ndryshimeve për të garantuar depolitizim të plotë të të gjithë Administratës Zgjedhore, pjesëmarrjen e emigrantëve në proceset zgjedhore dhe përdorimin e teknologjisë për numërimin elektronik të votave, në një projekt pilot qysh në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit”, thuhet ndër të tjera në platformën e aleatëve të së majtës. Nuk mungojnë as qëndrimet e bujshme ku ndër të tjera thuhet: “Angazhohemi për të ndërtuar një platformë të përbashkët për një koalicion funksional dhe fitues të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Po janë po këta parti që ankohen nga aleanca me Ramën, ku kanë kërkuar poste politike dhe në administratë si shenjë “bashkëqeverisje”, por nuk i janë ofruar. Përfaqësimi politik i PS-së që kishte si të “dërguar” Taulant Ballën dhe jo kreun socialist Edi Rama, ia “zbehu” paksa rëndësinë këtij bashkimi politik, që gjithsesi vjen në një kohë kur vendi është në kaos të plotë politik dhe institucional, me opozitën që ka djegur mandatet dhe kërkesën për zgjedhje parlamentare të parakohshme. Ndonëse opozita e gjithë në bllok ka dalë jashtë sistemit, mazhoranca vijon të këmbëngulë se gjithçka është në normalitet. Për më shumë po bëhet gati të kryejë edhe ndryshime ligjore në Kodin Zgjedhor, që gjithsesi do të kërkonte patjetër praninë e opozitës. Numrat e nevojshëm mund të bëhen në Parlament nga listat e poshtme të deputetëve të opozitës të cilët kanë dalë kundër vendimit politik të partive që përfaqësojnë dhe po marrin mandatet e deputetëve. Deri më tani përfaqësuesit e LSI-së janë treguar më të zellshëm duke pranuar mandatet, ndërsa edhe nga PD ka disa emra të cilët ndonëse votuan pro djegies së mandateve kanë dorëzuar formularët në KQZ dhe tashmë presin vetëm zyrtarizimin si “deputetë opozitarë”.

Basha: Nuk ka qeveri, por bandë hajdutësh

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha gjatë takimeve të zhvilluara dje në Berat dhe Urën Vajgurore në takim me qytetarë deklaroi se pas çdo propagande të Edi Ramës fshihet një vjedhje e madhe. “Rama ka ndërtuar një sistem ku ka ndërthurur interesat e 5 oligarkëve me ryshfete të majme për vetëm e tij dhe ministrat e tij, se kur i rrotullon prapë se prapë punët aty me njëri-tjetrin i llokoçisin. Ikën Damiani, vjen Belinda, Belinda bashkë me Damianin, bashkë me Afrimin. Nuk ka më qeveri. Kemi një bandë e cila është kapur duke vjedhur. Janë kapur duke vjedhur votat dhe në këtë moment ka prerë lidhjen me popullin”, -tha Basha. Ai i ftoi qytetarët që të marrin pjesë në protestën e 16 Marsit dhe të mos kenë frikë nga arroganca e pushtetit, pasi sipas tij qeveria i ka ditët e numëruara. “Kemi një kryeministër që e ka mendjen të bëjë barsoleta, të tallet, dhe të bëjë paratë e shqiptarëve rrush e kumbulla. Sa herë ta shikoni në ekran duke këputur mufka ose duke bërë truket e veta gjoja me veshje, sa herë që është duke bërë atë, është duke vjedhur diçka të madhe. E ka mendjen që ju ta shikoni se si flet, çfarë vesh, në atë moment ai po bën një vjedhje të madhe”, -tha kryedemokrati Basha. Ai gjithashtu kritikoi vendimet e qeverisë në ofrimin e pasurive të vendit për një grup oligarkësh. “Në atë moment ai i ka dhënë një oligarku një kontratë, ose i ka falur një copë bregdeti, ose një pus nafte, një leje minerare, leje ndërtimi në kundërshtim me ligj duke pastruar paratë e drogës, ose ka devijuar lumin që të grabisë pronat e qytetarëve. Çdo moment propagande e Edi Ramës, prapa kësaj fshihet një vjedhje e madhe”, tha Basha. Për kryedemokratin protesta e 16 Marsit do të jetë edhe më e madhe se ajo e zhvilluar më 16 Shkurt dhe sipas tij është momenti që Rama të largohet de jure si kryeministër.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Sezoni i gripit: Kujdes të moshuarit e fëmijët, vaksina ju mbron

[caption id="attachment_673358" align="alignleft" width="256"] fletpalosje punonjes[/caption] Vaksina ndaj gripit është tepër e...
Read More