Ylli Bufi rimbledh Qeverinë e Stabilitetit pas 25 vitesh

qeveriastabilitetitU promovua dje në UET, libri “Në fillimet e Tranzicionit -Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm?”, botim i UET Press, me autor ish-kryeministrin Ylli Bufi 

“Fati i shoqërive në tranzicion varet nga viti i parë i tij; nëse arrini ta kuptoni atë i keni kuptuar të gjitha, nëse arrini ta pranoni atë i keni pranuar të gjitha, nëse keni sukses përgjatë tij rruga e suksesit afatgjatë do të jetë më e lehtë, por nëse jeni të zhgënjyer prej tij me siguri zhgënjimi do jetë gjithashtu i gjatë”. Teza e Vaslav Havel nëse do të përshtatej në rastin e Shqipërisë do të merrte si pikë reference atë çfarë ndodhi në vitin 1991. Qeveria e Stabilitetit me vetëm 6 muaj jetë, qershor-dhjetor të atij viti, është  padyshim një nga simbolet e fillimeve të tranzicionit politik shqiptar.

Vrulli me të cilin ndodhën ngjarjet e asaj kohe dhe ato që pasuan pak gjëra kanë lënë në kujtesën politike. Ndoshta në mënyrë paradoksale ajo qeveri mbahet mend vetëm për një frazë alarmi të thënë nga kryeministri i saj Ylli Bufi se, “vendi kishte dhe 6  ditë bukë’, por pak kush e di se si u bë marrëveshja politike, kush ishin ministrat, si funksionoi dhe çfarë vendimesh apo reformash ndërmori ajo.

Kjo qeveri përbëhej nga emra të njohur që patën rol të fortë në zhvillimet demokratike si Gramoz Pashko,  protagonistë të jetës së mëvonshme politike si Fatos Nano etj.

25 vite më pas, pikërisht në përvjetorin e krijimit, Ylli Bufi ishte i rrethuar nga disa prej ish-ministrave të asaj qeverie jetëshkurtër, por këtë herë në hollin e Universitetit Europian të Tiranës, ku ai po promovonte librin e tij “Në fillimet e Tranzicionit -Qeveria e Stabilitetit, një marrëveshje politike apo një kompromis i përkohshëm?”.

Genc Ruli, Ylli Çabiri, Sabit Brokaj, Nexhmedin Dumani, Maqo Lakrori, Vilson Ahmeti, Muhamet Kapllani etj., u rimblodhën për herë të parë pas 25 vitesh për të kujtuar 6 muajt e punës së bashku, 6 muaj të rëndësishëm, por dhe të çuditshëm, siç i cilësoi Çabiri.

Në fakt ishin 6 muaj që u shkruajtën në histori. Në ato muaj të ethshëm, kur qeveria punonte nga mëngjesi deri në mesnatë u morën disa nga vendimet që shënjuan zhvillimet ekonomike e politike si; reforma e tokës, 7501-i, ligji për privatizimet, krijimi i Bankës Qendrore dhe i disa institucioneve të tjera financiare, anëtarësimi në organizma ndërkombëtare etj… Kryeministri i kësaj qeverie jetëshkurtër ka vendosur të sjellë në formë dokumentore historinë e saj, si lindi, kontekstin politik, ekonomik dhe debatet që e shoqëruan deri në përfundim me dorëheqjen e ministrave të sjellë nga PD-ja.

Protagonist i këtij ritakimi, që sot ishte më shumë njerëzor se sa i lidhur me politikën, Ylli Bufi, tha se shpresonte që me këtë libër t’i shërbente politikës së sotme për të reflektuar dhe për të kuptuar më mirë. Ai tha se është përpjekur të jetë objektiv duke u treguar i kujdesshëm që të mos bëjë pjesë të librit refleksionet e tij por të sjellë të vërtetën ashtu siç ishte. Dhe të pranishmit e pranuan se ia ka arritur, pasi libri bazohet kryesisht në procesverbalet e mbajtura dhe fjalimet e mbledhura nga debatet politike në Kuvend e dokumente të tjera.

Kabineti i “shokëve” dhe “zotërinjve”

Në Qeverinë e Stabilitetit, emër që siç pranon autori u pagëzua nga deputeti Preç Zogaj, ishin “shokët” që vinin nga Partia e Punës dhe “zotërinjtë” e rinj që vinin nga Partia Demokratike e sapokrijuar. “Ju kishit eksperiencën e menaxhimit dhe njohjes së institucioneve, ndërsa ne kishim vetëm energjinë dhe besimin”, do ta përkufizonte pas 25 vitesh Genc Ruli këtë periudhë qeverisjeje së bashku. Gjithsesi ai e cilësoi si “misionare” këtë qeveri duke pasur parasysh kaosin që mbizotëronte në vend dhe nga ana tjetër Ruli kujton me humor situatën absurde të krijuar me dërgimin e zarfeve ndaj ministrave

Gjatë fjalës së tyre Ruli dhe Çabiri, dy ish-vartës të Bufit, njëri i Partisë Demokratike dhe tjetri i Partisë së Punës së asaj kohe, vlerësuan librin si kontribut për brezat e ardhshëm dhe për politikën e sotme për të njohur historinë e fillimeve të Tranzicionit.

Ruli e cilësoi atë qeveri si qeveria e armëpushimit mes dy palëve. “Kishim Partinë Demokratike që pavarësisht se kishte marrë 30 për qind të votave nuk ndihej humbëse dhe kishim Partinë e Punës që kishte marrë 70 për qind por nuk ndihej fituese dhe kjo qeveri ishte e vetmja mënyrë për të frenuar kaosin”, tha ai.

Ndërsa Ylli Çabiri duke i veshur dhe nota humori kujtoi modelin e veçantë që përfaqësonte kjo qeveri me pjesëmarrje të të gjitha palëve. Sipas tij,  gjysmës së kabinetit  i vinin letrat me nënshkrimin “Zoti” dhe gjysmës tjetër me nënshkrimin “shoku”, sipas partive përkatëse. Servet Pëllumbi, ish kryetari i parlamentit dhe një nga figurat emblematike të Partisë Socialiste, e cilësoi krijimin e kësaj qeverie si zgjidhja më e mirë në atë kohë. “Ishte modeli më i mirë për tranzicionin. Edhe pse nuk e pati jetën e gjatë mori hapa të rëndësishëm. Kjo qeveri nuk dështoi, por e shkatërruan. Edhe në mbledhjen e fundit që zgjati me orë të gjata nuk kishte asnjë argument për dështimin e saj, por PD-ja u kap vetëm me një frazë të thënë nga kryeministri Bufi se vendi ka dhe 6 ditë bukë. Në fakt ai po thoshte të vërtetën për gjendjen ku ndodhej vendi dhe vështirësitë e mëdha që po kalonte”, tha Pëllumbi. Studiuesi Afrim Krasniqi në parathënien e librit e quan atë një çelës për të lexuar Shqipërinë e sotme. Duke i besuar përcaktimit të Havelit ai thotë se “Shqipëria e tranzicionit, në shumë aspekte, ka pasur dhe ka për simbol bilancin gri të vitit 1991 dhe gjithçka përfaqëson ai”. Ky botim, pjesë e kolanës Scripta Manent të UET Press, vjen në kuadër të botimeve mbi Tranzicionin shqiptar, ku janë përfshirë libra studimore, me kujtime dhe publicistikë nga studiues ose aktorë të drejtpërdrejtë të kësaj periudhe, si Preç Zogaj, Servet Pëllumbi, Spartak Ngjela, Adrian Civici etj.

 

Përbërja e Qeverisë së Stabilitetit 

Kryetar i Këshillit të Ministrave– Ylli Bufi, i Partisë së Punës.

Zv.kryetar dhe Ministër i Ekonomisë – Gramoz Pashko, i Partisë Demokratike.

Zv.kryetar i Këshillit të Ministrave– Zyhdi Pepa, pa parti, i propozuar nga Partia e Punës.

Ministër i Punëve të Jashtme– Muhamet Kapllani, i Partisë së Punës.

Ministër i Mbrojtjes– Perikli Teta, pa parti, i propozuar nga Partia Demokratike.

Ministër i Rendit Publik– Bajram Yzeiri, pa parti, i propozuar nga Partia Punës.

Ministër i Drejtësisë- Shefqet Muçi, pa parti, nga Partia Socialdemokrate.

Ministër i Burimeve Minerare dhe Energjetike– Drini Mezini, i Partisë së Punës.

Ministër i Industrisë– Jordan Misja, pa parti, i propozuar nga Partia Demokratike.

Ministër i Ushqimit– Vilson Ahmeti, pa parti, i propozuar nga Partia Punës.

Ministër i Bujqësisë– Nexhmedin Dumani, i Partisë së Punës.

Ministër i Lidhjeve Ekonomike me Jashtë– Fatos Nano, nga Partia e Punës.

Ministër i Tregtisë së Brendshme dhe Turizmit– Agim Mero, nga Partia Demokatike

Ministër i Transportit– Fatos Bitincka, pa parti, i propozuar nga Partia Republikane.

Ministër i Ndërtimit- Emin Mysliu, i Partisë Demokratike.

Ministër i Arsimit- Maqo Lakrori, i Partisë së Punës.

Ministër i Shëndetësisë- Sabit Brokaj, i Partisë së Punës.

Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve- Preç Zogaj, i Partisë Demokratike.

Sekretar Shteti për Ekonominë- Leontjev Çuçi, i Partisë së Punës.

Sekretar Shteti për Bujqësinë- Resmi Osmani, i Partisë Agrare.

Sekretar Shteti për Arsimin- Paskal Milo, i Partisë Socialdemokrate.

Kryetar i Komisionit të Kontrollit të Shtetit- Alfred Karamuço, i Partisë Republikane

Kryetar i Komitetit të Shkencës dhe Teknikës- Petrit Skënde, pa parti

 

Bufi: Vendi ka nevojë për marrëveshje të vërteta politike

“Librin do ta konsideroja një dëshmi timen për çfarë ka ndodhur në fillimet e tranzicionit në Shqipëri. Në atë periudhë tepër të vështirë dhe roli që luajti kjo qeveri, por sidomos analizova në këtë libër mënyrën se si u krijua dhe se si ra kjo qeveri. Për të analizuar lëvizjet politike të kohës së atëhershme dhe fatkeqësisht vazhdojnë të trashëgohen dhe sot duke i dhënë tonin jetës politike në vend. Gjatë gjithë shkrimit të këtij libri, megjithëse jam munduar të kem shumë pak reflektime të sotme, preokupimi im ka qenë nëse ky libër do të ndihmojë për të kuptuar politikën e sotme. Do të isha shumë i lumtur nëse do të kisha këtë kontribut, është një histori, por edhe mundësi për të kuptuar politikën 25- vjeçare.

Fakti që ndryshimi i sistemit politik, ka shumë rrëfime, vlerësime, unë do të thosha pa i nënvlerësuar faktorin e brendshëm, si lëvizja studentore, duhet thënë që edhe kjo përmbysje që ndodhi mes dy sistemeve, duhet parë e lidhur me gjithë ndryshimet europiane. Po të shikosh në historinë tonë, të gjitha momentet kyçe që nga Pavarësia, janë të lidhura me ndryshimet që ndodhin në Europë. Edhe kjo përmbysje e ’91-it është e lidhur me këtë. Unë në libër e kam cilësuar sepse kam dashur të nënvizoj që nuk jemi një rast i veçantë, edhe pse kemi specifikat tona. Fakti që ndryshimet shqiptare kanë ndodhur në rrjedhën që kanë ndodhur në gjithë kontinentin, tregon që ne jemi si gjithë të tjerët por kemi qenë të mbyllur, ndikimi është më  i ngadaltë.

Në ’91 ne e ndjemë veten që u kthyem në familjen e kombeve të lira, sepse në shumë institucione të mëdha të kohës, Shqipëria pati një mbështetje të plotë që nuk e ka patuar që nga Pavarësia e vendit. Gjithmonë kemi pasur reagime të ndryshme, asnjëherë kaq mbështetëse sa në ‘91 dhe kjo nuk lidhej me faktin se kemi qenë qeveri e re, por lidhej me faktin se u bë një marrëveshje politike afatgjatë, që do të konsolidonte vendin në familjen e kombeve europiane.

Për herë të parë forcat politike të Shqipërisë u përpoqën të merreshin vesh dhe prandaj u mbështet nga gjithë vendet demokratike. Sipas një studimi të kohëve të fundit gjatë 25 viteve, ka pasur 65 kompromise ose marrëveshje mes partive. Në fakt, 65 të tilla janë vërtetë të pjesshme, stacione të pjesshme dhe jemi të detyruar të ndalonim në gjithë këto stacione. Dhe në vend që të kishim ecur me shpejtësi, na është dashur të ndalojmë në këto stacione që kanë qenë interesa partiake të momentit dhe ende mungon një marrëveshje tërësore që partitë të merreshin vesh se ku duhej të ecte Shqipëria. Edhe për reformën e drejtësisë, është një më pak, duhet një marrëveshje e vërtetë që ka nevojë vendi për te ecur në Familjen Europiane.”

 

Genc Ruli: Qeveria e Stabilitetit ishte si pol i tretë mes dy partive

“Kjo qeveri ishte një armëpushim mes dy partive të mëdha, midis PD-së që kishte dalë nga 31 marsi e mundur, por që nuk mund të quhej e mundur, dhe Partisë Socialiste që kishte dalë nga zgjedhjet fituese me 70% të votave, por që nuk ndihej fituese. Përpara këtyre u deshën ca kapërcime nga pozicione shumë të forta dhe fanatike nga ne rrinim për të pranuar që kështu mund të minimizohej kaosi ku ishte vendi në atë kohë. Kishim një dakordësi politike. Unë ndoshta jam ministri i fundit që kam pranuar të bëhem ministër, unë kam qenë në Çeki kur është bërë marrëveshja dhe kam ardhur një muaj pasi u formua qeveria. Ne kishim luftuar për të rrëzuar ministrat, dhe dukej e çuditshme se si ne do të bëheshim ministra. Të dyja palët e firmosën marrëveshjen për të fituar kohë. PD-së i duhej të fitonte kohë nga partia që rrëzoi komunizmin, nuk mjaftonte më energjia e mitingjeve, e fushatës, ndërsa Partia e Punës ishte para ekzistencës së fundit dhe donte të paraqitej si një parti e së majtës moderne dhe kishte më shumë mendjen të merrej me oborrin e saj.

Ekipi i partisë së Punës përbëhej nga teknokratët më të mirë që ishte brezi i fundit i brezit komunist, që klika e vjetër nuk i kishte në axhendë por në momentet e fundit hodhi sytë nga ata. Jo sepse kishte mendjen për të qeverisur më mirë vendin, por për t’i bërë fasadë vetes së saj për të qenë më e pranueshme në sytë e popullit dhe padyshim kishte një dozë eksperience. Ne kishim më të fortë energjinë dhe shpërthimin dhe besonim që bëhej nëse ne donim të bëhej. Ajo qeveri kishte një lloj prekje prej misionari, një dedikim të tillë ndaj ditës së punës, mbledhjeve të qeverive, kur asnjëri nuk ishte në shtëpi para orës 12 apo 1 të natës. Unë do të thosha që arriti vërtet, në atë gjendje të vështirë, disa hapa, disa arritje që sot duken më të vështira se atëherë kur mendon se kush ishte kultura jonë ndaj shtetit, kush ishte aftësia e një qeverisjeje të re që vinte me portret të ri të fitonte besimin e njerëzve që t’i bënte ta pranonin. Qeveria filloi të perceptohej si një forcë e tretë politike krahas PD-së dhe PS-së. Xhelozia dhe gara në politikë janë ato që mbajnë politikën, në politikën praktike morali është kur predikon, por jo kur vepron. Kështu që vetvetiu, qeveria e stabilitetit u shpërbë”.

 

Ylli Çabiri: Pse Qeveria e Stabilitetit ishte qeveria e çudirave

“Sigurisht, puna që miku im ka dashur të bëjë nuk është ndërmarrje e lehtë sepse është e vështirë të shkruash për historinë e qeverive të ndryshme dhe aq më pak për Qeverinë e Stabilitetit. Kjo sepse ishte një qeveri që disa e cilësonin qeveri e mirë, disa qeveri e keqe, disa qeveri shumë e aftë, disa që nuk bën asnjë lek, disa që është e ndershme, ndërsa disa të tjerë thoshin që është qeveri hajdute. Por gjëja që mua më ka ngelur në mendje është cilësimi që një deputet që i bëri një deputet i parlamentit të asaj kohe. Parlamenti i asaj kohe mblidhej shumë më shpesh se sa mblidhet tani. Megjithëse temat trajtoheshin nga më të ndryshmet, ky deputet mua më ka ngelur në mendje sepse ky fliste gjithmonë për çdo temë, dhe thoshte “kjo është qeveri e poshtër”. Të thuash që është e aftë, e paaftë, por qeveri e poshtër se si na dukej dhe ne në atë kohë ministrat nuk uleshin përballë siç rrinë sot, nga frika se mos njerëzit kujtonin ministrat që rrinin aty rrinin si njerëzit e mëparshëm dhe ne që nuk ishim as deputetë qëndronim te lozhat e parlamentit dhe kryqëzonim vështrimin me ministrat të cilët ishin deputetë, kryesisht me Gramozin sepse ai ishte mjeshtër i politikave dhe ai thoshte “vazhdoni mos çani kokë”.

Sidoqoftë, ajo që ka rëndësi është se edhe unë si bashkëkohës i asaj qeverie kam të drejtë ta cilësoj si një “qeveri të çuditshme”. Ishte një qeveri e çuditshme sepse kjo përkonte me një kohë të çuditshme, shqiptarët kishin rrezuar Murin e Berlinit dhe ëndërronin se Shqipëria do të behet si gjithë Europa. Por, kur shkuan në dyert e Europës i gjetën të mbyllura dhe për ironi të fatit këto dyer nuk janë hapur as sot megjithëse kanë kaluar 25 vjet. Kjo ishte një kohë e çuditshme sepse luftohej korrupsioni, por çfarë ishte korrupsioni në atë kohë? Ishte një dhuratë, një shishe wiskey ose një shishe uzo, që i jepej ministrave nga vizitorët a thua se ministrat ishin pijanikë të thekur. Ishte një kohë e çuditshme sepse ministrat punonin nga mëngjesi nga ora 7:30 dhe nuk largoheshin para mesit të natës sepse nuk mbaroheshin ato letra. Sigurisht sot ka ministra që janë shumë më të zotë, që kanë studiuar më mirë se ne dhe e bëjnë punën shumë më shpejt, por atëherë kështu ishte. Dhe kishim një parim “mos ikni asnjëherë nga zyra pa boshatisur tavolinën”. Prandaj, nëse futeni në zyrën e një ministri dhe e shihni tavolinën rrëmujë mendoni që ka diçka që nuk shkon. Kjo ishte një qeveri e çuditshme sepse vërtet ne ishim ministra, por ne shkonim në radhë për të marrë qumësht. Kështu ishte koha, dhe ne kur flisnim çdo mëngjes para se të fillonim punën, një nga pyetjet ishte “A mori dot Zana qumësht sot në radhë apo doli bosh?”, dhe kur ne shkonim në radhë për qumësht shkonim në errësirë, ata nuk na shikonin dhe flisnin kundër nesh, shfrynin me emra, por kur dilte drita dhe na shihnin ulnin kokën të turpëruar. Kjo ishte qeveri e çuditshme sepse kishte një përbërje të çuditshme, ishte një qeveri koalicioni dhe kishte një trupë ministrash, zv/ministrash, drejtorë, sekretarë, politikanë të mbaruar dhe të gjithë raportonin në partitë e tyre, por kjo qeveri kishte edhe teknicienë që nuk dinin se çfarë ishin partitë, por kjo qeveri kishte edhe spiunë, të cilët nuk dinin të bënin asgjë veç punës së tyre. Por kjo qeveri kishte shokun Ylli, kjo qeveri kishte zotin Gramoz, kishte shokun Bajram, kjo qeveri kishte zotin Myftiu, shokun Vilson, zotin Agim Mero e kështu me radhë të cilët çuditësisht shndërroheshin në zoti Ylli, shoku Gramoz, zoti Bajram, shoku Myftiu. Kjo qeveri ishte e çuditshme sepse merrej me gjëra të çuditshme. Nuk merrej me reforma të majta apo të djathta, por merrej me gjëra krejt të thjeshta. Liberalizimi i çmimeve, liberalizimi i tregtisë me jashtë, ndarja e tokës, privatizimi i dyqaneve. Me këto merrej, por kjo qeveri merrej me sigurimin e ushqimit për njerëzit. Në atë kohë njerëzit po hanin njëri tjetrin dhe kjo qeveri siguroi që të merrnin 35% të kalorive ditore të një europiani, që ishte rreth 6 herë më shumë se sa këta njerëz kishin marrë 1 muaj më parë në fundin e rënies. Kjo qeveri u formua me një formulë të çuditshme, të gjitha partitë përfaqësoheshin në këtë qeveri aq sa të huajt që ne takonim thoshin “çudi me ju shqiptarët, si arritët ju të gjeni këtë formulë fituese që është më e mira e gjithë lindjes komuniste. Për shkak të kësaj formule nëse vazhdoni kështu do të jeni të parët që do të hyni në Bashkimin Europian”. Sigurisht nuk mund ta pranonin këtë lloj … por kjo është një qeveri e çuditshme sepse nuk u fol asnjëherë më pas për këtë. Politikanë, gazetarë, ndërkombëtare, sikur kanë pasur një ngërç për ta përmendur këtë qeveri. Aq sa edhe filmimet e asaj mbledhjeje të famshme, që u ndoq nga shqiptarët më shumë se Kampionati Europian, janë zhdukur. I kemi kërkuar dhe nuk i kemi gjetur, vetëm procesverbalet janë ruajtur. Dhe është e çuditshme sepse çdo gjë që ka ndodhur në këto 25 vjet në Shqipëri është thënë atë natë! Me shumë dashamirësi do t’ju sugjeroj më të rinjve ta lexojnë një libër të tillë, për karrierën e tyre, për suksesin e tyre sepse Shqipëria është kjo që është me të mirat dhe të këqijat, kështu ka qenë Shqipëria, pa lexuar këto histori Shqipëria nuk mund të kuptohet.”

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dështimi Rama-Basha, si fillim i suksesit të reformës

Nga Arion Sulo Duket si paradoks apo provokim të thuash sot se...
Read More