Vrau katër policë: Si i shpëtoi Dritan Dajti burgimit të përjetshëm

Me një vendim të papritur, Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, duke e dënuar me 25 vjet burg. Pas shtatë vitesh Dajti pritet të fitojë lirinë. Ai u akuzua për vrasjen e katër efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari në vitin 2009.

Lajmi më i bujshëm për drejtësinë ka ardhur dje nga Gjykata e Krimeve të Rënda, që rrëzoi dënimin me burgim të përjetshëm të Dritan Dajtit, duke pranuar “gjykimin e shkurtuar” dhe përfundimisht nga burg përjetë Dritan Dajti dënohet me 25 vjet. Ai akuzohet për vrasjen e katër efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale, ngjarje e ndodhur më 7 gusht të vitit 2009 në afërsi të plazhit të Durrësit. Viktimë mbetën afektivët Kastriot Feskaj, Fatos Xhani, Saimir Duçkollari dhe Altin Dizdari, ndërsa nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë edhe shoqëruesi i Dajtit, Ledion Mara. Me vendimin e djeshëm Dajti mund të shohë lirinë pas shtatë vitesh, pasi që nga momenti i arrestimit dhe deri më tani ka qëndruar në dhomat e paraburgimit, që llogaritet 1.5 ditë burgim.

Gjykata e Lartë rihapi çështjen

Të gjitha shkallët e gjyqësorit e kishin dënuar me burgim të përjetshëm Dajtin, ndonëse ai mohoi akuzat dhe gjatë seancave të para pretendoi se kishte qëlluar për vetëmbrojtje, pasi efektivët e policisë sipas tij nuk kishin simbole dalluese të strukturave të rendit. Më pas Dajti braktisi seancat gjyqësore dhe nuk pranoi të përfaqësohej me avokatë mbrojtës, edhe ata të cilët caktoheshin kryesisht nga shteti nuk e merrnin përsipër çështjen. Një vendim i pak muajve më parë i Gjykatës së Lartë ndryshoi rrjedhën për çështjen “Dajti”. Kolegji penal u shpreh se çështja duhej të kthehej për rigjykim në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljes së procedurave hetimore dhe të gjykimit. Përfundimisht tre gjyqtarë të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda vendosën të pranonin gjykimin e shkurtuar dhe automatikisht Dajtit i bie dënimi i përjetshëm duke kaluar në 25 vite. Pas këtij vendimi nuk ka pasur asnjë reagim dhe nuk dihen hapat e mëtejshme të prokurorisë e cila ka edhe një mundësi apelimi. Institucioni i akuzës kërkoi burgim të përjetshëm për Dajtin, pasi sipas saj ekzistonin prova shkencore dhe dëshmi që vërtetonin se autori i ngjarjes së 7 gushtit 2009 ishte i pandehuri Dajti.

Masakra e 7 gushtit

Për strukturat e policisë është një nga ngjarjet më të rënda që u mbyll me humbjen e jetës së katër efektivëve të Grupit të Operacioneve Speciale. Ngjarja u regjistrua paraditen e 7 gushtit kur një njësi speciale pas sigurimit të informacionit mbi vendndodhjen e të shumëkërkuarit Dajti nisën aksionin për arrestimin e tij. Ndërsa ishte në një makinë fuoristradë, efektivët i bllokuan rrugën dhe sapo hapën derën e pasme të automjetit nisi shkëmbimi i zjarrit. Katër punonjësit e policisë mbetën të vrarë në vend, gjithashtu, humbi jetën edhe shoqëruesi i tij Ledion Mara, ndërsa Dajti mbeti i plagosur. Edhe pse masat për arrestimin e tij ishin marrë me dërgimin e njësisë speciale duket se në operacion diçka nuk funksionoi dhe në fillim pati edhe dyshime për dekonspirim të këtij aksioni. Dritan Dajti në atë kohë hapte listën e personave të shpallur në kërkim me rrezikshmëri të lartë. Mbi të rëndonte akuza e vrasjes së biznesmenit Agim Beqja, ngjarja e ndodhur në vitin 1999. Pak pas krimit të dyshuar ai u arrestua, por gjatë kohës që ishte në proces gjyqësor në Gjykatën e Rrethit Tiranë, Dajti mundi të arratisej në vitin 2004. Pesë vite më vonë, teksa policia ra në gjurmët e tij ndodhi edhe masakra me katër punonjës të strukturave special të ekzekutuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A ka shenja se po dështon Reforma në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj Në ditët në vijim, Gjykata Kushtetuese pritet të marrë...
Read More