Vrasja e Jurgen Kurtit: Hetuesit rindërtojnë mekanizmin e ekzekutimit

 

Policia ka shpallur në kërkim Klodjan Banen në lidhje me vrasjen e Jurgen Kurtit. 38-vjeçari nga Patosi dyshohet se është pikërisht personi që ka qëlluar mbi Kurtin mbrëmjen e 18 marsit.

Një ditë më parë policia vuri në pranga tre persona si bashkëpunëtorë të Banes në kryerjen e vrasjes. Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Patos, Fier; Olsi Qalliu, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.

Atyre iu janë sekuestruar një armë zjarri “pistoletë TT”, fishekë luftarak, një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar pas kryerjes së ngjarjes, një sasi e vogël lënde narkotike, 2470 Euro dhe lekë shqiptare, si dhe dy makina luksoze.

Pas analizimit të kamerave të sigurisë hetuesit arritën të rindërtojnë dhe mekanizmin e vrasjes.

Mësohet se mbrëmjen e 18 marsit Elsi Levendi kishte studiuar lëvizjet e Kurtit madje ishte ulur në një nga kafenetë e zonës në rrugën “Zef Jubani”. Sapo i riu kishte dalë nga palestra, e cila ndodhet pranë shtëpisë së tij, Levendi lajmëroi bashkëpunëtorët, të cilët e prisnin në hyrje të pallatit ‘Bjorn’ ku jetonte Kurti.

Pas ekzekutimit të të riut, grupi prej tre personash, i cili lëvizte me mjetin tip Mercedes me targa të huaja u largua në drejtim të Postës numër 8, ndërsa Levendi lëvizi me taksi. Nga këqyrja e filmimeve të disa kamerave të sigurisë vrasësit kishin ndaluar në afërsi të Pallatit me Shigjeta ku ishin takuar aty ku dhe dyshohet se i kanë ndërruar targat mjetit.

Për sa i përket motivit të krimit hetuesit pritet të bëjnë të mundur dhe zhbllokimin e telefonave të kushtueshëm të vrasësve. Sipas të dhënave të policisë bëhet fjalë për 5 celularë të cilët përdorin dy sisteme operative dhe që kushtojnë 1600 euro secili. Në faqen zyrtare të ENCROCHAT specifikohen dhe të dhënat e celularëve të cilët janë të pagjurmueshëm dhe mesazhet zanore apo tekst vetëshkatërrohen.

Deri më tani të rinjtë nuk kanë pranuar të flasin mbi motivet e vrasjes ndërsa policia nuk ka përjashtuar dhe ndonjë konflikt të mundshëm mes tyre dhe Jurgen Kurtit.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Basha “i mbyll derën” Ramës: I vetmi pakt për Shqipërinë, shteti ligjor

Basha i përgjigjet ftesës së për pakt për prokurorin: I vetmi pak...
Read More