Vendimi që fundosi kreun e Kushtetueses

Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkon nga detyra për çështjen e mosjustifikimit të pasurisë kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Ai ishte konfirmuar në detyrë nga KPK, por vendimi u apelua nga ONM dhe Komisioneri Publik. Edhe nëntë emra të tjerë për të kapërcyer filtrin e Apelimit. Kushtetuesja mbetet vetëm me një anëtare.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja nuk iu gëzua më shumë se tre muaj konfirmimit në detyrë nga KPK, pasi dje ka ardhur fundi i karrierës së tij në sistemin e drejtësisë kur pesë anëtarët e trupës gjykuese të KPA vendosën shkarkimin e tij duke arsyetuar se ai nuk kishte arritur një nivel të besueshëm në deklarimin e pasurisë. Vendimi u mor paraditen e djeshme, pas tre seancash gjyqësore të zhvilluara. Një nga emrat që votoi pro Reformë së re të Drejtësisë, kur çështja ishte në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, ka rënë vetë, duke mos e kaluar vettingun në shkallën e dytë. Dedja ishte konfirmuar në detyrë më 13 qershor me shumicë votash nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit me mendimin në favor të kryesueses Valbona Sanxhaktari dhe anëtarit të trupit gjykues, Roland Ilia, ndërkohë relatorja e çështjes Xhensila Pine votoi kundër konfirmimit të tij në detyrë. Ndonëse në relacionin e KPK-së ishin konstatuar problem të dukshme në justifikimin e pasurisë, vendimi për konfirmimin në detyrë ishte disi i befasishëm. Kjo nxiti reagimin ku vendimi i KPK u apelua nga Komisioneri Publik pas rekomandimit të (ONM) Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, për kriterin e pasurisë, duke arsyetuar se sa i përket kriterit të pasurisë vendimi i KPK-së nuk ka qenë i bazuar në prova. Vetë Dedja pasi mori konfirmimin në KPK u shpreh në atë kohë se “të kaloje vettingun, ishte sikur të kaloje nga varri për së gjalli”. Në këtë mënyrë shkalla e dytë e vettingut, KPA vendosi përfundimisht shkarkimin e Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja. Situata me këtë institucion futet edhe më shumë në kolaps të plotë, pasi aktualisht ka mbetur vetëm me një anëtar, Vitore Tusha që kaloi testin KPK dhe konfirmimi i saj në detyrë nuk është ankimuar. Të gjithë anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese janë rrëzuar nga procesi i vettingut në KPK, ndërsa i fundit kryetari i saj ra në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

KPA për herë të parë kundër KPK-së

Kolegji i Posaçëm i Apelimit i udhëhequr nga Ardian Hajdari si kryesues, Luan Daci relator dhe gjyqtaret Albana Shtylla, Rezarta Schuez dhe Natasha Mulaj, nuk rrëzuan vetëm një emër, por thyen edhe precedentin, që për herë të parë vendosi të prishë një vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Në dy seancat e mëparshme vetë Dedja dhe avokati i tij Maks Haxhia kundërshtuan ankimin dhe akuzuan Komisionerin Publik, Darjel Sina se ishte në konflikt interesi, kishte përdorur standarde të dyfishtë dhe ishte treguar dashakeq. Ndërsa në lidhje me çështjen e pasurisë Dedja u justifikua se për një apartament në Golem dhe një shumë tjetër të hollash ishte ndihmuar nga vëllai i tij emigrant. Gjithsesi, KPA i dha të drejtë Komisionerit Publik, sipas të cilit Dedja kishte probleme në justifikimin e pasurisë dhe burimin e ligjshëm të saj e të personave të lidhur për tre asete, përfshi një apartament 98m2 në Tiranë i blerë në vitin 1997, një apartament 146 m2 dhe një garazh në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë dhe një apartament në përdorim në Golem me sipërfaqe 60 m2. Për sa i përket apartamentit 98 m2 në Tiranë, Komisioneri Publik shprehet se gjyqtari ka mospërputhje të deklaratës periodike me deklaratën vetting dhe ka bërë deklarim të pasaktë pasurie, pasi në deklaratën e vitit 2003 ka dhënë vlerën 1.7 milionë lekë, ndërkohë që vlera sipas kontratës e apartamentit është 1.8 milionë lekë. Gjithashtu, Sina nënvizoi se për këtë pasuri subjekti ka mungesë burimesh të ligjshme. Pasuria tjetër për të cilën komisioneri Sina ngriti dyshime që u konfirmuan nga KPA është apartamenti 146 m2 dhe 15 m2 garazh, në kompleksin ‘Nobis’ në Tiranë, i blerë për 180,000 euro. Blerja e këtij apartamenti është financuar me 120,000 euro kredi bankare nga BKT, kursime familjare dhe të ardhurat nga paga, si dhe hua pa interes nga kunati Edmond Cani dhe vëllai i subjektit Mensur Dedja, në vlerat respektive 10,000 euro dhe 15,000 euro. Sipas Komisionerit, të dy personat e lidhur – vëllai i gjyqtarit dhe kunati, nuk i justifikojnë huat e dhëna ndaj subjektit me të ardhura të ligjshme. Ndërkohë, një apartament 1+1 prej 60 m2 në Golem rezultoi gjithashtu me probleme për Dedjen. Ky apartament është i regjistrua në emër të vëllait të ish-gjyqtarit, Latif Dedja me banim në Dibër. Por për këtë aset që nga viti 2003, subjekti ka një kontratë energjie elektrike me OSHEE dhe ka bërë pagesat e energjisë elektrike, çfarë sipas Komisionerit Publik krijon dyshime të arsyeshme se është një pasuri e fshehur e subjektit. Në përgjigje të pyetësorëve të KPK-së, kreu i Kushtetueses ka deklaruar se e ka përdorur këtë aset për periudha të shkurtra gjatë verës.

Rreziku i precedentit

Nuk është vetëm Bashkim Dedja që iu largua sistemit të drejtësisë, pasi të tjerë gjyqtarë dhe prokurorë që janë konfirmuar në detyrë nga KPK duhet të kalojnë në filtrin e dytë, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Një institucion i reformës së re të drejtësisë që shërben si Gjykatë Apeli dhe vendimi i saj është i formës së prerë, duke mos u lënë asnjë mundësi kundërshtie personave të shkarkuar në instance të tjera në vend dhe e vetmja rrugë është Gjykata e Strasburgut. Krahas Dedjes janë edhe nëntë gjyqtarë dhe prokurorë që kanë kaluar procesin e vettingut në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit (KPK), por janë ankimuar nga Komisioneri Publik dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. Krahas Dedjes një tjetër emër i njohur do të duhet të përballet me vendimin e KPA-së dhe ai është kreu aktual i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. Edhe për të komisioneri publik ka shprehur rezerva për konfirmimin një detyrë, duke e konsideruar të pajustifikuar pasurinë e patundshme dhe shuma të tjera në valutë, që dyshohet se nuk kanë burim të ligjshëm. Në rast të shkarkimeve të gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë fituar vendin në KLGJ (Këshillin e Lartë Gjyqësor) dhe KLP (Këshillin e Lartë të Prokurorisë), atëherë procesi i ngritjes së institucioneve të reja, përkatësisht SPAK dhe BKH do të viheshin seriozisht në rrezik, që mund të çonte në të tjera shtyrje. Deri më tani janë dhjetë emra të cilët janë konfirmuar nga KPK, por këto vendime janë ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Precedent me rënien e Dedjes tashmë është krijuar dhe mund të bien të tjerë gjyqtarë dhe prokurorë në betejën me Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

 

Kush duhet shkarkuar sipas ONM

Gentian Medja, gjyqtar në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, Tiranë.

Xhezair Zaganjori, kryetar i Gjykatës Kushtetuese

Artur Malaj, gjyqtar i Gjykatës Administrove të Apelit

Gentjan Osmani, Prokuroria për Krimet e Rënda

Bashkim Dedja, kryetar i Gjykatës së Lartë

Kush duhet shkarkuar sipas Komisionerit Publik

Nertina Kosova, gjyqtare në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda

Edmond Islamaj, anëtar i Gjykatës së Lartë

Alma Brati, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë

Astrit Faqolli gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë, kandidat për KLGJ

Antoneta Sevdari, prokurore në Prokurorinë e Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjuhëtarët të shqetësuar: T’i mësohet shqipja mërgatës!

Edicioni i 36-të i seminarit të Gjuhës, Letërsisë dhe kulturës shqiptare ka...
Read More