Vendi në kaos institucional

Presidenti Ilir Meta rrëzon kandidaturën e Genti Cakajt si ministër për Europën dhe Punët e Jashtme. Tri motivet se përse kreu i shtetit refuzoi Cakajn, ku më kryesorja ishte se nuk ishte pajisur me certifikatë sigurie. Shpërthen kryeministri Edi Rama dhe e konsideron vendimin e Metës si antikushtetues, të turpshëm dhe maskarallëk. Përplasja kthehet nga “personale politike” në institucionale të mirëfilltë qeveri-presidencë, pasi mungon Gjykata Kushtetuese për t’i dhënë përgjigje ngërçit të krijuar.

Nuk ka më paqe, qoftë edhe për kortezi institucionale! Presidenti i vendit Ilir Meta refuzoi me dekret kandidaturën e Genti Cakajt në krye të Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme duke rrëzuar propozimin e kryeministrit Edi Rama dhe tashmë është shpallur edhe një betejë të re, në luftën e vjetër mes dyshes Rama-Meta. Presidenti Ilir Meta në një shpjegim të gjatë dhe gati shterues ligjor e kushtetues, arsyetoi dje shkaqet e mosdekretimit të 28-vjeçarit Cakaj në postin e rëndësishëm ministror. Dy nga shtyllat ku presidenti parashtroi mosdekretimin, janë qëndrimet e Cakajt pro idesë së korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi, e madje edhe në Ballkanin Perëndimor dhe se ka punuar pa certifikatë sigurie kur mbante postin e zëvendësministrit të Jashtëm, duke shkelur njëkohësisht edhe ligjet e vendit. Kjo shkaktoi reagimin e ashpër të kryeministrit Rama ndaj presidentit Ilir Meta dhe në pasditen e djeshme Rama deklaroi se Cakaj do të vijojë detyrën si ministër i Jashtëm dhe njëkohësisht e çliroi gjuhën duke lëshuar drejt kreut të shtetit një lumë akuzash dhe e ka konsideruar antikushtetues, të turpshëm dhe një “maskarallëk” vendimin e Metës. A mund të ushtrojë detyrën një i propozuar nga kryeministri, por i mosdekretuar nga presidenti dhe për më shumë kur vijon të jetë ende “ministër me letra” Ditmir Bushati? Në mungesë të Gjykatës Kushtetuese interpretimet politike thjesht shtojnë edhe më shumë kaosin absurd të politikëbërjes dhe konfliktualitetin në vend.

<

Meta jep arsyet, pse nuk e dekretoi Cakajn

Në një letër të gjatë shpjeguese për mosdekretimin, kreu i shtetit është ndalur në tri kritere kryesore të kandidaturës së Cakajt, ku si fillim ngre shqetësimin se nuk ka aftësitë dhe eksperiencën e duhur dhe më pas i shkon në thelb problemit ku rendit qëndrimet e shfaqura të Cakajt që është shprehur pro korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi. Gjithashtu, nga qershori i vitit të kaluar, moment kur Genti Cakaj kaloi nga këshilltar i kryeministrit në zëvendësministër të Europës dhe Punëve të Jashtme ka ushtruar detyrën pa u pajisur me certifikatën e sigurisë. “Profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi”, argumenton Meta në pikën ku i referohet aftësive profesionale apo eksperiencës së 28-vjeçarit Cakaj. Duke u ndalur në konceptin e Cakajt për politikën e jashtme, Meta është ndalur në deklaratat e tij në lidhje me çështjen e korrigjimit të kufijve në Ballkan. “…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht ky nuk është thjesht një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje. Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…)-ka deklaruar më parë Cakaj. Për presidentin Meta: “Këto deklarata të rrezikshme të z Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Europian”. Në punën e tij si zëvendësministër prej pak muajsh Cakaj pati edhe një problem për sa i përket certifikatës së sigurisë. Në letrën shpjeguese Meta shprehet se Cakaj me VKM nr.342, datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i së cilës kërkon domosdoshmërisht pajisjen me certifikatën e sigurisë personale, me qëllim që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar. “Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi”-argumenton presidenti. Por ky “detaj i vogël” i anashkaluar nga 28-vjeçari Cakaj në kohën kur ishte zëvendësministër i Jashtëm, u arrit të sigurohej në vetëm një ditë, por edhe kjo pjesë sipas Metës është kryer në kundërshtim të ligjeve të vendit. “Procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, thuhet në qëndrimet e presidentit mbi kandidaturën dhe figurën e të përzgjedhurit të kryeministrit për në postin e rëndësishëm të Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme. Kreu i shtetit pas argumenteve të renditura arriti në përfundimin se: “Kandidatura e z. Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”.

Rama nuk përmbahet, akuza të rënda presidentit

Menjëherë pasi kreu i shtetit nuk dekretoi si ministër të Jashtëm Genti Cakajn, reagoi ashpër kryeministri, duke e konsideruar një vendim antikushtetues dhe skandaloz. “Argumentat e dhëna nga zoti President janë të frikshme për nivelin skandaloz dhe turpëruese për institucionin”, shkroi Rama. Ky nuk do ishte qëndrimi i vetëm i Ramës, pasi vijoi me të tjera akuza të rënda, sidomos pas deklaratës së ish-zëvendëskryeministres së Kosovës Edita Tahiri, e cila përshëndeste kreun e shtetit Ilir Meta për modekretimin e Cakajt si ministër të Jashtëm. “Ah edhe Edita Tahiri, bashkuar me ca qyqarë që salutojnë vendimin e vizionarit IM! Ah çfarë llumi, mllefi e terri që “vizionarët” e kësaj kategorie e jashtëqesin si lumë dashurie për kombin! Genti e dashur Edita i meriton sulmet tuaja aq sa këta “vizionarë” emrin njeri! Po ti xhan?”, shkruan Rama në mllef të theksuar. Megjithatë kreu i shtetit që “foli me dekret” reagoi por në përmbajtje të staturës së postit që mban. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i shtetit shprehet se: “Pavarësia, integriteti territorial i Kosovës dhe vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë janë të padiskutueshme për Republikën e Shqipërisë deri në sekondën e fundit si President i vendit tim”. Me kaq e mbylli qëndrimin e tij Meta, i cili në këtë rast duket se ka patur një lloj mbështetjeje dhe politike, përfshi faktorë të rëndësishëm në Kosovë. Megjithatë mllefi i shtuar i kryeministrit nuk u ndal as pasditen e djeshme ku në një takim me diplomatë të huaj dhe ata shqiptarë u ndal gjatë në “çështjen Cakaj”, duke shigjetuar sërish kreun e shtetit. “Ju sot erdhët këtu gjetët një qeveri të re, por një Shqipëri të njëjtë, dhe me avazin e Presidenti të Republikës, ai nuk pranoi të dekretojë një ministër të Jashtëm, por unë nuk e parashikoja dot këtë fakt. Nuk e kam zgjedhur Gent Cakën as si kosovar dhe as si i ri. Ai nuk ka predikuar ndryshime kufijsh në Ballkan. Dua ta bëj të qartë se Shqipëria e mbështet dialogun dhe inkurajon marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë, e cila të garantohet nga SHBA dhe BE. Të tjerat janë fukarallëk mendjesh dhe maskarallëk”-tha Rama. Për t’i hequr barrën e rëndë të një deklarate të mëparshme të Cakajt që shprehej në favor të korrigjimit të kufijve në Ballkanin Perëndimor, Rama u shpreh se Cakaj nuk i është deklaruar asnjëherë për këtë çështje kur e kishte këshilltar apo si zëvendësministër. Në situatën e krijuar e vetmja siguri është që konflikti Rama-Meta të vijojë, por në këtë rast nuk është më një përplasje e vjetër mes “miq-armiqve”, por edhe çështje kushtetuese dhe institucionale. Gjithashtu, ndryshon rasti Cakaj nga ai Lleshaj, pasi në atë kohë Meta e dekretoi dorëheqjen e Fatmir Xhafajt dhe Lleshaj u emërua si zëvendësministër dhe kishte të drejtë të ushtronte detyrën e numrit një të Ministrisë së Brendshme. Në rastin Cakaj, kreu i shtetit nuk ka dekretuar shkarkimin e ministrit Ditmir Bushati, çka ligjërisht ia bën të pamundur 28-vjeçarit të ushtrojë funksionet e ministrit edhe si zëvendësministër. Interpretimet dhe përplasjet do vijojnë, duke futur në ngërç institucional vendin.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Avujt e alkoolit marrin jetë: Ky është i riu që vrau shokun e tij

Një konflikt në gjendje të dehur mes dy miqve ka pasur në...
Read More