Vedat Ademi: Ëndërro derisa t’i realizosh ëndrrat

 

Intervistoi: Mirgen Çela

Ndër më të dashurit e publikut shqiptar dhe jo vetëm. Këngëtari i njohur Vedat Ademi prej vitesh po e zhvillon karrierën e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gëzon një karrierë të gjatë dhe plot sukses. Nuk ndalet së publikuari hite dhe bashkëpunime të cilat priten me padurim nga dëgjuesit e muzikës së tij. Dy javë më parë ka publikuar projektin “Oqean”. Buzëqeshja në fytyrën e tij tregon më së miri atmosferën shpirtërore që posedon, transmeton pozitivitet dhe dashuri për të gjithë. Në një intervistë ekskluzive për MAPO, Ademi ka rrëfyer si e nisi karrierën, projektet që do të sjellë dhe suksesi që tashmë gëzon.

Njiheni për zërin brilant, çfarë mendoni se ju bën ndryshe nga të tjerët?

Jam krenar për mënyrën se si kam arritur të fitoj zemrat e njerëzve me talentin dhe zërin tim, gjithçka me forcat e mia!

Si ishin hapat e tuaj të parë në artin muzikor?

Çdo hap ka patur vështirësi dhe ka sjellë dyshimet e veta por me kalimin e kohës janë sheshuar gjërat në atë që sillte hapin tjetër.

Tashmë në SHBA, ç’po ndodh me karrierën tuaj?

Karriera është pak në vend të dytë, pasi planet me familjen kanë qenë të rëndësishme, por dalëngadalë po i kthehem edhe vetes për t’u rikthyer si më parë.

Ku e gjeni mbështetjen më të madhe? Si ndikon familja në punën që bëni?

Pasioni për muzikën është shtysa më e madhe. Dhe Familja që më mbështet është e dyta. Nuk mund të jetë askush pa mbështetjen emocionale, financiare të familjes në këtë lloj tregu jo të përcaktuar financiarisht si industri e pastër pune.

A ka një arsye që do të hiqje dorë nga muzika?

Jo aspak, nuk ka arsye deri tani. Do të jem në treg me muzikë të mirë kur të jenë të gjithë komponentët e mirë. Nuk dua të jem thjesht duke postuar për të qenë në treg. Atëherë kur jam gati e postoj.

Si një këngëtar me përvojë, sa e vlerëson muzikën në Shqipëri?

Në Shqipëri nuk ka një treg të mirëfilltë. Kjo ka vite që po vazhdon. Ndoshta sepse jemi vend i vogël dhe muzika popullore është e vetmja që vazhdon të jetë stabël në treg. Të tjerat zhanre rriten e zbresin me kohë.

A i keni arritur synimet tuaja?

Pjesërisht po!

Si janë raportet tuaja me kolegët? Ndodh të keni konflikte me ndonjë prej tyre?

Në përgjithësi ndërtoj raporte të mira dhe afatgjata. Jo të gjithë më duan, ka patur momente që më shikonin si konkurrent.

Por ka raste dhe me konflikte, pasi jo gjithmonë ndajmë të njëjtat mendime. Unë nuk preferoj të konfliktohem, por edhe pse s’kemi miqësi vazhdoj i mbështes në punën që bëjnë pasi kemi një qëllim, edukimin e tregut me muzikë të mirë.

Në cilën periudhë të vitit jeni më i angazhuar me koncerte?

Pranverë, verë jam më i angazhuar.

Si i keni marrëdhëniet me familjen, a ndodh të jeni larg saj për shkak të koncerteve?

Jam shpesh larg familjes dhe më mungojnë! Udhëtimet kanë të bukurën e tyre, por dhe aktivitetet e djemve më mungojnë pasi çdo ditë rriten e më tregojnë çfarë ndodh.

Jeni baba i dy fëmijëve, si ndiheni?

Super super fantastik! Kënaqësi shumë e madhe! Më japin jetë!

A dëshironi që dhe fëmijët tuaj të trashëgojnë muzikën?

Deri tani duken që të dy djemtë kanë vesh për muzikë. Po të kenë talent do të doja që po!

A keni ende një ëndërr në sirtar?

Sigurisht që po, të ëndërrosh derisa t’i realizosh është pjesë e jetës!

Çfarë pritet së fundmi nga Vedati?

Një projekt i ri po vjen së shpejti, më tej një tjetër. Në verë do të jem në Shqipëri dhe më afër publikut.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Baladë për ty Arlindë! ‘Dije vetëm të punoje, jo të shiteshe’

Ishte natë e vonë mbrëmë, kur mora lajmin e hidhur për ty,...
Read More