‘Unaza e re’, Rama: Nuk japim 30 milionë dollarë për zaptuesit. Fjala e Ramës ndez protestuesit…

Teksa banorët e Unazës së Re ishin mbledhur në një protestë jashtë Parlamentit, kryeministri Edi Rama shpjegoi në Kuvend se pse nuk mund të ketë dëmshpërblim për ata që i quajti “zaptues profesionistë”. Ai solli shembullin e disa prej banorëve që duan dëmshpërblim të plotë, që kanë në pronësi disa objekte.

Duke theksuar se ata gjetën “shesh” dhe bënë “përshesh” duke zaptuar pronat e të tjerëve për të ndërtuar godina banimi apo biznesi në mënyrë të paligjshme, Rama zbuloi edhe faturën, teksa tha se ‘zaptuesit profesionistë kërkojnë rreth 30 milionë dollarë dëmshpërblim’.

“A ka njeri normal që thotë se dhjetëra miliona dollarë s’duhet t’i marrin rreth 30 mijë familje që do të lindin fëmijë në vitin 2019 dhe t’i marrin zaptuesit profesionistë në shtratin e rrugës së e Unazës së Re”, pyeti Rama.

“Në thelb, buxheti i shtetit, janë 30 milionë dollarë për rritjen e pagave të mësuesve, ushtarakëve, policëve, mjekëve, infermierëve etj. Ndërsa abuzuesit e Tiranës së Re kërkojnë 30 milionë dollarë për diçka që nuk është e tyrja”, tha Rama.

“Ndërkohë që opozita udhëheq protestën më të turpshme të vendin, në mbrojtje të ndërtimeve të paligjshme kundër interesit publik”, deklaroi kryeministri.

Kryeministri Edi Rama e kishte paralajmëruar një fjalim të fortë të enjten dhe ashtu ishte. Ai iu përgjigj ashpër banorëve të Unazës së Re, që po protestojnë prej 19 ditësh. Në nisje të fjalimit, ai tregoi se fatura që kërkojnë banorët shkon në rreth 30 milionë dollarë, aq sa është fondi për rritje pagash.

“Në vend që t’iu jepen dëmshpërblime zaptuesve profesionistë, pikërisht këto 30 milionë dollarë, buxheti i shtetit ka parashikuar t’i çojë në rritje pagash për punonjës të shëndetësisë, arsimit apo për rritje pensionesh. Taksat e njerëzve të ndershëm nuk mund të shkojnë për zaptuesit që kanë nga tri palë shtëpi, e që kërkojnë dëmshpërblim 100% në dorë për godinën e tetë,” tha Rama.

Më pas, Rama i përmendi me emra personat që kanë më shumë se një banesë në Tiranë, por që duan dëmshpërblim të plotë tek Unaza e Re.

“Po ku t’i gjejmë ne paratë për të dëmshpërblyer Gjovalinin nga Laçi që ka zaptuar dhe ka ndërtuar në tokë të përbashkët? Ramazanin, i cili ka deklaruar dhe 4 ndërtesa të tjera pa leje në Tiranë, por kërkon që të dëmshpërblehet… Jo vetëm që ka zënë shtratin e Unazës, por mbron sloganin “shtëpia mbrohet me jetë”… ahh more Ramazan…

Agroni nga Elbasani që e filloi me një eksperiment, shtesë anësore ne Elbasan, dhe pastaj zbriti në Tiranë, dhe ka ndërtuar dy banesa pa leje dhe më pas edhe një te Unaza, dhe sot është bashkuar dorë për dore me Ramazinin dhe thotë se do japin jetën për shtëpinë”, u shpreh Rama.

“Kush ka titull pronësie do dëmshpërblehet sipas ligjit dhe do largohet, kush ka vetëm një strehim, 3 vjet bonuse qiraje, kush ka ngrehina të kategorisë të Bashkimit, Kujtimit, Agronit, Ramazanit, të largohet sa më shpejt që aty, mos të na dalë përpara”, tha Rama.

Fjala e tij acaroi ndjeshëm protestuesit para Kuvendit, që tentuan dy herë të futen brenda sallës.

Protesta ka agravuar në përplasje fizike mes policisë dhe banorëve për disa momente, teksa në foltore është ngjitur kryeministri Edi Rama.

Protestuesit kanë hedhur edhe shashka e fishekzjarrë dhe në vend shihet tym e kaos. Efektivët e policisë paraqesin probleme me frymëmarrjen.

Banorëve të Unazës së Re i janë bashkuar edhe banorët e Shkozës.
Me pankarta në duar ku shkruhet: “Të mjerë, të pashpirt, të çmendur” si dhe për “familjen japim jetën” protestuesit i kërkojnë qeverisë të mos preken shtëpitë pa marrë vlerën e dëmshpërblimet me vlerën e tregut.
20 mjete të FNSH-së janë prezente si dhe shumë forca kanë hyrë në oborrin e Namazgjasë për të qëndruar në gatishmëri në rast se situata mund të precipitojë.

Tensionohet sërish situata para Kuvendit të Shqipërisë. Banorët e Unazës së Re kanë tentuar për herë të dytë që të futen në Kuvend.

Ata ia kanë dalë që të çajnë kordonin e parë, por nuk ia kanë dalë që të çajnë kordonin e dytë me forca më të rënda.

Nga tensioni dhe përplasja e banorëve të Unazës së Re me policinë para Kuvendit mbeti i lënduar edhe zv/ drejtori i Policisë së Tiranës, Dhimitraq Ziu, i cili është goditur në fytyrë. Tensioni ka zgjatur për disa minuta, pasi banorët tentuan që të futen në Kuvend.

Protestuesit hodhën shashka dhe shkopinj ndaj policisë.

Protestës i janë bashkuar edhe deputetët e opozitës, të cilët kanë lënë një takim në qendër të Tiranës për të protestuar.

Mes të dy palëve ka të lënduar, kurse ka raportime se ka të shoqëruar nga protestuesit.

6 efektivë të Policisë së Tiranës kanë mbetur të plagosur këtë të enjte, në protestën e banorëve të Unazës së Re para Kuvendit. Në tentativë për të çarë kordonin policor, banorët u përplasën me policinë ndërsa nuk mungoi hedhja e sendeve të forta si dhe tymueseve.

“Gjatë protestës që përshkallëzoi në akte dhune ndaj forcave të rendit, përballë godinës së sallave plenare të Kuvendit të Shqipërisë janë plagosur 6 efektivë të Policisë së Shtetit. Efektivët janë lënduar me mjete të forta dhe piroteknike, hedhur nga tubuesit mbi punonjësit e Policisë, të cilat dhe janë dërguar në spital për ndihmë të specializuar mjekësore. Një punonjëse policie ka dëmtime më të rënda në krah”, thotë policia në një reagim për mediat.

Gjithashtu, Policia e Shtetit u bën thirrje protestuesve dhe përfaqësueve politikë për distancim nga dhuna dhe nga goditjet ndaj punonjësve të rendit.

Në një thirrje përfaqësuesi i policisë tha: “Zotërinj qytetarë janë plagosur 5-6 efektivë, jo lutem mos hidhni kapsolla. Policia nuk ushtron dhunë. Jemi në detyrë, ju lutemi distancohuni.”

Efektivët e plagosur u dërguan me ambulancë në spital.

perplasja1perplasja2perplasja4perplasja5perplasja6perplasja7perplasja8perplasja9perplasja10perplasja11perplasja12
 
Shkruar Nga
More from admin

Dosja M

Për herë të parë publikohen pasazhe nga Dosja sekrete e Maks Velos,...
Read More