Kandidati republikan për president të SHBA, Donald Trump u ka bërë thirrje myslimanëve që të bashkëpunojnë me policinë dhe ‘të dorëzojnë njerëzit’.
Gjatë një interviste me rrjetin britanik, ITV, Trump tha se ai nuk është anti-mysliman, por është anti-terror.
Ai po u përgjigjej komenteve të kryeministrit britanik, David Cameron, se deklaratat e Trump për myslimanët janë “të gabuara, përçarëse dhe idiotësira”.
Trump deklaroi vitin e shkuar se nuk do i lejojë myslimanët të hyjnë në SHBA.
“Miliona njerëz më kanë telefonuar nga mbarë bota dhe më thonë se ke të drejtë,” tha Trump.
“Diçka shumë e keqe po ndodh,” tha Trump.
“Bota ka një problem shumë të madh me terrorizmin islamik. Nëse sheh botën, kudo ka shpërthime. Dhe nuk janë suedezët që po e bëjnë këtë, okej?” tha ai.
Sipas Trump, tashmë e kanë në dorë myslimanët që të dorëzojnë në polici të dyshuarit për terrorizëm.
“Ata duhet të bashkëpunojnë me policinë. Ata nuk po i dorëzojnë ata. Nëse nuk e luajnë topin, nuk do funksionojë”.
Duke iu rikthyer kryeministrit britanik, Trump tha se nuk beson se do ketë marrëdhënie të mira me të.
Ai kritikoi edhe kryebashkiakun e ri të Londrës, Sadiq Khan, që e quajti injorant.
“Shkoj bëj një test të inteligjencës,” i tha Trump.