Trump tani po marshon drejt rizgjedhjes

Nga Piers Morgan

Pra, paska qenë e gjithë fake news

I gjithë tërbimi i këtyre dy viteve për komplotin rus paska qenë i bazuar në një mashtrim absolut se Donald Trump dhe skuadra e tij kanë bashkëpunuar me rusët për të fiksuar rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2016. Është e vështirë që të imagjinosh diçka më të keqe se dikush që mashtron vendin e tij, që tradhton popullin e tij. Megjithatë kjo ishte akuza që u ngrit ndaj Trump në një fushatë obsesive dhe të ulët ndaj presidentit. Sot ai është plotësisht i shfajësuar. Raporti i shumëpritur i hetuesit special, Robert Mueller e pastroi Trump nga çdo dyshim. Trump është i entuziazmuar dhe kjo është e kuptueshme.

Por teksa jam i kënaqur që ai është shfajësuar për një krim të lartë që nuk kisha menduar ndonjëherë se e kishte kryer, ndjenja më e fuqishme që kam sot është zemërimi se ai duhej të duronte një sulm të tillë të turpshëm, bazuar vetëm te një dëshirë për ta shkatërruar atë dhe familjen e tij. Mos bëni gabim, kjo ishte një fushatë për të rrëzuar presidentin, e përgatitur nga një grup njerëzish që nuk e duronin dot mendimin se ai fitoi Shtëpinë e Bardhë. Demokratët, të udhëhequr nga i vonuari Adam Schiff, ulërinin ‘komplot’ kaq shpesh, sa jam i habitur si nuk u ka shpërthyer laringu. Por të paktën ata e kishin një motiv për të dëshiruar largimin e Trump. Më e keqe ishte çmenduria e medias, gazetave dhe gazetarëve të caktuar që shfrenuan këtë fushatë. Ata zhdukën çdo rregull të raportimit të balancuar duke u futur në një garë se kush do e fitonte çmimin Pulitzer për grushtin që do i jepnin Trump për lidhjet me Rusinë. Me sa duket po grushtonin kot në ajër. Nuk ka patur asnjë komplot. Asnjë. NADA.

Dhe sot, të gjithë ata që i kanë kaluar dy vite duke thënë se Trump do të rrëzohet për shkak të lidhjeve me Rusinë, duken budallenj dhe kanë dëmtuar edhe reputacionin e tyre. Gazetat e respektuara si Nju Jork Tajms apo Uashington Post thjesht e kanë rrënuar besimin si media të ndershme dhe të balancuara. Mbulimi partizan i kësaj çështjeje nuk është diktuar nga ndonjë parim i lartë gazetaresk, por nga një babëzi komerciale: sa më shumë godet presidentin, aq më shumë kopje shet, aq më shumë klikime merr dhe aq më shumë para fiton. Dhe narrativa “tradhtari Trump” ka qarkulluar shumë para. Abonimet e Nju Jork Tajms kanë kapur qiellin- po çfarë kostoje për integritetin e gazetës. Ndërkohë, në internet, portalet janë sjellë sikur të ishin në Perëndimin e Egër, kur ishin të palicencuar dhe të parregulluar.

Por lista e humbësve është më e gjatë. Hillary Clinton, që nuk e mori veten që u mund nga një kandidat me zero eksperiencë politike, kishte heshtur me shpresën se hetimi do zbulonte se Trump ka bashkëpunuar me rusët dhe kështu ajo do rikthehej sërish në lavdinë e dikurshme, por edhe si fituesja e vërtetë e zgjedhjeve të vitit 2016. Sot ajo duket një humbëse edhe më e madhe. Pastaj janë yjet e shumë liberalë të Hollivudit, që për dy vite kanë bërë thirrje ‘komplot’, duke shpërthyer në median sociale me shpresën te heroi i tyre, Mueller.

Sot këto krijesa qesharake të Hollivudit, që nga Bette Midler, Sarah Silverman, Chelsea Handler e deri tek Alyssa Milano, Rob Reiner dhe George Takei kanë mbetur të shokuar, të paaftë për të besuar se kalorësi i tyre jo vetëm nuk e goditi shënjestrën e tyre, por edhe e fali. Nga të gjithë gjërat e tmerrshme në lidhje me këtë farsën e bashkëpunimit me Rusinë, më e keqja është dëshira e hapur dhe ngazëllimi i shumë amerikanëve që duan të besojnë se presidenti i tyre ishte një agjent i korruptuar i një armiku të huaj dhe zhgënjimi i padiskutueshëm tani se përse rezultoi se nuk ishte. Ky skandal i ekspozoi shumë politikanë, gazetarë dhe yje të Hollivudit si budallenj të fiksuar në histerinë e tyre anti-Trump. Duke u fiksuar pas sagës false të komplotit rus, ata i kanë bërë një dëm të pamatshëm vendit dhe reputacionit të tyre.

Trump nuk është një engjëll dhe përballet me hetime që mund ose jo të zbulojnë gjëra të këqija. Kjo mbetet për t’u parë. Por në rastin e Rusisë, ai ka qenë absolutisht konsistent duke përsëritur se nuk ka patur komplot. Ai e ka quajtur ‘gjueti shtrigash’ më shumë se 170 herë. Dhe kishte të drejtë, nuk ka patur komplot dhe ishte gjueti shtrigash. Rezultati është një episod i tmerrshëm në historinë moderne amerikane, që e nxori Trump të pafajshëm, por edhe më të vendosur e të armatosur me një shkop të madh për të rrahur shumë nga kritikët e tij në fushatën zgjedhore të vitit 2020. Dhe kundërshtarët e tij kanë treguar sërish tendencën e tmerrshme për të besuar se superioriteti i tyre moral justifikon çdo gjë që bëjnë ata, sado malinje.

Tani mund ta shoh atë mbi një trung, teksa deklaron: “Unë mposhta ISIS, përmirësova ekonominë dhe shtypa përpjekjen e rremë për të më shkatërruar me ‘bashkëpunimin rus’”. Është një koktej i fuqishëm votëfitues. Vitin e shkuar thashë se basti im është që Mueller nuk do gjejë asgjë. Sot, vë bast se Trump, nëse nuk i del asgjë serioze nga ndonjë hetim tjetër- do të rizgjidhet president- dhe armiqtë e tij do të duhet të fajësojnë vetëm veten.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gjyqtarja e parë që kalon vetingun: Vitore Tusha mbetet në detyrë

Vitore Tusha kalon me sukses vetingun. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmon lënien...
Read More