fbpx

Op Ed

Tre “PSE”, thjesht të miat në debatin për kapitalizmin e lirinë e shtypit





               Publikuar në : 09:34 - 24/01/17 |
mapo.al

henri-cili-1Themeluesi i Mapo në një shkrim të dytë rreth debatit për lirinë e medias dhe autorësinë e linjës editoriale shpjegon pse ndan vlerat liberale,  pse liberalizmi është programi i duhur për Shqipërinë,  pse Rama mund dhe duhet ta avancojë axhendën liberale në zgjedhjet e 18 qershorit


Nga Henri Çili



Në dhjetë ditët e fundit shumë kolegë kanë replikuar me shkrimin tim: “Pronarë – mercenarë, intelektualë”, ose kanë marrë pjesë në debatin e hapur së fundmi për lirinë e shtypit, me shkas rastin Shkullaku dhe Lela. Shumë prej tyre e kanë nderuar debatin, shumë prej tyre e kanë ndotur, disa të tjerë kanë derdhur helmin përkatës. Sidoqoftë, pjesëmarrja e gjerë në këtë debat është pjesë e vitalitetit të hapësirës mediatike shqiptare, një përgënjeshtrim paradhënie ky për “kufizimin e lirisë së shtypit”. Argumentet nuk janë asnjëherë shteruese, por sidoqoftë një tentativë do të ishte e pëlqyeshme, e duhur, madje e domosdoshme në lidhje me të paktën pozicionin e MAPO dhe timin, si donator i saj, në këtë debat. Fillimisht vlen të sqarohet se gazeta MAPO, pjesë e botimeve Mapo është sot  një projekt non-profit dhe nuk është një treg mediatik specifik. Prandaj duke folur vetëm për rastin tonë, pa marrë përsipër të flasim për raste të tjera të botuesve e pronarëve apo njësive shumë më të gjera dhe më serioze mediatike, të cilat i respektoj jashtëzakonisht dhe që i mirëkuptoj në të drejtën e tyre për të ndërtuar në liri të plotë strategjitë menaxheriale apo editoriale, do doja të saktësoja shpejt e shpejt dy ose tri premisa.


Premisa e parë: MAPO mbështetet financiarisht, pra subvencionohet, si një element i një korpusi aktivitetesh jo-fitimprurëse, të cilat mund të përmblidhen në kuadrin e një lloj iniciative liberale, që bën pjesë në botëkuptimin tim filozofik dhe mënyrën se si i qasem shoqërisë. Të gjitha këto aktivitete, të cilat në 10 vjetët e fundit, kanë qenë në fusha të ndryshme, ndoshta pak eklektike, i lidh megjithatë një koncept i përbashkët;  nevoja që të marrim pjesë në debatin publik, jo thjesht për interesa tregtarë, por për të zhvilluar dhe ndarë disa vlera, për të kontribuar në disa sektorë të shoqërisë siç është liria e shtypit përmes botimeve Mapo, debati i ideve nëpërmjet  botimeve UET Press, kërkimi shkencor dhe inovacioni nëpërmjet Qendrës UET, Liria Ekonomike nëpërmjet “Fondacionit për Lirinë Ekonomike” dhe së fundmi, një projekt për trashëgiminë kulturore, i cili është ende në fillesa. Të gjitha këto, bashkë me kolegë të tjerë të Universitetit Europian të Tiranës duam t’i strukturojmë në kuadrin e Institutit Europian Pashko, i cili pritet të zyrtarizohet së shpejti.

Premisa e dytë: Nga pikëpamja ekonomike, dua të bëj një bllok të dytë saktësimesh. UET dhe kompania që e ka atë në pronësi, Universitetin Europian të Tiranës, nuk është absolutisht e përfshirë në tenderët publikë; nuk është absolutisht e përfshirë në koncesione apo partneritet publik-privat; nuk përfiton asnjë para nga buxheti i shtetit dhe nga ana tjetër, nuk ndërton apo nuk merret me industrinë e ndërtimit apo forma të tjera të bashkëveprimit me shtetin. Të cilat janë gjithsesi veprimtari ekonomike shumë të respektueshme për këdo që i bën brenda ligjit apo të themi kuadrit rregullator në fuqi. Por fakti, që megjithëse nuk është subjekt në asnjë prej këtyre pjesëmarrjeve dhe për pasojë asnjë prej këtyre përfitimeve, UET sulmohet jashtëzakonisht shumë dhe unë sulmohem po aq shumë, tradhton qartësisht një problem; problemin që shumica dhe luftëtarët më të rreptë dhe që janë njëkohësisht edhe më të rremët e lirisë së shtypit, lirisë së mendimit, në fakt nuk e kanë fare as me koncesionet, as me abuzimet, as me lejet e ndërtimit, as me, as me…, por e kanë me lirinë ekonomike.  

Ndaj duke pozicionuar veten qartësisht në këtë debat, jo vetëm sepse i ndaj këto vlera, por sepse besoj që i aplikoj qartësisht në jetën dhe veprimtarinë time, do duhet realisht të nënvizoj disa elementë që kanë dalë në replikat e ndryshme të shtypit: 

Pse ndaj vlerat liberale?

Unë dhe gazeta MAPO, nga dita e parë e imja në jetën publike apo fjalës time modeste në jetën publike me grupimin e liberalëve të djathtë e pastaj në kuadrin e gazetës MAPO e iniciativave të tjera, kemi mbrojtur të njëjtin sistem vlerash me të gjitha përthyerjet e tij: Liberalizmin ekonomik. Nuk ka asnjë temë të debatit publik prej vitit 2002-2003 për të cilën unë të kem ndryshuar qëndrim, në mediat ku kam punuar, në ekranet ku kam dalë apo në linjën editoriale të gazetës MAPO, asnjë të vetme, përfshi edhe përthyerjet e saj. Kur është bërë fjalë për zgjedhjet e lira, taksën e sheshtë apo progresive, për lirinë ekonomike, për privatizimet e sektorit shtetëror, ekonominë e hapur në krahasim me proteksionizmin, për përpunimin e integruar të mbetjeve, për armët kimike dhe për rolin tonë brenda aleancës euroatlantike, për partneritetin publik-privat, krijimin e tregjeve të reja të arsimit dhe shëndetësisë, shtetin e vogël dhe kështu me radhë. Si e tillë gazeta MAPO nuk më rezulton asnjëherë të ketë ndryshuar linjë editoriale, sepse për ne linjë editoriale janë idetë dhe jo personat që i mbartin ato. Përkundrazi janë aktorët politikë që i kanë ndryshuar ato, janë bërë: njëherë me privatizimet-njëherë kundër privatizimeve; njëherë për ruajtjen e kontratave-një herë për prishjen e kontratave; një herë pro importit të mbetjeve-një herë kundër importit të mbetjeve, një herë për shëndetësinë me pagesë në një anë, për arsimin falas në anën tjetër dhe shumë e shumë elemente të tjera që janë në logjikën e politikes dhe që kanë marrë rast pas rasti gjykimin tonë. Si e tillë, gazeta MAPO qëndron me një linjë editoriale të qëndrueshme, pa asnjë të vetmin ndryshim, kush ka një shembull mund ta sjellë, e sintetizuar kjo sidomos në shkrimet e mia dhe daljet publike. Nisur nga koherenca e ideve,  jo vetëm nuk kemi një ndryshim idesh dhe për pasojë të linjës editoriale, përfshi këtu faktin që MAPO përdor tmerrësisht shumë metodën e bordeve, deri në mërzi, dhe unë si person në aktivitetet e mia i përdor shumë bordet, sepse dua të tërheq mendime, pikëpamje nga më të ndryshmet.

Kjo do të thotë që jo vetëm është vepruar si një gazetë moderne bashkëkohore me një qëndrim shumë të qartë, por edhe me procedurën përkatëse. Pra, bordet kanë funksionuar vazhdimisht në Botimet Mapo, ku ka shumë dhe shumë individë me autoritet dhe reputacion publik. Përse i ndaj këto vlera liberale?! Është një ushtrim lirie dhe është shumë e thjeshtë: për shkak të formimit, përvojës prejardhjes dhe aktivitetit tim kam besuar gjithmonë që gara, konkurrenca, tregu janë ato që do të nxjerrin shërbimin më të mirë, produktin më të mirë, personin më të përshtatshëm për një post publik apo idenë më konkurruese të shoqërisë. Duke besuar te gara dhe meritokracia si e vetmja formë për promovimin social dhe për daljen në krye të më të aftëve dhe më të zotëve, besoj që gara meriton të nderohet dhe është më e vlefshme për Shqipërinë. Edhe pse dialogoj, punoj, publikoj në MAPO shumë e shumë njerëz me mendime e filozofi krejt të kundërt me timen. Prova të kësaj gjeni përditë e përjavë në forumet e botimeve tona. 

Pse liberalizmi është një program i duhur për Shqipërinë?!

Është momenti për të kaluar në pse-në e dytë: Shqipëria ka pasur dy hope të rëndësishme liberalizimi: liberalizimet e para të Qeverisë së parë të Stabilitetit dhe qeverisjes së parë të demokratëve, duke filluar nga qeverisja Bufi-Pashko dhe pastaj liberalizimet në shkallë të gjerë të Sali Berishës pas mandatit të dytë, pa harruar disa shenja që qeveria Nano ose socialistët në pushtet bënë në drejtim të vazhdimit të programit liberalizues, duke krijuar premisat e “rrugës së tretë”, që në vitin 1997 ishte në kulmin e saj me ardhjen e Tony Blair në pushtet në Angli pas 16 vjetësh të socialdemokracisë britanike në minorancë. Liberalizmi ne Shqipëri, atje ku u zbatua, në tregti, në shërbime, në sektorë të caktuar të sektorit shëndetësor si stomatologjia, në arsimin privat, në telefoni, banking, media e shumë e shumë sektorë të tjerë, dha rezultate të jashtëzakonshme. Krijimi i këtyre tregjeve, më së shumti konkurruese, ka formuar produkte të mrekullueshme informacioni, argëtimi, bankare, arsimore, turistike shërbimesh nga më të ndryshmet dhe i ka dhënë Shqipërisë një jetë me standarde absolutisht perëndimore në një kohë jashtëzakonisht të shkurtër, ndaj një prapambetjeje 555-vjeçare siç e thoshte dikur në mënyrë metaforike Fatos Nano. Falë tregut dhe liberalizmit Shqipëria shpëtoi nga skamja si fat historik i hidhur.

Po ashtu ne shohim sot që gangrenë janë vetëm ata sektorë dhe vetëm ata sektorë ku shteti ose nuk pranon t’i lëshojë dhe vazhdon të ruajë një pozitë dominante ose nuk ka aftësi dhe nuk përqendrohet t’i rregullojë sektorët. Të gjitha problemet e Shqipërisë sot vijnë vetëm nga shteti dhe vetëm nga shteti ose pjesëmarrja e shtetit. Grupi i parë i problemeve ka të bëjë me pronësinë, administratën, drejtësinë, planifikimin e territorit, shërbimet, të cilat janë në një nivel shumë të ulët, janë rrëmujë, kaotike, të korruptuara.

Vetëm e vetëm sepse shteti duke u marrë me shumë punë, nuk është përqendruar t’i bëjë këto shërbime konkurruese, performuese  dhe me metodat e duhura. Ishuj të  vegjël në performancën e administratës  mbeten QKR-ja dhe disa aty-këtu, ndonjë zyrë e digjitalizuar, online apo pak a shumë transparente. Gjithçka tjetër për sa i përket rolit rregullator të shtetit, kryhet  keq, kryhet  pak,  kryhet në mënyrë të korruptuar dhe të ndyrë. Po ashtu rreth 150 ndërmarrje me pronësi publike janë më problematike dhe i hanë shtetit miliona e miliona euro, punësime fiktive, vjedhje, shpërdorime, e kështu me radhë. Ato çka nuk shkojnë janë tipike mbi shtetin, si: pronësia mbi tokën, legalizimi, vendimet e drejtësisë… shërbimet që burojnë nga shteti. 

Grupi tjetër i sektorëve që nuk shkon është aty ku shteti dhe punizmi ka arritur deri më tani të ruajë pozitën dominuese, ku  rreth  90% e shërbimit është shtetëror siç është Arsimi i Lartë apo Shëndetësia. Këta dy sektorë janë “dy ishujt e fundit e socializmit” në Shqipëri dhe funksionojnë si mos më keq. Ata janë fytyra e vërtetë e Shqipërisë bashkë me ata elementë ku shteti duhet të kryente rolin e tij të saktë prej rregullatori.

Si e tillë, Shqipëria ka vetëm një program; programi i liberalizmit ekonomik. Liberalizmi i tregjeve aty ku janë dhe krijimi i tregjeve konkurruese në ata sektorë ku shteti ka akoma pjesëmarrje shumë të lartë, mbi  50 – 60 për qind për të mos thënë  90 për qind në disa sektorë.

Kjo nuk do të thotë se vlerat liberale nuk janë solidariteti dhe mbështetja, por këto vijnë vetëm pasi tregjet të jenë krijuar, pasi tregu të kenë shfaqur potencialin e vet, pasi konkurrenca të ketë dhënë efektet. Nuk mund që  njëkohësisht të ruajmë sektorët  shtetërorë dhe të bëjmë politika sociale. Nuk mundemi njëkohësisht që të kemi një shtet jashtëzakonisht pak performues në shërbime dhe të ankohemi se ka shkolla të këqija, se ka spitale të këqij, shërbime të këqija, ku s’ka drejtësi dhe ku shkelen me këmbë, në radhë të parë, të drejtat e  me të dobëtëve dhe më të varfërve. Në këtë kuptim shteti liberal dhe konkurrenca e meritokracia është pro konsumatorit, është pro më të dobëtëve. Sepse të pasurit dhe të fuqishmit i kanë ose i blejnë shërbimet për vete me çdo çmim.

Përkundrazi, një program solidariteti i filozofisë së “affirmative  action”, i mbështetjes së  më të aftëve dhe më të pamundurve është pjesë integrale e liberalizmit, por pasi të jetë kryer ose të jetë funksionale gara, meritokracia dhe konkurrenca në çdo sektor. Do të shohim se cili mbetet anash rrugës dhe t’i japim vazhdimisht dorën për t’u ri-integruar në mënyrë zhvilluese, përmes formimit, kualifikimit, asistencës, shkollimit, bursës për shkollim apo mbulimit të shërbimit shëndetësor për ata që nuk e marrin dot. Shteti në mënyrë metaforike “duhet të lirojë duart” nga punët e kota që të merret me të varfrit dhe të pamundurit. Në emër të grupit ekonomik që zotëroj, jam përpjekur ta aplikoj këtë filozofi duke bërë të mundur që të mbështesim në 10 vjet kategori të ndryshëm studentësh, grupe ekonomike dhe sociale, artin dhe kulturën, sportin, duke subvencionuar idetë  dhe botimet, lirinë e shtypit etj., me një shumë që në bilancin e 10-vjetorit të Universitetit Europian të Tiranës e kalonte shumën e 5 milionë eurove, të cilat do i  publikojmë dhe shpallim në kuadrin e lançimit të Institutit Europian Pashko. 

Pse Rama mund dhe duhet ta avancojë axhendën liberale në zgjedhjet e 18 qershorit 

Kjo sigurisht është një botë ideale idesh. Kjo do të ishte “Shqipëria ime liberale”, sikur në krye të saj të qeverisë me një mazhorancë absolute apo mazhorancë të cilësuar Partia Liberale, që të mund të bënte gjithë ato reforma, të thjeshtonte shtetin, të ulte taksat, të fuste kapitalizmin në fshat, të siguronte lirinë ekonomike, të siguronte liberalizmin e sektorëve të arsimit dhe shëndetësisë, të garantonte garën kudo. Por kjo nuk është e mundur. Prandaj “Utopia liberale” mbetet e bukur dhe mbetet një objektiv dhe një vlerë për të cilën ia vlen e duhet luftuar vazhdimisht. Tregu politik ka koniunkturën e vet, ngjarjet ndërkombëtare kanë impaktin e tyre. Jemi në një situatë ku aktorët, liderët, ekipet janë këta që janë.

Partia Demokratike, partia e qendrës së djathtë dhe lideri i saj premtues,  Lulzim Basha, “janë me duart të zëna”,  me reformën brenda partiake apo me çështje të tjera që ata i shohim më të rëndësishme sipas koniunkturës së vet. Në përpjekje për të grumbulluar mbështetje opozitare,  ata shpesh përqafojnë kauzën  e parë që del në bulevard, mjafton të jetë kundër qeverisë, pa pasur parasysh cila është pseja,  ideja, origjina. Lulzim Basha bie shpesh në idiotësinë dhe influencën e punistëve dhe lloj-lloj filozofi të së shkuarës apo sharlatani, ziliqari dhe hajvani, i cili ka diçka për të thënë në jetën publike. E mirëkuptoj dhe besoj se kjo është momentale sepse në të vërtetë kjo që po ndodh nuk është filozofia dhe formimi i tij ekselent perëndimor. Një lideri  të ri, dyzet e pak vjeçar, në përpjekje për të ndërtuar profilin e tij, ndoshta i falen të tilla shkarje nga ndërtimi i alternativës së  qendrës së djathtë absolutisht të besueshme, koherente dhe brenda frymës së qendrës së djathtë për të ardhmen e Shqipërisë. Ndaj nuk e kam parë me shqetësim, madje e shoh në kohë Lulzim Bashën të vazhdojë të bëjë gabime e ndërkohë të merret me rritjen e profilit të tij politik, kur Partia Demokratike premton prishje biznesesh,  premton prishje kontratash të ligjshme të firmave aktuale, sulmon botues apo flet për uljen e çmimit të  biletave të autobusëve, flet për kauza të parëndësishme, me qarkullimin e fugonëve apo gjëra të tjera jo esenciale. Për më tepër kur këto janë tepër kundërthënëse;  premton subvencionet pafundme dhe ndërhyrje të tjera në kontradiktë absolute  me taksën e sheshtë 9 % që ai propozon. Gjithë kjo politikë kejnesiane dhe ndërhyrëse atipike për një politikë të djathtë që Basha propozon është eklektike me frymën e partisë së djathtë dhe në kundërshtim me taksën  9%,  e cila në fakt duhet përshëndetur dhe MAPO e ka bërë.

Në krahun tjetër kemi një kryeministër, i cili me gjithë problemet shumë të mëdha që ka në qeverisjen e tij, në këta 3 vjet e gjysmë ka manifestuar një braktisje neto të ideve populiste të  fushatës së 2013–ës, të cilat i kemi debatuar dhe kritikuar  publikisht dhe kam dhënë një shpjegim subjektiv te libri “Kundër-Reformë” në shtator 2013. Rama e ka braktisur esencialisht populizmin me të cilin erdhi në pushtet dhe kjo është gjë e mirë. Është nga ato inkoherenca idesh që nuk duhen ndëshkuar e nuk duhen paditur moralisht. Kjo nuk e bën atë mashtrues, por një lider racional. Sipas meje të braktisësh një ide të keqe, një ide arkaikë si socialdemokracia e vjetër, je gjithmonë në kohën e duhur. Më mirë vonë sesa kurrë! Sigurisht që Rama, është kujdesur gjithmonë brenda filozofisë se vet politike dhe partisë që përfaqëson të zgjedhë versionin më të mirë të së majtës; Rrugën e Tretë dhe t’i japë fund socializmit klasik. Dhe mirë ka bërë kryeministri se socializmi është kudo në këtë vend……Është në kokën e analistëve, mercenarëve, filozofëve të së vjetrës, të djemve të zemëruar të rrethit të parë të ish-bllokut, të komunistëve të vjetër e të rinj, që në një mënyrë a në një tjetër, fshehur pas kauzës së interesit publik, pa asnjë referencë personale apo pa moralitetin e duhur për ta mbrojtur këtë kauzë. Sepse gjithë vitin flasin dhe paguhen në institucione private, media private apo janë aksionerë të tyre, marrin honorare dhe shpërblime, janë në borde në institucione privatë dhe gjithë kohës flasin për publiken dhe vetë e për fëmijët e tyre përdorin spitale e shkolla private dhe punojnë në institucione private dhe gjithë ditën proklamojnë në mënyrë të rreme publiken.

Ka dhe një alternativë të tretë: Sali Berisha, ish-kryeministri dhe lideri historik i dhjetorit, por ai vetë nuk pranon të shqyrtohet si alternativë për qeverisjen e ardhshme të vendit, sepse siç e thotë ai vetë “mon depart est sans retour” – (ikja ime është pa kthim). Ai do të kishte përmbushur realisht një mandat të tretë, të fundit dhe gjithaq historik për disa punë që nisi e la përgjysmë,  nëse në zgjedhjet e vitit 2013 apo para tyre do të kishte ndërtuar një tjetër qasje apo të tjerë hapa. Këtë e kam patur absolutisht bindje dhe nuk i heq as edhe një presje atyre që kam shkruar dhe asaj linje editoriale që kemi mbrojtur si MAPO deri në zgjedhjet e 23 qershorit. Zgjedhësit vendosën ndryshe dhe Berisha pranoi përgjegjësinë. Unë kam bërë pjesë te humbësit moralë të 23 qershorit dhe jashtë kalkulimeve tinëzare, personalisht, unë dhe MAPO dhamë një “votë me karakter” në ato zgjedhje, edhe pse oportunizmi, parashikimet, analizat apo të dhënat thonin se do të kishim rrotacion në 23 qershor, sidomos pas ribashkimit të së majtës.

Pas 2013 kemi një tjetër panoramë dhe dinamikë. Skena ka ndryshuar, aktorët kanë ndryshuar ide dhe pozicione. Në këtë kuptim, parë nga këto rrethana, Edi Rama ka lidershipin, fuqinë e duhur politike dhe qartësinë për ta avancuar axhendën liberale në katër vitet e ardhshme. Kështu ka rrjedhur arsyetimi i shprehur te editoriali im i fillimvitit 2016 “Që REFORMIZMI të mos dështojë në 2016 si në 1936!” apo ai në tetor “Cikli reformist i Ramës duhet të vazhdojë një mandat të dytë”. Ky dhe për asnjë interes tjetër konkret. Sepse siç e thashë, Universiteti Europian i Tiranës as merr tenderë, as ka partneritet publik-privat, as merr sheshe e leje ndërtimi, as merr fonde publike, por është organizatë tërësisht private që vepron në një treg me 25 operatorë privatë dhe 12 universitete shtetërore falas, që për më tepër kanë 90 për qind të tregut të edukimit. Edhe pse e ritheksoj kam respekt për të gjithë ata që ndjekin tregun e tenderëve publikë, në mënyrë të ndershme.

Duke arsyetuar në një moment të dhënë, duke menduar se Lulzim Basha është duke kaluar provën e strukturimit të lidershipit të tij, duke besuar se cikli reformues i alternativës së djathtë nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe programit është ende larg ofrimit të një alternative të besueshme për Shqipërinë, ose të paktën për idetë e mia, besoj se Edi Rama nëpërmjet aplikimit në shkallë të gjerë të Rrugës së Tretë, liberalizmit apo themelimit të shumë tregjeve, përfshirë edhe atyre të munguar të shëndetësisë dhe arsimit, rritjes së eficiencës së administratës publike  dhe uljes së shteti, thjeshtimit të taksave, drejt një sistemi më të thjeshtë duke ruajtur karakterin e tyre të majtë sipas ideologjisë, mund dhe do ishin një program dhe lider më i mirë për Shqipërinë e pas 18 qershorit.

Ky është qëndrimi ynë editorial. Është i hapur dhe i qartë. Druaj se shumica e kritikëve të mi, po qe se do të hiqnin mllefin, zilinë personale, patologjinë apo shumë gjëra të tjera për të cilat në  fakt as i kritikoj e as i paragjykoj, në të vërtetë do të arsyetonin po kështu. Po, Shqipëria ka nevojë për një axhendë reformuese, të përforcuar që nuk duhet të lëshohet, me gjithë kontekstin e vështirë ndërkombëtar  me rritjen e populizmit –  forcat e mëdha dhe serioze politike, nuk duhet  t’iu dorëzohen presioneve populiste. Shumë prej atyre që “skandalizohen” nga qëndrimi editorial i MAPO do të arsyetonin pikërisht kështu: në këto rrethana Edi Rama duhet dhe mund, mund dhe duhet ta çojë përpara axhendën reformuese përmes një mandati të dytë. Të mos humbim kohë! T’i bëjnë atij presion që të mos i bëjë lëshime punizmit, socialdemokracisë së vjetër apo presionit publik.



Pas