T’i mësojmë si të mësojnë!

Nga Elona Mehmeti

Nën ndikimin e teknologjisë, formave të reja të të mësuarit, gjeneratës se re duket sikur i mbetet shumë pak për të mësuar nga profesorët, universiteti dhe kolegët, në këtë rast shtrohet pyetja. Çfarë na mbetet t’i mësojmë këtij brezi të ri?

Pyetja mund të prekë shumë kolegë të cilët mbase mendojnë se nuk duhet të kemi asnjëherë të tilla dyshime sa kohë njerëzimit i duhen dije teorike dhe praktike për të operuar në tregun e punës.

Në kundërshtim me të tilla mendime personalisht e shtroj gjithmonë këtë pyetje sa kohë shoh djemtë e mi që mësojnë të ndërtojnë një aeroplan letër me video në YouTube, sa herë më habisin me të mësuarit e numërimit dhe e fjalëve në anglisht nga kanali Little Baby Bum dhe shpesh e më shpesh e bëj analogji me studentët në auditor ato që u përcjell gjatë leksioneve janë të vlefshme për ta apo thjesht nga një video në YouTube dhe përdorimi i mediumeve të tjera do të mjaftonin për të thithur konceptet?

Në këtë vorbull zhvillimesh askush nga disiplinat nuk mund t’i shpëtojë kësaj qasjeje të re, diku një vajze e re që sapo kish nisur të punonte më rrëfeu se brenda 3 netësh kish mësuar se si të përdorte financën 5 me atë të tutorialeve online.

Pas shumë përpjekjeve për të gjetur dhe kërkuar se cila mund të jetë një përgjigje vëmendja drejtohet drejt vetes, formimit personal “shtëpisë” si personazhi Macon te libri Këngët e Solomonit.

E kësisoj puna për t’i mësuar si të mësojnë, të përdorin logjikën dhe mendimin kritik në procesin e thithjes së informacionit dhe ngritjes/mprehjes së strukturave njohëse duket se mbetet një nga përpjekjet më domethënëse për të përballur dhe drejtuar këtë gjeneratë të re digjitale.

Një nga elementet për të cilat duhet të jemi të vetëdijshëm është që ne sot përgatisim një brez që ka lindur pas daljes së internetit, e cila do të jetë në treg për 40 vitet në vazhdim, në këtë kuadër me njohjen e sotme dhe strukturat e mendimit që kemi po përgatisim brezin e së ardhmes, kjo është një punë e përbindshme që bëjmë çdo ditë për të konceptuar, organizuar e vendosur kufijtë e një realiteti që s’ka ardhur ende te ne.

Përgatitja që në muajt e parë që studentët ndeshen me auditorin me të menduarin kritik, logjikën dhe filozofinë do t’i lejojë ata të analizojnë situatat, faktet dhe argumentet dhe të reagojnë në përputhje me to duke lënë mënjanë arsyetimin ose veprimin e pavlefshëm. Me shfrytëzimin e logjikës dhe mendimit kritik studenti mësohet të ngrejë pyetje kritike për problematika jetike dhe t’i formulojë ato saktë, ai mësohet të mbledhë informacion duke përdorur ide abstrakte. Natyrshëm një student i tillë vjen në përfundime dhe zgjidhje të arsyetuara mirë, duke i testuar ato kundrejt kritereve dhe standardeve përkatëse, mendon hapur, duke njohur dhe vlerësuar sipas nevojës, supozimet, implikimet dhe pasojat praktike.

Praktika të mira na vinë sidomos nga vendet anglishfolëse të cilat sugjerojnë përdorimin e disa metodave për të angazhuar këtë gjeneratë.

  1. Të mësuarit për të aplikuar materialet e lëndës (për të përmirësuar të menduarit racional, zgjidhjen e problemeve dhe vendimet);
  2. Të mësuarit e gjetjes dhe e përdorimit të burimeve për t’u përgjigjur pyetjeve ose për të zgjidhur problemet;
  3. Të zhvilluarit i një kuptimi më të qartë dhe përkushtimi ndaj vlerave personale.

Këta objektiva mund të përdoren për të përsosur ato elemente që janë theksuar në programin mësimor të kursit për të komunikuar një qasje më bashkëkohore në mësim. Për të shmangur disa paradokse dhe gracka të përshkruara më sipër, do t’i ndanim këto rekomandime shtesë në disa udhëzime specifike.

  • Jepni zgjedhje dhe një ndjenjë lirie, nëse është e mundur, por jini të gatshëm të jepni shembuj dhe të jepni udhëzime. Për shembull, studentëve mund të jepen udhëzime për të treguar se si mënyra për të motivuar të tjerët (p.sh., dhënia e zgjedhjes, kontrolli, bashkëpunimi, sfidimi, krijimi) është i dukshëm në një plan mësimi ose projekti grupi dhe argumentoni se cili element mund të jetë më i ndikueshëm.
  • Shpjegoni se si detyrat mund t’i ndihmojnë studentët të bëjnë një ndryshim në jetën e tyre dhe në komunitetet. Për shembull, studentët mund të priten të marrin në konsideratë përfitimet e menjëhershme dhe afatgjata të iniciativave të ruajtjes ose riciklimit.
  • Jini më qëllim në caktimin e detyrave në grup. Shpjegoni me kujdes arsyetimin për të punuar në grupe, cilat janë përgjegjësitë individuale dhe si do të konsolidohen ato në një tërësi për të zgjidhur një problem.

Përdorimi i teknologjisë dhe internetit para takimit personal mund t’i ndihmojë studentët të përgatiten për pjesëmarrje të fortë në grup.

Në këtë drejtim ka patur hapa zhvillimi cilësorë në disa universitete në Shqipëri, ku pjesë të kurrikulave të tyre në vitin e parë kanë janë vendosur lëndët të cilat zhvillojnë dhe stimulojnë ushtrimin e mendjes dhe zhvillojnë praktika të tilla, siç janë filozofia, logjika, shkrimi akademik dhe mendimi kritik, të folurit publik.

Në fund të fundit ajo që duhet të pranojmë të gjithë është se, praktikat tradicionale të edukimit kërkojnë ndryshime të qarta në mënyrë që të plotësojnë nevojat e kësaj gjenerate të re e cila dëshiron të jetë pjesë e procesit të të mësuarit, e jo student pasiv. Ata janë studentë të shkathët, fushëveprimi i të cilëve është penguar nga një bombardim i vazhdueshëm i informacionit. Ata vinë në auditor me kreativitetin e tyre, aftësitë e vetë zbulimit, shpejtësinë për të përpunuar informacionin dhe aftësinë për të trajtuar përvojat shumëdimensionale të të nxënit.

Na takon ne si udhëzues të këtij brezi të mos kritikojmë vazhdimisht dhe të krahasojmë vetveten me ta duke u kënaqur me përparësitë tona, por të zbulojmë se sa dhe si mund t’i mbështesim në këtë rrugëtim, duke pranuar edhe pse me “dhimbje” teorinë e përsosjes së qenies.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Profili në revistën Mapo: Meta para se të bëhej president

Cili ishte studenti i shkëlqyer i ekonomikut që në vitin 1991 nisi...
Read More