Theu arrestin shtëpiak për të rrahur babanë, arrestohet Vladimir Gjuta

lad gjutaPolicia arrestoi paraditen e djeshme Vladimir Gjutën pasi u njoftua se kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait. Gjuta theu edhe masën e sigurisë të vendosur nga gjykata. Si u bë personazh i njohur 36-vjeçari që fillimisht u akuzua për vendosjen e eksplozivit ndaj babait të Ministrit të Brendshëm, por më pas prokuroria pushoi çështjen për mungesë provash.

Personazhi i njohur Vladimir Gjuta që u akuzua për vendosjen e eksplozivit në biznesin e babait të Ministrit të Brendshëm dhe më pas çështja iu pushua, përfundon sërish në prangat e policisë me akuzën e dhunës në familje.

Arrestimi i tij u krye paraditen e djeshme nga strukturat e rendit, pas denoncimit që erdhi për të.

“Më datë 20. 06.2016, u arrestua shtetasi Vladimir Gjuta, 36 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj të atit të tij, shtetasit F. Gjuta, në banesën e këtij të fundit. Duke shkuar në banesën e të atit, shtetasi Vladimir Gjuta ka shkelur vendimin e datës 22.04.2016 të lëshuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Kukës, ku për këtë shtetas është vendosur masa e sigurimit personal arrest  shtëpie. Ndaj shtetasit F. Gjuta është plotësuar kërkesë padia për lëshimin urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes”-thuhet në njoftimin e policisë.

Ende nuk ka detaje nga kjo ngjarje, por dyshohet se Gjuta pas një konflikti verbal telefonik, ka  lëvizur nga Tirana në Kamëz dhe dyshohet se ushtroi dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të atit.

Nuk kaloi gjatë dhe pas konfliktit brenda familjes, F.Gjuta nuk ka ngurruar që të bëjë denoncim ndaj të birit dhe menjëherë strukturat e rendit janë vënë në lëvizje, pasi përveç dhunës së ushtruar, Gjuta kishte shkelur edhe masën e sigurisë “arrest shtëpie”, të vendosur dy muaj më parë nga Gjykata e Kukësit.

Tashmë po hetohet edhe mënyra e shkeljes së arrestit shtëpiak, pasi zakonisht për personat që mbahen në këtë masë sigurie, vendoset një rrethore në këmbë që transmeton gjithë kohës sinjal online dhe tregon vendin e ndodhjes së personave.

Pavarësisht se Gjuta ka lëvizuar nga banesa ku kishte lënë adresën e tij, përsëri arrestimi ka ardhur vetëm pas denoncimit që ka bërë i ati.

Ai ka raportuar se është dhunuar nga i biri dhe kaq ka mjaftuar që Gjuta të vihet në pranga për dy akuza, atë të dhunës në familje dhe të shkeljes së masës së sigurisë.

Ndonëse ende nuk ka një raport të detajuar nga ana e strukturave të policisë, dyshohet se Gjuta e ka kryer këtë veprim në gjendje të rënduar psikologjike.

Gjuta u arrestua më 19 qershor të vitit të kaluar në tunelin e Kalimashit teksa udhëtonte për në Kukës.

Menjëherë më pas u dërgua në dhomat e paraburgimit dhe iu komunikua akuza e krijimit të grupit të strukturuar kriminal dhe kryerjes së akteve terroriste, duke e lidhur ngjarjen me vendndodhjen e eksplozivit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm.

Por me kalimin e muajve, prokuroria e cila po vetë kishte kërkuar lëshimin e urdhër-arrestit, e pushoi çështjen, duke argumentuar se pavarësisht hetimit të kryer edhe me metoda speciale, nuk u bë i mundur sigurimi i provave.

Për këtë arsye dy muaj më parë u kërkua lirimi i 36-vjeçarit nga dhomat e paraburgimit.

Edhe pse e “fitoi” betejen ndaj akuzave të rënda, mbi Gjutën kishte një tjetër procedim penal.

Ai akuzohej se një vit më parë kishte dhunuar një efektiv të policisë rrugore në Kukës edhe për akuzën e goditjes për shkak të detyrës Gjykata e Shkallës së Parë në Kukës kishte caktuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”.

Për strukturat e rendit dhe të drejtësisë, Gjuta është një personazh i njohur, pasi rezulton i proceduar disa herë për akuzën e dhunës, goditjes për shkak të detyrës dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake.

Gjithsesi një nga eksponentët më të njohur dhe ndër më të kërkuarit në vend për një vit, u bë i njohur jo për shkak të dhunës, por dyshimeve se  ishte organizatori i vendosjes së eksplozivit në biznesin dhe pranë shtëpisë së babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Pas riarrestimit që u krye ditën e djeshme për 36-vjeçarin pritet që të shprehet sërish gjykata në lidhje me masën e re të sigurisë që do të vendoset për të.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Rama-Meta-Basha-Blushi: Kush e fitoi betejën në TV

MAPO mësoi prej matësve të shikueshmërisë se katër emisionet kishin një ndjekje...
Read More