Thelbi ynë indoeuropian

Nga Ndriçim Kulla

Çdo kulturë, si realiteti i një vazhdueshmërie jete, nëse do të qe e izoluar (për shekuj të tërë), ose s’do të ekzistonte më, ose do të qe sterile. Në këtë optikë, “historinë botërore të kulturës mund ta konsiderojmë si një ndërshkëmbim të vijueshëm, një përthithje dhe përhedhje elementesh (nga një kulturë në tjetrën), të ngjashme me atë që ndodh në biologjinë bimore dhe shtazore, ku substancat e ndryshme organike dhe inorganike të përthithura nga një bimë, i mbartin asaj cilësitë e tyre, duke rimarrë tek ajo një karakter të ri, e paskëtaj, të gjitha, bashkë me substancat e bimëve të tjera, kalojnë për të ushqyer një kafshë, e kështu me radhë. E njëjta gjë ndodh edhe në kahun e kundërt; mbetjet dhe jashtëqitjet shtazore rihyjnë përsëri në qarkullim, të përfshira si humus ushqyes për bimët”. Për këto arsye, “do të qe një ndërmarrje, në parim, antishkencore e praktikisht e pamundshme, parashtrimi i origjinalitetit absolut të kulturës së një kombi apo dhe një elementi të vetëm të tij; do të qe pasaktësi e një egoizmi të shtrembër dëshira për ta shtrënguar dhe reduktuar thesarin e një kulture kombëtare në atë që ajo ka të ashtuquajtur kombëtare, për të refuzuar kështu prurjet e dobimta esogjene, ose duke mohuar ndikimin e impianteve më të gjerë e të afërt kulturore mbi të”.

Nisur nga rrjedhojat e kësaj premise, për të ndërtuar historinë e mendimit shqiptar, duhet të bazohemi te historia e kulturës shqiptare, përtej se tek ajo e shkrimit shqip, të kuptuar në qerthullin e një bashkësie etnike, gjeografike dhe historike të ruajtur në kohë. Në këtë rruvijë hulumtimi, duhen kërkuar e nxjerrë në pah të gjithë ata përbërës të mendimit dhe kulturës që janë të përbashkët dhe konstantë në rrjedhën e historisë së kombit shqiptar, që e marrë si një tërësi e pandarë, mund të quhet edhe “koha jonë historike”. Në këtë kategorizim është domosdoshmëri  të përfshihen edhe ato elemente ose edhe ato segmente, që pavarësisht të qenit specifike në kohë dhe në përmbajtje, kanë arritur të determinojnë një qasje të përbashkët të kulturës sonë. Ky rrugëtim, do të na ndihmonte gjithashtu, të dëshmonim edhe ato fenomene kulturore të veçanta, të papërputhshme ose të paevidentuara në ato kultura që historikisht kanë qenë në kontakt me kulturën tonë. Fare mirë, elemente të tilla mund të cilësoheshin autoktone, por masa e rezervimit që na jep parimi i sipër-parashtruar, na lejon që shkencërisht ato t’i paraqesim si tipike apo karakteristike shqiptare. Nuk duhet të ngurrojmë, nga ana tjetër, të pranojmë edhe një mundësi të arsyeshme ndikimi të atyre sistemeve kulturorë me prestigj, fuqi, aktivitet të gjerë në shumë fusha e shije të hollë, siç mund të jenë p.sh. antikiteti grek dhe romak, bashkë me humanizmin e latinitetin, me aq shumë ndërthurje në kohën e Bizantit e sidomos Mesjetës, pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e kundërt të ndikimit, që në shumë raste do të qe një kontribut i drejtpërdrejtë në kulturën dhe mendimin europian. Na shfaqet kështu e qartë premise se rruga më e mirë për të skicuar historinë e mendimit shqiptar është ai përkalim unitar në lëmit e historisë dhe kulturës, gjuhës, psikikës dhe humusit të zakoneve popullore. Vetëm kështu do të mund të lidhim elementët  tanë më qenësorë, duke kaluar nga analiza te sinteza, për të ndërtuar në fund një hartë shpirtërore dhe mendore të fizionomisë së kombit tonë. Kjo do të plotësohet duke njohur se si struktura organike e kulturës dhe mendimit shqiptar, ka mundur të përballë asimilimin prej elementeve të huaja kulturore, ndërkohë që nga ana tjetër, ka ditur si të përfshijë brenda vetes elemente të tjera, të plota ose të pjesshme, të tjetërsuara apo të pandryshuara, që i shkonin përshtat zhvillimit të saj të natyrshëm. Është kjo një shenjë që është anashkaluar sistematikisht për t’u shpjeguar dhe vlerësuar ashtu siç i takon. Pasi përtej trajtave të jashtme të historisë shqiptare, që kanë patur elemente episodike, të shkëputura, në kontrast dhe shpeshherë dramatike, ka ekzistuar edhe një kthjelltësi dhe harmoni e brendshme shpirtërore, që të bën ta admirosh sa herë që shfaqet me gjithë fuqinë e saj edhe në dukjet dhe veprimet e jashtme. Kjo është e ashtuquajtura fuqi e njësisë së mendimit etnik që duhet zhvilluar.

Larg prej determinizmit të lehtë për t’u ndjekur, por iluzor, bazuar vetëm në faktet historike, metodologjia më e mirë do të qe ajo e gjurmimit të asaj shkakësie të brendshme, të shpalosur në antropologjinë e historisë së mendimit shqiptar, që arrin ta ndajë edhe vetë zhvillimin e tij në shekuj, nga shkalla apo niveli i një fenomenologjie, ashtu siç është vërejtur shpesh pa të drejtë, nga studiues të huaj që nuk e trajtojnë lëndën shqiptare si një të tërë. Përkundrazi, nëpërmjet evoluimit të tij herë vertikalor (me hope të dukshëm) e herë spiralor ose në kohë të vështira, edhe qerthullor, në varësi të periudha të ndryshme të lirisë që ka përjetuar njësia gjeografike shqiptare, do të mund të formonim edhe bazat e një antropologjie historike të gjithë kulturës sonë. Në esenë e vet të famshme “Për gjenezën e literaturës shqipe”  Çabej pyet: E rëndësishme në pikëpamjen e historisë së kulturës na paraqitet pyetja nëse Shqipëria duhet konsideruar si një njësi apo si mozaik?. “Por njësia është”, përgjigjet prerazi diku më poshtë studiuesi ynë i madh, duke na dhënë edhe një këshillim udhërrëfyes. “Është një njësi etnike dhe kulturore-historike, e rrjedhur nga njësia gjeografike. Do vetëm që të zbulohet” . Me këtë synim duhet të priret çdo lloj kërkimi mbi mendimin shqiptar. Si u ruajt thelbi i shqiptarizmës te ky mendim? Si arriti të shpaloset njësia e tij, duke tejkaluar atë rrezik të madh të sipërpërmendur, për të mos u shfaqur si një bashkësi fenomenesh dhe episodesh (ose ndryshe, pasqyrimi në historinë e mendimit, i mozaikut për të cilin flet Çabej)? Këtë njësi të mendimit shqiptar duhet të gjejë dhe argumentojë çdo hulumtim serioz mbi zhvillimin e tij deri në ditët tona, sepse ajo është, ajo gjendet në fillin e përbashkët lidhës të secilës prej kohësive të ndryshme, duke përbërë kështu mendimin tonë lëvizës në kohë, që bazuar në nocionin e kohës historike, do të quhej në mënyrë të volitshme edhe si “mendim historik”. Po cili do të shërbente vallë si lënda lidhëse e mendimit të epokave të ndryshme. Edhe këtu Çabej na tregon një rrugë. “Në qoftë se qërojmë një nga një shtresat e influencave të huaja në zakone, do të ndeshim së fundi thelbin indoeuropian”. Është pikërisht gjetja e këtij shtrati themelor, e kësaj konstanteje apo emëruesi të përbashkët të mendimit në kohë, ajo që do të na shërbente si lënda bazë që do të lidhte rrëketë e veçanta të mendimit të çdo kohe me detin e përbashkët të etnicitetit tonë, të thelbit tonë etnik. Duke hulumtuar më pas mënyrën se si raportohet mendimi i kultivuar dhe origjinal me këtë burim etnik, do të arrinim edhe ne gjetjen jo vetëm të thelbit europian të mendimit shqiptar, por edhe të kontributit të tij karshi kësaj kulture. Të gjitha janë, mjafton t’i gjejmë, siç thotë Çabej.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Si e kam njohur Arbën Xhaferin

Nga Mustafa Nano, Revista Mapo Arbën Xhaferin e kam takuar për herë të...
Read More