fbpx

Kryesore

Të “shesësh” shpirtin për shkollën elitare të fëmijës





               Publikuar në : 08:57 - 25/03/19 |
Nga Brendan O’Malley

Prindërit që përdorin paratë për të siguruar pa meritë universitetet më të mira për fëmijët e tyre, nuk gjenden vetëm në Shqipëri. Shtetet e Bashkuara janë tronditur nga zbulimi i një skeme që rregullonte regjistrimin e studentëve në universitetet elitare përmes mashtrimit. Të përfshirë në të janë dhe emra shumë të njohur të televizionit dhe biznesit


Nga Brendan O’Malley*



Dy studentë kanë ngritur një padi publike për çështjen që është konsideruar mashtrimi më i madh i bërë ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara, për pranimet në kolegjet universitare.


Më 12 mars, në Gjykatën Federale në Boston, u dorëzua akuza për dhjetëra individë të arrestuar në shtete të ndryshme amerikane, të përfshirë në një skemë që i hapte rrugë mashtrimit në provimet e pranimit në kolegje dhe regjistrimit të studentëve në universitete elitare, me pretendimin që ishin atletë duke qenë që në Shtetet e Bashkuara sportistët më të mirë të shkollave të mesme pranohen lehtësisht në universitete.

Sipas deklaratës së Prokurorisë së distriktit të Massachusetts, publikuar nga Departamenti amerikan i Drejtësisë gjatë këtyre ditëve, në këtë skemë, mes të tjerëve, janë përfshirë trajnerë të ekipeve atletike të Yale University, Stanford University, University of Southern California (USC), Wake Forest University dhe Georgetown University, si dhe prindër dhe administratorë provimesh në të gjithë vendin.

USC, UCLA, universiteti i San Diegos, universiteti i Texasit në Austin dhe Stanford, Wake Forest, universitetet e Yale dhe Georgetown përmenden si palë në këtë padi të ngritur nga dy studentet, Erica Olsen dhe Kalea Woods.

William ‘Rick’ Singer, 58 vjeç, nga Newport Beach, California, është akuzuar për korrupsion, pastrim parash dhe pengim të drejtësisë. Singer kishte në zotërim dhe menaxhonte Edge College and Career Network LLC (‘The Key’) – një biznes këshillimi dhe përgatitjeje për në kolegj – dhe ishte CEO i Key Worldwide Foundation (KWF) – një korporatë jofitimprurëse që e kishte themeluar për bamirësi.

Gjatë tetë viteve, nga 2011-a në shkurt 2019, Singer, akuzohet të ketë konspiruar me dhjetëra prindër, trajnerë, një administrator atletësh universitarë etj., duke përdorur ryshfetin dhe forma të tjera mashtrimi për të siguruar pranimin e studentëve në kolegje dhe universitete, përfshirë Yale, Georgetown, Stanford, Wake Forest dhe USC. Për përfshirjen në këtë skemë janë akuzuar dhe 33 prindër, 13 trajnerë dhe të angazhuar të tjerë në bizneset e Singerit, përshirë dy administratorë provimesh SAT dhe ACT.

Prindërit e akuzuar përfshijnë celebritete të Hollywood-it, si dhe drejtues biznesesh të njohura. Mes tyre, përmenden personazhi televiziv Lori Loughlin, bashkëshorti i saj, stilisti, Mossimo Giannulli dhe aktorja Felicity Huffman. Sipas deklaratës së Prokurorisë janë akuzuar dhe John Vandemoer, trajneri kryesor i garave me varka në Stanford University, Rudolph ‘Rudy’ Meredith, ish-trajneri i futbollit në Yale University dhe Mark Riddell, një këshillues studentësh në një shkollë private në Bradenton, Florida. “Prindërit janë nismëtarët kryesorë të këtij mashtrimi”, tha Andrew E Lelling, prokurori i Shteteve të Bashkuara për distriktin e Massachusetts, gjatë një konference para mediave në 12 mars. Ai shtoi që këta prindër përdornin pasurinë për të krijuar një proces pranimi të diferencuar dhe të padrejtë për fëmijët e tyre.

Në deklaratën e Prokurorisë thuhet që në konspiracion përfshihen:

  • Dhënia ryshfet administratorëve të SAT dhe ACT për të lejuar “hakerin” e provimeve, zakonisht Riddell, të bënte fshehtas provime pranimi në vend të studentëve ose të korrigjonte përgjigjet e studentëve pasi kryenin provimin;
  • Dhënia ryshfet trajnerëve dhe administratorëve për të lehtësuar pranimin e studentëve në universitete elitare, nën pretendimin që ishin rekrutuar si sportistë;
  • Përdorja e fasadës së organizatës bamirëse të Singer për të fshehur natyrën dhe burimin e ryshfeteve.

Presidenti i Këshillit Amerikan mbi Arsimin, Ted Mitchell tha mbi këtë çështje: “Nëse këto akuza janë të vërteta, ato dhunojnë premisën thelbësore të një procesi të drejtë dhe transparent pranimi në kolegje. Kjo sjellje shkel etikën e vlerave qendrore të institucioneve tona, mashtron studentët dhe familjet dhe nuk ka vend absolutisht në arsimin e lartë të Amerikës”.

Presidentja e Shoqatës së Universiteteve Amerikane Mary Sue Coleman i përshkroi këto akuza si “alarmuese dhe thellësisht shqetësuese”. Duke i quajtur këto veprime, si një skemë e përpunuar dhe e përhapur për të shmangur procedurat e pranimit në kolegje, ajo tha: “Duket që konspiratorët kanë shkuar shumë larg për të fshehur mashtrimin e tyre nga institucionet e targetuara. Veprimet e të akuzuarve jo vetëm përbaltin në mënyrë të padrejtë institucionet drejtuese arsimore, por janë në kundërshtim të thellë me vlerat e transparencës, bursave, arritjeve, gjithëpërfshirjes dhe meritës që janë në zemër të këtyre institucioneve”. 

Paaftësi false

Sipas dokumenteve të akuzës, Singer lehtësonte mashtrimin në provimet e SAT dhe ACT për klientët e tij duke i këshilluar të kërkonin zgjatje të kohës së provimeve për fëmijët e tyre, të cilët më parë kishin siguruar dokumente të pabaza mjekësore për paaftësi në të mësuar. Pas kësaj, Singer u mësonte klientëve të ndryshonin vendin ku zhvillohej provimi në një nga dy qendrat e përzgjedhura, një shkollë e mesme publike në Houston, Teksas ose një shkollë private parapërgatitore në West Hollywood, California, ku ai kishte krijuar marrëdhënie me administratorët e provimeve, respektivisht Niki Williams and Igor Dvorskiy, të cilët pranonin ryshfete që shkonin deri në 10,000 $ për një test me qëllim që të lehtësonin skemën e mashtrimit.

Më pas ata lejonin një person të tretë, shpesh Riddell, të bënte provimet në vend të studentëve, ose të korrigjonte provimet e tyre para se të dorëzoheshin përgjigjet.

Singer e paguante Riddell 10,000 $ për çdo provim. Klientët e Singer e paguanin atë 15,000$-75,000$ për test, duke u hequr sikur bënin dhurime për fondacionin e bamirësisë KWF. Në shumë raste, siç thuhet në deklaratë, studentët që bënin provimin nuk e dinin që prindërit e tyre kishin bërë këto prapaskena. 

Ryshfete shumëmilionëshe

Mendohet që përgjatë skemës, prindërit e paguanin Singer afërsisht 25 milionë $ për t’u dhënë ryshfete trajnerëve dhe administratorëve të universiteteve për t’i paraqitur fëmijët e tyre si rekrut nga sportet, duke lehtësuar kështu pranimin e tyre në këto universitete.

Singer thuhet që ua përshkruante skemën klientëve të tij si një “derë anësore”, në të cilën prindërit e paguanin atë me pagesa të maskuara si dhurime për KWF. Në këmbim, Singer i çonte ato para në programe të kontrolluara nga trajnerët, të cilët i klasifikonin këta fëmijë si rekrutë sportivë, pavarësisht përvojës apo aftësive të tyre sportive. Singer u jepte ryshfet edhe personalisht shumicës së trajnerëve.

‘Profilet’ false atletike të studentëve dorëzoheshin në universitete në mbështetje të aplikimeve të tyre. Profilet përfshinin çmime false që ata nuk i kishin fituar dhe emra skuadrash elitare ku ata nuk kishin luajtur. Në disa raste, prindërit i jepnin Singerit foto të modifikuara ku ata ishin të përfshirë në gara apo duke luajtur water polo.

Mashtrimi me tatimet

Singer akuzohet të jetë marrë vesh me disa klientë për t’i maskuar pagesat e ryshfeteve si kontribute bamirësie për KWF, duke u dhënë mundësinë atyre, si pasojë, ta zbrisnin shumën e ryshfetit nga të ardhurat e tatueshme federale.

Veçanërisht, Singer akuzohet të ketë instruktuar klientët të bënin pagesa për KWF në këmbim të lehtësimit të pranimit të fëmijëve të tyre në një universitet të caktuar. Singer e përdorte një sasi të atyre parave për të paguar trajnerët e universiteteve që t’i paraqisnin këta fëmijë si atletë, thuhet në deklaratën e Zyrës së Prokurorisë së Shteteve të Bashkuara.

Për disa akuza parashikohen dënime që shkojnë deri në 20 vite burg.


Etiketa: , , ,

Pas