Takimi Basha-Majko, një gadishull i normales

Alfred LelaNga Alfred Lela

Një takim mes shefit të opozitës Lulzim Basha dhe Pandeli Majkos, deputet dhe ish-kryeministër socialist, ka mbërritur dje në tufën e lajmeve të ditës, si një e papritur. Për dy arsye: lajmet e forta dhe skandalet janë kthyer në thuajse normë dhe ky banalitet me anë të përsëritjes cenon edhe vetë forcën e tyre dhe, së dyti, pushteti dhe opozita janë prej kohësh në një stinë konfliktualiteti pa paqe në sfond

Pritësit e zhvillimeve të ngjashme, që krijojnë iluzionin e normalitetit janë të dyllojshëm. Të parët, entuziazmohen dhe e përshëndesin me tone laudatore shfaqjen e takimeve të tilla duke i çmuar sidomos për shtensionimin që sjellin. Të dytët, janë gjithherë skeptikë dhe në këtë mosbesim thuajse zbulojnë një prirje të vetën për lulen që u çel në konfliktualitet e në asnjë klimë tjetër.

Përtej të gjitha pozicioneve, takimi apo rastisja e djeshme në hotel Rogner e një politikani që kërkon të bëhet kryeministër dhe e një tjetri që ka qenë i tillë, të dy nga kampe kundërshtare, prodhon nevojën për përkthim.

Që vjen nga pyetje të tilla si, a ishte i paramenduar? A ishte rastësor? Nëse ishte i llojit të parë, a u zgjodh edhe për arsye të ekspozimit që sjell një vend aq publik si hoteli ku ndodhi, e me radhë? Më shumë se kaq, çfarë? Cila ishte tema e bisedës? Reforma në Drejtësi? Përfoljet e përgjimeve? Çfarë tjetër?

Hamendësimet mund të jenë disa dhe të gjitha mund të jenë përfaqësuar në takimin apo bisedën e djeshme Basha-Majko, por një gjë është e sigurt. Edhe kur janë të shkurtra, spontane, pa deklarata sqaruese e të tjera, takime të tilla që e zbusin klimën e ashpër politike të Shqipërisë janë zhvillime pozitive.

Varianti që dha Basha mbi fokusin e bisedës përmblidhej te ‘asambleja e NATO-s’ dhe kjo fare mirë mund të ketë qenë një prej temave të cekura aty. Por edhe sikur as Aleanca Veriatlantike dhe as ndonjë tjetër axhendë nga ato të përmendura më lart të mos jenë diskutuar, pra sikur të mos jetë thënë më shumë se ‘tradicionalet’ e një bisede, sërish mbetet një shfaqje (occurrence jo show).

Prej kohësh, shumica dhe pakica nuk komunikojnë në terma normalë. Konfliktualiteti ka qenë natyra sunduese e raportit mes tyre. Në pritje apo konferenca të organizuara nga ndërkombëtarët, Rama dhe Basha i kthejnë shpinën njëri-tjetrit. Kryeministri që e ushtron arrogancën apo padurimin me një lehtësi që mund të jetë veç e tija, shkon edhe deri te mimikat kundër tjetrit. Shefi i opozitës luan rolin e mosqenies së tjetrit.

Duhet thënë megjithatë se kryeministri i ka shkruar dy herë letra shefit të opozitës. Basha i ka lexuar si blofe dhe e ka refuzuar gjasën e një takimi, i cili ishte qëllimi i korrespondencave, të paktën sipas një leximi të shpejtë.

Nuk duhet harruar se i takuari i djeshëm, Pandeli Majko, e ka luajtur edhe më parë rolin e shtensionuesit mazhorancë-opozitë. I tiji ka qenë një takim me Berishën, në krah të Ilir Metës, përkundër të gjitha parashikimeve, po në Rogner, shumë vite më parë, kur dyshja Majko-Meta qeveriste Shqipërinë, por e kishte të vështirë bashkëjetesën në gjirin e një Partie Socialiste të përçarë dhe ku zotëronte ende miti i Fatos Nanos.

Sido që të jetë historia, Basha e ka të parin takim kundërthënës si lider i opozitës. Më shumë të tillë, dhe jo asnjë, i shtojnë prerjes së tij si lider pozitiv dhe gjithashtu përthyejnë një politikë ku duket se skizofrenia po bëhet natyre morte-i i saj.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kush ngre shkëmbinjtë, mohon Perënditë

Në çastet e para që u dha dënimi i Sizifit “me Ferr,...
Read More