Stina e protestave

Opozita dhe banorët e Unazës së Re e mbyllin ditën në protestë para Parlamentit dhe Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Kryedemokrati Lulzim Basha jep sinjale pozitive për opozitën që nga Brukseli se faktori i rëndësishëm ndërkombëtar mbështet kauzat themelore se nuk mund të bëhet kompromis me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias. Parlamenti me 96 deputetë, betohen edhe tre të rinj, Ralf Gjoni “mbulohet” nga boja e kuqe…

Në dy muajt e fundit intensivë me protestat e opozitës ishte hera e parë që kryedemokrati Lulzim Basha nuk i printe revoltës qytetare, që pas djegies së mandateve. Ndërsa paraditen e djeshme opozita mbante protestën masive të radhës para Parlamentit, Kryetari i Partisë Demokratike përfundoi takimet në Bruksel me përfaqësues të PPE-së, ku u diskutua për krizën politike në vend. Ujërat kanë nisur të lëvizin në dukje në favor të opozitës pas “turbullirës së parë” që u erdhi nga përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe disa zërave të veçantë nën aureolën ndërkombëtare që kritikonin veprimin e opozitës për djegien e mandateve. Kreu i PD, Lulzim Basha, ka reaguar pas vizitës së tij në Bruksel teksa shprehet se Presidenti i PPE (Partive Popullore Europiane) Joseph Daul ka deklaruar se nuk mund të bëhen kompromise me demokracinë dhe shtetin ligjor. “Presidenti i PPE Joseph Daul në emër të të gjithëve deklaroi qartë se “ne nuk mund të bëjmë kompromise me demokracinë, shtetin ligjor dhe lirinë e medias”. “PD po lufton për të njëjtat vlera europiane në Shqipëri dhe në këtë betejë kemi mbështetjen e PPE, familjes sonë politike”, shkruan Basha, për vizitën në Bruksel. Me qëndrimin se një pjesë e faktorit ndërkombëtar ka nisur të pranojë qëllimin e opozitës për parimet kryesore të demokracisë që lidhet me zgjedhje të lira dhe të ndershme, i është dhënë edhe një motiv më shumë protestave në vend.

Rrethohet Parlamenti dhe policia

Sikurse ishte paralajmëruar, në orën 09:30 të ditës së djeshme mijëra protestues u mblodhën para Parlamentit, që përkoi edhe me nisjen e seancës. Strukturat e policisë së kryeqytetit kishin marrë masa në numër të shtuar të efektivëve të vendosur në tre kordonë të përforcuar, për të shmangur çdo tentativë të mundshme të protestuesve për t’u afruar në perimetrin e Parlamentit. Disa incidente të vogla pa pasoja shoqëruan protestën kur turma tentoi të thyente kordonin e parë policor. Këtë herë, ndryshe nga çdo protestë tjetër efektivët e policisë dhe të Gardës së Republikës nuk përdorën gaz lotsjellës për shpërndarjen e turmës. Në mesditë, kur pritej të shpërndahej tubimi, opozita vendosi të marshonte drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës pasi u mësua se ishin shoqëruar 14 persona protestues dhe sipas përfaqësuesve të opozitës policia kishte shoqëruar padrejtësisht edhe minorenë. Ndërsa u duk se protestat u mbyllën, arrestimi i banorit të Unazës së Re Dorian Protoduari solli një tjetër protestë masive sërish para Policisë së Tiranës. Ai u arrestua sapo kishte mbërritur në shtëpi dhe nga videot e shpërndara duken pesë efektivë policie të mbuluar me maska, pjesë e strukturës së Forcave Operacionale të cilët e shoqërojnë në komisariat. Reagimi ishte i menjëhershëm ku qindra banorë të Unazës së Re kërkuan lirimin e tij. Gjithashtu në këtë tubim, u zbulua edhe një tjetër detaj, ku ishte babai i Protoduarit që në mënyrë të drejtpërdrejtë përmendi me emër drejtorin e komanduar të policisë së kryeqytetit Dhimitraq Ziu. “Dhimitraq Ziu në vitin 1979 babai yt ka kërkuar pushkatimin e babait tim. Babanë ta fala, këtë nuk ta fal që po më mban djalin të arrestuar sot. Ndaj të kërkoj takim, je në gjak me mua, je i përdorur i Lleshit, nuk ta kam frikën”, u shpreh babai i Dorian Protoduarit. Ndërkohë, ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu, theksoi se këta janë pasardhësit e etërve të tyre. “Nuk do t’ua harrojmë kurrë këta urdhra të paligjshëm, do të paguani një më një, çdo lot nëne. Lironi çunat tanë, lironi çunat tanë”, tha Balliu nga drejtoria e Policisë së Tiranës. Një tjetër protestues, tha se Dhimitraq Ziu dhe Erion Veliaj, ka 3 ditë që po bëjnë presione ndaj banorëve të Unazës së Re. “Veliaj na ka quajtur rrugeçër, ti drejtor i komanduar po bën presione. Harroje se do na trembësh”, tha protestuesi. Familjarët, por edhe ish-deputetë të opozitës me mandat të djegur theksuan se Protoduari edhe pse ka marrë pjesë në protestën e djeshme nuk ka kryer asnjë akt dhune. Sipas tyre shoqërimi në ambientet e policisë së kryeqytetit është i paligjshëm.

Parlamenti, “normalitet” i sforcuar

Ndërsa jashtë sallës kuvendore dëgjoheshin thirrjet “Rama ik” të protestuesve, tre personazhe të rinj panë për herë të parë të uleshin në karriget e deputetëve, Ralf Gjoni, Nimet Musai dhe Enada Kapllani u betuan në Kuvend si deputetët më të rinj, pjesë e listës së LSI-së. Me betimin e tre deputetëve të rinj, në Parlament ka 96 deputetë, ndërsa numri i deputetëve të rinj të betuar nga opozita shkon në 14. Por pak minuta para se Gjoni të betohej si deputet i ri, u regjistrua një incident pasi u sulmua nga një i ri me një shiringë me bojë të kuqe në fytyrë. Gjoni u shpreh se sulmi ishte porositur nga lart, por se kjo gjë nuk do ta ndalte në qëllimet e tij. Një tjetër “detaj” që solli Parlamenti, përveç fjalimeve të deputetëve të PS-së që flasin për normalitet dhe mungesë krize, ishte për t’u veçuar edhe fjalimi i deputetes demokrate Rudina Hajdari, e cila bashkë me kolegun e saj Myslym Murrizi nuk kanë pranuar të djegin mandatin e deputetit, pavarësisht vendimit të strukturave partiake dhe grupit tjetër parlamentar. “Askush nuk mund ta gjykojë vendimin tim, do bëj hapa të sigurt larg politikës së vjetër. Në ditët dhe muajt që do vijnë do kem propozime konkrete për ta kthyer vendin në normalitet. Unë dua të sjell një frymë të re parlamentare që do t’i japë fund njëherë e përgjithmonë këtij tranzicioni”-tha Hajdari. Në fundin e seancës u votuan edhe dy projektligje që ishin në rendin e ditës, ku kartonin jeshil e ngritën edhe “deputetët opozitarë”. Pavarësisht vendimit politik të opozitës, pritet që në ditët në vijim Parlamentit t’i shtohen të tjerë emra, si nga lista e LSI-së ashtu edhe e PD-së. Dy ditë më parë kreu i shtetit e konsideroi si imorale futjen e të rinjve në Parlament, ndërsa duke kritikuar vendimin e opozitës për djegien e mandateve bëri thirrje që të nisë menjëherë dialogu, pasi vendi rrezikon të kalojë në krizë të thellë institucionale dhe shoqërore.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Fotot para nisjes së Kuvendit: Demokratët e nisin me çehre të mirë

Ditën e sotme zhvillohet Kuvendi Kombëtar i Partsisë Demokratike, aktivitet në të...
Read More