Si u sfumua protesta e studentëve

Përçahen studentët ku një pjesë e vogël vijon të qëndrojë në protesta, ndërsa të tjerë janë rikthyer në mësim. Çfarë ndodhi me grupimet studentore ku vendimet e Këshillit të Ministrave që zgjidhin një pjesë të tetë kërkesave dhe ndërhyrjet me forumet politike brenda universiteteve ulën frymën e protestës.

Në ditën e 34-rt të reagimit të studentëve, numri i atyre që protestojnë u ul ndjeshëm, ndërsa duket se dy rryma kanë zbehur disi revoltën rinore që shkundi qeverinë. Një grup i vogël studentësh ishin para Kryeministrisë ditën e djeshme dhe pasi qëndruan pak orë të grupuar, ndaluan para Ambasadës Amerikane ku i bënë thirrje që të reagonte dhe dilte në mbështetje të tyre. Nga ana tjetër, auditorët kanë nisur të popullohen nga disa studentë të cilët kanë thyer bojkotin dhe vijuan mësimin normalisht. Vendimet e marra në dhjetorin e kaluar si përgjigje për tetë pikat e paraqitura për t’u plotësuar dhe strukturat rinore politike mundën të sfumojnë protestat e studentëve. Gjithashtu, edhe në universitetet e rretheve ka patur studentë që vijuan mësimin ndërsa të tjerë bojkotuan, por pa u grupuar në protesta. Studentët që i qëndruan besnik kauzës së tyre të nisur një muaj më parë deklaruan se vendimet e Këshillit të Ministrave nuk e zgjidhin çështjen e Arsimit të Lartë dhe sipas tyre ato vendime duhet të kthehen në ndryshime ligjore në Parlament. Ata këmbëngulën se nuk kanë asnjë besim që kryeministri Rama do u plotësojë tetë pikat e paraqitura, ndërsa shtuan se edhe pse në numër të vogël do të vijojnë me protestën. Për të treguar “frymën bashkëpunuese”, reagoi edhe kryeministri Edi Rama që premtoi se studentët do paguajnë 50 % të tarifave të studimit dhe do të përfshihen edhe kategori të tjera që do e kenë arsimimin falas. Sipas tij, brenda muajit janar qeveria në të gjitha universitetet e vendit do të lëvrojë fondet për të kompensuar uljen e tarifave të studimit. Por ndërsa protesta e sotme nuk ishte aq masive sa pritej, studentët kanë vendosur që të ndryshojnë strategji. Për shkak të numrit të ulët të protestuesve, studentët po mendojnë një tjetër strategji dhe pasditen e djeshme ka qarkulluar lajmi se protesta do të vijojë qoftë edhe në grupime të vogla, por në disa drejtime. Ata do ta nisin protestën pranë fakulteteve, për të marshuar në këmbë para Ministrisë së Arsimit, Kryeministrisë, Kuvendit, Presidencës dhe më pas drejt Ambasadës Amerikane dhe asaj të BE-së.

<

Protesta shkundi qeverinë, por jo shoqërinë

Protestat e studentëve lindën nga një Vendim i Këshillit të Ministrave që urdhëronte fakultetet publike në të gjithë vendin për të shtuar tarifat e studimit për studentët që kishin provime të mbartura. Ky informacion mbërriti fillimisht në Fakultetin e Arkitekturës të cilët protestuan të parët, por më pas në të gjithë vendin brenda dhjetë ditësh revolta mori përmasa të mëdha, duke kapur pikën kulminante në Tiranë ku u mblodhën para Ministrisë së Arsimit mbi 20 mijë studentë dhe gjimnazistë të kryeqytetit. Ata hartuan tetë pika si kërkesa të panegociueshme dhe ia paraqitën qeverisë për miratim. Refuzimi për të dialoguar me kryeministrin dhe kundërshtimi i hapur ndaj tij në çdo takim që mbajti, risollën frymë në të gjithë shoqërinë, aq sa kjo revoltë u krahasua me “dhjetorin e dytë”, atëherë kur studentët arritën të përmbysin sistemin komunist. I ndodhur në një “denigrim” të qeverisë, por edhe shkërmoqje të propagandës së pushtetit, Rama premtoi se do të merrte masa të forta për të gjithë përgjegjësit e gjendjes së Arsimit të Lartë në vend, duke premtuar se të teta pikat e paraqitura do të diskutoheshin, por duhej dialog. Refuzimi masiv i studentëve për të dialoguar dhe kalimi i kauzës nga problem ekonomike në politike nga ana e studentëve gjunjëzuan kreun e qeverisë. Në fundin e muajit dhjetor u bënë ndryshime rrënjësore në qeverisje, ku për shkak të protestës së studentëve kryeministri shkarkoi tetë ministra, në të gjitha dikasteret kyçe të vendit. Fakti që një pjesë studentësh u mjaftuan me vendimet e marra në favor të disa pikave të tyre, por edhe me një punë përçarëse nga anëtarë të forumit rinor veçanërisht FRESH, revolta studentore që premtoi vijimin në ditët e para të janarit ka nisur të zbehet. Edhe sikur protesta të shkojë drejt mbylljes, mesazhi i lënë prej reagimit të tyre ishte i qartë ku pakënaqësia jo vetëm ndaj qeverisë, por të gjithë klasës politike është mjaft e lartë edhe te qytetarët.

VKM-të që do hyjnë në fuqi

Kreu i qeverisë, Edi Rama, në një reagim së fundmi në rrjetet sociale pasditen e djeshme ka bërë publik një njoftim për studentët. Ky njoftim bën thirrje që të gjithë studentët, prej datës 9 janar, duhet të dorëzojnë dokumentacionet pranë degës së shërbimeve për rreth 3700 studentë përfitues të reduktimit të tarifës së shkollimit 100% apo 50% sipas kategorive të shtresave sociale, parashikuar në VKM e nxjerrë në fund të dhjetorit. Po ashtu, thirrja është bërë edhe për të gjithë ata studentë që përfitojnë nga trajtimi financiar/ bursa, referuar VKM së nxjerrë po në fund të dhjetorit, duke dorëzuar kështu të gjitha dokumentacionet përkatëse. Pas mesazhit të kreut të qeverisë është detyruar edhe Ministria e Arsimit të shpërndajë një njoftim për mediat ku theksohet se ky institucion po punon intensivisht për të identifikuar numrin e studentëve, të cilët përfitojnë nga vendimet e marra nga qeveria Rama. Gjithashtu, ministria deklaron se po punon për të ndërtuar një profil të detajuar për çdo student dhe e gjitha kjo do të behët me qëllim kategorizimin nëse studentët përfitojnë apo jo në masat e vendosura. “Strukturat përkatëse pranë universiteteve publike janë angazhuar plotësisht për të mundësuar brenda datës 11.01.2019 gjithë informacionin e nevojshëm”, theksohet në njoftim. Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka kërkuar pranë çdo institucioni publik të arsimit të lartë informacion lidhur me numrin total të studentëve që përfitojnë, në rast të plotësimit të kritereve të përmendura në Vendimet e Këshillit të Ministrave të sipërcituar për tarifat dhe bursat. “Sekretaritë mësimore pranë universiteteve dhe administratorët do të bëjnë njoftimin e nevojshëm për studentët. Veprimtaria e tyre do të monitorohet për të mos pasur asnjë keqinformim apo veprim në kundërshtim me vendimet e marra nga Këshilli i Ministrave”, thuhet në qëndrimin e Ministrisë së Arsimit. Të gjitha këto masa të shpejta po ndërmerren edhe në funksion të uljes së frymës së protestës. Nuk dihet nëse mësimi do të vijojë normalisht në ditët në vijim, pasi studentët gjenden edhe nën trysninë e sezonit të provimeve dhe u druhen masave që mund të marrin stafet pedagogjike për mosfrekuentim.

 

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Dua Lipa feston: 2 milionë albume të shitura

Dua Lipa ka arritur shifrën 2 milionë përsa i përket albumeve të...
Read More