Si u bashkua politika amerikane për Luftën e Kosovës

Nga Eliot Engel dhe Ilir Zherka, The Hill

20 vjet më parë, më 24 mars, Shtetet e Bashkuara nisën Operacionin Forca Aleate kundër pozicioneve strategjike në Serbi. Fushata e bombardimeve i dha fund pastrimit etnik të lëshuar nga presidenti serb, Sllobodan Millosheviç mbi Kosovë. Kjo lloj përpjekje është e rrallë në historinë tonë. Suksesi i saj, megjithatë, na ofron mësime për ne sot teksa përballemi me kriza humanitare të shkaktuara nga lufta. Millosheviçi në vitin 1998 nisi luftën e tij të katërt në ish-Jugosllavi, këtë herë duke synuar adresimin e ‘problemit shqiptar’ dhe duke përdorur ushtrinë për të dëbuar mbi 60 për qind të popullsisë së Kosovës.

Duke pasur parasysh mosveprimin europian dhe amerikan për vite, teksa njerëzit vriteshin në Bosnjë më parë gjatë dekadës, shqiptaro-amerikanët druheshin se historia mund të përsëritej në Kosovë. Prandaj ata u organizuan vetë, bashkuan fraksione të ndryshme dhe hapën një zyrë në Uashington, duke nisur kështu angazhimin me një prej traditave më të vjetra amerikane- duke kërkuar me peticione nga qeveria e tyre që të ndalojë vrasjet dhe përdhunimet në Kosovë.

Aktivizmi i komunitetit ishte i rëndësishëm. Shqiptaro-amerikanët, në takime, shfaqje televizive dhe tubime, ofruan qartësi morale për anëtarët e Kongresit, për administratën e Clinton dhe për publikun. Komuniteti shpenzoi mbi një dekadë për të fituar besimin dhe respektin e zyrtarëve të tyre të zgjedhur. Angazhimi i komunitetit bëri të mundur që ne të gjejmë mbështetje dypalëshe në Kongres për ndërhyrjen ushtarake gjatë një kohe të vështirë në SHBA. Vendi sapo kishte përjetuar një përpjekje për shkarkimin e presidentit Bill Clinton. Tensionet mes partive politike ishin të larta. Sidiqoftë, senatorët Mitch McConnell i republikanëve dhe Joe Biden i demokratëve punuan së bashku me kolegët e tyre në Senat për të mbështetur ndërhyrjen me një grup bipartizan në Kongres që përfshinte republikanen e Nju Jorkut, Susan Molinari dhe një prej autorëve (Engel). Këta anëtarë sigurisht që u nxitën për të vepruar nga votuesit e tyre dhe nga raportet për mizoritë në terren.

Po aq e rëndësishme, megjithatë, ishte se ne të gjithë e kuptuam se fushata e spastrimit etnik dhe kriza masive e refugjatëve mund të kishte pasoja të rënda mbi Ballkanin dhe përfundimisht mbi Europën. Mbi 1.2 milion kosovarë vërshuan në Shqipëri dhe Maqedoni, në vendet fqinje të varfra dhe të paafta për t’i trajtuar. Këto vende do ishin shkatërruar nëse do lejonim që të qëndronte fushata e spastrimit. Kriza gjithashtu do kishte sjellë më shumë dhunë në rajon dhe refugjatët do arratiseshin për në Europën Perëndimore.

Me mbështetjen dypalëshe në Kongres për ndërhyrjen dhe me qartësinë që ishte në interesin kombëtar për të bërë kështu, administrata e Clinton bëri punën e rëndësishme të angazhimit të aleatëve të NATO-s. Ata në mënyrë aktive ndërmjetësuan negociata për paqen mes Serbisë dhe Kosovës. Ne morëm pjesë në bisedimet e zhvilluara në Rambuje, ku u dëshmuan përpjekjet në mirëbesim të kosovarëve për të arritur një marrëveshje dhe papajtueshmëria e negociatorëve ish-jugosllavë. Millosheviçi shpresonte të nxirrte jashtë loje amerikanët. Ndërhyrja ushtarake u bë i vetmi opsion për t’i dhënë fund dhunës së tmerrshme në Kosovë, ku bisedimet për paqen dështuan. Më e rëndësishmja, SHBA mori edhe mbështetjen e aleatëve në këtë përpjekje.

Që nga fillimi, Operacioni Forca Aleate do të ishte një fushatë e kufizuar. Amerikanët nuk ishin gati që të dërgonin trupa në terren. Fushata e bombardimeve zgjati 78 ditë. Kur mbaroi, Beogradi kishte tërhequr forcat dhe kosovarët u kthyen në shtëpi. Përfundimisht Millosheviçi do arrestohej dhe do dërgohej në Hagë për t’u përballur me krimet e luftës. Kosova do të bëhej, nën lidershipin amerikan, një shtet i pavarur dhe demokratik. Ndërsa Kosova dhe rajoni ende përballen me sfida, mësimet nga Lufta e Kosovës janë të qarta.

Angazhimi i komunitetit jopolitik mund të bëjë të mundur bipartizanizmin, i cili mund të mundësojë lidershipin amerikan në botë. Kjo udhëheqje është thelbësore kur interesat tanë kombëtarë janë në rrezik. Sot, Ballkani është në paqe, demokracia (edhe pse e papërsosur) mbretëron, dhe shumë nga vendet janë anëtarë të NATO-s. E gjithë kjo është e mundur pasi mjaft njerëz në Uashington në vitin 1999 kishin guximin të kalonin vijat partiake në mbështetje të sigurisë kombëtare.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ministrat teknikë të opozitës dhe “i ëmbli” pushtet

Çfarë ndodh me ministrat e PS dhe LSI në qeverinë Rama dhe...
Read More