Si ‘bllokohet’ Kushtetuta e re nga afatet kontradiktore të 7 ligjeve

saliu_kuvend_12204Disa nga ndryshimet që iu bënë Kushtetutës kanë efekte qysh në ditët e para pas hyrjes në fuqi, por ato janë të pamundura për t’u respektuar për shkak se ligjet që duhet t’a shoqërojnë nuk janë gati. Problemet me afatet për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Vetingun.

Kushtetuta e “re” e miratuar me konsensus të gjerë javën e shkuar duket se do të nisë të zbatohet me shkelje.

Kjo për vetë faktin se një sërë afatesh që ajo ka vendosur për t’u zbatuar janë të pamundur për t’u respektuar dhe kjo për shkak se kuadri ligjor që duhet të miratohet në vijim të këtyre ndryshimeve kushtetuese nuk është ende gati dhe për më shumë miratimi i tyre mund të vonojë përtej këtyre afateve.

Kështu ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në kuadër të reformës në drejtësi kanë efekte në zbatueshmëri që në ditët e para pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës.

Më konkretisht një nga veprimet e para të detyrueshme që përcakton Kushtetuta është ngritja e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si një nga institucionet apo strukturat e reja të sistemit të ri të drejtësisë.

Kushtetuta përcakton se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të ngrihet 5 ditë nga hyrja në fuqi e ligjit.

Më konkretisht, Presidenti i Republikës, brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, zgjedh me short anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.

Ndërkohë që nëse Presidenti i Republikës nuk e ushtron këtë të drejtë dhe nuk arrin të përzgjedhë anëtarët brenda pesë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, në lojë hyjnë Kryetari i Kuvendit, i cili i zgjedh ata me short brenda dhjetë ditëve nga hyrja në fuqi e këtij ligji.

Por ky afat është i pamundur të respektohet sepse ngritja dhe funksionimi i Këshillit të Emërimeve do të rregullohet me ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, i cili natyrisht do duhet të miratohet pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës dhe pasi palët të kenë gjetur mirëkuptimin për përmbajtjen e tij.

Por për të arritur në zbatimin e tij do duhet të pritet më pas edhe botimi në fletoren zyrtare dhe afati dy javor që përcaktohet më pas për hyrjen në fuqi.

Ndaj për këto arsye afati kushtetues për ngritjen e KED është i pamundur të respektohet, ndaj edhe e drejta që i takon presidentit për të organizuar procesin dhe hedhjen e shortit për të zgjedhur anëtarët e tij pritet t’i kalojë Kryetarit të Kuvendit.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka për detyrë të kryejë verifikimin e kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, si dhe të kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrton dhe rendit kandidatët sipas meritës profesionale. Renditja e kandidatëve nuk është e detyrueshme me përjashtim të rastit kur nuk arrihet të emërohet kandidati.

Një tjetër afat që duket se është i pamundur të respektohet për shkak të mosmiratimit të paketës së 7 ligjeve është edhe ai për nisjen e procesit të Vettingut.

Sipas ndryshimeve kushtetuese, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe i gjithë procesi i Vettingut duhet të nisë të funksionojë brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit, pra çka i bie brenda muajit shtator.

Ndërsa funksionimi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit i ushtron detyrat e veta sipas marrëveshjeve ndërkombëtare.

Ndërkohë që Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit dhe të Komisioneri Publik, zgjidhet pas një procesi të hapur aplikimesh që organizohet nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë.

Kandidatët i paraqesin Presidentit aplikimet dhe të gjitha deklaratat shoqëruese, sipas ligjit.

Brenda 7 ditëve nga përfundimi i procesit të aplikimit, Presidenti përpilon një listë me kandidatë, të cilët plotësojnë kriteret formale për secilin pozicion dhe një listë me kandidatë të cilët nuk i plotësojnë kriteret formale.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit monitoron këtë proces.

Nëse Presidenti nuk e përfundon procesin brenda 45 ditëve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve kushtetuese, kjo kompetencë i kalon Avokatit të Popullit.

Pra, ligji i vendos kreut të shtetit afat 45 ditor për të realizuar gjithë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të KPK-së, KPA si dhe Komisionerit Publik, afat ky që është e vështirë të respektohet për shkak të mungesës së ligjit për Vettingun.

E vetmja mënyrë për të shpëtuar këtë afat është përcaktimi në ligjin për Vettingun të një dispozite të sforcuar që ligji të hyjë në fuqi menjëherë sapo të miratohet apo të botohet në Fletoren Zyrtare.

Në të kundërt nëse projektligji në fjalë do të miratohet në mes të gushtit, atëherë që ai të hyjë në fuqi duhet të kalojë një periudhë kohore e gjatë, pasi më parë duhet pritur dekretimi i presidentit, më pas botimi në fletoren zyrtare dhe në fund duhen pritur edhe 2 javët që duhen për të hyrë në fuqi.

Ndaj duke llogaritur këto, afati 45 ditor që përcakton Kushtetuta është i pamundur të respektohet ndaj dhe e drejta për përzgjedhjen e kandidatëve të KPK, KPA dhe Komisionerë Publikë duhet të kalojë nga Presidenti te Avokati i Popullit.

Shkruar Nga
More from admin

Drejtuesja e departamentit në UET, Belina Budini: Të gjithë kanë nevojë për Marrëdhënie Publike dhe Komunikim

Si çdo hapësirë akademike edhe Komunikimi në tërësinë e tij është përballur...
Read More