fbpx

Editorial

Shtyrja apo prishja e zgjedhjeve përbën puç kushtetues





               Publikuar në : 09:33 - 11/04/17 |
mapo.al

Nga Arjan Çuri


Në përshkallëzimin e luftës politike e cila po hyn në faza finale të një krize të gjithanshme, e cila vetëm kur të cekë fundin, do sjellë edhe zgjidhjen, po dëgjohet përveç të tjerash, opsioni i shtyrjes së zgjedhjeve, apo edhe një retorikë nën rreshta për prishjen e tyre me anë të veprimeve të mosbindjes civile, të cilat nuk dihen se deri në ç‘pikë mund të degradojnë. Zgjedhjet në Kavajë, do të përballen me një protestë kombëtare të thirrur nga PD-ja dhe aty do të luhet edhe parathënia e asaj që pritet të ndodhë në zgjedhjet e 18 qershorit. Edhe pse një qytet mund të menaxhohet nga pikëpamja e sigurisë, sfida për të siguruar mbarëvajtjen e këtyre zgjedhjeve do të jetë një sprovë e rëndësishme për shtetin shqiptar, pikërisht sepse nga opozita është paralajmëruar publikisht, organizimi i veprimeve për anulimin apo prishjen e tyre.



Por, nëse do të vazhdonim me lojën apo mos marrjen seriozisht të gurëve kilometrikë më të rëndësishëm të një demokracie kushtetuese, sistem politik, i cili për nga vetë definicioni, i jep elektoratit dhe askujt tjetër, pushtetin për të lëvizur me votë qeverisje të dobëta dhe ineficiente. Kështu, nëse në jetën tonë politike, e cila rreket të konsolidojë demokracinë brenda kornizave kushtetuese, të cilat nuk hezitojmë t’i zgjerojmë apo ngushtojmë sa herë na leverdis, duhet të ketë disa koncepsione, të cilat duhet t’i respektojmë si të shenjta, dhe të mos i prekim, sepse krijojmë precedentë të rrezikshëm, që do ta na shpien mbrapa në kohë, dhe do ta zgjasnin pa fund tranzicionin tonë, të cilin nuk po e lëmë tashmë vetë ne, që të mbarojë.


Një nga këto “vija të kuqe” është edhe institucioni i zgjedhjeve si themeli kryesor i demokracisë sonë ende në konsolidim, vijë e cila, nuk mund të kalohet, sikur të jemi duke bërë shaka, pasi organizimi në shtete demokratike, është ndoshta gjëja më e lartë që ka arritur njerëzimi mbas mijëra vitesh luftërash dhe meditimesh të filozofisë politike. Nëse ne mendojmë të prekim apo t’i trajtojmë zgjedhjet si një datë axhendale personale, të cilën mund ta ndryshojmë sa herë që të na teket, edhe pa asnjë arsye madhore, siç do ishte përfshirja në luftë, apo krijimi i gjendjeve të jashtëzakonshme nga akte të rënda dhune njerëzore apo natyrore, atëherë do të flisnim për regjime të rrezikshme diktatoriale dhe do t’i ngulnim një thikë të helmatisur në zemër demokracisë, e cila pa zgjedhjet, nuk është më e tillë.

Dhe zgjedhjet mund t’i vrasim në tri mënyra, duke i shtyrë pa shkak, duke i prishur ose duke i manipuluar. Në këtë mënyrë ua heqim atyre forcën dhe rëndësinë që kanë, edhe vetë trupa elektorale do t’i konsiderojë ato si shaka, apo si një lojë, e cila nuk ia vlen të merret seriozisht. Dhe në të njëjtën mënyrë, duke humbur besimin te to, populli zgjedhor do të humbiste besimin, madje edhe bindjen ndaj institucioneve që ato prodhojnë, duke nisur nga parlamenti e qeveria, deri tek organet ligjzbatuese dhe drejtësia. Pra, në përgjithësi do të krijonim një shtet qesharak, si pasqyrim i ridikulizimit që duam t’i bëjmë institucionit të zgjedhjeve. Dhe duhet që t’i japim fund argumentit që meqë i kemi shtyrë njëherë zgjedhjet, mund ta bëjmë prapë. Nëse bërja e një gabimi, mund të tolerohet, përsëritja e tij e pakuptimtë, do të ishte e pafalshme.

Kështu pra, nisur nga kjo mungesë kulture e theksuar zgjedhore, që politika jonë lokale prodhon këtu e më shumë se 100 vjet traditë shtetformuese, ne nuk marrim seriozisht, madje edhe luajmë apo tallemi me çdo zgjedhje tjetër në institucionet tona akademike, gjyqësore, korporatat, apo edhe nëpër shoqatat apo organizatat joqeveritare. Zgjedhjet në këto institucione imitojnë në dekadencë, zgjedhjet e përgjithshme, që ne nuk kemi ditur deri më sot, madje as nuk kemi dashur t’i respektojmë, në një bashkëfajësi masive kombëtare, duke nisur që nga kupolat politike partiake, deri te zgjedhësi më i largët rural, që për një copë bukë, e shet votën, duke mos e respektuar kështu veten dhe kombin. Dhe a mund të imagjinojmë që pas këtyre farsave të turpshme, të presim të na respektojnë kombet e tjera të përparuara, të cilave u kërkojmë ekspertizë e asistencë për të na rritur në nivele të demokracive të tyre perëndimore, ku duam të aderojmë?

Për këto arsye, prishja apo shtyrja e zgjedhjeve pa shkak, përbën një puç të rrezikshëm kushtetues dhe do të ishte mirë të shmangej nga diskursi i çdo force politike, si gjëja më joserioze që mund të thuhet ndonjëherë. Në demokraci, zgjedhjet e parakohshme, apo shkaktimi i tyre, me mocione, siç i parashikon Kushtetuta, janë të shëndetshme. Në të kundërt, shtyrja apo më keq akoma, skenari i prishjes së tyre, si e vetmja mënyrë e prodhimit të institucioneve të pushtetit do të ishte një tentativë për grusht shteti, apo marrje të pushtetit me dhunë, pasi nëse ti prish të vetmen mënyrë demokratike të rotacionit paqësor, që njeh bota që nga Greqia dhe Roma e lashtë, e vetmja rrugë që mbetet është lufta apo konflikti i dhunshëm.

A do të ishte në interesin e ndonjë force politike ta merrte përsipër këtë kosto të jashtëzakonshme mbi kurrizin e vetë? A do të mburrej në mënyrën më antidemokratike ndonjë parti historike shqiptare, që ka në faqet e saj më të ndritura, ka pikërisht instalimin e demokracisë në Shqipëri, të bëjë tani të kundërtën, duke e njollosur veten e saj në mënyrë të pariparueshme? A do të ishte në nderin e partisë që lindi pluralizmin përpara 27 vjetëve, të vrasë me duart e saj, fëmijën që solli vetë në jetë? Kurrsesi jo.

E vetmja mënyrë që partia që solli demokracinë në Shqipëri mund të përdorë për të ruajtur zgjedhjet, si i vetmi institucion nga buron pushteti demokratik, është të bëhet gardiani i paepur i tyre, siç ka bërë ditën kur lindi bashkë me demokracinë. Prekja apo zhvlerësimi i zgjedhjeve, nuk i intereson asnjë pale, pasi do të prisheshin ekuilibra të brishtë, që me shumë mund edhe me jetë të flijuara njerëzore, kemi mundur të krijojmë.

Prandaj, le të gjejmë të gjitha rrugët kushtetuese dhe ligjore, qoftë edhe rrëzimin me votë të qeverisë, nëse është e nevojshme dhe e mundur sigurisht, për të siguruar që në këto zgjedhje do të hyjnë dhe do të garojnë të gjitha forcat politike. Në të kundërt, skena të viteve ‘90, nuk do të ishte e habitshme t’i shikonim dhe ata që do të ishin organizatorë apo promotorë të tyre, do ta mbulonin veten me turp dhe do ta mbyllnin me faqe të zeza historinë që e nisën me dritë. Në të gjithë universin dihet që drita e zhduk errësirën, ne nuk mund të funksionojmë më me ligjësi të kundërnatyrshme, pasi do të prodhonim vrima të zeza, të cilat mund të thithin brenda dhe të zhdukin përgjithmonë edhe shkaktarët e tyre. Epoka e eksperimenteve të rrezikshme dhe puçeve ekstraelektorale, duhet të përfundojë tani dhe përgjithmonë.

 



Pas