Shqipëria, vend i mrekullueshëm

Pjesë nga libri “SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE”, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht: Ferdinand Leka

Nga Faik Konica

Këto ese nga i ndjeri Faik Konica, përfaqësues i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga viti 1926 deri më 1939, mbështeten dhe janë nxjerrë kryesisht nga një histori e shkurtër e Shqipërisë, të cilën ai po e shkruante atëherë kur vdiq me 15 dhjetor 1942.

Librin ia kishte porositur Faik Konicës në vitin 1935 Robert Mc. Brixh end Kompani (Bridge and Company), sipas një letre që mban datën 19 nëntor 1935. Nga kjo letër po citojmë paragrafin e dytë:

“Jemi shumë të interesuar që të botojmë një histori moderne të Shqipërisë me karakter popullarizues, ku të vihet në dukje sidomos përparimi i bërë nga ky vend pas luftës (së Parë Botërore F.L). Ne e dimë se vendi juaj nuk është trajtuar ndonjëherë siç duhet në literaturën në gjuhë angleze. Edhe ato shënime të pakta që ekzistojnë në anglisht janë shumë të vjetra e u ka kaluar koha”.

Zoti Konica, në përgjigjen që dha pas njëmbëdhjetë ditëve, vë në dukje planin e vet për një histori të Shqipërisë dhe përfundon kështu:

“Nga shënimet e mëposhtme do të shikoni se libri që kam ndër mend të shkruaj nuk ka pretendime; kërkoj vetëm hapësirë të nevojshme për shënimet dhe treguesin, përndryshe libri do të paraqitej si një vepër diletanteske, gjë të cilën unë e kundërshtoj me vendosmëri”.

Libri i propozuar nga Konica u pranua nga botuesi Mak Brixh end Kompani pikërisht dy muaj më vonë, siç del nga shkëmbimi i letrave në mes të autorit dhe botuesit.

Tri vjet më vonë, në prill të 1939-ës, Italia pushtoi Shqipërinë dhe pak më vonë Faik Konica u shkarkua nga detyra si nga ana e vendit të tij ashtu dhe nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara. Kjo qe një goditje për autorin, mbasi besonte se Shqipëria, për të cilën ai kishte punuar gjithë jetën, ishte e humbur përgjithmonë.

Më 8 prill të vitit 1939, një ditë pas pushtimit italian të Shqipërisë, Konica i propozonte botuesit sa vijon:

“Meqë Shqipëria, për shkak të ngjarjeve të tanishme tragjike, ndodhet në një gjendje të errët, unë vetë do të çuditesha po të gjente përkrahjen tuaj ky propozimi im”.

Propozimi i Konicës ishte që tre kapitujt e parë, ku jepej përshkrimi i vendit dhe i banorëve, të botoheshin si vëllim i parë… “Njëkohësisht do të shpejtohem të përfundoj sa më parë vëllimin e dytë dhe të fundit me të njëjtën madhësi sa i pari”.

Botuesi e refuzoi me njerëzi propozimin e Konicës dhe dorëshkrimi mbeti në sirtar.

Kjo është me pak fjalë prejardhja e këtij libri. 

*** 

Parathënien në gjuhë latine të një koleksioni monumental dokumentesh që lidhen me historinë e Shqipërisë në mesjetë1, dijetari i njohur kroat Milan Shuflaj (Sufflay) e fillon me këto fjalë: “Ne po nisim të përshkruajmë ngjarjet e zhvilluara në një “regio mirabilissima”, shprehje latine që mund të përkthehet në shqipen “një vend shumë i veçantë a shumë i çuditshëm” ose “një vend shumë i mrekullueshëm”; forma e parë i përket latinishtes klasike, kurse e dyta latinishtes mesjetare. Meqë Shuflaj ishte historian i mesjetës, mund të mendohet që ai më shumë shprehej për Shqipërinë si “Vend i mrekullueshëm” sesa si “vend shumë i veçantë a shumë i çuditshëm”. Sido që të ketë menduar ai, ka kohë që Shqipëria ka pushuar së qeni një vend i veçantë a i çuditshëm. Por në shumë drejtime ajo, në të kaluarën, ka qenë një vend i veçantë dhe i çuditshëm, kurse sot mbetet gjithnjë një vend interesant.

Të shkruash qoftë dhe një libër të vogël për Shqipërinë, sidomos mbi të kaluarën e saj, del një punë shumë e vështirë, po të mos duash të përsëritësh me fjalë të tjera pohime të thëna e të stërthëna, që mund t’i takosh në çdo enciklopedi ose manual që pretendon të paraqitet si një “histori”. Vështirësia qëndron në faktin se për ngjarjet historike ne kemi një burim të vetëm, nga mund të nxjerrim të ashtuquajturin “informacion”, domethënë armiqtë e Shqipërisë, versioni shqiptar mungon fare. Është sikur të kesh për të gjykuar një çështje në një proces dhe të japësh vendimin vetëm pasi ke dëgjuar dëshmitë ankuese të palës akuzuese dhe të mos kesh dëgjuar fare dëshmitë mbrojtëse të palës së akuzuar. Për këtë mungesë shqiptarët duhet të fajësojnë vetëm veten e tyre. Megjithatë, gjuha shqipe, në kundërshtim me mendimin e shfaqur nga disa profesorë dritëshkurtër, të cilët pa asnjë mbështetje janë shprehur se u formua në shekullin e shtatëmbëdhjetë, ishte kritikuar dhe kishte zënë rrënjë të thella që në shekullin e njëmbëdhjetë, atëherë kur zbritën në tokën shqiptare normanët e Robert Guiskardit, duke supozuar që shkrimi të jetë kufizuar në ndonjë letërkëmbim ose urdhëresa të krerëve të fiseve. Gjatë rrjedhës së këtyre shekujve plot me ngjarje historike nuk u dha rasti që një shqiptar të merrte penën dhe të na linte një kronikë të kohës së vet, të paktën të na përshkruante në vija të trasha ngjarjet për të cilat kishte qenë dëshmitar. Nga të gjithë popujt e Evropës shqiptarët janë i vetmi që nuk kanë ende arkiva kombëtare. Historianë dhe dijetarë nga kombi shqiptar sigurisht që kanë dalë mjaft, por ata kanë punuar kurdoherë në vende të huaja dhe në gjuhë të huaja. Mund të përmendim, vetëm si shembull, nja dy a tre emra: Estienne-t, familja e përmendur e filologëve frëngj të Rilindjes, ishin me prejardhje shqiptare; Koçi Bej, “Monteskië (Montesquieu) i otomanëve”, i cili në vitin 1630 shkroi një histori otomane, ishte një shqiptar nga Korça dhe pasardhësit e tij rrojnë edhe sot e kësaj dite në atë qytet.2

Mund të krijohet përshtypja se trualli i Shqipërisë nuk ishte i aftë të prodhonte libra. Mungesa e zhvillimit kulturor vjen kryesisht si pasojë e pushtimit të gjatë turk për pesë shekuj me radhë. Është me interes të mendosh çfarë do të kishte ngjarë me kulturën shqiptare sikur turqit të ishin mundur. Studiuesit e punëve të Shqipërisë besojnë se po të kishte jetuar më gjatë Skënderbeu dhe ta kishte shpëtuar vendin nga pushtimi osman, Shqipëria do të ishte shndërruar në një vend perëndimor, në sajë të lidhjeve që kishte me papatin dhe me princat e shteteve italiane të kohës si Ferdinandi i Napolit. Sidoqoftë, me vdekjen e Skënderbeut më 1468 dhe me rënien e Shqipërisë nën turqit, zhvillimi i kulturës shqiptare ngeli në vend krejtësisht dhe për më tepër mund të thuhet se bëri hapa prapa; turqit bënë çmos në këtë drejtim të kundërt dhe në këtë epokë u bashkuan me ta edhe grekët, domethënë të mos lejonin shkolla në gjuhën shqipe. Çdo botim në gjuhën shqipe ishte i ndaluar me rreptësi dhe dënohej me internim e ndonjëherë edhe me vdekje.

Në këto kushte të vështira, studiuesi i historisë së Shqipërisë gjendet para kësaj dileme: ose të pranojë si burime të mjaftueshme fjalët e armiqve të Shqipërisë, ose t’i plotësojë e t’i ndreqë ato me traditat e vjetra të ruajtura në popullin shqiptar; sidoqoftë duhet t’i përdorë me kujdes këto burime gojore. Për më tepër ekzistojnë edhe rezerva të tjera burimore. Janë faktet gjuhësore, të dhënat topografike, fragmente të shkurtra të nxjerra nga vepra të shkrimtarëve perëndimorë, ku bëhet fjalë për Shqipërinë. Edhe veprat e shkrimtarëve të hershëm turq ruajnë nganjëherë vlera të konsiderueshme.

Një historian rumun, kur flet për Karlin Arlin Anzhu (Anjou), mbretin e Sicilisë, i cili në shkurt të vitit 1272 u bë gjithashtu mbret i Shqipërisë, e quan atë pushtues (konkuistator) të Shqipërisë, ndërsa shqiptarët i konsideron si “të mundur”. Ky është një shembull i mirë nënshtrimi. Rumunët, po ashtu si grekët modernë, sllavët dhe kombësitë e tjera të Perandorisë Bizantine, i përkisnin Kishës “Ortodokse” të Lindjes, prandaj për ata Kostandinopoli ishte një qendër e fortë tërheqëse, kur vinte puna për të zgjedhur në mes të Evropës Perëndimore dhe Botës Lindore. Mund të mendohet lehtë se edhe shqiptarët zgjidhën po këtë rrugë. Por këtu harrohet një fakt i thjeshtë dhe themelor: fakti që shqiptarët ishin katolikë romanë, madje të vetmit katolikë romanë të perandorisë Bizantine. Shqiptarët kanë ndier gjithnjë një antipati kundrejt Bizancit, prandaj Karli Anzhu, po ashtu si dikur Bohemundi, i biri i Robert Guiskardit, nuk u prit nga ata si pushtues, por më tepër si çlirimtar.

Edhe Shqipëria e sotme njihet pak dhe kjo i bën akoma më të errëta idetë në lidhje me këtë vend. Për shembull, disa vjet më parë, gjatë një dreke ku unë isha mysafir nderi, zonja e shtëpisë më bëri këtë pyetje: “Në të vërtetë ku bie kjo Shqipëria?” Në fund të Luftës së Madhe Botërore, kur doli në dritë çështja shqiptare, thuhet se sekretari i shtetit Robert Lansing, kishte përshtypjen sikur Shqipëria binte diku aty nga Amerika Jugore. Këtë ma ka treguar vetë dr. Albert Putney, i cili në atë kohë ishte Shef i Degës së Lindjes së Afërme në Departamentin e Shtetit. Dr. Putney, një burrë shumë simpatik, ishte një janki serioz nga Masaçusetsi dhe nuk i honepste shakatë pa vend. As nuk duhet të na çuditë kjo mungesë saktësie e Z. Lansing. Shumë burra shteti të Evropës, po t’i pyesësh për pozitën gjeografike të vendeve të tilla të vogla si Hondurasi ose Paraguai, mund të mos japin përgjigje të kënaqshme.

Më këtë libër emërtimin “Evropë Juglindore” do ta përdorim kudo në vend të emërtimit “Ballkan”. Emri “Ballkan”, që u përdor për herë të parë nga një gjeograf gjerman, i quajtur A. Zeune, është një fjalë turke që do të thotë mal; malet Ballkan do të përkthehej “malet mal”. Ky emërtim u la në harresë për një kohë të gjatë nga të gjithë shkrimtarët: nuk i gjejmë gjurmët e tij as në Enciklopedinë Britanike (1875); po të vërehen me kujdes indekset e Times-it të Londrës që nga fillimi deri më 1878, do të shohim se ai përmendet vetëm një herë. Nuk e gjejmë gjëkund fjalën “Ballkan” as në të madhin “Dictionnaire de Géographie Universelle” të botuar më 1879 nga Vivien de Sen Marten (Saint-Martin). Edhe në ditët tona dijetari bizantinist anglez Bury përdor kurdoherë termin “Gadishulli Ilirik” e ndonjëherë edhe atë “Gadishulli Haemus”. Duhet thënë se deri në kohët e vona, popujt që banojnë në këtë gadishull nuk e kishin dëgjuar emrin “Ballkan”: edhe ai që shkruan këto radhë, megjithëse lexues librash i palodhur, nuk e njihte këtë emërtim deri në moshën njëzetegjashtë vjeç. “Ballkani” u popullarizua në brezin tonë nga disa gazetarë, të cilët zunë merak pas kësaj fjale, ndoshta sepse u tingëllonte në mënyrë disi të pazakonshme; porse shkrimtarët më të matur parapëlqejnë emërtimin “Evropë Juglindore”. Si përfundim e vlen të kujtojmë se me fjalën “Evropë”, në kohët e shkuara klasike nënkuptohej vetëm “Ballkani”. Më vonë, në mesjetë, filloi të quhej Evropë i gjithë kontinenti i bardhë.

Jam përpjekur me të gjitha fuqitë e mia të jem objektiv dhe i paanshëm në këto ese. Në qoftë se ndonjëherë mund t’i dukem ndokujt i ndikuar nga pasioni nacional, e vlen mendimi që lexuesi ta vlerësojë dhe ta justifikojë shkakun e kësaj përshtypjeje. Ndoshta kjo e ka burimin te fakti se historia e Shqipërisë është trajtuar duke u mbështetur në dëshmitë e interesuara dhe subjektive të armiqve të këtij vendi. Dëshmitë e reja që sjell një autori shqiptar, sigurisht që do t’i tronditin disa mënyra të menduari dhe disa opinione të parapërgatitura në lidhje me çështjet që do të shtrohen.

Vetëkënaqësia është një qëndrim kundër diturisë dhe unë nuk pretendoj të kem shpëtuar pa gabime. Por mund t’i përsërit me sinqeritetin më të madh fjalët e shkrimtarit të vjetër, Hekateut nga Mileti,3 të cilat i kam vënë edhe në ballë të librit: “Po i shkruaj këto gjëra, sepse më duket se janë të vërteta”.

1 Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia, Vëll. I, Vienë, 1923.

2 Franz Babinger – Die Geschichtschreiber der Osmanen, Leipzig 1927, faqe 184.

3 Hekateu nga Mileti i Greqisë, i lindur rreth vitit 550 p.e.re ka qenë historian dhe udhëtar, autori i parë që shkroi prozë historike serioze, duke përdorur metodën kritike për të dalluar faktet nga mitet. (Shënim i botuesit në anglisht).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

BOTIMI I UET-PRESS/ “Padia ndaj Haradinajt konsolidoi një ndarje ekzistuese”

Nga Michael O’Reilly Pjesë nga libri: ‘Haga e Ramush Haradinaj’ Kur Ramush...
Read More