fbpx

Kryesore

Shqipëria në BE në 2025-ën, para Serbisë dhe Malit të Zi





               Publikuar në : 09:51 - 16/12/16 |
mapo.al

EU-FlagKrerët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian të mbledhur dje nuk nxorën ndonjë vendim surprizë për Shqipërinë. Vendimi i BE-së për Shqipërinë nuk ndryshon nga ai i 13 dhjetorit, ku ministrat e jashtëm vlerësuan pozitivisht rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave me Shqipërinë, në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm të implementimit të Reformës në Drejtësi dhe në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve


Data për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së mbetet pezull deri sa vendi të ketë dhënë prova për zbatimin e vettingut dhe avancimin në pesë prioritetet e theksuara në raportin e Komisionit Europian. Krerët e shteteve anëtare të Bashkimit Europian të mbledhur dje nuk nxorën ndonjë vendim surprizë për Shqipërinë.



Vendimi i BE-së për Shqipërinë nuk ndryshon nga ai i 13 dhjetorit, ku ministrat e jashtëm vlerësuan pozitivisht rekomandimin e Komisionit për hapjen e negociatave me Shqipërinë, në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm të implementimit të Reformës në Drejtësi dhe në veçanti të vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.


Këshilli përsëriti se një zbatim i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës i pesë prioriteteve kryesore duhet të sigurohet para hapjes së negociatave për anëtarësim.

Këshilli fton Komisionin të raportojë mbi Shqipërinë dhe do t’i rikthehet asaj, pasi të jetë bërë përparim i mjaftueshëm.

Kjo çështje mori edhe kohën e debatit politik dje në Kuvend. Ish-kryeministri Sali Berisha replikoi kryesish me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, i cili tha se data e negociatave do të vendosej në 2018.

“Ky është dështim. Ku e ke datën e hapjes së negociatave. S’kanë dhënë asnjë datë…”, -tha Berisha.

Ish-kryeministri vlerësoi se mesazhi i Brukselit është vetëm një.

“E duam Shqipërinë të eci drejt nesh, me Edi Ramën ecni drejt Enver Hoxhës, nuk shkoni drejt Europës. 18 qershori është dita që shqiptarët do votojnë për Europën. Era e re që po fryn do ta hedhë atë në Lanë!…”, -tha Berisha.

Por ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati tha se data më e largët kur Shqipëria mund  të çelë negociatat për në Bashkimin Europian është pranvera e vitit 2018, por kjo sipas tij mund të ndodhë dhe më shpejt pasi gjithçka varet nga ligji i vettingut.

“Për Shqipërinë, Këshilli është i gatshëm dhe i kërkon komisionit të vijë të raportojë veçmas, sapo progresi i nevojshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të jetë përmbushur nga ana e Shqipërisë…”, tha Bushati.

Ndërkohë, zgjerimi i BE-së është një problematikë shumë herë më e madhe sesa vetë kushtet e vendosura për Shqipërinë dhe disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Ajo mori “goditje” kur një qëndrim i përbashkët u bllokua pas vetos së Austrisë, që kërkonte ndalimin e negociatave me Turqinë.

Ndërkohë, revista “Politico” shkruan në një analizë të saj se Shqipëria nuk do të anëtarësohet në Bashkimin Europian para vitit 2025 dhe se shanset që kjo të ndodhë pas këtij viti janë 80%.

Në këtë analizë thuhet se Shqipëria ka treguar aftësi për të ofruar reforma bipartizane, kryesish ka shmangur luftërat Jugosllave të viteve 1990, gjë që e ka lejuar të distancohet nga problemet e kandidatëve të tjerë rajonalë.

Negociatat formale nuk kanë filluar ende.

Korrupsioni dhe krimi i organizuar mbeten probleme serioze, teksa Komisioni Evropian ka kritikuar edhe politizimin e gjykatave të Shqipërisë.

Sipas “Politico”, vendet e Ballkanit Perëndimor e shohin veten si të rrënjosura në Evropë dhe paralajmërojnë se BE-ja do të dëmtojë veten nëse nuk përshpejton anëtarësimin.

Por gjatë analizës nënvizohet fakti se unioni nuk ka oreks për zgjerim dhe se kjo epokë e artë ka përfunduar.

Anëtarësimi, sipas saj, për të gjitha vendet aspirante nuk do të ndodhë para vitit 2025 dhe se për disa vende të tjera, si për shembull Turqia gjasat në përqindje për t’u anëtarësuar janë zero.

“Unë nuk do të vendos limite shpejtësie në rrugën europiane, secili kandidat e përcakton vetë këtë në bazë të meritës,” -thotë komisioneri i zgjerimit, Johannes Hahn.

Megjithatë “Politico” e rendit Shqipërinë në vendin e parë si kandidate me mundësi më të mira në rajon për t’u anëtarësuar në BE. Ajo vlerësohet si vend me rol stabilizues në rajon.

Më pas, radhitet Mali i Zi, i cili sipas “Politico” nuk mund të anëtarësohet para vitit 2027 dhe se shanset për t’ia arritur i ka me 90%.

Serbia vjen në vendin e tretë me 80% shanse në po të njëjtin vit, Bosnjë-Hercegovina gjithashtu parashikohet në 2027, por me 50% mundësi.

Kosova radhitet në vendin e pestë me 30% mundësi anëtarësimi në vitin 2027. Maqedonia pas Kosovës, me një mundësi anëtarësimi në 2030, me 50%.

Më pas radhiten Gjeorgjia, Moldavia, Ukraina, Turqia etj.

 

Replika Bushati-Berisha dje në Kuvend 

Bushati: Kalendari i ardhshëm dhe vlerësimi i ardhshëm do të jetë në pranverën e 2018. Për Shqipërinë, Këshilli është i gatshëm dhe i kërkon komisionit të vijë të raportojë veçmas sapo progresi i nevojshëm për fillimin e bisedimeve për anëtarësim të jetë përmbushur nga ana e Shqipërisë.

Berisha: Në fakt këta janë këta. Gënjeshtarë kongjenitalë, sekt i gënjeshtrës dhe me një gjakftohtësi, pasi janë të paaftë për t’u turpëruar, dalin e mashtrojnë këtu. Tallen me shqiptarët për dallimin midis kritereve dhe kushteve. Tallen me shqiptarët për dallimin midis pritshmërive dhe kushteve. Tani, të dashur qytetarë, pritshmëri, kusht, kriter, në esencë shprehin absolutisht të njëjtën gjë. Ka një dallim semantik në rrafshin e spektrit të butësisë, por në thelb, për atë që nuk do të mashtrojë janë e njëjta gjë.

Këtu para jush tre javë më parë kryetari i Komisionit Europian të Bundestagut gjerman nuk foli asnjëherë as për kushte, as për kritere por i zbuti dhe i quajti pritshmëri dhe numëroi 8 pritshmëri.

Në dokumentin e ministrave të jashtëm, atë që u fsheh qeveria ju, atë që ju fsheh Rama dhe natyrisht little Sula (Sula i vogël) shkruhet e zezë mbi të bardhë: “Këshilli, duke rikujtuar konkluzionet e mëparshme, përfshi ato të dhjetorit të 2015, rithekson se një zbatim përfshirës, i gjithanshëm, i qëndrueshëm i 5 prioriteteve bazë duhet të garantohet përpara se të hapen negociatat me Shqipërinë”.

Në një paragraf më sipër flet për Reformën në Drejtësi dhe vettingun. Në një paragraf më poshtë thotë se për t’u hapur negociatat duhet bërë progres gjithëpërfshirës, i gjithanshëm, i qëndrueshëm.



Pas