Shqipëria, kopshti shkëmbor i Evropës Juglindore (II)

Pjesë nga libri ‘SHQIPËRIA: KOPSHTI SHKËMBOR I EVROPËS JUGLINDORE’, të botuara dhe të zgjedhura nga G.M. Panariti. Përktheu nga origjinali anglisht: Ferdinand Leka

Nga Faik Konica

II

Mbasi dhamë një përshkrim të shkurtër të Shqipërisë fizike, le të shohim tani çfarë i kanë shtuar natyrës shqiptare duart e njerëzve, çfarë qytetesh dhe shtëpish kanë ndërtuar, përveç rrugëve që përmendëm më lart.

Shtëpitë shqiptare, me përjashtim të godinave prej qerpiçi të Tiranë dhe të kasolleve prej balte e kashte të Veriut, janë ndërtesa një ose dykatëshe të ngritura me gurë dhe të rrethuara me oborre ose me kopshte. Në pjesën e sipërme kanë ca të çara që populli i quan mazgalla; këto s’janë gjë tjetër veçse frëngji të gjera nga brenda dhe të ngushta përjashta, që shërbenin për t’u mbrojtur, kur hakmarrjet vetjake ishin ngjarje të përditshme.

Të gjithë udhëtarët, këtu e një shekull më parë e deri në ditët tona, shtëpinë shqiptare të të varfrit ose të të pasurit, e kanë cilësuar si një kështjellë më interesante brenda se përjashta. J. C. Hobhauz (Hobhouse), më vonë Lordi Brautën (Broughton), i cili udhëtoi nëpër Shqipëri së bashku me Lord Bajronin në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë, ka botuar një libër të vëllimshëm, ku na jep edhe një përshkrim të shtëpive; “Shtëpitë e shqiptarëve janë shumë të pastra edhe banesat e tyre rrallëherë kanë më tepër se një kat, … gjithashtu janë të fshira mirë dhe, meqë i kanë ndërtuar me kujdes nuk mbajnë lagështirë… Shtëpitë nuk mbështeten njëra tek tjetra, por secila rrethohet nga kopshti i vet. Shtëpia ku bujtëm ne ka përreth një copë tokë prej disa dynymësh, të mbjellë me duhan, rrush dhe pemë frutore; rreth e rrotull kishte një mur prej guri, kurse vetë shtëpia gjendej brenda një oborri, edhe ky i rrethuar nga një mur tjetër, kështu që krijohej një farë fortese. Na ranë në sy në shumë frëngji të vendosura në largësi të barabartë njëra nga tjetra në muret e dhomës ku na pritën. Na thanë se ato frëngji shërbenin për të nxjerrë grykët e pushkëve.6

Brendësia e një banese shqiptare zakonisht paraqitet fare e thjeshtë. Nuk sheh zbukurime të tjera, përveç ikonave në shtëpitë e kristianëve dhe shkronja në ato të myslimanëve. Shumë pak familje kanë tryeza dhe karrige, kurse për fjetje përdorin dyshekë të mbushur me lesh, me pambuk ose me kashtë, që i përgatitin vetë në shtëpi. E vetmja orendi që të bie në sy, shpeshherë është një arkë e gdhendur prej druri lisi, me prejardhje venedikase; në këtë arkë ruhen gjëra të tilla me vlerë si gërshetat e nuses, thesaret e familjes dhe stoli të ndryshme. praktikisht pjesa kryesore e një dhome dhe qendra e jetës familjare është vatra. Aq i shenjtë është zjarri i ndezur në vatër, saqë një nga betimet kryesore të shqiptarëve është “për këtë zjarr”. Në këto shtëpi vërehet diçka e veçantë, “një notë personale” një shije artistike shpeshherë e pavetëdijshme. Miss Edith Durham na ka lënë këto përshtypje nga një shtëpi shqiptare, kur sapo ishte larguar nga Mali i Zi dhe kishte hyrë në Shqipëri; “Në Podgoricë e takova përsëri karrocierin shqiptar Shanin, i cili në vizitat e mëparshme më kishte shërbyer me besnikëri të madhe. më mori në familjen e vet, ku më ra në sy kontrasti me shtëpitë e malazezëve. Këtu çdo gjë ishte e re flakë, madje e hijshme, sepse shqiptarët kanë prirje artistike, kurse malazeztë jo. Shija e këtyre të fundit është e vajtueshme”.7

Një shkrimtar tjetër anglez thotë këto fjalë për shtëpinë shqiptare ku kaloi një ditë: “Megjithëse shtëpia ishte e një të varfri, ajo ma kënaqi shijen time artistike, jo vetëm me paraqitjen e saj të jashtme piktoreske, por edhe me diçka më tepër. Mbasi u mendova më gjatë, arrita në përfundimin se ajo më pëlqente, ngaqë çdo gjë ishte e punuar nga duart e të zotërve të shtëpisë: qilimi ku ishim ulur, veshjet e punuara me leshin e dhenve të rritur në shtëpi. Edhe gurët e gdhendur, me të cilët ishin ndërtuar muret, kishin kaluar nëpër duart e të zotit të shtëpisë. Çdo gjë aty ishte fryti i një punë dore të ndershme, e një arti të ndershëm, në të vërtetë më të kulluar nga ajo që quhet me këtë emër në rrethet artistike të Evropës, me një qytetërim më të lartë”.8

Qytetet dhe fshatrat shqiptare janë në përgjithësi një grumbull shtëpish me nga një kopsht përreth; por arat i kanë të vendosura ndonjë milje larg shtëpisë dhe çdo shtëpi zotëron disa dynymë tokë. Por ka edhe një tip tjetër shtëpie; ajo që gjendet në mes të tokave të pronarit dhe kështu atë e ndan një largësi e konsiderueshme nga shtëpitë e tjera të fshatit. Një tip të tillë shtëpie e shohim në krahinën e Mirditës (në Veri), ku mund të themi se nuk ekzistojnë në fakt as qytete as fshatra, por mijëra shtëpi të veçuara njëra nga tjetra dhe që i përballojnë vetë nevojat e jetesës. Emrat e vendeve që shohim në hartë tregojnë vetëm qendrën e famullisë ose kishën (e gjithë krahina e Mirditës është katolike). Njëherë më ndodhi t’i bëj një vizitë priftit të një fshati të quajtur Gomsi qe, ku ishte famullitar Atë Kostantin Gjeçovi, një françeskan i ditur, me karakter fisnik, i cili vdiq më vonë në mënyrë tragjike nga dora e vrasësve serbë. Ishte vizita ime e parë në Mirditë dhe më shoqëronte edhe një françeskan tjetër; Atë Gjergj Fishta, poeti kombëtar i Shqipërisë. Pasi admirova koleksionin me objekte e monedha të vjetra greke e romake të Atë Gjeçovit, bëra propozim që të dilnim e të shikonim fshatin. Atë Gjeçovi vuri buzën në gaz. Më tregoi se shtëpia më e afërme ishte dhjetë minuta më këmbë larg; e kështu me radhë edhe të tjerat; me pak fjalë do të na duheshin nja dy orë të mira për të shikuar “katundin”. Në disa fshatra shtëpitë janë aq të shpërndara, saqë priftit i duhet të bëjë deri në gjashtë orë rrugë për t’u gjetur pranë ndokujt në çastet e vdekjes.

Ato vende ku shtëpitë janë të grumbulluara afër njëra-tjetrës, shpesh kanë një panoramë shumë të bukur; një udhëtar i shekullit të nëntëmbëdhjetë e solli një fshat shqiptar si model për t’u kopjuar edhe në vende të tjera. Miss Durham na e jep me këto fjalë përshtypjen e parë që i bëri një fshat i vogël shqiptar. “Leskoviku është një vend shumë i vogël; me ndërtesat e tij prej guri i përngjan më tepër një fshati të Uellsit të Veriut, por është i pastër dhe i rregullt”.

Disa nga qytetet kryesore të Shqipërisë do t’i përshkruajmë shkurt për rëndësinë e tyre historike.

Durrësi, në breg të detit Adriatik, është sigurisht qyteti më i vjetër i Shqipërisë dhe ka qëndruar më këmbë vazhdimisht, që nga themelimi i tij në vitin 627 p.e.re. Dikur metropol madhështor dhe i pasur i kohëve të lashta, në ditët tona është shndërruar në një liman të vogël anemik. Porse dëshmitë e lavdisë së dikurshme e nxitin edhe sot imagjinatën e studiuesit të historisë. Nga Durrësi niste rruga Egnatia dhe po aty, në vitin 48 p.e. re, u zhvillua beteja historike në mes të Cezarit dhe Pompeut. Mendohet se Shën Pali ka mbajtur predikime në këtë qytet. profili i nëntë kullave mesjetare na kujton sundimin e Karlit Anzhu, mbretit të Sicilisë, i cili u zgjodh mbret i Shqipërisë në vitin 1272 dhe mund të quhet si themeluesi i kombit të ri shqiptar, mbasi i dha vendit atë ndjenjë uniteti që nuk e kishte pasur deri atëherë.

Tirana, kryeqyteti i Shqipërisë, megjithëse e vendosur në një pozicion me bukuri të rrallë natyrore, e rrethuar me male nga të katër anët, ka mungesë gurësh, prandaj dhe shtëpitë janë të ndërtuara prej qerpiçi; kjo është diçka fare pak tipike për Shqipërinë. Edhe ndërtesat e reja, vulgare dhe pa shije, me bulevarde tepër të gjera, e bëjnë këtë qytet më të shëmtuarin e vendit.

Tirana është themeluar nga turqit aty nga viti 1600; thuhet se emri i saj ka dalë nga shtrembërimi i “Teheran”, kryeqyteti i Persisë. U bë kryeqyteti i Shqipërisë më 1920, atëherë kur Shqipëria rifitoi pavarësinë, fill pas Luftës Botërore. Parapëlqeheshin qytete të tjera si Shkodra dhe Korça, por kishin të metën se gjendeshin tepër afër kufijve, ku mund të ngjanin turbullira.

Kruja, kryeqyteti i Shqipërisë gjatë sundimit të Skënderbeut, është një vend shumë i bukur, i ndërtuar në faqe të një mali, prej nga shihet deti Adriatik. Për më shumë se një çerek shekulli, për hir të gjenisë ushtarake të Skënderbeut dhe të aftësisë së tij si burrë shteti, ajo u bë mburojë e krishterimit dhe e lirisë së Shqipërisë kundër pushtimit osman. Emri i Krujës rrjedh nga fjala shqipe “krua”. Pushtuesit e huaj i vunë një emër të ri qytetit (ndoshta sepse emri i vjetër u kujtonte atyre shumë ngjarje të palavdishme, kurse shqiptarëve shumë fitore të shkëlqyeshme) duke e quajtur Ak Hissar, që në gjuhën turke do të thotë “kështjellë e bardhë”.

Elbasani është një qytet me rëndësi historike, për faktin se u themelua nga turqit në shekullin e pesëmbëdhjetë (1466). Emri i tij i vërtetë është turk. Mehmeti i Dytë, pushtuesi i Kostandinopolit, e ndërtoi atë në fillim si një fortesë ushtarake dhe kështu ai qytet, që u krijua për shkatërrimin e të tjerëve, më vonë do të luante një rol me rëndësi për shkëputjen e Shqipërisë nga Perandoria Turke. Elbasani ka rëndësi edhe për pozitën e tij gjeografike buzë lumit të Shkumbinit, i cili merret si caku që ndan Gegërinë nga Toskëria. Thuhet se e folmja e Elbasanit është më e bukura e Shqipërisë dhe ndoshta për këtë arsye qeveria ka bërë përpjekje për ta ngritur si gjuhë të shkruar zyrtare të mbarë Shqipërisë. më  26 gusht të vitit 1908 në Elbasan u mbajt një kongres arsimor kombëtar, i cili vendosi themelimin e shkollës së parë normale në vend.

Të gjitha vendet që përmendëm më lart ndodhen në Shqipërinë e Mesme. Në Veri, i vetmi qytet që i përket Shqipërisë është Shkodra, që njihet nga të huajt më tepër me emrin venedikas Skutari. Ky është një vend i bukur dhe i lavdishëm, me një kala të ndërtuar që në periudhën para romake, me shtëpi të mira e kopshte, me një pazar piktores, me rrugë buzë liqenit, me kuvende katolike dhe xhami myslimane dhe me një histori të vjetër me ngjarje të stuhishme. Shkodra, e cila edhe sot është metropoli i Shqipërisë, ka qenë kryeqyteti i Ilirisë dhe një qendër e lulëzuar në shekullin e katërt para e.re. Nën sundimin e mbretit Bardhyl mbretëria arriti shtrirjen më të madhe, nga Triesteja në perëndim e deri te Gjiu i Artës në Jug. Livi e përmend Shkodrën, kur përshkruan luftërat me ilirët (229 dhe 219 p.e.re); kjo është një histori po aq aktuale sa dhe ajo e imperializmit evropian të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Piratët ilirë pengonin trafikun greko-romak në Adriatik dhe Roma dërgoi dy përfaqësues për t’u marrë vesh me mbretëreshën Teuta. Gjatë bisedimeve të dy palët e humbën gjakftohtësinë dhe si përfundim u vra njëri nga të dërguarit, ndërsa po kthehej në vendin e vet. Kjo ngjarje ishte një casus belli i mjaftueshëm për pushtimin e Ilirisë nga Roma.

Berati, qytet i jugut në brigjet e lumit Osum, po ashtu si Kruja në Veri, ka merituar admirimin e artistëve që e kanë vizituar. Qyteti është ndërtuar mbi faqet e dy maleve dhe emri i sotëm është një transformim i emrit të tij më të vjetër Beligrad (qytet i bardhë), që ia ngjitën pushtuesit serbë më 1345. Berati u qëndroi sulmeve të turqve për shumë vjet me radhë, por u pushtua më në fund në vitin 1405. Në përpjekje për ta shtënë në dorë përsëri, Skënderbeu pësoi disfatën më të rëndë gjatë gjithë karrierës së tij. Nën pushtuesit e huaj Berati u bë kryeqyteti i Shqipërisë së Jugut, i Toskërisë. Është me interes të kujtohet se Berati ka qenë vendlindja e Ptoleme Lagosit, birit të paligjshëm të Filipit të Maqedonisë, themeluesit të dinastisë egjiptiane të Ptolemejve, e cila zuri fill me vdekjen e Aleksandrit të Madh dhe u shua kur vdiq Kleopatra.

Më në jug ndodhet një vend tjetër, i cili është quajtur si qyteti më tërheqës i Shqipërisë. e kam fjalën për Gjirokastrën. Një vizitues anglez së bashku me të shoqen, na japin këtë përshkrim të vendit: “Mbasi kishim vizituar Tiranën, Elbasanin, Pogradecin, Korçën dhe Shkodrën, mbasi kishim parë më shumë se një qytet të Jugosllavisë, Gjirokastra na u duk diçka madhështore dhe krejt e veçantë. Nuk besoj të gjendet në botë një qytet i tillë si Gjirokastra. Ka shumë elemente të një qyteti përrallor. Pjesët më magjepsëse i shohim në banesat e qytetit. Mbi kodrina janë vendosur shtëpi trekatëshe me dhjetë dritare në ballin e përparmë, me pjesë anësore të zgjatura përjashta, me ballkone të çuditshme. Katet e sipërme të disa shtëpive të zotërinjve janë pikturuar me stema, lule, zbukurime të ndryshme. Në shumë raste shtyllat e holla të ballkoneve janë të gdhendura, tavanet e ballkoneve janë të praruara dhe të pikturuara, po ashtu si dhe qemerët dhe trarët mbajtës. Koha u jep këtyre një pamje lashtësie dhe dekadence njëheri. Kështu ju mund të formoni një ide për këtë qytet të çuditshëm. Mbi majën e një kodre, jo larg nga shpati i malit të zhveshur, ngrihet një manastir (teqe) i bardhë i bektashinjve, i rrethuar me qiparisa. Ky manastir (teqe) qëndron krejt i veçuar nga qyteti…”.9        Gjirokastra, e ndërtuar mbi rrënojat e qytetit të vjetër romak Hadrianopolis, thuhet se është themeluar nga Gjin Bua Shpata, një mbrojtës i flaktë i nacionalizmit shqiptar. Është kuptimplotë fakti që Gjirokastra, së bashku me Korçën, kanë qenë në krye të lëvizjes kombëtare të shekullit të nëntëmbëdhjetë.

Korça, në Jug të Shqipërisë, është qyteti më i përparuar nga pikëpamja kulturore dhe shikohet si djepi i lëvizjes kombëtare shqiptare të kohës sonë. Korça është relativisht një qytet modern. Në vitin 1487 nuk kishte më shumë se pesë deri në pesëmbëdhjetë shtëpi, prandaj quhej edhe “Pesë shtëpi”. Qyteti u bë i rëndësishëm në gjysmën e dytë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, kur bijtë e Korçës emigruan në Rumani, Bullgari, Egjipt dhe Greqi. Në vitin 1881 shumë prej këtyre morën pjesë në themelimin e shoqërisë së parë shqiptare, “Drita” e Bukureshtit, që shtypte libra, të cilët dërgoheshin fshehurazi në Korçë. Këtu, për herë të parë në vitin 1886 u lejua për një kohë të shkurtër hapja e një shkolle në gjuhën shqipe. Në Korçë kishte selinë e vet edhe Shkolla Misionare Amerikane, ku nën mbrojtjen e flamurit amerikan, mësohej gjuha shqipe. Për shumë vjet me radhë, nën Perandorinë turke, Korça ishte qendër për pjesën më të madhe të Shqipërisë së Jugut, sidomos për krahinën e Devollit. Korça lidhej me portin e Selanikut, ku zbarkoheshin manifakturat nga vendet e Evropës Perëndimore. Mbas Luftës Ballkanike të vitit 1912, kur Selaniku i mbeti Greqisë, Korçës i ra rëndësia ekonomike si qendër tregtare. Gjatë Luftës Botërore, kur qyteti ishte i zënë nga francezët, u hap në Korçë një lice frëng dhe ata që mbaronin këtë shkollë pranoheshin lirisht në universitetet e Francës. Mbas pushtimit italian gjuha frënge u zëvendësua me italishten.

Vlora, limani i dytë i Shqipërisë për nga madhësia, e lakmuar nga Italia që në kohën e Romës antike, ka një rëndësi të madhe historike për vendin, pse këtu, më 28 nëntor 1912, plaku Ismail Qemali shpalli pavarësinë e Shqipërisë, pikërisht mbas katërqind e gjashtëdhjetë e nëntë vjetësh nga dita kur Skënderbeu i pavdekshëm u zgjodh princ i Shqipërisë (më 1443). Pavarësia e Shqipërisë u shpall në orën katër pasdreke, para dyzet e shtatë përfaqësuesve, që kishin ardhur si të dërguar nga të gjitha krahinat e Shqipërisë. Flamuri i Skënderbeut valoi i lirë mbas afro pesë shekujsh tiranie turke.

Vlora është e përmendur për minierat e bitumit, që janë shfrytëzuar që në kohën e Romës e të Venedikut. Në vitin 1875 minierat kaluan në duart e një shoqërie angleze, më vonë i mori një koncern francez dhe në vitin 1922 iu shitën një firme italiane. Më 15 dhjetor 1914 Italia pushtoi Vlorën, por u detyrua ta braktisë nga lufta e popullit shqiptar më 17 gusht të vitit 1920; megjithatë Italia mban ende ishullin e Sazanit, që është një mburojë për qytetin.10

 

6 J. C. Hobhouse, A. Journey throught Albania (Udhëtim nëpër Shqipëri), Londër, 1913, Vëll. I, fq. 137.

7 M. Edith Durham, Twenty Years of Balkan Tangle” (Njëzet vjet ngatërresa ballkanike), London, 1920, fq. 124.

8 Miss Edith Durham, në veprën e cituar më lart.

9 John Gordon, Cora J. Gordon, Two vagabonds in Albania” (Dy endacakë nëpër Shqipëri), Londër, 1927, fq. 152.

10 Ishulli i Sazanit iu kthye Shqipërisë me traktatin e paqes të vitit 1946 (Shënim i botuesit anglisht).

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

BOTIMI I UET-PRESS/ “Fati historik i shqiptarëve”

Nga Ilir Ikonomi Pjesë nga libri: ‘Faik Konica: Jeta në Uashington’ Siç...
Read More