Shpërthimi i Prokurorit ose lufta e lënë në mes më 22 korrik

arion sulo foto opinionNga Arion Sulo

Përplasja e së enjtes ishte vetëm pjesa e dukshme e një konflikti të gjatë mes ambasadorit amerikan dhe kryeprokurorit për Reformën në Drejtësi, ndërsa shpërthimi i fundit vjen në momentin kur ndërtimi i institucioneve të reja rrezikon të dështojë nga veprimet ose mosveprimet, hiletë dhe prapaskenat e të njëjtëve aktorë të sistemit të drejtësisë dhe politikës, pengues të reformës qysh në krye të herës.

Përballja doli në sipërfaqe edhe për faktin se Donald Lu dhe Adriatik Llalla gjenden në kryqëzimin e karrierave të tyre, i pari si ambasador i emëruar nga administrata e ish-presidentit Obama dhe i dyti si një nga titullarët me shanse të pakta për të qenë pjesë e drejtuesve të prokurorisë së re.

Heqja e vizës amerikane ndër 23 prokurorë e gjykatës i ka hequr kreut të hetimit shpresën e fundit se mund të rizgjidhej nesër dhe sulmin ndaj Lu ai u mundua ta fshihte nën këtë petk, duke zbehur thelbin e akuzës për pengimin e Reformës në Drejtësi.

Dalja e kryetarit të Kuvendit në mbështetje të prokurorit ishte fundi i një armëpushimi 6-mujor dhe rifillim i betejës me ribashkimin e forcave pro dhe kundër reformës, në pozicionet ku i pati lënë mesnata e 22 korrikut të shkuar.

Simbolikë e shkëlqyer e kësaj lufte të vjetër është qëndrimi i kreut të opozitës, Basha, i cili nuk preferoi që të merrte krah për shkak të delikatesës së çështjes.

140 votat që reforma mori në verë dolën sot zbuluar si një konsensus fals dhe i detyruar nga presioni i ambasadorit amerikan dhe atij të BE.

Sot palët, ndërkombëtarët nga një anë dhe prokurorët e gjykatësit nga ana tjetër janë më të motivuar, pasi reforma nuk është më “letër dhe fjalë”, ajo po merr formë njerëzore, ka fytyrat e saj të para, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi- një institucion jo dhe aq me peshë në korpusin total të reformës, por që shërbeu si testi ku dy palët matën forcat; njëra për ta “pushtuar” dhe tjetra për të nxjerrë që andej të njëjtit njerëz që e kanë penguar reformën prej një viti e gjysmë.

Rezultati është në sytë e të gjithëve. KED ka tre anëtarë nga prokuroria dhe që të tre i emëroi pa kandidatura alternative, e për pasojë zgjedhje pa short kryeprokurori Llalla. Ndërsa institucionet e tjera vepruan ndryshe, Prokuroria në rastin më të mirë i bëri një lexim personal ligjit.

Por më shumë se interpretimi për rastin e KED, prokuroria është nën një akuzë të rëndë nga ambasadori Lu për tentativën e sekuestrimit të serverit të ILDKPI. E thënë me fjalë të thjeshta, nëse serveri ku gjenden të gjitha deklaratat e gjyqtarëve dhe prokurorëve qysh nga 2004 do të sekuestrohej, vettingu do të dështonte që pa nisur.

Habia e shumëkujt për guximin ndaj ambasadorit përligjet me profilin e ulët që ka mbajtur deri tani Kryeprokurori, i cili ruajti një balancë të frikshme politike në heqjen e mandateve të deputetëve të kriminalizuar dhe që në fund të mandatit të tij, ndëshkueshmëria për politikanët mbetet ende një fjalë e panjohur.

Habia shuhet kur argumenteve të prokurorisë i shtohet shpresa naive se duke e etiketuar Donald Lu “sorosian”, administrata e re e Rex Tillerson në Departamentin e Shtetit do të fërkojë duart dhe do të bindet se Adriatik Llalla po lufton korrupsionin, ndërsa Donald LU synon të pushtojë drejtësinë e re shqiptare.

Inkursioni i dimrit i Donald Lu është vijimi një përpjekjeje të gjatë dhe acaruese përballë politikanëve tanë, siç ishte edhe dekriminalizimi, me të cilin prokuroria mburret sot se ka bërë rezultat.

Është e vërtetë se sot kemi 6 deputetë të larguar apo në hetim, por si? Vetëm pasi ambasada e SHBA doli e tha me emër e mbiemër deputetët që kanë probleme me ligjin, pasi i bëri presion Ramës për kandidatët për bashkiakë, apo pasi detyroi mazhorancën të miratonte ligjin me të cilin sot prokuroria mburret.

Lëvizja e fortë me revokimin e vizave është vetëm një nga metodat “alla amerikane” të përdorura në terrenin e pangjashëm shqiptar për t’iu treguar kundërshtarëve se ky nuk do të jetë dimri i vetmisë së madhe për reformën.

Në këtë kontekst, asnjë habi nuk ka dalja e ambasadorit amerikan nga kostumi diplomatik, pasi siç tha edhe kreu i Kuvendit, shqiptarët janë pronarë të Reformës në Drejtësi, por autorë të saj janë SHBA, BE dhe Venecia.. Ne vetëm ngritëm duart dhe tundëm kokat!

Shkruar Nga
More from revista mapo

Dhuna në fuboll është veç formë e tribalizimit britanik

Nga Paul Beaumont, The Independent Duket sikur ekipi kombëtar i futbollit të Anglisë...
Read More