Shkundja holandeze, ç’do bënin me qeverinë 90% e shqiptarëve

 

A mundet që një lajm të keq si ai që vjen nga Holanda për rikthim të vizave me Shqipërinë, të mund ta kapërdijmë me shpresën se ky është thjesht një propozim i parlamentit atje, dhe jo një vendim qeverie, e aq më tepër jo një verdikt i Komisionit Europian.

Do të ishte mrekulli që e mirëpresim të gjithë që qeveria holandeze të mos e marrë në konsideratë mocionin e deputetëve, dhe akoma më shumë që Komisioni Europian në Bruksel ta fusë atë në një nga sirtarët e shumtë e ta lërë në harresë.

Por problemi mbetet. Sepse për herë të parë, pas shumë diskutimeve e kërcënimeve, kemi një akt konkret.

Kemi një dokument që kërkon të kthejë izolimin tonë, atë gjëndje të tmerrshme që Shqipëria dhe shqiptarët kanë përjetuar për shumë dekada. Edhe pas rënies së komunizmit, me gjithë lirinë e fituar, serish kufinjtë nuk ranë dhe rruga për në Europë nuk u hap plotësisht, pasi regjimi i vizave ishte i ashpër. Shumë njerëz nuk e preknin, nuk e shijonin dot endrrën europiane.

Heqja e vizave me zonën Shengen ishte padyshim një prej afrimeve më të mëdha të kombit me kontinentin e vjetër, edhe pse mjaft i vonuar.

Ishte realizimi më i madh i aspiratës së ditëve të para, që e duam Shqipërinë si gjithë Europa.

Pas kësaj, me të drejtë njerëzit presin hapa të tjerë më të rendësishëm, afrim edhe më të madh, hapje negociatash, fitim të më shumë të drejtave jo vetëm për qarkullim të lirë, por edhe për punësim, për qasje më të madhe në tregun e BE. Eshte e natyrshme, dialektike që të ketë progres në këtë drejtim.

Vetëm një dreqni e madhe, mund të bëjë që jo vetëm të mos ecim në këtë drejtim, por të diskutohet sot kthimi pas në kohën e errët te vizave, në izolimin e mënxyrshëm.

Kush do të mund të guxonte t’ia bënte këtij vendi e këtyre njerëzve plot halle këtë gjëmë? Kush ka kaq shumë kurajo që ta cojë vendin mbrapsht?

Patjetër një qeveri dhe një kryeministër i cartur.

Ne shpresojmë që makthi i vizave të jetë larg dhe të mos vijë asnjë ditë, por edhe kaq sa ka ndodhur është e mjaftueshme për ta bërë një qeverisje të reflektojë e të mbajë përgjegjësi.

Ky nuk është sondazh ekranesh, që një ditë del mirë, një ditë keq. Eshte për fat të keq një shuplakë e hidhur dhe e fortë. Ashtu sikurse mbi 90 përqind e shqiptarëve e duan Europën dhe integrimin europian, një orientim mbresëlënës i kësaj shoqëria, është e sigurtë se po kaq, në këtë masë dërrmuese, 90 përqind e më shumë e shqiptarëve sdo t’ia falnin një qeverie që kryesisht për shkak të dështimeve të saj me krimin, me drogën, me kufinjë, me bandat, të bëjë që vizat të kthehen, integrimi të ndalë dhe hapja e negociatave të shtyhet pa fund.

Ky është në fakt referendum, votëbesim qe rrëzon cdo qeveri. Nuk ka nevojë për kuti e materiale votimi. Thjeshtë dihet. Nëse ndodh, nëse kërkesa e parlamentit holandez miratohet, ka hyre në fuqi edhe ky votim, ku 90 përqind e qytetarëve zgjedhin Europën, e jo një qeveri që u zë rrugën drejt Europës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rusia nis stërvitjen më të madhe pas Luftës së Ftohtë

    Rusia nisi sot stërvitjen masive ushtarake me rreth 300 mijë...
Read More