Shkaqet psikologjike të diabolizimit të kapitalizmit

Pasuria e një aristokrati nuk është fenomen i tregut; ajo nuk ka si origjinë plotësimin e nevojave të konsumatorëve dhe nuk mund të anulohet apo modifikohet nga asnjë lloj veprimi nga ana e konsumatorëve.

Nga Ludwig von Mises*

-Konsumatori sovran

Tipari karakteristik i kapitalizmit modern është prodhimi masiv i mallrave dhe shërbimeve të destinuara për konsum masiv. Rezultati themelor i këtij tipari është tendenca e përmirësimit të vazhdueshëm të nivelit mesatar të jetës dhe pasurimi në rritje i një numri gjithnjë e më të madh njerëzish. Kapitalizmi e de-proletarizon “njeriun e zakonshëm” duke e ngritur atë në rangun e “borgjezit”. Në tregun e një shoqërie kapitaliste, njeriu i zakonshëm është një konsumator sovran që nëpërmjet blerjes apo abstenimit, përcakton në thelb atë që duhet prodhuar, si dhe sasinë e cilësinë e saj.

Dyqanet dhe fabrikat që kanë lidhje direkte ose dominuese vetëm me kërkesat e individëve të pasur për produkte të zgjedhura apo luksi luajnë një rol të dorës së dytë në kontekstin ekonomik të ekonomisë së tregut. Ato nuk arrijnë kurrë përmasat e sipërmarrjeve shumë të mëdha, të cilat i shërbejnë gjithmonë – direkt apo indirekt – pjesës dërrmuese të popullsisë. Është pikërisht ky progres i mirëqenies që përbën ndryshimin social radikal të shkaktuar nga Revolucioni industrial. Shtresat e margjinalizuara dhe të ulëta të popullsisë, të cilat gjatë gjithë epokave të kaluara formonin kontingjentet e skllevërve dhe shërbyesve, të të varfërve dhe lypësve, u transformuan në blerës dhe konsumatorë të kapitalistëve e biznesmenëve që luftojnë për klientelën e tyre. Këto shtresa dikur të varfra përbëjnë sot klientët që “kanë gjithmonë të drejtë”, padronët që zotërojnë fuqinë të bëjnë të pasur furnizuesit, tregtaret apo fabrikuesit.

Në strukturën e një ekonomie tregu të pasabotuar nga recetat gjoja shëruese të sharlatanëve qeveritarë dhe politikanëve, nuk ka qenie supreme apo zotë fuqiplotë që e mbajnë popullin të nënshtruar, që mbledhin taksa e detyrime, që jetojnë në luks të shfrenuar ndërkohë që shërbyesit duhet të jenë të lumtur që nuk vdesin urie. Sistemi i sigurimit të fitimeve bën të pasur njerëzit që arrijnë të kënaqin në mënyrën më të mirë dhe me çmimet më të përshtatshme kërkesat e popullit.

Pasuria mund të sigurohet vetëm nëpërmjet vënies në shërbim të konsumatorëve. Kapitalistët i humbin paratë dhe kapitalet e tyre nëse nuk arrijnë të investojnë në degët dhe sektorët ku kënaqen më mirë kërkesat e publikut të gjerë. Në një treg dhe veprim kolektiv që përsëritet çdo ditë, në të cilin çdo qindarkë të jep një të drejtë vote, janë konsumatorët ata që përcaktojnë cili duhet t’i zotërojë dhe drejtojë uzinat, dyqanet dhe fermat. Kontrolli i mjeteve materiale të prodhimit është një funksion social që i nënshtrohet konfirmimit apo refuzimit nga ana e konsumatorëve sovranë. Konceptet moderne për lirinë nënkuptojnë pikërisht këtë gjë. Çdo njeri është i lirë ta jetojë dhe orientojë jetën sipas dëshirave dhe planeve të tij. Ai nuk është i detyruar të jetojë i shtrënguar nga projekte të një autoriteti planifikues që e imponon zbatimin e tyre nga policia, d.m.th. nga një aparat social shtypës dhe detyrues. Ajo që e kushtëzon lirinë individuale nuk ka të bëjë me dhunën apo kërcënimin me dhunë nga të tjerët, por me strukturën psikologjike të individualitetit të gjithsecilit dhe rrallësinë dhe mungesat e paevitueshme të lidhura me gjendjen dhe natyrën e faktorëve prodhues. Është mese evidente që liria e veprimit njerëzor, qëllimi i së cilës është t’i japë kuptim fatit të tij, nuk mund të tejkalojë limitet e atyre që cilësohen si ligje natyrore. Evidentimi i këtyre fakteve nuk të çon në justifikimin e lirisë individuale nga këndvështrimi i çdo lloj norme absolute apo çfarëdo ideje metafizike.

Në këtë rast, nuk tentohet të shprehen gjykime mbi doktrinat që përdorin avokatët e totalitarizmit, qofshin ata “të djathtë” apo “të majtë”. Nuk diskutohen pohimet e tyre sipas së cilave masat popullore janë të paafta dhe shumë injorante për të ditur e kuptuar se çfarë iu shërben më mirë nevojave dhe interesave të tyre të “vërteta”, dhe për pasojë kanë nevojë për një gardian, d.m.th. për qeverinë, nga frika dhe “përgjegjësia” për të mos t’i lënë ato që t’i bëjnë dëm vetes. Kur parashtrojmë këto fakte, aq më pak ekzaminohen në detaje pohimet që pretendojnë se ekzistojnë qenie mbinjerëzore që janë gati të marrin përgjegjësinë për të luajtur rolin e gardianëve të shoqërisë.

Në një regjim kapitalist, njeriu i zakonshëm kënaqet nga mallra e shërbime që në të kaluarën ishin të panjohura dhe të padisponueshme edhe për shtresat më të pasura. Natyrisht që sot, automobilat, televizorët apo frigoriferët nuk e bëjnë një njeri absolutisht të lumtur. Në momentin e blerjes cilido ndihet më i lumtur se më parë. Por, sapo këto dëshira plotësohen, dëshira të reja shfaqen. E tillë është natyra njerëzore. Pak amerikanë janë plotësisht të ndërgjegjshëm për faktin se vendi i tyre gëzon nivelin më të lartë të jetesës dhe se mënyra dhe standardet e jetesës së një amerikani mesatar janë një ëndërr e paimagjinueshme për pjesën dërrmuese të banorëve në vendet jo kapitaliste. Shumica e njerëzve e reduktojnë jetën në varësi me të ardhurat dhe kushtet që disponojnë duke u kufizuar nga mundësitë dhe fuqia blerëse, por njëkohësisht ata dëshirojnë dhe ëndërrojnë të kenë dhe sende e shërbime që në këto momente nuk i disponojnë. Do të ishte e gabuar të gjykohej si negative kjo dëshirë për të disponuar sa më shumë sende apo mallra të ndryshme.

Është pikërisht ky oreks nxitja dhe frymëzimi që stimulon çdo njeri në përpjekjet dhe rrugën e tij drejt përmirësimeve të vazhdueshme ekonomike. Të kënaqesh vetëm me atë që ke apo me atë që mund ta arrish lehtësisht, dhe të abstenosh e mos reagosh kundrejt mundësive e potencialeve që mund të përmirësojnë nivelin tënd të jetës, kjo nuk përbën aspak një virtyt njerëzor. Një reagim i tillë i ngjan më shumë sjelljes së kafshëve se sa qenieve njerëzore të arsyeshme. Tipari më karakteristik i njeriut është se ai, nëpërmjet reflektimeve dhe objektivave të menduara dhe arsyetuara qartë, nuk rresht kurrë përpjekjet për përmirësimin e mirëqenies së tij. Megjithatë, këto tentativa duhet të përputhen e korrespondojnë me qëllimet dhe dëshirat e gjithsecilit.

Ato duhet të çojnë drejt efekteve të shpresuara. Gabimi i shumicës së bashkëkombësve tanë nuk qëndron në faktin se ata kanë një dëshirë të jashtëzakonshme për sasi gjithnjë e më të mëdha sendesh e shërbimesh, por në faktin se zgjedhin mjete dhe rrugë të papërshtatshme për të realizuar qëllimet e tyre. Ata gabohen nga ideologji të gënjeshtra duke i lidhur preferencat e tyre me politika krejt të kundërta me interesat e tyre vitalë normalë. Të pazotë të shohin pasojat e paevitueshme afatgjata të sjelljes së tyre, ata kënaqen me efektet e përkohshme afatshkurtra. Mbrojnë masa, rezultati final i të cilave është varfërimi i përgjithshëm, dezintegrimi social dhe shkatërrimi i parimit të ndarjes së punës, rikthimi në situata barbarie.

Ka vetëm një mënyrë të mundshme për përmirësimin e kushteve materiale të njerëzimit: përshpejtimi i rritjes së kapitalit të akumuluar në raport me shtimin e popullsisë. Sa më e madhe të jetë sasia e kapitalit të investuar kundrejt numrit të punonjësve, aq më e madhe do të jetë mundësia e prodhimit dhe konsumit të produkteve të ndryshme cilësore. Ja pra, se si kapitalizmi, ky sistem i sharë e mallkuar për mekanizmin e tij të fitimit, ka kontribuar dhe kontribuon çdo ditë. E megjithatë, shumica e qeverive dhe partive politike të sotme dëshirojnë ta shkatërrojnë këtë sistem. Atëherë, përse kaq shumë urrejtje për kapitalizmin? Përse vështrimet kthehen kaq shumë prapa në drejtim të “kohëve të vjetra të arta” dhe situatës së mjeruar të punëtorëve rusë, ndërkohë që aktualisht përfitohet kaq shumë mirëqenie nga kapitalizmi?

-Shoqëria e rendeve dhe statusi i kapitalizmit

Përpara se t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje është e nevojshme të sqarohen tiparet karakteristike të kapitalizmit në raport me shoqërinë e rendeve. Tashmë është bërë e zakonshme krahasimi i sipërmarrësve dhe kapitalistëve me aristokratët e shoqërive të vjetra të dikurshme. Baza e këtij krahasimi mbështetet në pasuritë relative të këtyre dy grupeve në raport me situatën relativisht delikate të pjesës tjetër të popullsisë. Në shumicën e rasteve, duke u mjaftuar vetëm me këtë mënyrë krahasimi, nuk arrihet të kuptohen diferencat fondamentale ndërmjet të pasurve “aristokratë” dhe të pasurve “kapitalistë” apo “borgjezë”. Pasuria e një aristokrati nuk është fenomen i tregut; ajo nuk ka si origjinë plotësimin e nevojave të konsumatorëve dhe nuk mund të anulohet apo modifikohet nga asnjë lloj veprimi nga ana e konsumatorëve.

Ajo e ka origjinën nga përvetësimet, zotërimet me forcë, trashëgimitë apo filantropitë e mbretërve dhe feudalëve. Pasuritë e aristokracisë zhduken vetëm si pasojë e revokimit nga ana e dhuruesve ose përvetësimit të tyre nga ana e një “pushtuesi” më të fortë, apo edhe nga shpërdorimet e keq menaxhimi i zotëruesve të tyre. Lordi feudal nuk është në shërbim të konsumatorëve duke qenë i mbrojtur nga pakënaqësia dhe refuzimi i tyre.

Ndërkohë, sipërmarrësit dhe kapitalistët ia dedikojnë pasurinë e tyre popullit dhe konsumatorëve të cilët furnizohen dhe plotësojnë nevojat me produktet dhe shërbimet e tyre. Ata mund ta humbin në mënyrë të paevitueshme pasurinë dhe të ardhurat sapo individë të tjerë mund të ofrojnë mallra dhe shërbime më cilësore dhe me çmime më të leverdishme për konsumatorët. Qëllimi i këtij libri nuk është përshkrimi i kushteve historike që prodhuan institucione klasore dhe statuse sociale të ndryshme, duke krijuar ndarje në grupe të diferencuara trashëgimtarësh të rangjeve të ndryshme, pabarazi statusesh ligjore, diferencime titujsh e privilegjesh apo pretendime të tjera të njohura dhe garantuara me ligj.

Në analizën tonë, e vetmja gjë thelbësore që ka rëndësi është fakti që ruajtja e këtyre institucioneve feudale ishte e papërputhshme me sistemin kapitalist. Braktisja e tyre dhe zëvendësimi me parimin e barazisë përpara ligjit do të eliminonte barrierat që pengonin njerëzimin shijonte të gjithë përfitimet që sistemi i pronës private të mjeteve të prodhimit dhe sipërmarrjes private bënte të mundur. Në një shoqëri që bazohej në sistemin e rangjeve, statusin social apo kastat e privilegjeve, vendi i çdo individi në strukturën sociale ishte i përcaktuar.

Njerëzit lindnin në një situatë të përcaktuar dhe pozicioni i tyre në shoqëri ishte rigorozisht i fiksuar nga rregullat, zakonet dhe ligjet që karakterizonin apo përkufizonin rangun e të drejtave dhe privilegjeve apo detyrimeve dhe dizavantazheve të përcaktuara. Vetëm një shans apo fatkeqësi e jashtëzakonshme mundej, që në raste të rralla, të ndryshonte statusin e individit duke e ngritur atë në një rang superior apo zbritur në kategori inferiore. Si rregull i përgjithshëm, situata e anëtarëve të një grupi apo rangu të dhënë mund të përmirësohej apo degradohej vetëm si efekt i ndryshimit të pozicionit dhe statusit të gjithë grupit. Individi nuk ishte dhe nuk konceptohej si qytetar i një kombi; ai ishte anëtar i një statusi social të veçantë dhe vetëm si i tillë integrohej indirekt në korpusin e kombit të tij. Kur hynte në kontakt me një bashkë-patriot të një rangu tjetër social e privilegjesh apo kufizimesh, ai nuk ndjente asnjë lidhje të ngjashme komuniteti. Ai vetëm mund të dallonte apo perceptonte humnerën që e ndante nga statusi i personave të tjerë. Më shumë se gjithçka, diversiteti i tyre reflektohej te përdorimi i gjuhës dhe veshjeve. Në periudhën e l’ancien régime (shprehje e përdorur gjatë revolucionit francez të vitit 1789 për të karakterizuar periudhën historike dy shekullore përpara revolucionit të dominuar nga monarkitë europiane dhe dinastia e Borbonëve) aristokratët europianë preferonin të flisnin frëngjisht, deputetët dhe drejtuesit e lartë administrativë (le tiers-état) përdornin gjuhët lokale të komuniteteve ku jetonin, ndërkohë që klasat më të ulëta të popullsisë urbane dhe fshatarët komunikonin me zhargone e dialekte lokale, shpesh të pakuptueshme nga njerëzit e shkolluar.

Rangjet e ndryshme sociale visheshin në mënyrë të diferencuar qartësisht të dallueshëm nga njëri-tjetri. Si pasojë e këtyre diferencimeve, askush nuk e ngatërronte rangun e gjithkujt që shfaqej apo qarkullonte në territoret europiane. Kritika kryesore që i bëhej parimit të barazisë përpara ligjit nga ana e nostalgjikëve të kohëve të vjetra bazohej pikërisht tek “anulimi i privilegjeve, rangjeve dhe statusit të fisnikërisë. Sipas tyre, ky parim ka “atomizuar” shoqërinë, ka shkatërruar ndarjen “organike” në emër të krijimit të një mase sociale “amorfe”. “Masa e njerëzve” është tashmë shumë e fuqishme dhe materializmi i tyre mediokër ka zëvendësuar kriteret e fisnikërisë të kohëve të shkuara. Paraja është bërë mbret i gjithëpushtetshëm. Njerëz të zakonshëm pa vlera specifike zotërojnë pasuri dhe mirëqenie, ndërkohë që njerëz të tjerë me aftësi e cilësi të shumta janë duarbosh.

Kjo kritikë supozon apriori që në “l’ancien régime” aristokratët diferencoheshin nga virtytet e tyre dhe që ata ja dedikonin rangun, të ardhurat dhe pozitën shoqërore superioritetit të tyre moral e kulturor. Mendoj se është krejt e panevojshme të tentosh të diskreditosh këtë fabul. Pa patur frikë se do shkelë mbi principet themelore të profesionit të tij, çdo historian mund të pohojë se aristokracia e lartë e vendeve evropiane rridhte nga ushtarë, kurtizane e kurtizane të cilët, në luftërat fetare, politike e kushtetuese të shekujve XVI e XVII patën mençurinë të gjenden në krahun e grupeve apo dinjitarëve fitues në vendet e tyre respektive.

Ndërkohë që armiqtë konservatorë dhe “progresistë” të kapitalizmit nuk janë dakord me vlerësimin e normave dhe rregullave të vjetra, ata janë plotësisht dakord në dënimin e normave të shoqërisë kapitaliste. Sipas tyre, në kapitalizëm ata që fitojnë më shumë pasuri e prestigj nuk janë të ngjashëm me homologët e tyre aristokratë, por janë njerëz pa vlera. Armiqtë e kapitalizmit pretendojnë zëvendësimin e metodave të pa drejta të kapitalizmit laissez-faire me metoda më të drejta “shpërndarje” të pasurisë. Por, duhet pranuar se askush nuk ka pretenduar ndonjëherë që në kapitalizmin laissez-faire ata që kanë më shumë rezultate e suksese janë ata, që nga këndvështrimi i normave morale dhe vlerave klasike, janë më të preferuarit. Demokracia kapitaliste e tregut nuk i kompenson njerëzit në bazë të “meritave “të tyre të vërteta, vlerave njerëzore apo veçorive morale. Ajo që e bën një individ më shumë apo më pak të pasur nuk është vlerësimi i kontributit të tij në bazë të një parimi “absolut” të drejtësisë, por është vlerësimi nga ana e të ngjashmëve të tij, të cilët aplikojnë si kriter ekskluziv vlerësimi përmasat e plotësimit të nevojave, dëshirave apo qëllimeve personale të tyre. Kjo është thelbi apo esenca e sistemit demokratik të tregut. Konsumatorët janë të gjithë pushtetshëm, domethënë sovranë. Ata dëshirojnë vazhdimisht që të jenë të kënaqur në nevojat e tyre.

Miliona njerëz dëshirojnë të shijojnë Pinkapikna-n, pijen e shijshme të përgatitur nga kompania shumëkombëshe Pinkapinka. Miliona të tjerë dashurojnë romanet policore, filmat horror, botimet e ilustruara, ndeshjet e demave, boksin, whisky-n, cigaret, chewinggum etj. Me miliona janë ata që votojnë për qeveri që dëshirojnë të armatosen dhe të bëjnë luftëra. Kjo është pikërisht arsyeja përse sipërmarrësit që furnizojnë në mënyrën më të mirë të mundshme dhe me çmimet më të përshtatshme të gjitha këto dëshira, janë pikërisht ata që arrijnë të bëhen të pasur. Ajo që ka rëndësi në një ekonomi tregu, nuk janë vlerësimet dhe gjykimet e vlerave teorike “aristokratike”, por janë vlerësimet që manifestojnë realisht njerëzit duke blerë apo mos blerë në treg. Të revoltuarve me padrejtësitë e sistemit të tregut të lirë mund t’ju jepet vetëm një këshillë: nëse ju dëshironi të zotëroni pasuri, tentoni të kënaqni publikun duke i ofruar atij diçka të vlefshme dhe me çmim të nga ato mallra apo shërbime që ai preferon. Tentoni ta zëvendësoni Pinkapinka-n duke kompozuar një pije tjetër të preferuar për publikun. Barazia në treg dhe përpara ligjit ju jep mundësinë të sfidoni cilindo milioner. Në një treg të pa deformuar nga kufizimet e imponuara nga qeveria, është krejtësisht faji juaj nëse nuk arrini të bëheni mbreti i çokollatave, ylli i kinemasë apo kampion boksi.

Por, nëse, përballë pasurisë që ju mund të fitoni duke ushtruar tregtinë e veshjeve apo boksin profesionist, ju preferoni kënaqësinë e të shkruarit poezi apo reflektimeve filozofike, natyrisht që jeni të lirë ta bëni atë. Por, në këtë rast, ju nuk do të fitoni aq shumë para sa ata që vihen në shërbim të plotësimit të nevojave të shumicës. I tillë është ligji i demokracisë ekonomike të tregut. Ata që plotësojnë kërkesat dhe nevojat e një numri të vogël personash mbledhin më pak vota – dollarë – në krahasim me ata që kënaqin një numër shumë më të madh njerëzish.

Kur arsyetohet për sasinë e parave të fituara, yjet e kinemasë i kalojnë filozofët dhe fabrikantët e Pinkapinka-s kompozitorët e simfonive. Është e rëndësishme të kuptohet se mundësia për të hyrë në konkurrence për të fituar kompensimin që ofron shoqëria është një institucion social. Ajo nuk mund të eliminojë apo shmangë të meta apo boshllëqe natyrore që gjenden tek shumë njerëz. Ky institucion social nuk mund të ndryshojë faktin apo realitetin që mjaft individë kanë lindur me defekte apo janë përballur me sëmundje të ndryshme gjatë jetës.

Kapaciteti dhe aftësitë biologjike të çdo njeriu e kushtëzojnë në mënyrë absolute fushën ku ai mund të shërbejë apo jetë i vlefshëm për shoqërinë. Grupi i njerëzve që janë të aftë të reflektojnë dhe t’i vlerësojnë drejt aftësitë e tyre ndahet nga një hendek i thellë nga grupi i atyre që janë të pazotë ta bëjnë këtë gjë.

* Marrë nga libri “Mentaliteti Antikapitalist”, përkthyer nga prof. dr. Adrian Civici

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

INTERVISTA/ Gjekmarkaj: Ja kush i fiton zgjedhjet, nëse mbahen tani

Pedagogu dhe publicisti Agron Gjekmarkaj, në një intervistë në MAPO, për betejën...
Read More