Sfidat e grave shkrimtare në letërsi

Nga Vera Bekteshi
Megjithëse kohët e fundit ka pasur një shpërthim të grave shkrimtare, përfshi çmimet Nobel, paradigmat që kanë dominuar historinë e letërsisë për shekuj kanë qenë pak a shumë si me poshtë:

Shkrimtarët burra me insistim kanë evituar përshkrimin realist të shoqërisë, duke zgjedhur në kundërshtim me këtë të shkruarin, sipas asaj që Hawthorne e quan romancë, një mënyre që përshtatet më së shumti me studimin e psikës individuale.
Edhe nëse ata kanë kritikuar shoqërinë ku jetojnë, e kanë bërë këtë më së shumti si profetë transhendetalë, asnjëherë nga pozitat e reformatorëve aktivë, duke i u kthyer hera herës paraqitjes së konflikteve politike ose vizionit të tyre në njehsimin me natyrën.
Shkrimtarët burra, veçanërisht ata amerikanë, kanë jetuar nën censurën e një auditori femëror puritan, gjë që i ka kufizuar së tepërmi në paraqitjen e seksualitetit heterogjen apo atyre të quajtura tabu deri tani vonë. Si shkrimtarë burra, kanë qenë të mendimit se gratë janë më pak të prira për të paraqitur tema të mëdha duke qenë të afta, sipas tyre, për të trajtuar tema te thjeshta, shtëpiake etj.
Por as kanë qenë nënat dhe gjyshet ato që kanë mbajtur ndezur zjarrin në vatër përmes tregimeve për njerëz dhe vende, as kanë qenë ato rrëfimtaret e para?

Janë dashur të kalojnë shumë shekuj deri sa gratë të fillojnë të shkruajnë vetë për problemet dhe shqetësimet e tyre të mëdha si mungesa e lirisë dhe shfrytëzimi, pa u mjaftuar me pasqyrimin e jetës së tyre përmes letërsisë së shkruar nga shkrimtarët burra.

Një shembull i rrallë i kësaj letërsie janë grupi i shkrimtareve të mëdha angleze, Jane Austin, Mary Shelley, Motrat Brontë dhe e madhja Virginia Wolf, që përgjatë një periudhe thuajse dy shekullore shprehën me një letërsi të nivelit të lartë, gjithë shqetësimet e kohës, që sot e kësaj dite botohet e ribotohet dhe ekranizohet pa nda.

Sfidat që kanë shkrimtaret gra në Shqipëri, për mendimin tim, janë po ato që preokupojnë të gjitha shkrimtaret gra, në vendet e ndryshme të botës, sepse për fatin tonë të mirë letërsia nuk ndjek gjithnjë zhvillimin ekonomik të një vendi. Sot shkrimtaret gra po trajtojnë të njëjtat tema me burrat dhe për të gjithë ne, burra e gra, një sfidë e madhe është letërsia në kushtet e një shoqërie post industriale.

Shoqëria post industriale përkufizohet si faza e zhvillimit shoqëror kur sektori i shërbimit gjeneron më shumë pasuri në ekonomi se sa sektori i prodhimit.

Një shoqëri post-industriale nuk transformon vetëm ekonominë por edhe vetveten në përgjithësi. Shoqëria post industriale është ajo shoqëri ku dija përbën fuqi dhe teknologjia është instrumenti i saj.

Letërsia e shekullit të 20-të e ka trajtuar shpesh këtë natyrë të mrekullueshme dhe të habitshme të teknologjive të reja, duke filluar nga telegrafi dhe gramafoni, tek kinemaja dhe hapësira kibernetike. Këtu do shqyrtohen shkurtas mënyrat në të cilat risitë teknologjike ndikuan mbi veprat kryesore letrare të kësaj periudhe, apo dhe e kundërta.

Çdo zbulim teknologjik shpesh është shoqëruar me një lloj shqetësimi për efektin shkatërrues që mund të ketë mbi letërsisë. Tashmë jemi të rrethuar nga televizione apo kompjuterë, tabletë ose telefona smart, që kërcënojnë autoritetin kulturor të librit, që heqin vëmendjen ose shkatërrojnë leximin. Çdo teknologji e re është shpallur ose ka tentuar të shpallet prej dikujt ose disave si vdekje e letërsisë serioze.

Sa i takon letërsisë së shkruar në anglisht, në vitin 1992, kur u përhapën gjerësisht kompjuterët personalë, Sven Birkets, një eseist dhe shkrimtar i njohur në USA shkroi Elegies Gutenberg, në të cilën, që nga titulli kuptohet se ai parashikoi që libri i shtypur do të binte me shpejtësi dhe do të bëhej thjesht pjesë e një të kaluare. Por ndodhi që edhe teknologjitë e reja të komunikimit shpesh prodhuan forma, që rregulluan mënyrat e shprehjes së letërsisë. Vetë librit i shtypur është një shembull i mirë, se si një teknologji e konsideruar fillimisht si e rrezikshme, më pas veçse ka lehtësuar për riprodhimin dhe shpërndarjen e tij.

Sidoqoftë, letërsia në vetvete demonstron një aftësi të vazhdueshme krijuese për t’u përshtatur dhe zhvilluar në kushte të reja materiale.

Bota letrare ka kaluar nëpër një rrugë të gjatë e të vështirë për t’iu përshtatur zhvillimit teknologjik me hapa të shpejtë. Shekulli i XX dhe ky yni e tregojnë më së miri këtë.

Në epokën viktoriane, kur filloi zhvillimi i madh teknologjik, shkrimtari Grant Allen në vitet 1890, qe ai që u ankua prej një mësymje lajmesh dhe zhurme, dhe që u bë më vonë shembulli më i mirë i një shkrimtari, karriera e të cilit u ndërtua kryesisht nga platformat e reja teknologjike për shtyp. Allen zbuloi, thuajse rastësisht se revistat e reja kishin krijuar hapësira për fiction të formave të shkurtra (termi ‘tregime të shkurtra’ u shpik në këtë mjedis) dhe se ato paguheshin shumë më mirë se reportazhi faktik. Pas tij Wells, me librin The Time Machine, u bë më i famshmi dhe ndoqi të njëjtën trajektore, pikërisht nga edukimi shkencor, në gazetari deri në fiction në vitet 1890.

Më pas Arthur Conan Doyle me Sherlock Holmes-in e tij nga viti 1891, do bëhej një fenomen i madh kulturor.

Letërsia e re masive, që lindi në Angli, përmes këtyre zhvillimeve ndikoi gjithashtu edhe në formësimin dhe strukturën e letërsisë ‘serioze’.

Format e reja komerciale të letërsisë vranë shumë shpejt romanin me tre vëllime duke i dhënë fund thuajse përfundimisht instrumentit kryesor të Realizmit Viktorian. Sot mendohet se lëvizja dekadente e viteve 1890 dhe modernistët që pasuan, prodhuan një letërsi të vështirë dhe të errët edhe për të kundërshtuar mënyrat e lehta të këtij komunikimi masiv. Sigurisht është më e ndërlikuar se kaq, por nuk mund të mohohet roli i madh i ndryshimeve në teknologjinë e botimeve, që çoi në shfaqjen e kulturës ‘së lartë’ dhe ‘të ulët’ në letërsinë moderne. Ende ky lloj botimi quhet pulp fiction, apo botime të lira, pikërisht për shkak të letrës së lirë në të cilën kjo letërsi u shtyp.

Pra në kohën kur ndryshimet e shpejta teknologjike transformojnë lidhjet midis nesh, narrativa letrare hulumton në mënyrë imagjinare këto pasoja të çuditshme.

Sa i përket ndikimit të ndërsjellët letërsi kinematografi Sergei Eisenstein, është shprehur se idenë e montazhit e pat huazuar nga romanet e Dickens-it. Dickensi, sipas tij, ishte proto-kinematik, dhe e kundërta, për Eisenstein, botimi i veprës Ulisi prej James Joyce, ishte më tepër një event kinematografik se sa letrar, pasi ai më shumë se kushdo tjetër, për të shkruar një epikë me stil heroiko-komik, përdori teknikat filmike në këtë roman, si p.sh. logjikën e montazhit, stilet e ndryshueshme në mënyrë të papritur, zërat, etj.

Duke hulumtuar më tej ndikimin që pati teknologjia moderne, shkrimtarë si William Burroughs shkuan deri në ekstrem. Duke përdorur pajisjet e regjistrimit në masë ai synoi të eliminonte çdo lidhje autoriale. Në vend të kësaj, sipas tij, do të fliste zëri çnjerëzor i makinës. E gjithë vepra e tij u mbështet në dëshirën dhe përpjekjet për të evituar sistemet e kontrollit të mendjes dhe çlirimin e saj nga forca e zakonit dhe historia. Kjo ishte po aq alarmuese sa edhe deklarata e një artisti tjetër gjithaq ekstravagant si Andy Warhol ku thuhej ‘Dua të jem një makinë’. Këto akte të Burroughs dhe Warhol ishin përdorime thelbësisht avangarde të teknologjisë dhe të dy jo vetëm prodhuan pop art në pikturë, fotografi e arte të tjera pamore, por patën një influencë të madhe mbi artistët e zhanreve të ndryshme të Beat kulturës.

Por ndodhi edhe që ndërsa disa ankoheshin për vdekjen e menjëhershme të kulturës letrare në një fushë të ngopur me media, Ballard (autori i Perandoria e Diellit), zbuloi se si format e reja letrare mund të thithnin, kapnin dhe kritikonin këto mjedise të reja.

Reagimi ndaj revolucionit dixhital, që pasoi me futjen e informatikës në përdorimin personal, apo PC-ve, në fillim të viteve 1980, merr të tjera forma, sërish nga frika e kontrollit të mendjes. Kështu William Gibsoni, që u bë i famshëm me romanin Neuromancer në 1984, shpiku termin “cyberspace”(hapësira kibernetike) kur flitet për hakerat dhe internetin para se hakerët dhe interneti të ekzistonin realisht. Me këtë roman ai bëhet krijuesi i një subzhanri të ri të librave fantastiko shkencor si cyberpunk – u, që përzien në një fiction detektivë të shkathët me fantashkencën për të përcjellë një të ardhme krejtësisht dixhitale dhe zgjidhje të improvizuara, në vend të njerëzve të lumtur tipikë për teknologjinë e përparuar.

Më pas, deri në fund të viteve 1980, përkrahësit e përpunimit kompjuterik përqafuan fiksionin ‘hypertext’ si revolucioni i fundit teknik në letërsi, pasi kjo gjë transformoi mundësitë narrative dhe liroi tekstin nga logjika lineare e faqes statike.

Një përkufizim i lirë i hypertext-it do të ishte një tekst që i ofron lexuesit shtigje të shumta leximi dhe përmban elemente të tekstit të bashkuara nga një strukturë lidhëse. Një hypertext mund të mos jetë elektronik; ka hypertexte të shtypura si Shtëpia e gjetheve të Mark Danielewskit etj.

Në vitet 90’ u shkruan vepra si Patchwork Girl, apo 253 etj. Patchwork Girl (1995), shkruar nga Shelley Jackson u kategorizua si një libër me strukturë Borgesiane për shkak të mungesës së linearitetit të tij. Libri paraqet një labirint hiperteksti, labirint i përdorur vite më parë në mënyrë origjinale nga Borges në tregimin Garden of Forking Paths, me që zgjedhjet në tregim lejojnë shtigje të shumta përvoje. Patchwork Girl, që nga emri patchwork që do të thotë cohë mozaik, apo vetë emri i librit Vajza mozaik, është vazhdimi i Frankenstein -it të Mary Shelley dhe si i tillë një tregim gotik.

Ky subzhanër ‘i frikshëm’ i fantashkencës, pra zhanri gotik, apo horror fiction, u krijua nga një shkrimtare grua, e famshmja Mary Shelley (1818), që përmes dhimbjes së mospërfilljes, të njeriut të krijuar në laborator, shprehu dhimbjet e saj dhe të gjithë grave të kohës në Anglinë së atyre viteve. Gati dyqind vite më vonë amerikania Shelley Jackson, e mirënjohur për eksperimentet e saj pioniere të kros-zhanrit paraqiti këtë libër si vazhdim të Frankenstein-it të Shelley, duke na dhënë krijimin femëror të monstrës burrë të librit të parë.

Por me gjithë eksperimentet e kryera nga shkrimtarët dhe mendimin e retorikës tipike hiperbolike se po ndodh një përmbysje revolucionare e narratives konvencionale, romani deri më sot i ka mbijetuar mrekullisht modës së hipertekstit vetëm duke u përshtatur përsëri me sundimin e ri dixhital.

Çfarë po ndodh në ditët tona?

Vazhdon të flitet për vdekjen e letërsisë ose të industrisë botuese ose të librit fizik, me rritjen përdorimit të internetit, lexuesve elektronikë ose efektit të tmerrshëm të telefonave smart dhe kompjuterëve tabletë. Megjithatë, teknologjia shpesh ka rezultate të paparashikueshme. Ekziston një marrëdhënie dialektike midis sipërmarrjeve të reja në shpërndarjen e gjerë të librit online dhe kthimit tërësisht të papritur të librarisë së vogël të pavarur ose mënyrave të reja të botimit. Tani mund të gjesh shumë tekste të letërsisë klasike falas përmes Projektit Gutenberg(që në 1971) apo në ditët tona përmes Amazon.com ose Kindle, ose pothuajse çdo gjë përmes print-on-demand nga arkivi i madh i letërsisë. Politika e qasjes së hapur po transformon mënyrën e publikimit.

Përmes gjithë këtyre revolucioneve teknologjike, fictioni letrar ka qenë vetë një pajisje regjistrimi e ndjeshme që njëkohësisht ka regjistruar këto ndryshime teknologjike dhe nga ana tjetër ka gjeneruar rrëfime bindëse për to.

Dhe së fundmi, jo vetëm për të dhënë një informacion mbi temën në fjalë, por për të treguar edhe dobinë e madhe të letërsisë, po citoj postimin me titull Pse na duhet letërsia për të mësuar teknologjinë i Marissa King antare e NCTE (National Council For Teacher Education):

Kur vjen puna për përgatitjen e studentëve në përdorimin e përgjegjshëm dhe racional të teknologjisë, roli i mësuesve të letërsisë merr rëndësi të veçantë. Letërsia ofron mundësi të mëdha për të mësuar mendimin kritik të teknologjisë përtej romaneve tipike dystopiane ose paralajmërimeve frankensteiniane për krijesat jashtë kontrollit tonë.

Për shembull, një tekst para-internet ofron një rast të përsosur për të ndihmuar studentët të marrin në konsideratë se si teknologjia ka ndryshuar përvojën njerëzore. Ne mund të përdorim letërsinë për të shqyrtuar mënyrën se si teknologjia formon dhe ndryshon mënyrën tonë të jetesës.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Trump nuk ndalet: Mendoj se Bashkimi Evropian është armiku ynë

  Presidenti amerikan, Donald Trump, vetëm pak orë para takimit të shumëpritur...
Read More

More Stories