Sezoni i ri i protestave

Studentët paralajmërojnë rinisjen e protestave pavarësisht disa vendimeve që mori qeveria për kërkesat e tyre. Çfarë po ndodh me politikën dhe lëvizjet e kryeministrit Edi Rama për të ulur frymën e revoltës. A janë të mjaftueshme vetëm ndryshimet thelbësore në kabinetin qeveritar?

Për qeverinë, ndryshimet janë të thella me një shkundje të fortë të kabinetit me tetë ministra të shkarkuar në postet kyçe, por ende pa u shuar kjo jehonë, viti që sapo hyri premton vijim të revoltës nga studentët dhe një klimë të ashpër politike. Përplasjet e forta politike mes pozitës dhe opozitës nuk janë një risi, por reagimi qytetar me në krye revoltat e studentëve paralajmërojnë të tjera surpriza dhe një pasiguri edhe në sigurinë e Ramës. Revoltat e studentëve përgjatë gjithë muajit dhjetor u ndalën për pak ditë në festat e fundvitit, por që nga sot të rinjtë duket se nuk do ndalen dhe kanë paralajmëruar vijimin e revoltës. Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama i parapriu çdo situate, ku i shtyrë nga revolta studentore që vendosi tetë pika për t’i plotësuar, gjeti shkakun brenda qeverisë së tij, teksa shtatë ministra dhe zëvendëskryeministri tashmë janë të ndryshuar. Teksa studentët kishin ngritur përkohësisht “flamurin e bardhë” dhe ndërprenë protestat, kreu i qeverisë plotësoi disa nga kërkesat e studentëve, ku më kryesoret ishin përgjysmimi i tarifave të studimit, një “vetting” stafit pedagogjik, transparencë në shpenzimet e buxhetit dhe premtim se do nisin investime për kushte më të mira në konvikte dhe auditorë. Nga grupimet studentore kjo është konsideruar si masë gjysmake që nuk u jep zgjidhje thelbit të problematikës së madhe që kanë ata dhe paralajmëruan se protestat do të vijojnë. Gjithashtu, edhe opozita ka bërë thirrje që qytetarët tu bashkohen studentëve në kauzën e tyre. Opozita po mundohet të përfitojë nga kjo situatë, ndonëse vetë studentët që në fillim të revoltës kërkon që partitë të qëndronin larg tyre. Ngjizja e frymës së revoltës është ajo që qeveria i druhet më shumë, ku edhe vetë kryeministri e pranoi se u gjet i papërgatitur nga protesta masive e studentëve, duke premtuar se i mirëkuptonte dhe kërkoi dialog.

Revoltat, një markë studentore me qytetarë nga pas…

I gjitha muaji dhjetor i vitit që sapo lamë pas u karakterizua nga protesta që nisën me banorët e Unazës së Re që kundërshtonin prishjen e shtëpive nga projekti i zgjerimit të rrugës dhe më pas në mënyrë krejtësisht të veçuar erdhi “shuplaka” nga ana e studentëve. Ditët e para pati grupime të vogla por domethënëse që kundërshtuar rritjen e tarifave dhe vendimit të qeverisë që detyronte studentët të paguanin për provimet e prapambetura. Në ditën e 13 të saj, protesta mori përmasa të mëdha, ku rreth 20 mijë të rinj të mbërritur edhe nga rrethet zaptuan sheshin para ministrisë së Arsimit. E veçanta e revoltës ishte “beteja” me meme dhe parulla ku në pak ditë u rrëzua “miti” propagandistik i qeverisë. Me rënien e propagandës qeverisë i iku arma më e fortë në këtë “përplasje”, çka solli fitoren e parë të studentëve. Fryma e krijuar dha shpresë edhe për të tjerë revolta që në shumë rrethe të vendit qytetarë të ndryshëm dolën në revoltë për të kundërshtuar rritjen e çmimit të naftës dhe të taksave. Pikërisht kësaj revolte zinxhir qeveria i druhet, ndaj edhe ndryshimet e thella në kabinet nga Rama erdhën si rrjedhojë e revoltës qytetare, me studentët në krye. Gjithashtu vendimet e marra nga ana e qeverisë për të plotësuar pikat kryesore të paraqitur nga studentët shihen si një formë që po synojnë uljen e revoltës. Megjithatë paqartësia edhe mes studentëve mund të çojë në zbehje të revoltës, që gjithsesi duket se e dha mesazhin kryesor për të gjithë klasën politike në vend. Edhe opozita ishte më se koshiente se nga kjo revoltë nuk mundi të përfitonte, për aq kohë sa nuk arriti të shpërndante frymën e besimit si një alternativë ndryshe. Vendi ka shumë sfida për të kaluar këtë vit ku më kryesoret janë zgjedhjet lokale të qershorit dhe vendimi që do të merret për Shqipërinë si vend kandidat ose jo për në BE. Vetë Europa është në pasiguri për sa u përket politikave të saj të përbashkëta, pasi është e përfshirë nga revoltat qytetare, më të përhapura në Francë, Hungari dhe Greqi. Gjithashtu, edhe shtimi i partive të ekstremit që po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet në Europë shihet si pengesë jo e vogël e vetë Bashkimit Europian, çka mund të shpërqendrojë vëmendjen politike nga Ballkani Perëndimor.

LSI, thirrje për t’iu bashkuar studentëve

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka zhvilluar dje takime me të rinjtë e LRI-së në Vlorë dhe Elbasan, ku u bëri thirrje të gjithëve që të bashkohen me protestën studentëve që do të zhvillohet ditën e sotme. Kryemadhi u shpreh se demaskimi që mori Rama ditë më parë gjatë takimit me ta në Vlorë, iu dha studentëve një forcë dhe vullnet për të vijuar të palëkundur në kërkimi e të drejtave të tyre. “Protesta e studentëve në Vlorë ka një vlerë të jashtëzakonshme, por ka edhe një vlerë historike sepse rinia e ka kuptuar se kur janë të bashkuar dhe kanë një qëllim mund t’ia arrijnë. Demaskimin më të madh Ramës ia bënë studentët e Vlorës. Ai demaskim iu dha forcë dhe vullnet studentëve. Ne politikanët ndonjëherë bëhemi cinikë, por harrojmë se edhe ne burimin e kemi tek populli. Asnjëri nga ne nuk e meriton atë që kemi, por më e pakta që duhet të bëjmë është që të kujdesemi për qytetarët”, shtoi kryetarja e LSI. para të rinjve të LRI-së Kryemadhi premtoi se shumë shpejt do të publikohen skandale të tjera të rënda të qeverisë. “Ka një skandal tjetër që do t’i shpërthejë shumë shpejt Edi Ramës. Shikoni të gjithë sahatët tuaj matës nëpër shtëpia, ju mund të harxhoni 100 kw/h, por faturisti iu faturon 150. 50% më shumë. Pse? Sepse i duhen para për t’ia marrë shqiptarëve dhe hallexhinjve, në mënyrë të tillë që të bëjë tendera për t’i futur në xhepin e tij”-tha Kryemadhi. Ajo është ndalur edhe në skandalin e fundit ku një kompani e sapokrijuar arriti të falsifikojë dokumentet për ndërtimin e Unazës së Re dhe mori 12 milionë euro. Më shumë se reagimi politik nga partitë opozitare, problem për qeverinë mbetet pakënaqësia popullore që lidhen me çështjet ekonomike, pasigurinë dhe korrupsionin.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Kur Gjergj Bubani dhe Kuteli adhuronin zonjushë Merin”

Mustafa Greblleshi nuk u përmend më asnjëherë si shkrimtar gjersa vdiq i...
Read More