Salca e kuqe, tentativa e dëshpëruar e marketingut guerrilas

Ervis IljazajNga Ervis Iljazaj*

Protesta e studentes ndaj reformës në arsimin e lartë, duke i hedhur salcë në kokë ministres së Arsimit është e dënueshme për formën e dhunshme dhe për mungesën e substancës, shkruan Iljazaj. Akte të tilla nuk duhen toleruar, shkruan ai.

Mbas aktit kundër ministres së Arsimit të një “shoqeje” të organizatës politike, ishte e pamundur që të fshihej në sytë e saj, gëzimi i dikujt që sapo ishte bërë i famshëm dhe ja kishte arritur qëllimit. Të ngazëllyer, të gjithë shoqet dhe shokët që qëndrojnë pas saj, që taktika e tyre e planifikuar në çdo detaj funksionoi, tentuan t’i paraqisnin si kauza kundër reformës së arsimit të lartë qëllimet e tyre ogurzeza politike të bazuara në nostalgjinë e ngjyrës së kuqe prej komunisti të dëshpëruar.

Kjo ishte tentativa e fundit e marketingut të disa guerrilasve të rinj, pasi faktet mbas përfundimit të regjistrimeve në universitete i rrëzuan çdo pretendim që kishin për sa i përket ligjit të ri të arsimit të lartë.

Të mbetur pa asnjë argument kundër këtij ligji, për t’u kthyer në faktor në opinionin publik nuk kishte rrugë më të mirë sesa “heroizmi” i shoqes së tyre. Kritikojnë gjithë ditën marketingun si instrument i kapitalizmit dhe e përdorin për qëllimet e tyre politike natën.

Sepse në shoqërinë ku jetojmë, në botën e vrerit të rrjeteve sociale, instinktet dhe akte të tilla marrin më shumë vëmendje se sa faktet dhe e vërteta.

Sigurisht, që kushdo ka të drejtë të protestojë në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Por personalisht jam kundër protestës e cila mund të kthehet e dhunshme dhe cenon dinjitetin e një personi, qoftë ky dhe një politikan si në këtë rast.

Le të kthehemi edhe njëherë te pretendimet e këtij grupimi politik kundër kësaj reforme. Çfarë nuk pretenduan dhe çfarë nuk shpikën kundër kësaj reforme! Por, asnjëherë të vetme nuk propozuan një ide se si arsimi i lartë në Shqipëri mund të përmirësohej. I vetmi propozim që kanë, është ai i arsimit falas.

Vendet që sot kanë arsim falas numërohen me gishtat e një dore. Pikërisht për faktin se në asnjë vend të Botës nuk vihet në dyshim se arsimi cilësor ka nevojë për investime. I vetmi diskutim që ngrihet është mënyra se si do sigurohen këto investime. Dhe kjo reformë në thelb të saj ka financimin solidar. Ata që kanë mundësi do të paguajnë, ndoshta pak më shumë për të siguruar arsimin e atyre që janë ekselentë, por që mundësitë ekonomike nuk ju lejojnë të arsimohen. Dhe kjo mënyrë financimi është e përhapur gjithandej në vendet e Europës perëndimore, e cila ka pikërisht solidaritetin në thelb të kulturës së saj shoqërore.

Pretenduan se ky ligj do të linte maturantët pa arsim të lartë. Faktet mbas procesit të regjistrimit treguan të kundërtën. Të gjithë ata që aplikuan u regjistruan në universitete. Jo vetëm kaq, por në universitetet e vendit ka akoma kuota të lira. Sigurisht mund të ketë ndonjë pakënaqësi për degën e regjistrimit. Por, është e pamundur që të gjithë maturantët të regjistrohen në degën e tyre të preferuar. Sepse kapacitetet në një degë të caktuar janë ato që janë. Edhe nëse do të ishte e mundur nuk është e duhur. Buxheti i arsimit është ai që është, prandaj duhet të përdoret në mënyrë sa më efikase të mundur dhe në funksion të nevojave të zhvillimit që kemi sot për sot.

Pretenduan se kjo reformë dhe kjo ministre ishte e kapur nga lobet e universiteteve private dhe ligji ishte bërë enkas për të çuar studentët drejt këtyre universiteteve. Një gënjeshtër e madhe, e cila iu vlen vetëm për luftën e tyre politike. Kanë dhe ata nevojë për të patur një “armik” i cili të legjitimojë ekzistencën e tyre. Këtë vit në universitetet publike janë regjistruar një mijë studentë më shumë krahasuar me vitin e kaluar. Ndërsa, në sektorin privat, janë regjistruar katër mijë e pesëqind më pak. Këto janë shifra lehtësisht të verifikueshme në dokumentet e universiteteve dhe Ministrisë së arsimit.

Ka një element kjo reformë. Trajton universitetet private dhe ato publike njësoj. I fut në një konkurrencë me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe trajtimin në mënyrë të barabartë të të gjithë studentëve shqiptarë. Në këtë rast ligji thjesht ka zbatuar Kushtetutën e Shqipërisë. Sepse arsimi publik apo privat qoftë, ka të njëjtin funksion. Të trajtosh njësoj këta dy sektorë nuk do të thotë të favorizosh njërin prej tyre.

Të gjithë biem dakord se gjendja e arsimit ashtu siç e kemi patur deri më tani nuk shkonte dhe kishte nevojë për një reformë thelbësore. Nëse shohim se ç’ka ndodhur me arsimin nga viti 2013 e këtej ka disa tregues për këtë sektor.

Pikë së pari janë mbyllur disa universitete, të cilat fabrikonin diploma. Pikë së dyti është rritur kontrolli ndaj universiteteve ekzistuese. Pikë së treti, të gjitha universitetet e vendit janë futur në një proces akreditimi anglez, rezultatet e të cilit pritet të dalin së shpejti.

A mjafton dhe a është perfekte kjo reformë?? Sigurisht që jo. Por, është një tentativë për t’u përkrahur, e cila kërkon të ndryshojë filozofinë e arsimit në Shqipëri drejt meritokracisë, konkurrencës dhe cilësisë. Dhe mos të harrojmë, që jemi vetëm në vitin e parë të aplikimit të saj.

Derisa kjo reformë vë në qendër të saj meritokracinë dhe solidaritetin për ata që s’kanë mundësi ekonomike, por që janë ekselentë, për çfarë shqetësohet ky grupim politik? Mos ndoshta për pesanjosët dhe fëmijët e të pasurve që të arsimohen falas? Në të vërtetë nuk shqetësohen fare për arsimin në këtë vend por, thjesht kanë shqetësimin se si të jenë gjithmonë në qendër të opinionit publik për të na kthyer ideologjinë e tyre komuniste, e cila ka marrë fund njëherë e përgjithmonë në Shqipërinë që do të integrohet në vendet demokratike të Bashkimit Europian.

*pedagog UET

Shkruar Nga
More from revista mapo

Debati për çmimin Kadare: Reagon Açka, Gjoka dhe Vehbiu

Ndarja e çmimit Kadare me vlerë monetare prej 10 mijë eurosh ka...
Read More