fbpx

Politika

Reforma pa opozitën: Meta frenon Ramën





               Publikuar në : 10:04 - 13/06/16 |
mapo.al

Basha dhe MetaKreu i Kuvendit dhe ai i opozitës, rikthejnë bisedimet politike për Reformën në Drejtësi.


Pas takimit 120 minutash me Lulzim Bashën, Ilir Meta, në konferencën e tij për shtyp, u përpoq ta ndante disa herë pozicionin e tij si kryetar i Kuvendit, nga detyra tjetër që ai ka si kryetar i LSI-së.



Pikërisht në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, Meta tha se ai mbetet i hapur për dialog me të gjitha palët, me qëllim që të miratohet sa më parë, me koherencë dhe transparencë, Reforma në Drejtësi. Meta ishte në një linjë me Bashën, kur tha se qendra e gravitetit të konsensusit është Venecia.


“…Dua t’ju siguroj se nga pozita e Kryetarit të Kuvendit nuk kam qenë aspak i përfshirë në të gjithë procesin e diskutimeve apo të përmbajtjes, apo të formulimeve lidhur me Reformën në Drejtësi. Gjithmonë, nga fillimi i këtij procesi, kam kërkuar gjithëpërfshirje dhe kam theksuar se qendra e gravitetit të konsensusit, i cili për fat keq ende mbetet i vështirë në politikën tonë, për shkak të kulturës të konfliktualitetit për Reformën në Drejtësi, është Komisioni i Venecias. Dhe besoj se këtë qëndrim e keni dëgjuar në fillim dhe në mënyrë të vazhdueshme. Komisioni i Venecias është angazhuar mjaft seriozisht duke u shprehur dy herë dhe duke dhënë dhe Opinionin final në muajin mars, duke iu dhënë përgjigje pretendimeve të gjithë aktorëve të interesuar për çështje të caktuara, përfshirë edhe Partinë Demokratike…”, -tha Meta.

Ashtu sikurse Meta nënvizoi se për çështje për të cilat Komisioni i Venecias nuk është shprehur në mënyrë eksplicite dhe të qartë, si qendër reference për konsensusin e vështirë, duhet të mbeteshin rekomandimet e EURALIS-it dhe të OPDAT-it, si aktorë të paanshëm.

Edhe pse kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, e ka thënë qartë qëndrimin e LSI-së për modelin e vendeve të rezervuara, Meta, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, tha në konferencën për shtyp se vetëm dje ishte njohur me këtë çështje.

“Sot (dje) jam njohur me një pretendim konkret dhe do ta ndjek me vëmendje këtë pretendim, por besoj që me vullnet të mirë kemi të gjitha mundësitë që shumë shpejt, mundësisht që dje do thosha, por kjo është e pamundur sepse nuk kthehemi dot mbrapsht në kohë, apo që para një muaji apo para dy muajsh, të ecim me procedurat parlamentare në mënyrë konsensuale. Për mua, është shumë e rëndësishme të bëhen të gjitha përpjekjet në orët që vijnë, në minutat që vijnë, për t’i dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe partnerëve ndërkombëtare, një reformë kushtetuese në Drejtësi, e cila të garantojë standardet më të mira ndërkombëtare dhe njëkohësisht, të jetë një reformë që të këtë përkrahjen e të gjithë aktorëve kryesorë në parlament dhe në vend, sepse nuk është një reformë për disa muaj, por është një reformë për dekadat që vijnë…”, -tha ai.

Meta, i ngacmuar nga media, rezervoi të japë mendimin e tij për kushtin e opozitës, pikërisht me argumentin që shprehu sa më sipër se ai nuk kishte qenë pjesë e negociatave të deritanishme.

“…Natyrisht që i kam mbajtur shënim dhe do të kemi në konsideratë këtë pretendim se sa qëndron”, -tha ai. Ai nuk dha një përgjigje konkrete nëse e kishte rakorduar qëndrimin e tij me Edi Ramën.

“…Do të kem mundësi të takohem edhe me përfaqësues të tjerë të Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe me aktorë të tjerë, por qëllimi im nuk ka qenë asnjëherë që të hyj në përmbajtjen e kësaj reforme. Qëllimi im ka qenë gjithmonë që ky të jetë një proces i hapur, të jenë një proces transparent. Ky të jetë një proces konsensual, që garanton standardet e kësaj reforme dhe ky takim u bë për këtë qëllim dhe ky angazhim është vetëm në këtë drejtim. Dhe i ftoj të gjithë aktorët të demonstrojnë në orët që kanë mbetur, në minutat që kanë mbetur, nuk po them ditët, që të demonstrojnë përgjegjshmëri, të demonstrojnë transparencë, të demonstrojnë koherencë…”, tha ai.

I pyetur nëse ai do të mbështeste një draft që mund të kalojë edhe me votat e disa deputetëve të opozitës, në mënyrë të njëanshme, Meta u përgjigj: “Unë jam këtu për t’ju siguruar se do të bëj çdo gjë në orët, në minutat që vijnën për të garantuar që ky të jetë një proces i suksesshëm për vendin dhe të jetë një sukses që i bashkon shqiptarët, në sfidën e tyre për të forcuar shtetin ligjor, për të garantuar një sistem efikas, një sistem të paanshëm të drejtësisë dhe nuk jam këtu për të pasur paragjykime të nxituara”.

 

Basha lë hapur mundësitë për dialog: Por vetëm sipas Venecias

Ndryshe nga takimi me Edi Ramën, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, foli me optimizëm për Reformën në Drejtësi, edhe pse kushti i vetëm i opozitës mbetet modeli i vendeve të rezervuara. Këtë qëndrim, ai e kishte përcjellë edhe dje në takimin me Ilir Metën.

“…Ashtu sikundër në takimin që pata të hënën me Kryeministrin Edi Rama, shpjegova qartësisht qëndrimin e Partisë Demokratike, i cili ka qenë dhe mbetet i pandryshuar që prej ditës së parë që u nisën përpjekjet për Reformën në Drejtësi. Partia Demokratike ka mbështetur dhe mbështet fuqimisht Reformën në Drejtësi që do të pastrojë drejtësinë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar dhe do ta bëjë atë të aftë t’iu japë drejtësi qytetarëve shqiptarë, por edhe të ndëshkojë dhe jo të mbrojë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta. Parakusht për këtë dhe i vetmi kusht ka qenë, mbetet dhe do të mbetet në jetë të jetëve, moskapja politike e sistemit të drejtësisë…”, -tha Basha për mediat.

Ai foli menjëherë pas konferencës për shtyp të Ilir Metës, i cili u shfaq me një gjuhë më të moderuar ndaj opozitës. Basha tha se Shqipëria nuk meriton një drejtësi të kapur politikisht. Prandaj, ai i mëshon variantit të Komisionit të Venecias që, sipas tij, siguron moskapjen politike.

“Venecia ka folur qartë. Në opinionin e saj të ndërmjetëm dhe në opinionin e saj final, ka dhënë formulën se si garantohet moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Dhe Partia Demokratike prej shkurtit, siç bëmë të ditur nga kjo sallë të mërkurën e javës që po lëmë pas, e ka pranuar këtë zgjidhje që ka, po kështu edhe bekimin e OPDAT dhe EURALIUS, siç u demonstrua qartë këtu edhe nga komunikimi shkresor që kjo parti ka pasur me këto dy partnerë në Reformën për Drejtësi”, -tha ai.

Për Partinë Demokratike, në stadin aktual të draftit të ndryshimeve kushtetuese, vendet e rezervuara janë e vetmja çështje që ndan palët. Basha iu referua paragrafit 88 të Opinionit të Komisionit të Venecias, që lidhet pikërisht me mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që do të siguronte përfaqësimin e opozitës.

“…Arbitri ka folur. Partia Demokratike ka zgjedhur, e ka pranuar. Ajo që nuk e ka pranuar është mazhoranca. Ai që nuk e ka pranuar është kryeministri dhe sot e gjithë ditën barra e përgjegjësisë për mos avancimin në fazën tjetër të Reformës në Drejtësi, që ka të bëjë me rakordimin e ligjeve, nuk është me atë që ka pranuar çfarë i ka servirur partneri ndërkombëtar SHBA, BE, dhe çfarë ka sanksionuar Venecia, por është me atë që nuk e ka pranuar. Kaq e thjeshtë është. Të tjerat janë lojëra politike. Lojëra politike bizantine, për të mos thënë ballkanase…”, -shtoi ai.

Megjithatë, Basha e la derën e hapur të bashkëpunimit për çdo variant tjetër që do të siguronte, sipas tij, moskapjen politike.

“Në bazë të këtij formimi perëndimor, dua t’i them sot (dje) çdo shqiptari, që Lulzim Basha, siç e keni njohur në këto 10 vite, është dhe do të mbetet një person konstruktiv, i hapur, dialogues, negociues, i gatshëm për çdo kompromis në bazë të arsyes dhe përgjegjësisë që ka marrë përballë shqiptarëve. Por jam totalisht i vendosur për të mos bërë asnjë kompromis mbi parimet që garantojnë moskapjen politike të drejtësisë, parime që nuk i kam shpallur unë por Komisioni i Venecias…”, -tha Basha.

Më tej, ai shtoi: “Nëse kërkohet bashkëbisedim, negocim, vullnet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët gjithmonë në përputhje me Komisionin e Venecias, Partia Demokratike ka pasur dhe vazhdon të ketë vullnet çdo ditë, çdo orë, çdo minutë…”.

Këtë siguri për dialogun, Basha duket se e ka marrë nga takimi me Metën. “Takimi i sotëm (i djeshëm) pati një vlerë si çdo dialog që bëhet jo për sy e faqe, por për të kërkuar mbi të vërtetën, rrugët e daljes, rrugët e zgjidhjes…”, -tha ai.

Por jo vetëm. Basha kishte marrë garancinë nga Ilir Meta se votat nuk do të trafikohen.

“…Vlerësoj posaçërisht qëndrimin për një reformë përmes një procesi legjitim. Si mund të shkohet në Europë, kush mendon se Europa mund t’i hapë dyert një vendi, nga parlamenti i të cilit, së pari, përjashtohet opozita dhe pastaj, trafikohen mandatet?! Aq më shumë në këtë parlament që ka marrë damkën e kriminalizimit nga kjo mazhorancë. Kjo është një gënjeshtër e madhe dhe në kurriz të shqiptarëve…”, tha ai.

Për pasojë, Basha shprehet i hapur për mundësi konsensusi, duke theksuar se hapi tjetër mbetet Reforma Zgjedhore.

“…Ne dhe ekspertët po përpunojmë draftin dhe në rast të një rakordimi për Reformën në Drejtësi, pres që palët bashkërisht të kalojnë edhe këtë amendament të rëndësishëm që t’i japë fund procesit të turpshëm të vjedhjes të votës, dhe manipulimit të numërimit dhe t’iu japë shqiptarëve demokracinë që meritojnë e që të zgjedhin me votën e tyre të pandikuar në mënyrë kriminale e të pa manipuluar në procese numërimi të kontestuara…”, -tha ai.

 

42-vjetori i lindjes, Basha merr lule nga Meta dhe urim nga Majko

Në takimin me Ilir Metën, Lulzim Basha mori edhe një urim për ditëlindje. Dje, Basha festonte 42-vjetorin e lindjes.

Para takimit, Meta ishte kujdesur t’i dhuronte edhe një tufë trëndafilash blu. Përfaqësues të Kuvendit e vendosën buqetën me lule blu te bagazhi i makinës së Bashës, para se të fillonte takimi zyrtar mes tyre.

Por urimi për ditëlindjen e Bashës nuk ishte i vetmi dje nga radhët e mazhorancës.

Edhe deputeti socialist, Pandeli Majko, e uroi nga Berati gjatë një takimi të zhvilluar me të rinjtë socialistë. Por siç është në natyrën e tij, Majko e përcolli këtë urim edhe me një batutë.

“I uroj ditëlindjen Bashës. Imagjinoi sikur të ndodhte në Partinë Demokratike kjo, që të uronin ditëlindjen e Ramës”, -tha duke qeshur Pandeli Majko.

“Falënderoj të gjithë socialistët të rinj, por dhe ata të vjetrit, që s’i kemi këtu në Berat. Pasi Berati ngelet një nga zemrat e fshehta që ka pulsuar. Ne kemi ardhur në Berat për të marrë zemër. Ripërsëris faktin se jemi në Berat në ditëlindjen e 25-të”, -pohoi Majko.

 

Futja e draftit në kalendarin trejavor, Meta, ndjesë Bashës

 

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i kërkoi ndjesë dje Lulzim Bashës për futjen në mënyrë të fshehtë dhe të pavotuar në byro të draftit për Reformën në Drejtësi në kalendarin trejavor të punimeve.

“Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, më kërkoi ndjesë për incidentin e turpshëm të futjes në kalendarin e punimeve në mënyrë të paligjshme të Reformës në Drejtësi, si një akt kriminal në kuptimin e falsifikimit dhe një akt kriminal në kuptimin e detyrimit të shqiptarëve të pranojnë pa konsensus, pa garanci një proces që do miratonte në mënyrë të njëanshme dhe me vota të trafikuara një draft të pa rakorduar dhe jashtë standardeve. Unë e pranoj ndjesën e kryetarit të Kuvendit, por sot e gjithë ditën, unë jam i bindur se ky ishte një akt politik i shëmtuar, i një tentative të turpshme për të delegjitimuar Reformën në Drejtësi. Sikundër, i përsërita në takim, vendimin tonë tashmë të konsoliduar se nëse kërkohet bashkëbisedim, negocim, vullnet për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, gjithmonë në përputhje me Komisionin e Venecias, Partia Demokratike ka pasur dhe vazhdon të ketë vullnet çdo ditë, çdo orë, çdo minutë, edhe të dielën, edhe ditën e ditëlindjes time. Sepse kjo është shumë e rëndësishme se një individ apo se një parti politike…”, -tha ai.

Nga ana e tij, përpos ndjesës së shprehur, Meta bëri të paditurin për këtë procedurë të kontestuar nga ana e opozitës.

“Ju e dini që z. Paloka doli në një konferencë për shtyp, akuzoi për një skandal mafioz, diçka e tillë pasi nuk e ndoqa live sepse po vuaja ndryshimin e orës pas kthimit nga Uashingtoni. Dhe jam habitur se çfarë kishte ndodhur në Kuvend deri te denoncimi i Partisë Demokratike për të hapur ndjekje penale për falsifikim e kështu me radhë. Natyrisht, nuk është normale që të jesh Kryetar i Kuvendit dhe të dëgjosh që ka ndodhur një çudi e tillë. Kjo çështje u sqarua, u gjykua dhe prandaj integriteti fillon që te procedura dhe në vazhdimësi…”, tha Meta për çështjen në fjalë.



Pas