Reforma në Drejtësi nga Kroacia drejt Shqipërisë

Arnida CapiNga Arnida Çapi*

Erdhi koha, që vendet e Europës Juglindore të bëjnë traktat me Europën.

Historia e tyre postkomuniste shpjegon dhe tranzicionin e tyre politik, e për pasojë ekonomik, e një lufte të brendshme dhe të jashtme të forcave që kërkojnë të nënshkruajnë paktin perëndimor me demokracinë, dhe të atyre që përpiqen të pengojnë zhvillimin e vendit për interesa të ngushtë personalë.

Patjetër që, sikurse diktaturat kanë rënë, ashtu edhe pengesat e tranzicionit do të bien, dhe e ardhmja demokratike e qytetarëve të Ballkanit nuk mund të vihet në diskutim.

Zbatimi i sundimit të ligjit, veçanërisht përmes Reformës në Drejtësi dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çështja problematike në rajon, e cila shtron kërkesën për reformim.

Korrupsioni, nga “corruptio” latinisht, nënkupton shkatërrim, “destruction”, një fenomen i hershëm i abuzimit me detyrën për përfitim personal, e që në vendet e tranzicionit gjejnë terren të përshtatshëm duke ushqyer dhe prodhuar tranzicion dhe shkatërrim. Por, nuk duhet të harrojmë se korrupsioni është fenomen kompleks social, e si i tillë mund të luftohet me sukses vetëm me përfshirjen e të gjithë shoqërisë.

Shqipëria, pas marrjes së statusit të vendit kandidat, është në pritje të hapjes së negociatave për të nënshkruar Kontratën Europiane.

Miratimi unanim nga Parlamenti Shqiptar i ndryshimeve kushtetuese për Reformimin e Drejtësisë, ishte kambana e triumfit të frymës pro-shqiptare, që solli një entuziazëm kombëtar për ata që e duan Shqipërinë dhe duan zhvillimin e rindërtimin e saj.

Rrugëtimi i vendeve të rajonit drejt anëtarësimit në BE ka qenë i ndryshëm, por në të gjitha rastet ka qenë evident roli aktiv shtytës i BE në përmbushjen e kritereve aderuese, e sidomos ato në lidhje me reformimin e sistemit të drejtësisë kundër fenomenit korruptiv.

BE drejtoi reformat në drejtësi në Kroaci dhe Slloveni, tashmë vende anëtare të Bashkimit, të cilat u adaptuan dhe implementuan pa ndonjë konflikt të aktorëve politikë dhe të sistemit të drejtësisë. Këto dy vende, ndryshe nga Rumania dhe Serbia treguan të ishin të shpejta dhe eficiente në zgjidhjen e problemeve në vendosjen e një kornize institucionale dhe garancive të pavarësisë së sistemit të Drejtësisë.

Në vitet e para të anëtarësimit, shembulli i reformës gjyqësore në Kroaci është përmendur shpesh si një nga sukseset më të fundit të politikës së zgjerimit të BE. Në këtë drejtim, ambasadori i Kroacisë, Damir Grubisa, ka deklaruar se:

BE-ja ka vepruar si një katalizator i rëndësishëm për ndryshime gjatë 6 viteve të negociatave: shumë reforma nuk mund të kenë qenë zbatuar pa nxitje nga jashtë. Ato ishin mbresëlënëse dhe ka ndryshuar peizazhin politik, ekonomik dhe psikologjik të vendit. Reformat më të rëndësishme ishin ato të gjyqësorit dhe lufta kundër korrupsionit”. (EUI Times, 9 korrik 2013).

Reforma në gjyqësor ishte fokusi kryesor i kushtëzimit të BE-së, që përcakton katër aspektet kryesore të reformës gjyqësore: pavarësinë, paanshmërinë, efikasitetin dhe profesionalizmin e gjyqësorit (Komisioni Evropian 2006 2008 2010). Për më tepër, Komisioni Evropian gjithashtu ka monitoruar nga afër politikat antikorrupsion të qeverisë kroate, dhe ka financuar masat strukturore, si investime kapitale, pajisjet e gjykatave, si dhe programet e trajnimit gjyqësor në çështje të tilla si krimi ekonomik, pastrimit të parave dhe luftës kundër korrupsionit (Coman 2014).

Rasti i Kroacisë, (më tepër në Slloveni) paraqiti një dakordësi në masë të madhe të aktorëve politikë për marrëveshjen për pranimin në BE dhe kërkesave të saj. Partitë politike ishin të hapura për reformën pa frikën e humbjes së kontrollit mbi sistemin gjyqësor.

Edhe qëllimet që lidhen me reformat gjyqësore janë arritur kryesisht në emër të anëtarësimit në BE. Në këto dy vende nuk ka pasur polarizim të aktorëve në mes përkrahësve të kërkesave të BE-së dhe lojtarëve të vetos, sikurse ka ndodhur me rastet e Rumanisë, Serbisë si dhe të Shqipërisë.

Preferencat e udhëheqësve politikë kroatë ishin në të njëjtën linjë me rregullat e BE-së, duke bërë që BE-ja të fuqizonte pozicionin e lidershipit Kosor (qeveria e kohës). Sprinti final në reformën gjyqësore hyri në mes të 2009 dhe 2010, kur BE-ja monitoroi kapitullin e Acquis përkushtuar funksionimit të sistemit të Drejtësisë.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm në lidhje me vendet e tjera të zonës Europiane Juglindore ishte ruajtja e një dialogu të balancuar në mes të aktorëve politikë dhe gjyqësor, duke kontribuar në realizimin e reformave institucionale në raport me pavarësinë e gjyqësorit dhe qeverisjes. Duhet theksuar se në Slloveni dhe Kroaci ekziston një shoqatë e fuqishme e gjyqësorit.

Jo vetëm sepse Reforma në Drejtësi në Kroaci është konsideruar si një rast suksesi në drejtim të rezultateve të reformës gjyqësore, por, ajo vlen për t’u marrë seriozisht si një shembull për ecurinë e Reformës Shqiptare të Drejtësisë, sepse është një rast i ngjashëm nga i cili mund të mësojmë politikisht.

Në 2003 Kroacia aplikoi për anëtarësim në BE. Në dhjetor 2010 Parlamenti Kroat miratoi Strategjinë për Reformën në Drejtësi dhe në 9 dhjetor 2011 firmosi Marrëveshjen e Pranimit, e pas procesit të ratifikimit, më 1 korrik 2013 Kroacia u bashkua me BE.

Në raportet e saj të fundit të progresit, duke hapur rrugën për anëtarësim, Bashkimi Evropian njohu hapat e shumtë të marrë nga Kroacia për të përmbushur acquis, duke përfshirë edhe duke pranuar në mënyrë të veçantë progresin e mirë të bërë në luftën kundër korrupsionit.

GRECO (Grupi i shteteve kundër korrupsionit, Këshilli i Europës 1999) vlerësoi edhe në raportet e mëparshme arritjet e bëra nga Kroacia në fushën antikorrupsion me një normë të pajtueshmërisë deri më sot rreth 95%.

Një zhvillim i rëndësishëm politik ndodhi në 2009-2010 kur qeveria Sanader dha dorëheqjen dhe Sanader, ish-kryeministri kroat u arrestua më pas me akuzën e korrupsionit. Pasardhësi i Sanaderit, Jadranka Kosor, në dritën e skandalit që përfshin partinë e tij, deklaroi tolerancë zero ndaj korrupsionit edhe ndaj anëtarëve të partisë së tij.

Ashtu si në Kroaci, qëllimi kryesor i Reformës në Drejtësi edhe në Shqipëri është reformimi institucional dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, nëpërmjet së cilës të arrihet transparenca, pavarësia dhe profesionalizmi në institucionet e drejtësisë.

Të gjithë kuptojnë se Drejtësia nuk është i vetmi pushtet problematik në këto drejtime, madje mund të konsiderohet shumë pak para përmasave të korrupsionit në nivele të pushtetit politik, por, Drejtësia, është pushteti i cili në balancën e çdo pushteti është Garanti i secilit prej tyre, dhe kështu i të tërës. Vendimi i gjykatës ka forcën e ligjit. Ky vendim mund të dënojë krimin e korrupsionit të një politikani. Mund të vendosë për legjitimitetin e mandatit përfaqësues të tij. Kjo është rëndësia e Reformës së Pushtetit Gjyqësor. Është Garantimi i zbatimit të shtetit të së drejtës. Është kusht për zhvillimin ekonomik të vendit, nga investime të sigurta, ku kontrata, private a publike gëzon sigurinë juridike duke zhvilluar marrëdhëniet tregtare në vend. Zhvillimi ekonomik do të sjellë zhvillim të përgjithshëm social, e do të rrisë cilësinë politike të qytetarisë, në votë, politikëbërje, llogaridhënie, shoqëri civile. Diku media do të jetë pjesë e kësaj, krah qytetarisë.

Ky nuk është globi magjik ku shihet një e ardhme e largët dhe e pamundur. Është e vërtetë që shoqëria jonë është mësuar të shohë Shqipërinë si një vend të pamundur, që zhgënjimet nga politikanët shqiptarë të zënë shtresa pesimizmi, e në varfëri dhe pesimizëm të dorëzojë forcën qytetare: votën dhe fjalën. Tanimë ne jemi në rrugën drejt të ardhmes sonë europiane.

Por ka një kusht. Duhet të kemi kapacitet për të lidhur marrëveshje me Europën. Kapaciteti juridik është përmbushja e standardit europian. Shembulli i Kroacisë heq paralelen e suksesit tonë, nëse do të vazhdojmë rrugën e implementimit të reformës siç ajo bëri, institucionalisht e politikisht si dhe zbatimit të saj në praktikë.

E nëse vullneti ynë politik, qytetar, profesional, institucional, së bashku me vullnetin shtytës dhe mbështetës të BE, dhe të USA, do të arrijë suksesin e asaj reforme, në rezultatet e tempin e saj, atëherë do mund të shohim Shqipërinë në 2019, një shtet anëtar europian.

Procesi është i vështirë. Sigurisht që forcat e kundërta do të krijojnë rezistencë. Kjo rezistencë do të bëhet nëpërmjet të drejtës, sigurisht, sepse edhe reforma bëhet nëpërmjet të drejtës. Do të pretendohen shkelje të tyre e do të vihen në balancë të drejta private e publike.

Në funksion të Reformës, e veçanërisht në lidhje me krizën aktuale të integritetit, Parlamenti Shqiptar, mazhoranca, kaloi ligjin për Rivlerësimin Kalimtar të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve (një mekanizëm i jashtëzakonshëm i një herë Vetting për çdo gjyqtar e prokuror të çdo niveli), i cili pritet të zërë vend mes 2016-2019. Ky ligj prek interesa individualë të aktorëve të ndryshëm dhe ka hasur pengesa në debatin kushtetues e në instancën kushtetuese.

Me ndryshimet kushtetuese dhe me qëllim kryerjen e procesit të rivlerësimit, në fakt, është parashikuar përplasja eventuale e këtyre të drejtave. Aneksi Kushtetues, Neni A ka parashikuar se zbatimi i neneve që lidhen me të drejtën e respektimit të jetës private, nenet 36 dhe 37, dispozitat që lidhen me barrën e prove etj., kufizohen pjesërisht, sipas nenit 17 të Kushtetutës.

Ky nen, së bashku me ndryshimet e tjera kushtetuese tashmë, është votuar unanimisht dhe në vetvete Kushtetuta përmban justifikimin e shkeljes pjesërisht të të drejtave të cituara.

A duheshin pranuar apo jo këto kufizime të pjesshme e të përkohshme para se të hynte në fuqi ky ligj, është çështje tjetër, por pasi ai ka hyrë në fuqi, implementimi me ligj i këtij parashikimi, nuk mund të pretendohet si antikushtetues.

Neni 17 i Kushtetutës parashikon se Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik dhe në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë.

Faktin se a e kanë konsideruar ligjvënësit rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve një interes publik, për më tepër kombëtar, si mbrojtje të të drejtave të qytetarëve shqiptarë që cenohen në të drejtat e tyre nga fenomene të korrupsionit, e që do të humbisnin të drejtat e tyre si qytetarë europian nga mosanëtarësimi në BE, këtë edhe një herë na e sqaron miratimi unanim.

Ky është përpjesëtimi. Dhe përpjesëtimi do të zgjasë për aq sa e dikton nevoja kombëtare antikorrupsion, pra do të zgjasë një herë, pas të cilit, subjektet e atij ligji, të drejtat e të cilëve kufizohen pjesërisht, e që kalojnë këtë proces me sukses, do t’i nënshtrohen sistemit të përhershëm të llogaridhënies.

Teknikisht procesi është ndërtuar si i pavarur, pasi në konstituimin e komisioneve përzgjedhëse pjesëmarrja e parlamentit është e barabartë mazhorancë-opozitë. Dhe nga ana tjetër garancia e procesit është pjesëmarrja e partnerëve ndërkombëtarë nëpërmjet monitorimit dhe mbikëqyrjes, sikurse në vendet e tjera të rajonit.

Ndërhyrja në të drejta nuk do të legjitimohej si proces nëse gjatë përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtar të Kolegjit të Apelimit e Komisionerëve Publik, si dhe gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre do të vërehej njëanshmëri, që mund të provohej si e tillë. Kjo e fundit, në çdo rast garantohet nga e drejta e ankimit. Njëanshmëria do të gjykohej rast pas rasti.

Në një deklaratë të fundit, ish-kryeministri kroat Milanovic, shprehet se do të ndihmojë dhe mbështesë procesin administrativ të Reformës në Drejtësi të Shqipërisë në funksion të aderimit të saj në BE.

Përfundimisht, shoqëria shqiptare ndodhet para këtij momenti të historisë, pas kësaj reforme, a do të arrijë vendosjen e drejtësisë sipas kritereve të Bashkimit Europian? Unë mendoj se po.

*juriste

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shpirt krishtlindjesh, por politika dështon të marrë mesazhin

Nga Vladimir Karaj Është një rutinë e përvitshme. Politikanët në Shqipëri i...
Read More