fbpx

Editorial

Realiteti është më shumë se sondazhet





               Publikuar në : 09:01 - 02/06/17 |
mapo.al

Nga Ervis Iljazaj


Jemi në fushatë elektorale dhe është normale që sondazhet politike të mbushin faqet e gazetave dhe bisedat e paneleve politike. Kjo ndodhi dhe me sondazhin e transmetuar nga Ora News të kompanisë IPR marketing. Të gjitha palët politike bënë interpretimet e tyre. Pothuajse asnjëra nga ato nuk ishte e kënaqur më këtë sondazh.



Edhe pse sondazhi i IPR Marketing në zgjedhjet e fundit shkoi më afër rezultatit final se asnjë tjetër, ka diku te 15 vite të paktën në të gjitha zgjedhjet politike që janë zhvilluar në Europë, por edhe më gjerë që sondazhet nuk parashikojnë rezultatin e zgjedhjeve.


Sondazhet janë të rëndësishme, por ato janë vetëm një matje e vogël në raport me realitetin më të gjerë politik që ekziston në shoqëri.

Motivi i vërtet përse televizionet dhe media në përgjithësi përdorin sondazhet politike është për të krijuar lajme dhe për të bazuar opinionet dhe diskutimet. Dhe kjo është një gjë që duhet zhvilluar. Në fund te fundit ky është misioni i mediave. Të zhvillojnë debate dhe opinione.

Megjithatë, duhet të kuptojmë se përse sondazhistët gabojnë kaq shpesh kohët e fundit në raport me të shkuarën, edhe pse teknikat që përdoren janë më të avancuara.

Një nga arsyet kryesore është se politika dhe shoqëria nuk përputhen me njëra-tjetrën si më parë. Subjektiviteti i gjithsecili i zhvilluar dhe nga mediat sociale, ndonjëherë e konsideron politikën si një gjë të huaj. Modeli i përfaqësimit politik është i bazuar mbi ideale abstrakte që iu besohet përfaqësuesve të projektuar për një kohë të mesme dhe të gjatë, ndërsa shoqëria e sotme imponon një model të ndryshëm. Një pjesëmarrje politike që konsumohet në mënyrë imediate dhe në një perspektivë konkrete. Askush nuk pranon të përfaqësohet por përkundrazi përfaqëson veten në hapësirën publike me autonominë e mendimit. Kjo tregon një kalim nga përkatësia politike tek ajo e opinionit. Në këtë kuptim përgjigjet në sondazhet politike, janë më shumë opinione politike se sa zgjedhje konkrete ndaj përkatësisë politike të vërtetë.

Zgjedhjet ende vazhdojnë të jenë një proces “antik”, i cili realizohet nëpërmjet një skede dhe një lapsi në vetminë e kutisë të votimit. Ai është momenti deciziv, ku çdokush nga ne konkretizon zgjedhjen e tij politike. Në atë moment nuk thirremi të japim një ide siç ndodh në sondazhet politike, por të zgjedhim ata që do të na përfaqësojnë, aq më tepër një përfaqësues të një komuniteti të gjerë dhe jo të vetes.

Shumë nga votuesit ndryshojnë mendim në momentin e fundit pasi fitojnë ndërgjegjësimin për impaktin që ajo votë ka mbi të ardhmen e tij personale. Në sondazhet politike kjo ndërgjegje utilitariste nuk ekziston. Aty është opinioni që çdokush në një shoqëri të transformuar kërkon të japë, përtej vlerësimit utilitarist konkret.

Funksioni kryesor që i jepet sot sondazheve nga të gjitha studimet, rezulton të jetë, jo parashikimi i rezultatit apo i fituesve dhe humbësve, por influencimi i votës për të bindur pjesën më të madhe të elektoratit gri.

Për të gjitha këto arsye, edhe sondazhet politike që zhvillohen në prag të zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri kanë funksionin e projektimit dhe orientimit politik dhe jo matjen e një realiteti kompleks. Një realitet i cili në përqindjen më të madhe të tij krijohet në momentin e hedhjes në kuti të fletës së votimit. Në atë moment, idetë apo opinionet politike të përgjithshme transformohen duke u kthyer në vendime konkrete dhe utilitariste.



Pas