Realitete shqiptaro-italiane para 7 prillit 1939

Nga Veli Haklaj

Gjatë viteve 1927–1931, italianët punonin intensivisht për konsolidimin e regjimit të Zogut, por me kujdesin që të mos krijohej mundësia e kundërshtimit dhe dëmtimit të interesave italiane.

Modelin e veprimit italian ndaj Shqipërisë e përcakton diplomati italian Pietro Kuaroni, i cili thotë: “Në rrethet e larta të agjenturës italiane, zyrtarët e punëve të jashtme si dhe në tërë agjentët ushtarakë shumë herë dyshohej dhe bëhej pyetja: A do të vepronte ushtria shqiptare kundër armikut italian? Ne kishim një maksimë që buronte nga tradita jonë koloniale. Në fillim forcoje me të gjitha mjetet personalitetin apo regjimin, të cilin ne ishim të prirur për ta rrëzuar një ditë”.

Ndërkohë qarqet ushtarake – politike italiane kishin hedhur vështrimin në bregun lindor të Adriatikut. Ata vlerësonin se për të depërtuar thellë në Ballkan kishte dy drejtime: nga ana e Sllovenisë dhe nga ana e Shqipërisë. Italianët kishin idenë se Shqipërinë mund ta kthenin në një fortesë ku përveç terrenit të pajisur me infrastrukturën e nevojshme, të përgatisnin shqiptarët dhe të ngrinin një ushtri që të përkrahte aksionin e mundshëm në Ballkan. Për realizimin e planit të punimeve përkatëse, përgatitjen, pajisjen e organizimin ushtarak Musolini solli në Shqipëri gjeneral Parianin.

Kësaj i kishte paraprirë dhe ngritja e një rrjeti të gjerë agjenturor në Shqipëri. Agjentë më të shumtë kishte zona e Durrësit, Tiranës, Shkodrës. Konsullatave italiane në Shkodër, Durrës e Vlorë u kërkohej të dërgonin plane të detajuara për personat që do të përdoreshin për qëllimet e tyre, kërkoheshin të dhëna nga radhët e bajraktarëve, të eksponentëve kryesorë të Shkodrës dhe qyteteve të tjera. Në Shkodër, konsulli Meloni ishte më i aktivizuar dhe merrej me blerjen e bajraktarëve, me shpërndarjen e ryshfeteve e rekrutimin e agjentëve. Ai takoi Marka Gjonin dhe i kishte dhënë nga 5 – 10 napolona ari për 25 bajraktarët dhe krerët e Mirditës. Me propozimin e Melonit Legata italiane në Tiranë paguante me nga 100 napolona ari disa oficera madhorë të mbretit Zog si Hysni Dema, Preng Previzi, Fiqri Dine.

Në gusht 1934, qeveria italiane ndërroi ambasadorin A. Koch dhe e zëvendësoi me ambasadorin Mario Indelli. Në vijim qeveria italiane bëri një riorganizim të përgjithshëm të tërë punës e të efektivave të saj agjenturore me anën e të cilëve kërkonte të informohej për çdo gjë që ndodhte në Shqipëri. Kjo agjenturë shërbeu për kurdisjen e komploteve, të vrasjeve e të kryengritjeve kundër Mbretit dhe shtetit shqiptar.

Konti Çiano, ministri i Jashtëm i Italisë, së bashku me Françesko Jakomonin dhe Alberto Parianin, udhëhoqi tërë projektet për ndërhyrjen në Shqipëri që u finalizuan me pushtimin e 7 prillit 1939.

Qeveria italiane zhvilloi bisedime me Anglinë dhe Jugosllavinë, nënshkroi pakte e marrëveshje me to për realizimin e planeve ekspansioniste. Intensifikimi i punëve për përgatitjen e ndërhyrjes në Shqipëri filloi në prill 1937. Menjëherë filloi vërshimi i organizatorëve civilë e ushtarakë në aparatin shtetëror, në prefektura e kudo. Informatorët e spiunët u futën në tërë institucionet. Në krye të punëve më të rëndësishme në pikëpamje ushtarake strategjike vunë drejtorë e organizatorë italianë të cilët morën në dorë drejtimin e punëve.

Një ndër problemet e evidentuara nga autoritetet italiane për realizimin e planeve ekspansioniste në drejtim të Shqipërisë e Ballkanit qe organizimi, pajisja e armatosja e një ushtrie shqiptare që të ishte plotësisht në duart e komandën italiane për t’u përdorur si pararojë e ushtrisë italiane në ndonjë luftë të mundshme me Jugosllavinë apo me Greqinë. Për këtë qëllim ushtarakët italianë iniciuan rishikimin e ligjeve të deriatëhershme për ushtrinë shqiptare dhe përgatitën një ligj që u miratua në parlamentin shqiptar dhe u dekretue nga Mbreti Zog, më 24 mars 1937. Ky ligj karakterizohej nga krijimi i Inspektoratit të Përgjithshëm të Ushtrisë pranë Oborrit Mbretëror dhe inspektimit pranë Komandës së Mbrojtjes Kombëtare. Qëllimi i italianëve ishte që në këta organizma të lartë të vendosnin organizatorë italianë, oficerë të lartë që faktikisht të kishin në dorë çdo gjë në ushtrinë shqiptare. Inspektori i Oborrit varej drejtpërdrejtë nga Mbreti Zog, do t’i raportonte atij, por njëkohësisht dhe Musolinit. Edhe pas vitit 1937, në shërbim të ushtrisë shqiptare u futën vazhdimisht oficerë italianë. Kurse në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë ishte caktuar një zëvendësshef i shtabit italian.

Gjatë viteve 1937 – 1939 gjendja ndërkombëtare ishte e tensionuar. Në dyert e Europës po trokiste Lufta e Dytë Botërore. Gjermania, aleatja e Italisë, po kalonte në veprime konkrete në kontinent. Po afrohej momenti për fillimin e operacioneve të hapura italiane në Ballkan. Por për këtë italianëve u duhej aneksimi i plotë i Shqipërisë.

Në vitin 1938, ministri i jashtëm i Musolinit (dhe dhëndri i tij) Konti Galeazzo Çiano kishte mbërritur në përfundimin se Italia nuk kishte për t’i realizuar kurrë synimet e veta për të mbizotëruar plotësisht në Shqipëri për sa kohë Zogu do të mbetej në fron. Në një farë mënyre, mbrojtja e suksesshme që Zogu i kishte bërë pavarësisë së vendit nga italianët vulosi fatin e vendit.

Më 10 maj 1938, Konti Çiano i paraqiti një raport të hollësishëm Musolinit ku përfundonte duke paraqitur tri opsione. Së pari, Italia duhej të vazhdonte të forconte lidhjet e veta ekonomike me Shqipërinë, por kjo rrugë nuk do të çonte në sundimin politik të shpejtë. Së dyti, ishte copëtimi i Shqipërisë midis fqinjëve të saj, variant që Çiano e konsideronte si të pakënaqshëm. Së treti, që ishte dhe dëshira e tij, ishte aneksimi i thjeshtë dhe i plotë i Shqipërisë, i cili mund të realizohej lehtësisht duke luajtur me kontradiktat midis Kurorës dhe masave të popullit, nëpërmjet përgatitjes së një kryengritjeje ose një krize të brendshme, gjë që i jepte mundësi Italisë të rivendoste rendin. Çiano thotë se Musolini e pranoi menjëherë nevojën për një zgjidhje radikale në Shqipëri duke qenë i gatshëm të hynte madje dhe në luftë, mjaft të siguronte sundimin politik të saj. Për sa i përket kundërveprimit të fqinjëve të Shqipërisë, Musolini ngarkoi ministrin e tij të Jashtëm që të hetonte më thellë sidomos pulsin e qeverisë jugosllave, e cila në ato momente mund të prishte më tepër punë. Për këtë qëllim, Çianoja organizoi takime me ambasadorin e Jugosllavisë në Romë, me kryeministrin jugosllav Stojadinoviç, si dhe me princin Pavël. Pas këtyre bisedimeve kokë me kokë, Çianoja do shprehej i gëzuar: “Me anën e këtyre bisedimeve akulli që rrethonte problemin shqiptar u thye dhe mendoj se çështja do të zgjidhet në mënyrë përfundimtare, kur Duçja do të gjykojë gjendjen e pjekur”.

Nga ana e tij, Mbreti Zog vuri në dijeni Jugosllavinë, Greqinë dhe Turqinë se Italia po përgatitej të okuponte Shqipërinë e prandaj radha u vinte menjëherë pas kësaj edhe shteteve të tjera ballkanike. Zogu i vuri në dijeni këto shtete për premtimet që bënte Italia, garantuar dhe nga Gjermania, se Shqipëria, jo vetëm se do të mbetej indipendente, por edhe do të krijohej Shqipëria etnike.

Në këtë kohë Italia filloi të veprojë qartazi në dëm të situatës shqiptare dhe, siç shprehet adjutanti i Mbretit Zog, Hysen Selmani, një agjent italian, Xhiro, sillej poshtë e lartë nëpër shqiptarët, sa “ishte bërë si një spec përvëlues që nuk mendonte se në cilën gojë hynte”, duke derdhur të holla e duke komplotuar kundër qetësisë së vendit. Qeveria, duke ndjekur këmba-këmbës lëvizjet e këtij agjenti në mjediset shqiptare, ishte krejtësisht në dijeni mbi të gjitha veprimet e tij, si dhe me ata të cilët i vinte në kontakt, për sa i përkiste prishjes së qetësisë së vendit. Por qeveria kishte marrë të gjitha masat e nevojshme dhe e dominonte qetësinë e vendit. Ajo ishte krejtësisht e sigurt për këtë qëllim dhe nuk e bënte të madhe, që të mos jepte ndonjë shkak ngatërrese me Italinë.

Informacionet e Zyrës Sekrete, në muajt e parë të vitit 1939, janë interesante jo vetëm për drejtimin italian, por dhe për atë jugosllav. Më 13 janar 1939, prefekti i Dibrës, Kolë Mjeda, mbështetur në burimet e tij njoftonte se jugosllavët po fortifikonin kufirin me Shqipërinë dhe po vendosnin njësi të mëdha ushtarake. Kurse prefekti i Kukësit, Kiço Bisha, telegrafonte më 18 shkurt 1939 se informatori i Prizrenit lajmëronte se atje ishin hapur fjalë se pas marrëveshjes Çiano–Stojadinoviç, ishte vendosur copëtimi i Shqipërisë mes Italisë e Jugosllavisë. Në vijim të informatave që arrinin në Zyrën Sekrete për drejtimin jugosllav, zëvendësisht nënprefekti i Shën – Palit, Shemsi Hatibi, njoftonte më 9 mars 1939 se kapidani i Mirditës, Gjon Marka Gjoni, kishte përhapur fjalë se kishte biseduar me konsullin italian në Shkodër duke marrë garancinë se Shqipëria do të ndahej në dy principata me vijë ndarëse lumin Mat.

Duke e konsideruar të kapërcyer pengesën jugosllave, për të matur pulsin e qeverisë britanike, Musolini e ftoi Çembërlenin për një vizitë në Itali. Pas bisedimeve, ku nuk u përmend fare Shqipëria, Musolini krijoi mendimin se do të mjaftonte vetëm gjetja e një formule të atillë që edhe marrëveshja italo – britanike e prillit 1938 të mos cenohej, edhe plani italian i pushtimit të Shqipërisë të plotësohej.

Ndërkohë, fashistët italianë filluan të krijonin dyshime se po ua prishte planin Hitleri, të cilit, megjithëse e kishin aleat, nuk i zinin besë. Gjermanët u ranë në erë këtyre dyshimeve dhe për t’i qetësuar aleatët e tyre ngarkuan ministrin Panvic në Tiranë që të njoftonte legatën italiane të atyshme se Hitleri nuk do t’i sillte pengesë veprës italiane në Shqipëri. Megjithatë, për të koordinuar veprimet me aleatin e tyre, Konti Çiano shkon dhe takohet me gjeneral Keitelin, shef i shtatmadhorisë i ushtrisë gjermane në Austrinë e Jugut, ku nga ana e Hitlerit i komunikohet Italisë të okupojë Shqipërinë për arsye strategjike, në bazë të planeve të Hitlerit.

Lidhur me qëndrimin e ShBA-së, Haris Silajxhiç konstaton se Qeveria e ShBA-së nëpërmjet rrjetit të saj diplomatik në Europë ishte e informuar për situatën në tërësi dhe se burimet amerikane paralajmëronin qysh njëzetë ditë para sulmit se Italia do ta pushtonte Shqipërinë, por qeveria e ShBA-së nuk ndërmori asgjë që ta pengonte këtë akt.

Në të tilla rrethana ndërkombëtare, Italia fashiste e quante të përshtatshme të shpejtonte përgatitjet për agresionin kundër Shqipërisë. Më 23 mars 1939, Konti Çiano e bindi Duçen për një ndryshim drastik të marrëdhënieve të Italisë me Shqipërinë. Pengesa e fundit për Çianon ndaj “zgjidhjes përfundimtare” ishte Viktor Emanueli, i cili nuk kishte dëshirë të ndërmerrte një veprim të rrezikshëm vetëm për hir të “pushtimit të katër shkëmbinjve”. Por Duçja, i cili tashmë ishte i vendosur, nuk e mori në konsideratë mendimin  e mbretit.

Vetë Duçja përgatiti formën e ultimatumit për Zogun, i cili u përfundua pastaj nga Konti Çiano në bashkëpunim me Leonardo Vitellin, drejtor i përgjithshëm i Zyrës Politike në Ministrinë e Jashtme. Ndërkohë, që më 2 prill 1939,  Musolini vendosi të jepte urdhrin për pushtimin e Shqipërisë, në rast se Zogu vazhdonte të kundërshtonte kërkesat italiane.

Më 5 prill 1939, ora 1 pasdite, Mbreti Zog urdhëroi mbledhjen e përgjithshme: të parlamentit e qeverisë së bashku. Asambleja Kombëtare u mblodh në ora 2 mbas dite dhe shqyrtoi me imtësi ultimatumin italian, i cili u pa se ishte i papajtueshëm dhe cenonte indipendencën e Shqipërisë si shtet i lirë. Prandaj Asambleja Kombëtare vendosi unanimisht që është i papranueshëm dhe “në qoftë për luftë do të vdesim për Atdhe dhe lirinë tonë”. Asambleja përgatiti dhe notën e protestës për ultimatumin italian. Në këtë mbledhje, Asambleja Kombëtare i dha votëbesim Mbretit Zog I dhe Qeverisë.

Në mëngjesin e 6 prillit, Zogu kishte marrë një telegram personal prej Musolinit, i cili i theksonte se ultimatumi merrte fund në mesditë. Mbreti refuzoi ta merrte këtë telegram por ndërkohë vuri në dijeni ministrat e tij si dhe një komitet parlamentar. Më 5 prill Zogu u kishte drejtuar një thirrje demokracive perëndimore, ndërsa më 6 prill iu drejtua Antantës ballkanike, por pa sukses. Ndërkohë, Zogu shpresonte se do të zbatohej Pakti i Parisit (i njohur publikisht si Pakti i Kellogg – Briand), që ishte nënshkruar me zhurmë të madhe nga pesëmbëdhjetë vende më 27 gusht 1928, në të cilin hiqej dorë nga lufta si mjet i politikës së jashtme. Pakti i Parisit ishte ratifikuar menjëherë praktikisht nga të gjitha vendet e botës, përfshirë Gjermaninë, Japoninë dhe Italinë.

Duke patur parasysh situatën alarmante, ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, më 4 prill kërkoi takim me Mbretin Zog. Takimi u organizua më 6 prill, ora 12.30, dhe zgjati dyzetë e pesë minuta. Në përshkrimin e gjendjes politike, Mbreti Zog e vuri në dijeni ministrin amerikan se ministri italian (Jakomoni) i kishte paraqitur disa kërkesa, të cilat Mbreti i kishte vlerësuar se ishin njësoj me një protektorat mbi Shqipërinë. Mbreti kishte kundërshtuar prerazi të merrte në shqyrtim çdo lloj kërkese që synonte të dëmtonte pavarësinë dhe integritetin politik të Shqipërisë. Pyetjes së ministrit amerikan, nëse Shqipëria do t’i rezistonte zbarkimit të trupave italiane, Mbreti Zog iu përgjigj: “Kam urdhëruar mobilizimin e përgjithshëm dhe evakuimin e popullatës civile të Durrësit. Meqenëse kam pak trupa, kam çuar vetëm dy batalione në Vlorë. Forcat e tjera të mbrojtjes janë civilë, të cilëve u janë shpërndarë armë. Kam dërguar ushtarë në të gjitha qytetet, por natyrisht numri i tyre është i vogël dhe nuk mund t’u bëjnë ballë gjatë forcave të fuqishme. Qëndresa jonë do të jetë një protestë kundër agresionit italian dhe një demonstrim përpara botës se shqiptarët mund të vdesin me trimëri dhe me nder dhe jo të dorëzohen si çekosllovakët. Ngjethem kur mendoj se si çekët nuk i përdorën fare të dymijë aeroplanët që kishin në dispozicion. Sikur të kisha pasur vetëm tridhjetë të tillë, gjysmën do ta kisha dërguar për të bombarduar Romën dhe gjysmën për të mbrojtur vendin tim. Nuk do ta braktis vendin tim siç bëri Presidenti Hacha”.

Ndërkohë Qeveria, Parlamenti dhe Asambleja Kushtetuese që ishin në mbledhje, dëgjuan dhe njëherë fjalën e mbretit Zog mbi situatën e krijuar midis Shqipërisë e Italisë, mbi përpjekjet që ishin bërë për të zbutur apo për të kaluar krizën, por pa dobi. Asambleja Kombëtare vendosi që Mbreti e Qeveria të largohen pasi të organizojnë pritjen me luftë të ushtrisë italiane.

Zhvillimi i ngjarjeve në vijim provon se strukturat e sigurisë kombëtare në Shqipëri dështuan në planifikimin dhe organizimin e mbrojtjes së vendit nga pushtuesit italianë, të cilët zbarkuan me një ushtri prej 40 000 forcash në katër portet e Shqipërisë. Asnjë mobilizim i pjesshëm ose i përgjithshëm nuk u bë, sepse pothuajse çdo gjë ishte në duart e italianëve. Ushtria dhe xhandarmëria u shpërbënë përballë agresionit fashist.

Detyrat dhe porositë e dhëna nga Mbreti Zog, më 14 shkurt 1939, kryeministrit Koço Kotta, ministrit të Punëve të Brendshme Musa Juka, Komandantit të Mbrojtjes Kombëtare gjeneral Xhemal Aranitasi, Komandantit të Gardës Mbretërore Hysen Selmani, Komandantit të Xhandarmërisë kolonel Shefki Shatku, rezultuan të pakryera. Një panoramë të plotë të këtyre detyrave, por dhe të premtimeve e angazhimeve të pambajtura nga ana e titullarëve të forcave të mbrojtjes kombëtare dhe të xhandarmërisë e ka paraqitur H. Selmani në librin Nga notimet e Zogut I – Mbretit të shqiptarëve.

Rezulton se edhe operacioni pushtues italian u krye pas një mobilizimi të ngutshëm të trupave ushtarake. Studiuesi Bernd Fischer e konsideron këtë operacion ushtarak “një rrumpallë të madhe”. Kurse kryendihmësi i Çianos, Filippo Anfuso, i cili e shoqëroi Kontin gjatë fluturimit të tij mbi zonën e betejës shkruan: “Sikur shqiptarët të kishin patur një brigadë të armatosur mirë, kishin për të na zmbrapsur dhe hedhur në Adriatik”.

 

Burimet:

AQSh, F.152/22, V.1939 (para).

Bernd J. Fischer, Ahmet Zogu-Mbreti shqiptar midis dy luftërave, Tiranë, 2010.

Bernd J. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekjet për stabilitet në Shqipëri, Tiranë, 1996.

Epopeja e Luftës antifashiste nacionalçlirimtare e popullit shqiptar 1939-1944, “8 Nëntori”, Tiranë, 1981.

Haris Silajxhiç, Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit, Tiranë, 1999.

Henry Kissinger, Diplomacia, Shtëpia Botuese e Lidhjes së Shkrimtarëve, Tiranë, 1999.

Hysen Selmani, Nga notimet e Zogut I – Mbretit të shqiptarëve, “Kristalina-KH”, Tiranë, 2008.

Ilir Ikonomi, Pushtimi, UET Press, Tiranë, Prill 2014.

Kastriot Dervishi, Shërbimi sekret shqiptar 1922-1944, Tiranë, 2007

Kastriot Dervishi, “55”, 11 prill 1999.

Pietro Kuaroni, Valixhja diplomatike, Albin, Tiranë, 1993.

Ramiz Fiçorri, Ndërhyrja italiane në Shqipëri (1925-1939), “Koçi”, Tiranë, 2005.

Raport i Cianos mbi udhëtimin në Jugosllavi: “Les archives secretes du Conte Ciano”.

Sejfi Vllamasi, Ballafaqime politike në Shqipëri, Botimi i dytë, Tiranë, 2000

Shyqyri Ballvora, Zhvillime politike në periudhën e Luftës antifashiste nacionalçlirimtare, “Dituria”, 2004

Veli Haklaj, Siguria kombëtare në Shqipëri, 1925-1939, GEER, Tiranë, 2012.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Parashikimi i vitit 2019 për çdo shenjë të horoskopit

Sapo ka nisur janari dhe të gjithë jeni kureshtarë për të ditur...
Read More