fbpx

Aktualitet

Rama: S’do ketë më tryezë me Bashën, mandatin nuk e negociojmë





               Publikuar në : 13:39 - 02/04/19 |
mapo.al

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Librazhdi në kuadër të takimeve me qytetarët “Bashkia që Duam” se nuk do të ketë më tryezë me Lulzim Bashën për të negociuar krizën politike. Duke komentuar zgjedhjet vendore të 30 qershorit, Rama tha se e majta ka fituar edhe kur ishte Sali Berisha në pushtet. Ai shtoi se pretendimet e opozitës për blerjen e votave nuk qëndrojnë, ndërsa shtoi se ajo që ata kërkojnë sot pas djegies së mandateve dhe nisjes së protestave, është pushteti në tavolinë. Arsyet e humbjes, tha Rama, opozita nuk i ka kuptuar.


“Ne i kemi mundur ata kur kishin Saliun dhe kishin edhe shtetin. A ka demokrat të thotë se ishte më e lehtë të mundësh Saliun se sa Lulin me fallxhoren që ka në krah. Në Durrës, Dako, që i janë qepur për ta kthyer në shënjestër i mundi Saliun, shtetin me gjithë hordhitë e tyre në 2007, 2011, 2013, 2017. I kemi mundur Saliun që nuk bënte gjë për të na penguar për të nxjerrë votën nga kutitë dhe nuk mundim dot Lulin?!



Nuk i kemi mundur dot ende në Tropojë, por në 30 qershor do t’i mundim edhe në Kukës, sepse s’ka demokrat të arsyeshëm që të thotë se në këto vite PD është bërë më e fortë dhe kryetari i saj është bërë më i zoti. Zgjedhjet e 2017 i humbën duke pasur ministritë e mëdha dhe agjencitë e mëdha shtetërore. Ishin mësuar ta kthenin shtetit në një hordhi duke nxjerrë kriminelët me leje barre, i merrnin në krah dhe bridhnin në të gjitha zonat e Shqipërisë. Ne i kemi mundur atëherë dhe do t’i mundim prapë. Ata bënë diçka që nuk e ka bërë askush. E ka bërë vetme një parti në vitet ’20 në Itali dhe ajo parti u shkri fare. Ashtu do shkrihen dhe ata. Ata djegin mandatet dhe futen mes turmës.


Kjo histori duhet të marrë fund. Ata nuk e kanë kuptuar pse humbin. Në 30 qershor ne do fitojmë edhe në Kukës. Do fitojmë edhe më thellë në 30 qershor. Dy vite më parë e kisha Lulin poshtë penxheres, këndonte himnin çdo ditë, me çadër dhe thoshte kurrë në zgjedhje me këtë qeveri. Erdhi mori gjysmën e qeveirsë dhe tha do marr edhe tjetrën…Tani nuk më me gjysma, gjysma, nuk ka më asnjë lloj tryeze për të negociuar mandatin që na keni dhënë ju.

Sepse nuk na keni dhënë mandat që t’i japim pushtet Lulit, por për të fuqizuar ekonominë, rritur punësimin, mbështesim fermerët dhe krijojmë kushte më të mira për ata që vijnë pas nesh. Për këtë na e keni dhënë mandatin, jo që të ulemi e të shohim filxhan te Mona. Sheh Mona filxhan dhe i thotë e pash Lul, jepi edhe pak Lul”, u shpreh Rama.

LEXO EDHE: 

Rama: Burg kush organizon lojëra fati online


Etiketa: , , , ,

Pas