Rama në kërkim të “armiqve” të brendshëm dhe të jashtëm

Kryeministri Edi Rama për shkak të situatës së rëndë brenda vendit me protestat e vazhdueshme të opozitës dhe dështimit të qeverisjes, po kërkon “armiqtë” e jashtëm dhe brendshëm, duke rikthyer frikën e agjenturave me ndikim nga Moska. Paqëndrueshmëria e Ramës në politikën e jashtme dhe faktori ndërkombëtar që prej vitesh nuk e merr më seriozisht.

Ndërsa protestat e opozitës i kanë në pragun e zyrës, kryeministri Edi Rama po mban “dritaren hapur” për të parë sinjalet që vijnë nga Europa, e sidomos afrimi i qershorit kur do të merret vendimi për hapjen ose jo të negociatave të Shqipërisë me BE-në. Për Ramën, dy janë “armiqtë e brendshëm”; opozita dhe një pjesë e mediave që nuk është nën suazën e tij, ndërsa tani ka nisur të shohë edhe “armiqtë e jashtëm”, me histori agjenturash ruse që po trazojnë Ballkanin e po prekin edhe Shqipërinë, apo kërcënime se nëse Europa ia mbyll dyert, atëherë janë shtete të tjera të cilat do të “dëshironin” ta “rrëmbenin” vendin tonë. Rama po tenton të “trembë” Europën, por kjo e fundit ngjan se është bërë imune nga paqëndrueshmëria e kryeministrit Edi Rama, që në raport me ndërkombëtarët, herë kthen sytë nga Europa, herë nga Ankaraja e herë nga Uashingtoni. Në lojë fut edhe Kosovën, që lëshon folklorizma ballkaneske se nëse Europa e bashkuar nuk na pranon, atëherë ne bashkohemi mes vetes. E kur edhe kjo nuk ecën, nxjerr nga fjalori i tij histori agjenturore me lobe të forta që nisin nga Moska e mund të përfundojnë deri në Teheran.

I izoluar nga “bota e jashtme”

Vizitat zyrtare të Ramës me personalitete europiane apo botërore në dy vitet e fundit kanë qenë në nivelin zero. Të gjithë takimet që ka patur lidheshin me samite ndërkombëtare që Shqipëria merr pjesë, qoftë edhe si numër, apo se ashtu e përcakton protokolli. Takime të tjera të rëndësishme Ramës i kanë munguar. Aq më pak që personalitete europiane të vizitojnë Tiranën. Situata e vështirë në Shqipëri ka bërë që kryeministri të nxitojë të fitojë sa më shumë zëra pro në Perëndim. Është e kuptueshme për të se disa Eurodeputetë që e mbështesin, më së shumti mund të entuziazmojnë ithtarët brenda kupolës së partisë, por jo se qëndrimet e tyre kanë peshën që do të donte të kishin. Në Italinë fqinje, mediat e kanë pyetur Edi Ramën nëse i ka marrëdhëniet e mira me qeverinë e këtij vendi. Por teksa Rama dha një përgjigje diplomatike, fakti që ai vizitoi Italinë pa asnjë takim zyrtar, ngriti pikëpyetje. Disa ditë më vonë, vetë Rama dha një intervistë për të përditshmen italiane Libero dhe për habi, doli në krah të ministrit të Brendshëm, Mateo Salvini. “Salvini ka të drejtë për emigrantët”, tha Rama. “Europa duhet t’i japë fund hipokrizisë”, shtoi kryeministri shqiptar, që e ka kërcënuar jo pak herë vetë Brukselin dhe BE-në herë me valë emigrantësh, herë me çështjen e Kosovës dhe së fundmi me protestat në Shqipëri. Ky konstatim i tij vjen në kohën kur populistët pritet të njohin ngritje në zgjedhjet europiane dhe vetë qeveria e Ramës nuk e ka siguruar çeljen e negociatave. Kaosi politik në vend, i ngërthyer nga skandale të njëpasnjëshme dhe humbja përgjithnjë e konceptit të luftës kundër korrupsionit në nivele të larta, janë treguesi që në Bruksel shihen me lupë. Vetëm kopertura e paketuar bukur, por me produkt të dyshimtë brenda, siç është Reforma në Drejtësi duket se nuk mjafton. Shqipëria vijon të eksportojë me shumicë “popull” të dëshpëruar që shton listat e azilkërkuesve në Europë. Këtë shqetësim ngriti një vit më parë Franca, Holanda dhe Gjermania. Fluksi i emigrantëve ende vijon, pavarësisht propagandës se edhe vendet e tjera të zhvilluara emigrojnë. I ndodhur para trysnisë së protestave, qeverisjes arrogante të mbërthyer në çështje korruptive dhe akoma më rëndë dyshimeve të forta për blerje votash (së fundmi i ngritur me shqetësim edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit), kryeministri kërkon shpëtim dhe atë e sheh vetëm në një mundësi: Hapjen e negociatave me BE-në në qershor. Por sigurinë nuk e ka. Për Ramën moshapja e negociatave do ishte afrimi shumë më i shpejtë i një fundi të mundshëm të qeverisjes së tij. Ndonëse e ka gati “shkakun” që për të është opozita dhe mediat dashakeqëse, kjo nuk mund të jetë arsye e fortë për t’u besuar, për më shumë nga kancelaritë botërore.

Agjenturat e huaja po shkatërrojnë Shqipërinë e “begatë”

Rama është shprehur se pas protestave qëndrojnë fuqi të mëdha, duke aluduar për Rusinë. Në një konferencë për shtyp me homologun maqedonas, Rama la të nënkuptohet se Rusia mund të ketë interes të ndërhyjë në Shqipëri në këtë situatë. Jo pa qëllim edhe në raportimet e fundit të SHISH në Komisionin e Sigurisë Kombëtare raportoi se Rusia po tenton e madje ka mundur që të “infiltrojë” ndikimin e saj në Shqipëri. E thënë në këtë komision, që janë vetëm anëtarët e mazhorancës, lajmi i “bujshëm”, për më shumë “top sekret” u nxor nga deputetët, sigurisht me një urdhër nga lart… Ramës i duhej kjo histori e në trillin dhe tjerrjen që e karakterizon këtë ia shprehu edhe homologut maqedonas, me fraza të nënkuptuara. Rama dhe mediat pranë tij aludojnë se kjo situatë e krijuar nga opozita, që po shfrytëzohet nga Rusia, mund të pengojë hapjen e negociatave. Edhe kjo “kauzë” që po mundohet të ngrihet nuk është e re për Europën, pasi edhe në mandatin e parë qeverisës, Rama tentonte të luante në dy porta, herë afrohej me Turqinë, herë i shkonte pranë Brukselit dhe gjithashtu nuk la rast pa shkëputur qoftë edhe një shtrëngim dore me presidentin amerikan Donald Trump. Padyshim që edhe në perëndim ndikimi rus në Ballkan shihet me shqetësim, por Shqipëria e vogël ka një favor të madh, ku fryma proeuropiane dhe proamerikane është shumë e shtrirë në të gjithë vendin. Klithjet e kryeministrit Rama se edhe protestat e opozitës mund të përdoren nga qëllime dashakeqe të ndikimit që ka lidhje nga Moska, janë thjesht ca më shumë se qesharake dhe kërcënime që nuk kanë vend të dëgjohen nga veshët e Brukselit, aty ku Rama tentoi të ishte “lider global”, por përfundoi si i vetizoluar “lokal”.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Video: Përplasje brenda gjykatës, gjakoset deputeti demokrat Edmond Spaho

Deputetët e opozitës janë përplasur me policinë në derën e sallës së...
Read More