Rama: Jo konsensus duke futur partitë në kontrollin e gjyqtarëve

Edi RamaKryeministri ka përshëndetur miratimin e reformës nga Komisioni i Posaçëm. Ai ka ripërsëritur se vija e kuqe mbetet përfshirja e partive politike në kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve

Kryeministri Edi Rama është i vendosur të mos bëjë asnjë hap pas sa i përket kërkesës së opozitës për vendet e rezervuara në institucionet që do të bëjnë kontrollin e figurës së anëtarëve të sistemit të drejtësisë.

Në vijim të një loje të fortë nervash, kreu i qeverisë ka dalë dje në një konferencë të posaçme për mediat, ku në shenjë mospajtimi me qëndrimin e aleatit të tij dhe të opozitës, ka përshëndetur vendimin e Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi për miratimin e projektligjit me ndryshimet kushtetuese dhe dërgimin e tij për votim në seancë.

“Dua të falënderoj dhe të përshëndes me mirënjohje, të gjithë anëtarët e shumicës parlamentare në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi dhe veçanërisht Kryetarin e Komisionit, Fatmir Xhafa, për kurorëzimin e një pune kolosale me votimin e sotëm të shumicës parlamentare në këtë Komision”, –tha Rama, duke falënderuar gjithashtu, edhe ambasadorët për kontributin dhe qëndrimin që kanë mbajtur në vijimësi.

Ai është shprehur i keqardhur për atë që ai e cilësoi si shtrembërim nga ana e kreut të opozitës të fjalës së tij të dy ditëve më parë, duke mohuar që mazhoranca të ketë pranuar vendet e rezervuara në ndonjë prej institucionet e reja të sistemit të ri që propozohen në këtë reformë.

“Ne as që kemi pranuar dhe as i pranojmë vendet e rezervuara, por kemi ofruar gatishmëri për të negociuar një zgjidhje që siguron përfshirjen substanciale të opozitës, me përzgjedhjen nga Kuvendi të asaj pjese të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Gjyqësorit dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët do të votohen nga trupa parlamentare dhe kemi negociuar e jemi gati të vazhdojmë të negociojmë për këtë zgjidhje”, -u shpreh Rama.

Por ai ka ripërsëritur edhe një herë se vija e kuqe për të cilën mazhoranca nuk negocion dot janë pikërisht komisioni i pavarur i kualifikimit dhe Kolegji i Pavarur i Kualifikimit.

“Partitë nuk mund të ndajnë mes tyre se cilët “doktorë” do çojnë në Komisionin e radiografimit, sepse e dimë shumë mirë se çfarë rezultatesh mund të dalin nga një pazar i këtij lloji. Pa një radiografim të pavarur nga partitë të gjykatësve e të prokurorëve dhe pa përjashtuar nga puna në sistemin e drejtësisë, njëherë e mirë, prokurorët e gjykatësit që janë fryrë nga xhepat e trutë duke vrarë drejtësinë në këtë vend, kjo nuk është më Reformë në Drejtësi”, -tha më tej kryeministri.

Ai ka theksuar se çdo konsensus për të “manipuluar për interesa palësh e individësh në politikë rezultatet e radiografimit, jo vetëm do të ishte vrasja me duart tona e shpresës së madhe që ka ngjallur me të drejtë kjo reformë në popull dhe e mundësisë historike që ajo ka krijuar për Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian, por edhe nuk do të njihej kurrë si një reformë reale në drejtësi, as nga Bashkimi Europian, as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Ndaj ai ka theksuar se nuk mund të pranojë asnjë lloj pazarllëku në emër të konsensusit.

“Konsensus po, por pa shkelur parimin e panegociueshëm të transparencës, pavarësisë dhe profesionalizmit në radiografimin një për një të të gjithë individëve që janë sot në sistem dhe që do të duhen të vazhdojnë të punojnë edhe në sistemin”, deklaroi Rama.

Ai ka ripërsëritur se nuk do pranojë të votojë qoftë edhe nëse reforma nuk bëhet fare një paketë ligjore që përfshinë partitë politike në këto dy institucione.

“Unë e rinënvizoj dhe sot, atë që thashë dje. Nuk e votoj një reformë që fut partitë në komisionin e radiografimit të prokurorëve dhe gjykatësve. Komision që, sa për t’ju dhënë një shembull, bëhet i ngjashëm si dy pika uji me KQZ-në famëkeqe të vitit 2011, ku përdoreshin kutitë e gabuara për të nxjerrë rezultatet e duhura”, -theksoi Rama.

Ai gjithashtu ka lënë të kuptohet se opozita i trembet vetingut të pavarur për shkak se i trembet atij.

“Nëse në barkun e atyre që nuk e duan Reformën në Drejtësi ka lloj-lloj lepujsh, lepuri më i madh është pa asnjë dyshim, makthi nga vetingu, ose siç e quaj unë për lehtësi komunikimi, radiografia etiko-profesionale e çdo prokuroi dhe gjykatësi. Ndërsa çdo lloj kompromisi i natyrës që pretendon Partia Demokratike do ta kthente këtë organ jetik për sistemin e ri të drejtësisë, në zorrën e partive në sistem. Sidoqoftë, deri ditën kur PD-ja do të votojë Reformën në Drejtësi, kjo e vetingut do të jetë vija e kuqe, e pakapërcyeshme, e panegociueshme për ne”, -u shpreh kryeministri.

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Letër nga Amerika

Nga Besart Kadia* Për më shumë se 60 vite Alistair Campbell, gazetar...
Read More