‘Qytetarët do marrin institucionet në duart e tyre’

Kryedemokrati Lulzim Basha lëshoi akuza të rënda drejt qeverisë duke kërkuar zgjedhje të parakohshme, ndërsa paralajmëron se qytetarët do të marrin në duar institucionet. A po shkon opozita drejt mosbindjes civile dhe planeve për rrëzimin e qeverisë pas 16 shkurtit? Parlamenti përfshihet në replika të ashpra edhe pse mungonte kryeministri Edi Rama, protagonist në përplasje me Bashën dhe Berishën edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj.

8 ditë para protestës së 16 shkurtit që po organizohet nga opozita, kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëron qeverinë se qytetarët do të marrin në duar institucionet, pasi nga kjo qeveri e lidhur me krimin nuk mund të pritet më asgjë. E vetmja zgjidhje sipas tij mbetet krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. “Thirrini arsyes, përndryshe nuk do t’iu lini asnjë rrugë tjetër qytetarëve, përveçse të marrin fatin e tyre në duart e tyre, të marrin institucionet e tyre në duart e tyre, se në dorë të krimit, oligarkëve dhe hajdutëve nuk kanë për të qëndruar më, çfarëdo që të bëni e të thoni”. Kjo qe deklarata e fortë e Bashës ditën e djeshme në sallën e Parlamentit. Opozita është e bindur për një protestë të madhe, ndërsa ende nuk ka një strategji të saktë se në çfarë forme do të “tronditë” qeverisjen, por gjithçka varet si nga masiviteti ashtu edhe vijimi i reagimit, që po diskutohet edhe mosbindja civile. Për momentin është përjashtuar demonstrimi i dhunshëm, kjo e përforcuar nga deklaratat e pak ditëve më parë të Bashës kur u shpreh se “PD-ja nuk do të vijë kurrë në pushtet mbi kufoma, por përmes zgjedhjeve”. Përplasjet politike mes mazhorancës dhe opozitës ditët e fundit janë intensifikuar edhe më shumë, duke kulmuar të hënën e kaluar me fjalorin e rëndë të përdorur nga kryeministri Edi Rama dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Jo më larg përplasjeve qëndron edhe LSI si në sallën e Parlamentit ashtu edhe në daljet publike në konferenca shtypi. Fryma e konfliktualitetit ka vijuar edhe ditën e djeshme, që në mungesë të kryeministrit Edi Rama, disa ministra janë përfshirë në debate, ku më i ashpri ishte ai mes ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ish-kryeministrit Sali Berisha. Gjithçka duket se për opozitën shkon në shërbim të protestës që “provën gjenerale” e ka më 16 shkurt. Më shumë se për të lëkundur qeverinë, për të kuptuar mbështetjen poshtë në elektorat. Shpresat e opozitës janë rritur edhe më shumë për zgjedhje të parakohshme, duke parë situatën ekonomike, skandalet dhe aferat korruptive të publikuara muajt e fundit.

Basha: Shteruam çdo alternativë politike, tani…

Pas një turi nëpër qytete të ndryshme të Shqipërisë, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është i bindur se pakënaqësia qytetare ndaj qeverisë Rama është e madhe dhe reagimi popullor sipas tij do të jetë po aq i madh. “Vendi është edhe në krizë depresioni, jo vetëm ekonomike dhe sociale. Të gjitha simptomat e një krize totale që ka mbërthyer vendin. Zgjidhja është zgjedhje të parakohshme dhe qeveri tranzitore. Ne shteruam çdo alternativë politike. As Shqipëria dhe as Europa nuk do ju lërë ta vazhdoni këtë maskaradë. Disa prej jush i keni marrë mesazhet në Berlin këtë javë”, deklaroi Basha. Sipas tij, në qershor nuk do të ketë hapje të negociatave dhe faji është vetëm i kryeministrit. “Thirrini mendjes dhe jepini rrugë politike sepse prej 16 shkurtit qytetarët do ta marrin fatin në duar dhe do ta spastrojnë këtë sallë nga njerëzit e krimit që e kanë vendin prapa hekurave të drejtësisë”, u shpreh kreu i opozitës. Ndonëse janë edhe katër muaj për vendimin e BE-së për hapjen ose jo të negociatave me Shqipërinë Basha parashikon një situatë të zymtë, pikërisht për shkak të qeverisjes, që sipas tij ka bërë që vendet e BE-së të jenë edhe më skeptikë se vitin e kaluar. “Për pesë kriteret kryesore të Komisionit jo vetëm që s’ka progres, por ka regres. Korrupsioni është zhytur më thellë dhe këtë e tregon Transparency International. Lufta kundër krimit të organizuar është ku thërret qameti, sepse ju kanë kapur në flagrancë duke bashkëpunuar me bandat e krimit të organizuar për të ardhur në pushtet dhe për të mbajtur pushtetin. Në administratën publike, po kështu, jua nxori Zëri i Amerikës sesi i bëni emërimet”-theksoi Basha.

Përdhunimi i të miturës në Kavajë, kthehet në Parlament…

Në valën e sulmeve ishte dje ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili u akuzua nga deputetët e opozitës për paaftësi dhe person i cili po vihet në shërbim të Edi Ramës. Fillimisht Lleshaj pati replika me liderin e opozitës Lulzim Basha, ku shkak u bë ngjarja e Kavajës për përdhunimin e 13-vjeçares që sipas opozitës policia ka fshehur abuzimin me vajzën e mitur. Lleshaj iu drejtua Bashës se kur të drejtojë gishtin më parë duhet ta kthejë nga vetja, teksa i kujtoi ngjarjen e 21 janarit 2011 ku u vranë në bulevard 4 demonstrues. “Kurrë nuk do të arrini të më shihni mua në pozicionin që ju keni qenë në 2011. Keni katër të vrarë në “CV”-në tuaj dhe 4 mijë të tjerë në tentativë për t’u vrarë. Prandaj kur të drejtoni gishtin mendohuni mirë”, u shpreh Lleshaj. Por Basha tha se këto teza janë propagandë e kryeministrit Edi Rama dhe se ministrit Lleshaj do i duhet pak kohë deri sa t’i mësojë përmendësh. “Ty të duhet pak kohë që të mësosh përmendësh tezat e propagandës së Ramës dhe të pyesësh përse i promovoi ata që qëlluan mbi protestuesit”, replikoi Basha. Në lidhje për çështjen e Kavajës, Lleshaj mohoi akuzën dhe deklaroi se policia ka reaguar që në momentin e parë që ishte njohur me ngjarjen, por kjo shkaktoi reagimin e ashpër të Berishës, i cili bërtiste nga vendi: “Turp, turp. Kriminel”. “Mua më thua kriminel? Unë i kam duart e bardha, nuk i kam të skuqura”, replikoi ministri nga foltorja. Më pas fjalën e mori zëvendëskryeministri Erion Braçe, që duke iu përgjigjur Bashës dhe Kryemadhit, hodhi akuza në drejtim të opozitës duke i quajtur “pisa” dhe sipas tij duhet të shkojnë me këmbët e veta përballë SPAK-ut e BKH-së, organet e reja të drejtësisë. “Do doja që të lusja të gjithë ata pisa që nga foltorja e Kuvendit të marrin kurajon dhe t’iu drejtohen socialistëve të ndershëm. Qepeni! Krimet barbare me banditë që dilnin nga burgjet që i kanë ndjekur prapa këta njerëz këtu. Ju që përmendi SPAK dhe BKH duhet të mbani përgjegjësi. Ju pushkatuat pa gjyq 4 njerëz të ndershëm në Bulevard. Krimet elektorale që nga viti 1992 ju bëjnë që të largoheni. Basha do t’ju marrë bizneseve 0,5% të fitimit në vit me planin e tij”, -tha Braçe. Pak para kësaj deklarate kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi i konsideroi disa deputetë dhe ministre të qeverisë si persona që janë vënë në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

FOTO REPORTAZH: Në shtëpinë e Agollit, 5 ditë pasi Sadija shkoi te Dritëroi

Nga Blerina Gjoka, Fotot nga Florion Goga  Rikthehem në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro...
Read More