Qarku Berat, përballja në shifra dhe emra, kush është e favorizuar

PS, LSI dhe PD, në garë për mandatin e shtatë. PS lufton për të marrë mandatin e 4, ndërsa LSI dhe PD për të mbajtur mandatin e dytë. PS përfaqësohet me një biznesmen në bastionin e LSI-së. PD e disavantazhuar nga largimi i Lefter Maliqit, LSI e favorizuar nga drejtimi i pushtetit vendor në 3 bashkitë kryesore dhe i drejtorive më të rëndësishme

Nga Fejzi Braushi

Qarku i Beratit përbën një nga zonat zgjedhore që ofron kësaj here një garë të fortë elektorale. Dhe kjo jo vetëm për shkak se raporti i mandateve është lehtësisht i ndryshueshëm për të tria forcat kryesore, por edhe për shkak të disa elementeve dhe faktorëve të tjerë që e bëjnë këtë garë me interes deri në nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve të ardhshme. Kështu, në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të shkuara parlamentare dhe në kushtet kur të majtët konkurrojnë më vete dhe opozita do të konkurrojë nën siglën e PD-së, mandatet në zonën zgjedhore të Beratit do të ndaheshin: 3 për Partinë Socialiste, 2 për Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe 2 për Partinë Demokratike. Pra, jemi në kushtet kur nga heqja e mandatit që iu bë Beratit humbet Partia Socialiste.

Përballja në shifra

Kjo gjithmonë në rast se rezultati i votave në 2017 do të ishte i njëjtë me atë të 2013. Por ky ekuilibër në këtë qark është shumë i brishtë dhe mandatin e 7-të mund ta marrë apo humbasë lehtësisht secila prej 3 forcave kryesore politike në vend. Më konkretisht, nëse PD në raport me zgjedhjet e shkuara do të pësojë rënie të votave të saj, atëherë mandati i saj i dytë do të vihet në diskutim. E llogaritur me vota, në rast se PD do të ketë një rënie me 860 vota në krahasim me votat që ka marrë në 2013, ajo nuk do merrte 2 mandate, por vetëm 1. Mandati që do të humbiste PD në këtë rast do ti kalonte PS-së, e cila do të siguronte po aq mandate sa ka marrë edhe në 2013, pra 4, pavarësisht faktit se në këto zgjedhje Qarku i Beratit ka 1 mandat më pak. Gjithashtu, Partia Socialiste do të merrte 4 mandate deputetësh edhe nëse do arrijë që të marrë 208 vota më shumë se në zgjedhjet e shkuara dhe nëse forcat e tjera do të merrnin të njëjtin numër votash si në zgjedhjet e shkuara. Në këtë rast mandatin që do merrte PS do ta humbiste LSI, e cila nga 2 do të shkonte në vetëm 1 mandat. Ndërkohë që synimi i LSI-së për të bërë të mundur realizimin e qëllimit të saj për të rivalizuar PS-në në mandate në këtë qark duket shumë i vështirë dhe kjo për vetë faktin se që kjo forcë politike të marrë mandatin e 3 do t’i duhen edhe afro 12 mijë vota më shumë se sa ka marrë në zgjedhjet e shkuara. Diçka e pamundur të ndodhë për një qark të vogël dhe ku lëmi i votave është i pakët. Edhe në këtë variant ajo që do të humbiste mandate do të ishte PD. Pra referuar këtyre shifrave gara duket interesante, pasi PS do të duhet të luftojë për mandatin e katërt ndërsa dy forcat e tjera, PD dhe LSI do duhet të luftojnë të mbajnë mandatet që kanë edhe aktualisht. Kjo e zhbënë deri diku edhe pretendimin e LSI-së për të dalë forcë e parë në këtë qark, pasi diferenca me socialistët është shumë e madhe. Por LSI mund të lërë PD-në sërisht si një forcë e tretë në këtë qark. Kujtojmë këtu se në zgjedhjet e shkuara parlamentare, Berati ishte i vetmi qark ku PD u rendit forcë e tretë.

Përballja në emra

Ajo që e bënë garën edhe më me interes në këtë qark është se brishtësisë së ekuilibrave në mandate në këtë qark i shtohen edhe disa faktorë të tjerë që mund të ndikojnë në rezultat. Kështu socialistët paraqiten me një listë që në zonën fituese kanë emra të njohur dhe me peshë të PS-së në qendër dhe në qeverisje, përfaqësues të biznesit si dhe njohës shumë të mirë të realitetit lokal në Berat. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Mirëqenies, Blendi Klosin, i cili aktualisht mban pozicionin e Sekretarit organizativ të PS-së, ministren për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj, biznesmenin Adnor Shameti, si dhe ish-kryetarin e Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi. Ndërsa Klosi dhe Nasufi kanë marrë përsipër fushatën në rrethin e Beratit, ndërsa Ermonela Felaj Kuçovë, Adnor Shameti është caktuar që të bëjë fushatë dhe të kërkojë votën në zonën e Skraparit, bastionin e LSI-së. Siç mësohet ai ka zgjedhur të bëjë fushatë në zonën e Çorovodës dhe fshatrave përreth, ku dhe gëzon njohje dhe mbështetje si për shkak të origjinës së tij por edhe të konkurrimeve të mëparshme. Ndërkohë që në qytetin e Poliçanit Shameti ka dhe një faktor plus që ia bën fushatën edhe më të lehtë. Bëhet fjalë për kreun e Bashkisë së Poliçanit, Adriatik Zotkaj, i cili përfaqëson siglën e PS-së. Ndërkohë që demokratët në anën tjetër konkurrojnë në zonën fituese me dy kandidatë, ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi dhe biznesmenin Astrit Veliaj. Ndërsa Halimi vjen në këtë qark për herë të parë si kandidatë ashtu si edhe Klosi për socialistët, Veliaj konkurron për herë të dytë, ndërsa u zgjodh deputet edhe në 2013. Por ndërsa atëherë ai konkurronte si presidenti i një universiteti privat dhe për shkak edhe të kësaj gëzonte një mbështetje të madhe, kësaj here ai shkon i disavantazhuar për shkak se universiteti që ai zotëron nuk funksionon më. Por ajo që mund ta penalizojë PD-në në këtë qark është pikërisht largimi dhe deklarimi i kalimit me PS-në i kandidatit të tretë të PD-së në këtë qark, Lefter Maliqit. Maliqi është një faktor I njohur lokal, i cili gjithashtu gëzon një mbështetje të madhe në zonën rurale të Beratit, pasi më parë ka qenë kryetar i një prej komunave më të mëdha dhe deputet në Kuvendin e Shqipërisë për 1 mandat. Vet ai gjatë momentit të deklarimit të largimit do të shprehej se me këtë akt do ti kalonte PS-së një numër të madh votash të mbështetësve të vet. Ndërkohë që LSI konkurron në zonën fituese me dy emra që kanë qenë zgjedhur deputetë edhe në zgjedhjet e shkuara. Listën e drejton ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço dhe pas tij vjen Gledion Rehovica. I pari i instaluar në Berat prej disa muajsh që kur u largua nga pozicioni i ministrit, ndërkohë që i dyti gëzon një mbështetje të konsiderueshme për shkak të mbiemrit që përfaqëson dhe biznesit që zotëron familja e tij. LSI në këto zgjedhje shkon më e favorizuar edhe se në zgjedhjet e shkuara dhe kjo për shkak se ajo në këtë qark drejton 3 bashkitë më të mëdha të këtij qarku, më konkretisht atë të Beratit, Kuçovës dhe Çorovodës. Tri institucione këto që sigurojnë edhe numrin më të madh të vendeve të punës, por edhe të lidhjeve të influencës me eksponentë të rëndësishëm lokalë. Gjithashtu veç tyre, LSI ka në këtë qark edhe drejtimin e një sërë institucionesh të tjera siç është hipoteka apo edhe spitali. Ndaj me gjithë këto elemente në favorin e saj, LSI duket se e ka të sigurt mandatin e dytë të sajin, ndaj konkurrenca për mandatin e shtatë do jetë mes socialistëve dhe demokratëve.

Rezultatet e zgjedhjeve të shkuara për Qarkun Berat

PS                                42897 vota, 2 mandate

LSI                              21549 vota, 2 mandate

PD                               19022 vota, 2 mandate

PR                               1962 vota

PSIU                            783 vota

PDS                             560 vota

PS nga dalja pa aleatët e vegjël humbet 3049 vota

Opozita në zgjedhjet e shkuara si koalicion me partitë që ka dhe sot aleate ka marrë 22313 vota.

Thënë me përqindje PS ka marrë 46.9 për qind, LSI 23.6 për qind, ndërsa PD 20.8 për qind (si koalicion 25 për qind).

Ndërkohë në zgjedhjet vendore të vitit 2015 PS ka marrë 31.9 për qind, LSI 18.2 për qind dhe PD 19.4 për qind.

Shkruar Nga
More from revista mapo

I akuzuari për trafik organesh: Ja bizneset në Shqipëri

Prokuroria bllokoi disa transaksione bankare mes dy kompanive që ofrojnë turizëm mjekësor....
Read More