Puna nuk na bën aspak të lirë

Gilman BakalliSi ndodhi që pushimet si kohë e lirë i sakrifikuam për të përjetuar Të Veçantën? Si ndodhi paradoksi i planifikimit të aventurës? Si ndodhi që, në vend që ta shijojmë ditën në limonti të plotë, ta strukturojmë çdo orë të saj dhe të kujdesemi që çdo minutë ta mbushim me aktivitet?

Nga Gilman Bakalli

<

Për mua dhe kolegët e mi mësimdhënës vera është kohë pushimesh. Është kohë për t’u çliruar nga stresi i punës dhe për t’u relaksuar. E megjithatë bashkë me pushimet fillon të përvidhet tinëzisht një lloj stresi i lehtë, që buron nga dëshira për t’i planifikuar ato, “për të nxjerrë maksimumin e tyre”. Siç ndodh në të tilla raste, pas këtij stresi vjen reflektimi ndaj tij, që është edhe ky një lloj stresi më vete, i shfaqur në pyetjen “pse dreqin duhet të planifikoj domosdoshmërisht diçka për pushime? A nuk mund t’i lë të rrjedhin vetvetiu dhe unë të shijoj asgjënë e ëmbël”? Më nervozon vetë ideja se si e kemi pranuar lehtësisht faktin që “të punojmë gjithë vitin për të shkuar diku me pushime”. Më nervozon edhe vetë ideja se pse nuk duhet të rrimë diku për të pushuar, por shkojmë diku me pushime. I çuditshëm pra, gjithë ky evolucion kulturor që i ka transformuar pushimet nga një kohë e lirë në një një kohë të lirë pa liri, në një kohë të lirë të strukturuar e planifikuar në detaje.

Si ndodhi që pushimet si kohë e lirë i sakrifikuam për të përjetuar Të Veçantën? Si ndodhi paradoksi i planifikimit të aventurës? Si ndodhi që, në vend që ta shijojmë ditën në limonti të plotë, ta strukturojmë çdo orë të saj dhe të kujdesemi që çdo minutë ta mbushim me aktivitet? Si ndodhi që ta mbushim kohën e lirë me një mal pritshmërish e pastaj të zvarritemi nën presionin e përmbushjes së tyre? Sigurisht që dielli, palmat, deti, mali na duhen për ta thyer monotoninë e përditshmërisë, por gjithsesi për mua mbetet një mister antropologjik fakti se si ia kemi dalë ta kthejmë rropatjen e përditshmërisë së zymtë në një rropatje për të pushuar.

Mendoj se e gjitha kjo ka ardhur ngaqë ka ndryshuar antipodi i pushimeve, vetë Puna. Raporti i njeriut modern ndaj punës është ambivalent. Nga njëra anë, puna na duhet jo vetëm për të siguruar jetesën dhe komoditetet e shoqërisë post-industriale, por edhe si prestigj social për ta strukturuar ditën dhe për të krijuar e ruajtur kontaktet sociale. Nga ana tjetër ama, puna na nervozon dhe “nuk na bën aspak të lirë”. Jo më kot puna nuk ka pasur nam fort të mirë gjatë shekujve. Për shumicën e filozofëve të antikitetit, ajo nuk ishte e denjë për një njeri të kultivuar. Puna ta vjedh kohën që mund t’i kushtohej gjërave të rëndësishme si artit, kulturës, politikës dhe, para së gjithash, vetvetes.

Feja i bëri një rivlerësim radikal punës: “kush nuk punon, nuk duhet të hajë”. Puna, krahas lutjes, është rruga për tek Zoti. (Ora et labora – thonin benediktinët). Lutu dhe puno! Adriano Celentano e ngriti akoma më lart punën, duke kënduar “Chi non lavora, non fa l’amore”! Kjo bindje e ka shenjuar fort Europën moderne. Kohët e fundit bile, edhe një kryeministër artist si Edi Rama, doli publikisht dhe foli me përbuzje për “dembelizmin shqiptar”. Të njëjtën mendim për dembellëkun si mëkat dhe fillimin e të gjitha veseve kishin murgjit e mesjetës, kapitalistët e shekullit të 19-të dhe revolucionarët e tetorit të kuq.

Po ta transferojmë sjelljen tonë ndaj punës tek mënyra se si e kalojmë kohën e lirë, mund ta kuptojmë raportin tonë të shtrembëruar me limontinë. Javët më të bukura të vitit ia nënshtrojmë diktatit të planifikimit, efikasitetit dhe pritshmërisë për të arritur sa më shumë brenda një kohe të shkurtër, ose siç themi në gjuhën e përditshme: “për t’i marrë maksimumin këtyre pushimeve”. Shtoji kësaj edhe faktin që udhëtimet për pushime lidhen ngushtë tashmë edhe me prestigjin social dhe kupton se si pushimet janë kthyer në një garë për pushimet më të largëta, më ekzotike, më ekstreme, më të shtrenjta, etj.

Viti akademik po mbaron dhe bisedat kryesore me kolegët sillen rreth planeve, me të cilat do ia nxijmë jetën pushimeve, për aktivitetet e shumta, me të cilat do ta zëvendësojmë kohën e lirë. Shkurt, po i tregojmë njëri – tjetrit se sa të pamëshirshëm do të tregohemi me pushimet tona dhe sa të zellshëm do të jemi për t’i kthyer ato në punë të mirëfilltë, duke i strukturuar dhe planifikuar deri në detaje. Në fund të gushtit, kur të kthehemi bashkë me kolegët në auditore, do të kuptojmë se edhe këtë verë u treguam të paaftë për ta lënë veten të lirë dhe do t’i tregojmë njëri-tjetrit se si pushimet i trajtuam thjesht si formë ndryshe e punës dhe se, edhe këtë verë, e humbëm rastin për të shijuar atë ëmbëlsinë e pushimeve si kohë e lirë për të mos bërë asgjë.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Kryeveprat e artit italian të ‘900-ës mbërrijnë në Tiranë

Nën masa të rrepta sigurie dje kanë zbarkuar në Galerinë Kombëtare në...
Read More