fbpx

Editorial

Pse qeveria teknike është zgjidhja





               Publikuar në : 10:02 - 01/04/17 |
mapo.al

Nga Arion Sulo


Lulzim Basha thelloi dje kushtet e opozitës për të hyrë në zgjedhje, kur tha se ka ‘zero shanse’ që të pranojë një qeveri teknike kukull dhe fasadë të çastit të fundit, ndërsa la të kuptohet se synimi i tij është shtyrja e18 qershorit. Qëndrimi i ri i kreut të PD shkaktoi jo pak habi, pasi u duk sikur mazhoranca e kishte pranuar kushtin e qeverisë teknike, gjë që nuk ka ndodhur!



Përtej retorikës për publikun- që nuk kuptoi ndonjë gjë- fjala e djeshme e Bashës i vinte rrotull njërit prej skenarëve racionalë për zgjidhjen e krizës; një paketë që nis me qeverinë teknike deri në zgjedhje, mbyll çadrën, fut në shina zgjedhjen e Presidentit dhe garanton miratimin e vetingut.


Në kushtet kur dy javët që vijnë mund dhe duhet të kthehen në një stacion qendror për negociata, Basha u duk i vendosur në JO-në e tij të mbushur me nuanca populiste.

Por ky mund të jetë shansi i dytë i humbur për zgjidhjen e krizës pas atij të shkarkimit të ministrave (askush nuk beson se ikën për shkak të fushatës elektorale). Me refuzimin e djeshëm, opozita ka shtuar një ultimatum të ri mbi atë të 18 shkurtit, duke krijuar efektin boomerang dhe duke e zhvendosur veten në pozicionet e palës së pabesueshme.

Në asnjë negociatë apo betejë politike askush s’mund të marrë më shumë se çfarë ka kërkuar në fillim. Aq më shumë kur ke kërkuar maksimumin prej fillimit!

Largimi i qeverisë si kusht fillestar i protestës ishte hiperbolë në vetvete dhe s’kish nevojë për një rritje tjetër steke. Refuzimi i Bashës vetëm sa tregoi se opozita po ndryshon kushtet gjatë lojës dhe la përshtypjen se nëse kriza nuk zgjidhet as me plotësimin e kërkesës ekstreme, atëherë kërcënimi i zgjedhjeve nuk është problemi i vërtetë i opozitës.

Tejkalimi i kushtit të qeverisë teknike, qoftë kjo edhe për kohën që na ndan nga 18 qershori u jep zë dyshimeve se bllokimi i vetingut dhe mosbërja e zgjedhjeve janë qëllimi, ndërsa protesta dhe bojkoti janë mjetet për t’i realizuar ato.

Ligjërimi i djeshëm i Bashës shkon kundër rrjedhës që vetë PD ka ndjekur deri tani. Një qeveri teknike, kujdestare e zgjedhjeve siç ka dy muaj që e thotë Dashamir Shehi, do t’i jepte të drejtë një prej argumenteve kryesore të saj; që kabineti jopolitik është kusht sine quanon për të goditur skemën e kanabizimit të zgjedhjeve apo lidhjeve të krimit me politikën. Çdokush do të mendohej dy herë para se të vihej në shërbim për manipulim zgjedhjesh, pa mbrojtje dhe pa punëdhënësit në qeveri.

Shtyrjen e zgjedhjeve Basha e la pa afat. Më saktë, ai tha se çdo kriminel do të largohet nga funksionet publike, para se në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Si retorikë politike dhe aq më tepër një agora të mbushur me militantë stoikë, ky “premtim” tingëllon motivues.

Por cila qeveri teknike jo fasadë mund të përcaktojë kur ikën krimineli i fundit? Me çfarë mjetesh arrihet dhe matet puritanizimi i krimit në Shqipëri? Sa kohë mund të kërkojë përmbushja e një prerogative të tillë?

Askush dhe as Basha nuk mund të japë një përgjigje për këtë.

Pavarësisht çfarë kreu i demokratëve tha dje, duket se dy javët në vijim do të jenë vendimtare për krizën dhe një zgjidhje të mundshme të saj. Në kushtet kur ndërkombëtarët nuk kanë mundur të gjejnë meditacionin që dakordëson palët dhe nëse mazhoranca dhe opozita ruajnë status quo-në e tyre, atëherë askush nuk mund të parashikojë se sa kjo krizë mund të thellohet me një president gjysmak, veting të pezulluar dhe zgjedhje pa opozitën.

Si e tillë, qeveria teknike pa shtyrje zgjedhjesh iu jep frymëmarrje të tria këtyre krizave, ndërkohë që nxjerr nga çadra dhe e fut opozitën me dinjitet në zgjedhje.

Në anën tjetër, edhe kryeministri fiton çka humb në fillim, si një politikan që bën marrëveshje për hir të mos rënies së vendit në anarki dhe mbi të gjitha, arrin një pakt për miratimin e Reformës në Drejtësi.

Me këtë lëshim do të kemi President, zgjedhje normale dhe vetting të miratuar. E kundërta do të ishte katastrofale.

Zbatimi në germë i kushtetutës dhe mbarimi i mandatit katërvjeçar janë një tezë e fortë dhe e respektueshme, por përballë destabilitetit që troket dhe mund ta çojë vendin deri në një përplasje fizike të militantëve politikë në ditën e zgjedhjeve, kjo është zgjidhja më pak e keqe.

Basha duhet të rikthehet te kërkesa për qeverinë teknike dhe ta marrë atë deri më 18 qershor. Në të kundërt, do ta ketë shumë të vështirë të bindë se protesta iu shërben zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

 



Pas