Pse punësimi i studentëve në shtet nga Rama ishte lajmi më i keq

Studentët dolën në protestë me pretendime të mëdha, por përfunduan duke bërë një vrimë në ujë. Historia më e keqe e protestës së tyre është ajo e punësimeve në shtet

Nga Enton Palushi

Mësuesi ynë i gjermanishtes dukej sikur kishte dalë nga ‘librat’ e stereotipeve. Ishte një thatanik i zbërdhulët me mustaqe, aq tipik sa në Shkodër kishin nisur ta thërrisnin të gjithë: gjermani, gjermani. Në atë kohë joshja ndaj Gjermanisë nuk ishte e madhe si tani, por kjo nuk e pengonte mësuesin që të dilte përtej gjërave të zakonshme të gjuhës. Një ditë na shpjegoi se ajo që kishim ndërtuar në kokë për shkollën e lartë, ku pasi fiton konkursin, ndjek shkollën dhe më pas përfundon gjithë jetën duke punuar në zanatin që ke fituar, mund të shembet shumë shpejt. Na tha se që të hysh në universitet në vendin e tij është e lehtë, ta mbarosh është më e vështirë, por mbi të gjitha, të punosh në zanatin ku je formuar, do bëhet gjithmonë e më e vështirë, madje mund të përfundosh edhe në Shqipëri siç kishte ndodhur me të.

Ajo që parashikoi ai u kthye shumë shpejt në realitet në Shqipëri. Mësuesi ynë vetëm sa na kishte përgatitur për atë që tani po e quajnë ‘ekonomia e dijes’, ku profesionet e preferuara nuk rriten me shpejtësinë me të cilën shtohen të diplomuarit. Më keq akoma, shumë prej këtyre profesioneve të lakmuara po bëhen gjithmonë e më të trashëgueshëm: mjeku ua lë stafetën fëmijëve të tij, avokati i lë fëmijët në sistemin e drejtësisë, kështu me mjekët, inxhinierët etj. Na priste një botë më e pasur, por më e pasigurt sa i përket punës dhe karrierës.

***

Kur studentët shqiptarë dolën në rrugë në dhjetor të vitit të shkuar, dukej qartë se revolta e tyre ishte ndaj sistemit. Pavarësisht se asnjëri nuk e artikulonte siç duhet, studentët kishin përballë dy probleme: njërin të natyrës globale, ku puna po bëhet gjithmonë e më e pasigurt, ku numri i të diplomuarve është shumë më i lartë se nevojat e tregut në profesione të lakmuara dhe ku zhvillimi teknologjik shpesh shihet si kërcënim ndaj vendit të punës.

Por siç ndodh rëndom, kur këto probleme vijnë në Shqipëri, bëhen shumë më të rënda për shkak të specifikave shqiptare. Këtu vijmë te problemi i tyre i dytë, ai lokal, ku secili duhet të përballet me korrupsionin galopant në çdo fushë, me keqqeverisjen, me paaftësinë, me nepotizmin, krimin e organizuar, trafikun etj. Logjika ta do që më e lehtë është që të luftosh një problem me natyrë lokale sesa të bëhesh pjesë e një beteje që nuk po e fitojnë as në vende më të zhvilluara se Shqipëria. Studentët shqiptarë nuk bënë ndonjë betejë. Thjesht morën një paketë që ua dhuroi kryeministri dhe tashmë e kanë kuptuar se janë ngopur me lugën bosh.

***

Por përveç atyre që janë zhgënjyer me faktin se ajo që kanë përfituar nga dalja e tyre në rrugë ishte më shumë fasadë, ashtu siç di të bëjë më mirë kjo qeverisje, ka edhe nga ata që janë ndarë të lumtur. E kam fjalën për studentët e ekselencës që kanë nisur të punësohen në administratën shtetërore. Dhe kryeministri e ‘shet’ shtrenjtë në opinionin publik çdo hap që bën për të punësuar studentët e shkëlqyer. Aq të lumtur shfaqen këta studentë të punësuar, sa përveç selfie-ve me kryeministrin, njëra gati sa nuk thirri në një lidhje direkte televizive: Tralalalala o dështakë, më shihni që plotësova ëndrrën time, u punësova në shtet!

Pra, ky brez e ka ëndrrën më të madhe punësimin në shtet?! Nuk po kthehemi pas në kohë e të merremi me gjithë ato deklarata të bëra gjatë gjashtë viteve nga kryeministri Edi Rama, ku u bënte thirrje studentëve dhe shqiptarëve që të synonin punësimin në privat dhe jo në shtet.

Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se ka njerëz që thonë: dua të ma bësh gruan pastruese. Dakord, që nesër në privat. Ah, jo! Atëherë ku ndryshon fshesa e shtetit nga fshesa e privatit? Fshesën e privatit duhet ta tundësh. Fshesën e shtetit mund ta lësh në cep dhe të pish kafe, pati thënë Rama vetëm pak para se të niste lëvizja studentore.

Çfarë ka ndryshuar tek Edi Rama gjatë kësaj kohe? Asgjë. Është ai i zakonshmi që kur bie fjala te votat, bën çdo transformim të mundshëm. Shqetësues është fakti që të rinjtë vazhdojnë ta shohin shtetin si ëndrrën e madhe dhe se kryeministri nuk e hoqi shtetin nga lista e ëndrrave të shqiptarëve. Kjo për dy arsye.

Së pari, sepse shteti të ofron rehatllëkun e madh, nja 200 ditë pune në vit dhe më pas pushime pa fund. E këtu po flasim për 200 ditë pune, se pastaj sa orë punohet realisht, këtë e di vetë Rama më mirë.

Së dyti, sepse shteti të ofron mundësinë që të mjelësh atë lopën që e ushqejnë të gjithë shqiptarët me taksa. Nëse doni po e theksoj sërish, korrupsioni dhe administrata e cofitur në Shqipëri janë një pengesë madhore për integrimin e Shqipërisë.

***

Por ka edhe një arsye të tretë se përse studentët e duan punën në shtet. Bëhet fjalë për garancinë e vendit të punës, atë që u mungon shumicës së rinisë në botë. Oh, sa gabohen! Pse, çfarë ka ndryshuar këto ditë që ata do kenë mundësinë të hyjnë në sistemin e kalbur të administratës dhe të jenë rehat? Apo besojnë se mund të bëjnë karrierë kur e dinë se vjen ndonjë politikan dhe u plas ndonjë Gent Cakaj në krye të institucionit?

Harrojnë të shkretët të rinj se në sistem futen si turmë, por atje janë të vetëm përballë një makinerie të frikshme. Aty do luftojnë me dashnoren e ministrit, me gruan e deputetit, me vëllanë e drejtorit, me vajzën e biznesmenit derisa të shtrydhen si limon dhe të dalin jashtë sistemit duke përfunduar si 80 për qind e shqiptarëve që duan t’ia mbathin nga vendi, si 70 e ca për qind që vuajnë nga depresioni apo si qytetarët e denjë të republikës më të palumtur në Europë.

Mirësevini në çmendinë. E sigurt është se pas disa kohësh do kujtoni me nostalgji kohën kur dolët në shesh dhe patët mundësi të shkundni mirë gjërat në vend. Në vend të kësaj bëtë një vrimë në ujë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

A mund ta nxjerrim Kodrën nga kuadri i një tabloje?

Një kujtim në Paris me Ibrahim Kodrën në ekspozitën e tij në...
Read More