PS vs Rilindje: Nis skizma e parë…

Fjalimi i fortë në Parlament i ish-ministrit Ditmir Bushati për arrogancën qeveritare, konfliktualitetin dhe situatën e rëndë që po kalon vendi. Shkëndija e parë e një “opozitarizmi” brenda mazhorancës dhe Bushati që foli si Socialist që përçon “zërin” e të zhgënjyerve nga Rilindja. A po lind fraksioni i parë real kundër Ramës? 

Kryeministri Edi Rama më shumë se frikë nga protestat e opozitës, i trembet “opozitarizmit” brenda partisë dhe ajo ka ardhur dje, në mes të sallës së Parlamentit. Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati kritikoi butë në tone, por ashpër në “penë”, qeverisjen e Ramës, duke e konsideruar arrogante përballë opozitës dhe jo vetëm, ndërsa sjell momentin kritik që po kalon vendi në vigjilje të 30 viteve, pasi është përmbysur sistemi komunist. “Duhet të gjejmë udhën e arsyes si PS, pasi vendi ndodhet në udhëkryq të madh”-tha ish-ministri, ndërsa shtoi se “ne në PS nuk duhet të jemi arrogantë”. Këtë fjalim e mbajti edhe para deputetëve të “vetëshpallur” opozitarë, për Bushati la të kuptohej se opozita e vërtetë, ndonëse në vendim të gabuar sipas tij në djegien e mandateve, ndodhej jashtë sallës së Parlamentit. “Demokracia nuk është procedurë. Procedurë është zëvendësimi i listave siç po bëhet. Demokracia është respekt”, shtoi Bushati. Në fjalim e gjatë, Bushati përmendi zhgënjimin e madh qytetar dhe përqendrimin e ekonomisë në duart e pak njerëzve. Janë pikërisht këto zhgënjime që i mendon dhe i thotë çdo socialist, por nën zë, jashtë strukturave, pasi nuk janë pjesë, nuk dëgjohet e mbi të gjithë me zë të mbytur, pasi edhe vetë brenda mazhorancës Rilindja po mbyt PS-në tradicionale. Indiferentizmi i Ramës, për më shumë përbuzja deri në tallje të vendimit opozitar, nuk shkon me qëndrimin e Bushatit, i cili dje doli hapur për mundësinë e dialogimit në të mirë të vendit, pa llogaritur kostot personale apo politike. Një qëndrim tërësisht i kundërt me atë që sot Rama ofron. Bushati mbetet një ish-ministër i qeverisë Rama, madje shumë jetëgjatë dhe ndoshta nga pjesa e mazhorancës mund të lexohet si “qejfmbetje” për shkak se humbi postin e rëndësishëm. Ajo mund të jetë një shtysë, por problemet që ngriti ndajnë dy koncepte brenda qeverisjes, Rilindjen e përfaqësuar nga Rama dhe enturazhi i tij, i bollshëm në numra dhe PS që kërkon traditën e humbur.

Opozitarizmi jo vetëm në rrugë…

Ish-ministri i Jashtëm i mësuar me diplomacinë që më shumë nënkupton sesa pohon këtë herë në Parlament vendosi të jetë i drejtpërdrejtë, në pohime që më shumë zemëruan Ramën jo prezent dhe pjesën tjetër të “botës së re” në Rilindje. “Duke dalë nga parlamenti, unë jam i bindur që opozita ka dëshmuar një lloj frike dhe një lloj kapitullimi. Por kjo nuk mund të na bëjë ne të jemi arrogantë, nuk mund të na bëjë ne të harxhojmë orë të tëra duke u marrë me protestat e opozitës. Ne nuk mund të biem në kurthin e profecisë vetëpërmbushëse. Ne jemi PSSH, ne jemi socialistë, demokratë progresist. Ne duam që të ndërtojmë një shoqëri të drejtë, një shoqëri më të mirë, për fëmijët tanë por edhe për fëmijët e opozitës që mungon këtu në sallë. Demokracinë nuk e konceptoj si procedurë të thjeshtë. Demokracia si procedurë është zëvendësimi formal i listës së partisë demokratike dhe lëvizjes socialiste për integrim”-deklaroi Bushati. Dy botë të ndara që në Parlament, me kryeministrin që edhe dje përbetohej për normalitet politik dhe me Bushatin që më shumë se të shkundë ish-shefin e tij, iu bëri thirrje “të tijve të mbetur” për reflektim. “Demokracia është edhe thelb dhe fakti që ne krijojmë mundësinë për një marrëveshje të ardhshme për Kodin Zgjedhor, për rregullat e lojës, qoftë me opozitën parlamentare por mbi të gjitha për opozitën politike, besoj se është shprehja më e lartë e ndërgjegjësimit që ka Partia Socialiste e Shqipërisë. Socialistët, progresistët shqiptarë për fatet e demokracisë dhe për fatet e Shqipërisë”, shtoi Bushati.

Rama, një Rilindas me “vulën” e PS-së

Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati foli jo si “deputet i pavarur”, ndonëse i gjithë fjalimi i tij ishte tërësisht në kundërshtim me politikat që kryeministri ka ndjekur dhe po ndjek. Ai i la vend kritikës jo për veshët e më të rinjve që kanë kapur Parlamentin dhe sot janë gati të vetësakrifikohen për kryeministrin Rama, por i kërkoi reagim disa të tjerëve aty në sallë, të pakët në numër, por me peshë në përfaqësim. “Si ka mundësi z. Ruçi që pas tre dekadash si politikan me eksperiencë, si ka mundësi z. Ulqini, si ka mundësi z. Majko, e deri te kolegia që foli për herë të parë në këtë parlament. Pse kur grekët e maqedonasit e gjetkëshin gjuhën për të parë përpara, ne nuk paskemi mundësi me e gjet gjuhën me njëri-tjetrin. A jemi të gjithë shqiptarë, a jemi pjesë e një kombi? Pse e kemi kaq të vështirë dhe turpërojmë veten tonë lart e poshtë. Pse nuk e gjejmë dot ne gjuhën për të parë përpara”?, ngriti pyetje Bushati, që askush në sallë nuk ishte në gjendje t’i jepte përgjigje, aq më shumë pjesa qeverisëse që Rilindjen e njeh si parti. Duke iu drejtuar socialistëve “bio” të mbetur Bushati e futi veten në radhët e tyre, ndonëse edhe ai është një prurje e re, por gjatë rrugës duket se nuk e ngatërroi Partinë Socialiste me “omgj-në” Rilindje. Fjala me shumë mesazhe të Bushatit mbetet një lexim i reagimit poshtë të elektoratit, që ndihen të zhgënjyer nga qeverisja, arrogancë e theksuar, shkëputja e thellë në hendekun e madh zyrtarë-qytetarë dhe politikat “makro” të qeverisë, që kanë çuar në pasurimin e tejskajshëm të një grupi të vogël biznesmenësh, të cilët kanë përqendruar thuajse gjithë ekonominë e vendit në duart e tyre. Bushati është i vetmi ish-ministër i qeverisë Rama 1 dhe 2 që del kundër dhe kjo mbetet një pikë domethënëse, pasi ngriti shqetësimin e disa qindra mijëra opozitarëve jo partiak dhe të elektoratit gri, që gjithnjë ngrenë pyetjen? Përse kemi mbetur kaq pas në ekonomi dhe parimet bazë të demokracisë edhe pas 29 vitesh përmbysje të sistemit komunist? Pyetje që kryeministri nuk ka ndërmend t’i japë përgjigje, për aq kohë sa e gjithë bota “vituale” e tij janë takimet e përdhunshme në turin “bashkia që duam” dhe fjalimet e gjata të tij në Facebook, që i mat sa like ka marrë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Shkrimtarët rrëfejnë: Si i sjellim në jetë personazhet

Si i shkruajnë karakteret që të ndjehen gjallë? Kur sjell në jetë...
Read More