PROTAGONIST/ Gjermani i ‘Adenauerit’ në Shqipëri

Protesta e studentëve kaloi disa ditë pa rënë shumë në syrin e medias ndërkombëtare. Edhe pse pati disa raportime që vijnë kryesisht nga korrespondentë këtu në Tiranë, deri më 14 dhjetor sërish nuk pati diçka të dedikuar.

Në këtë datë, radio publike gjermane publikoi një intervistë, e cila bëri xhiron e rrjetit në Shqipëri. DeutschlandFunk intervistoi pikërisht njeriun e rëndësishëm të gjermanëve në Shqipëri, drejtuesin e fondacionit “Konrad Adenauer”, Walter Glos. Dhe ky i fundit u tregua i prerë në komentet e tij.

<

I pyetur se kush i ndezi protestat e studentëve, Glos thotë: Protestat lindën pas pakënaqësive të shumë studentëve, që duhej të paguanin tarifa të larta për provimet e mbetura. Përveç kësaj, tarifat për shkollimin janë tepër të larta. Nëse e krahasoni me Gjermaninë, mund ta kuptoni këtë.

Por sa të larta janë tarifat?

“Këto ndonjëherë shkojnë deri në 2600 euro për një vit, dhe në një vend me pagë mesatare nga 300 deri në 3500 euro, kjo është shumë e shtrenjtë, prandaj ne kemi dhënë bursa këtu. Studentët shpesh qajnë kur përzgjidhen për bursa, sepse e ndiejnë veten me fat nëse marrin bursë nga një fondacion politik gjerman”.

I pyetur se sa përkrahje ka në vend protesta, Glos thotë se përkrahja është masive.

“Kur del në rrugë dhe pyet njerëzit, se çfarë mendojnë, nuk kam takuar qoftë edhe një person të vetëm që thotë se nuk i mbështet studentët. Papritur në mbarë vendin ka protesta, kundër çmimeve të larta të ushqimeve, karburantit, naftës, që është më e shtrenjtë se në Gjermani, siç mund ta kuptoni, ka një atmosferë të madhe protestash në vend”.

Por a i është përkushtuar qeveria zgjidhjes së problemit të papunësisë së të rinjve dhe eksodit, pasi shumica dërrmuese duan të ikin nga vendi?

Ajo duhet ta adresojë sepse të gjithë e dinë se në pesë vitet e fundit janë larguar më shumë se 400 mijë të rinj nga vendi dhe në një popullsi me 3 milion banorë, kjo është një shifër tepër e lartë dhe tregon se kjo temë duhet marrë seriozisht, ndryshe do kemi një qeveri, por nuk do kemi popullsi.

Kjo fjali e fundit u bë virale, por gjermani Glos nuk u ndal. Të premten e 11 janarit ai foli në një aktivitet të organizuar nga Partia Demokratike në lidhje me lirinë e medias në vend.

Duke komentuar dy projektligjet e qeverisë së Edi Ramës për mediat, ai tha se kjo nuk është hera e parë kur kryeministri po ndërhyn aty ku nuk duhet. Madje rezervoi një paralajmërim të fortë, se kjo mund të pengojë hapjen e negociatave.

“E di se disa media dhe përfaqësues të tyre kanë shprehur shqetësimin e tyre rreth këtyre dy projektligjeve. Ato paraqesin rrezikun e censurës dhe një kufizim të lirisë së medias. Nëse shteti merr kontrollin mbi median, në çfarëdolloj forme, është një pikëpyetje e madhe. Përfaqësues të organizatave ndërkombëtare i kanë bërë apel kryeministrit Rama t’i tërheqë këto projekte, çka do të thotë se diçka nuk shkon me projektligjet. Më duhet të kujtoj se është tentative e dytë e Edi Ramës për të ndërhyrë në legjislacionin mbi median”, -tha ai.

Sipas Presidentit të Fondacionit KAS për Shqipërinë, ndërhyrja në lirinë e medias cenon vendimin për negociatat e Shqipërinë që pritet të merret në muajin qershor.

“Shqipëria si një vend kandidat për në BE ka detyrimin të respektojë lirinë e medias. Pa patur këtë garanci të lirisë së shprehjes nuk mund të funksionojë demokracia. Zhvillimi i medias; nuk mund të nënvleftësohet zhvillimi i medias, në procesin e afrimit me BE. Dhe ndonjëherë më krijohet ideja se qeveria aktuale nuk e ka shumë vëmendjen te rëndësia e kësaj pjese. Në Europë është krijuar përshtypja se Shqipëria nuk i respekton rregullat dhe ligjet ndërkombëtarë. Lista e shkeljeve në tenderat publike p.sh. është shumë e gjatë. Shqipëria dhe qeveria aktuale ka ende në dorë të bëjë gjithçka që në qershor të merret çelja e negociatave. Por padyshim ndërhyrja në lirinë e medias nuk ndihmon në këtë proces”, tha Glos.

Dhe ai i di disa gjëra. Fondacioni ku bën pjesë është i lidhur ngushtë me CDU-në në pushtet në Gjermani. Dhe njerëzit e CDU i kanë vendosur një postbllok përpjekjeve të qeverisë shqiptare për nisjen e negociatave.

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Rusia e Putinit përballë gjeopolitikës së SHBA dhe BE për Shqipërinë

Nga Pirro Prifti Fitorja për herë të katërt e Putin në zgjedhjet...
Read More