Propozimi: Transportimi i parave me rregulla të reja, GPS, blinda dhe transparencë

makinaSpecialistë të Policisë së Shtetit pas ngjarjeve të ndodhura në Rinas ku u grabitën një milion euro, po hartojnë në projektligj të ri për mënyrën e transportimit të parave nga bankat. Do kërkohet që bankat të venë në dijeni policinë e shtetit mbi shumën e vlerave që transporton dhe kompanitë private të sigurisë të pajisen me GPS dhe tri mjete të blinduara për çdo lëvizje të vlerave monetare.

Rastet e përsëritura të grabitjeve në shuma të mëdha të parave që transportohen nga bankat drejt Aeroportit të Rinasit, kanë bërë që drejtues të Policisë së Shtetit të mendojnë seriozisht për masat e reja. Rrëmbimi i një milionë eurove nën kërcënimin e armëve nga tre persona brenda pistës së Rinasit më 30 qershor këtë këtij viti, ka ngritur pikëpyetje të mëdha për sa i përket sigurisë. Pritet që të hartohet një projektligj i cili do të detyrojë vetë bankat edhe kompanitë private të sigurisë që të shtojnë masat për të garantuar transfertat e parave kesh. Fillimisht do u kërkohet kompanive private që kur kanë marrë përsipër në bazë të kontratave transportin e parave që të venë në dispozicion për çdo lëvizje të shumave të ndryshme tri automjete të blinduara, duke përcaktuar qartë edhe standardet e lëvizjes së parave. Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm për Rendin, Altin Qato, në një prononcim të tij në lidhje me ngjarjet e fundit, shprehet se është parashikuar edhe në ligjin për masat shtesë të sigurisë publike, i cili është rikthyer për shqyrtim në Parlament nga Presidenti Nishani. Sipas Qatos, ligji për masat shtesë do t’i hapë rrugë edhe pajisjes me kamera të akseve ku kalojnë autoblindat e bankave me parà, duke rritur në këtë mënyrë sigurinë. Po ashtu po shikohet mundësia që makinat e transportit të vlerave monetare të pajisen me sistem “GPS” dhe policia të ketë dijeni në kohë reale për vendndodhjen e tyre. “Do të ketë kategorizim në pesë nivele sipas dhe sasisë së vlerës që do të transportohet. Çdo vlerë monetare duhet të transportohet me blind. Do të jetë e nevojshme që eskorta të jetë me dy ose me tre blinda në mënyrë që nga përvoja shoqëruesit e blindit të parave të mos sulmohen nga agresorët. Pas ngjarjes së Qafë Kashari, kemi dërguar një letër porosi që të gjitha SHPSF që marrin vlera monetare nga bankat për t’i transportuar në një destinacion tjetër njoftohet policia tek salla operative”-shprehet Qato. Përveç masave me propozimet e reja do të kërkohet e bazuar në ligj që policia e shtetit të ketë dijeni jo vetëm për lëvizjen e parave, por edhe për shumat që transportohen. Sipas specialistëve, kjo do të sillte më shumë siguri, pasi nëse bëhet fjalë për shuma të mëdha mund të angazhohen edhe agjentë nga punonjësit e rendit. Gjithashtu një tjetër problematikë mbetet që aksi nga Tirana drejt Rinasit, ku kryhet edhe transporti më i madh i parave, nuk është i pajisur me kamera vëzhguese. Një vit më parë ishte propozuar një draft i ngjashëm nga ana e policisë që lidhej kryesisht me vendosjen e kamerave vëzhguese përgjatë aksit Tiranë-Rinas, por mbeti vetëm një propozim, pasi vendosja e kamerave të sigurisë dhe elementëve të tjerë shtesë, kapte një shifër të lartë për tu realizuar, rreth 5 milionë euro. Çështja e sigurisë në transportimin e parave është kthyer në fenomen shqetësues, pasi në 18 muajt e fundit kanë ndodhur tre grabitje të bujshme të një shume prej rreth nëntë milionë eurosh. Në shkurt të vitit të kaluar pranë një banke të nivelit të dytë në afërsi të Stacionit të Trenit u grabitën nën kërcënimin e armëve rreth 3.2 milionë euro. Personat e armatosur u futën në garazhdin e bankës pikërisht në momentin që vlerat monetare po kalonin nga banka në automjetet e kompanisë private të sigurisë. Kjo ngjarje në atë kohë bëri bujë edhe për faktin që autorët jo vetëm kryen një grabitje të guximshme, në një zonë mjaft të populluar, por arritën që të largoheshin. Pa u shuar akoma jehona e kësaj ngjarje, në dhjetorin e vitit të kaluar në afërsi të Kasharit në Tiranë, autoblindi i një kompanie private bashkë me eskortën shoqëruese u sulmua nga pesë persona të armatosur dhe veshur me uniformë policie. Nën kërcënimin e armëve rrëmbyen rreth 3.8 milionë euro dhe u larguan. Megjithatë ngjarja më e rëndë qe projektuar për të ndodhur më 30 qershor të këtij viti. Një automjet me tre persona të armatosur hapi një nga portat në rrethimin e pistës dhe më pas u futën brenda, duke kryer një nga grabitjet më të famshme. Arritën që të rrëmbenin brenda pistës së avionëve rreth një milionë euro. Në këtë rast doli totalisht e zbuluar çështja e sigurisë, për më tepër që ishte “reklamuar” 24 orë para kësaj ngjarje se ishin marrë masa të forta për të parandaluar akte terroriste. Fatmirësisht tre personat e armatosur nuk kishin për qëllim kryerjen e akteve terroriste, por rrëmbimin e parave dhe pasi siguruan shumën prej një milionë eurosh arritën që të largoheshin.

 

Policia tani dijeni edhe për shumën që transportohet

Në draftin e ri që pritet të paraqitet si pjesë e masave të sigurisë për sa i përket transportimit të parave, Policia e Shtetit kërkon që të ketë informacion për çdo lëvizje të parave që kryhen nga Tirana drejt Rinasit. Deri më tani bankat nuk ishin të detyruara që të jepnin të dhëna mbi shumat kesh që transportonin. Tashmë në draftin e ri që po hartohet nga ana e specialistëve të Policisë së Shtetit po diskutohet që të përfshihet një pikë ku bankat e nivelit të dytë do të jenë të detyruara që për çdo lëvizje të vlerave monetare të vihen në dijeni strukturat shtetërore të rendit. Në rastet kur bëhet fjalë për shuma të konsideruara edhe policia e shtetit do të jetë e detyruar që të marrë masat e saj për sigurinë e vlerave monetare nga banka deri në destinacionin përfundimtar. Në të gjithë rastet e grabitjeve pas hetimeve të kryera janë konstatuar shkelje nga ana e kompanive private të sigurisë. Zakonisht ofronin vetëm një mjet të blinduar, ai që mbante vlerat momentare, ndërsa eskorta shoqëruese kryhej me automjete të thjeshta. Gjithashtu edhe rojet e sigurisë nuk ishin të trajnuar sit ë vepronin në raste të sulmeve të ndryshme nga grabitës të mundshëm. Pas tri grabitjeve të bujshme duket se rolin kryesor në sigurinë e transportit të parave nga bankat pritet që ta kryejë policia e Shtetit, e cila mban edhe ajo koston e saj pasi nuk ka mundur që të arrestojë asnjë nga personat që morën pjesë në tri grabitjet e bujshme.

 

TIA dhe ICTS, masa pas “të vjelit”

Kompania e sigurisë së aeroportit të Rinasit ka vendosur kamera vëzhguese në portën ku u futën 3 grabitësit e vjedhjes së 1 milionë eurove. Kjo “masë” është marrë dy ditë më parë, por ngjan mjaft pak me problemin e vërtetë që është konstatuar për sa iu përket kushteve të sigurisë. Gjithsesi përveç shtimit të personelit të sigurisë përgjatë aeroportit edhe policia e komisariatit të Rinasit pas ngjarjeve të 30 qershorit është munduar të kalojë në një plan të ri të masave. Mbi mungesën e sigurisë në aeroportin e vetëm ndërkombëtar në vend ishin njoftuar që më 20 prill të këtij viti. Nga një testim i kryer nga Aeroporti Civil u konstatua se agjentë testues arritën të fusnin lëndë shpërthyese, armë të ftohtë thikë dhe madje të hapnin edhe portën nga ku më 30 qershor u futën tre grabitësit e armatosur. Ndonëse u kërkua që të merreshin masat e duhura nga kompania koncesionare TIA dhe ICTS, përsëri nuk pati asnjë masë konkrete. Tashmë pas ngjarjes së fundit është vënë në diskutim deri edhe një rishikim i licencës që kompania TIA ka marrë për shfrytëzimin me koncesion të Aeroportit të Rinasit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Nard Ndoka spektakolar

Nuk është politikani i spektaklit apo show-t, pavarësisht se ai është ndoshta...
Read More