Projekti i “Astirit” duhet të ndalet

Nga Ervis Iljazaj

Edhe pas shumë javë protestash, apo denoncimesh për afera të ndryshme, projekti i unazës së madhe në zonën e “Astirit” vazhdon të ecë përpara me vendimmarrje politike, a thua se çdo gjë shkon për mrekulli në këtë projekt. A thua se, nuk ka asnjë problem ligjor apo çështje sociale që po konsumohet çdo ditë përpara syve tanë në këtë projekt.

Ndërkohë që, ky është një projekt i cili, më së paku duhet të ndalojë, dhe pasi të zgjidhë çështjet ligjore dhe sociale, të rifillojë nga e para, pasi është një projekt mjaft i rëndësishëm për zhvillimin urban të Tiranës dhe jo vetëm. Dhe, për këtë gjë bien dakord të gjithë.

Ka dy arsye thelbësore se përse projekti i unazës së madhe te zona e “Astirit” duhet të ndalojë dhe të rifillojë në një moment të dytë.

E para, kemi të bëjmë me një tender ku i janë dhënë një firme fantazmë rreth 20 milionë euro nga paratë e taksapaguesve shqiptarë. Tashmë ky është një fakt dhe askush nuk e mohon. As vetë qeveria nuk mohon që ekziston një firmë e tillë pa nam e pa nishan, që ka marrë 20 milionë euro me një të rënë të lapsit në mënyrë tërësisht të papërgjegjshme dhe abuzive.

Por, le të presupozojmë për një moment që qeveria shqiptare nuk ka abuzuar dhe ky tender nuk është korruptiv, por thjesht një tender i papërgjegjshëm.

A kanë përgjegjësi organet përkatëse për faktin se një firmë fantazmë i ka mashtruar ato dhe u ka marrë 20 milionë euro ?

A është kjo arsye e mjaftueshme për ta ndaluar këtë tender dhe për ta ribërë nga e para?

Patjetër që po. Ministria e Transportit në Shqipëri nuk është ajo e Kinës, e cila zhvillon me mijëra tenderë publikë në vit, dhe që mund të justifikohet për ndonjë pakujdesi. Ministria e Transportit e Shqipërisë zhvillon disa tenderë në vit. E në këtë kuptim, pakujdesia është e patolerueshme. Kështu që, ky tender është me cen ligjor apo administrativ, dhe në këtë kuptim duhet të ribëhet nga e para.

Por, ka dhe një arsye më të rëndësishme se përse projekti i unazës së madhe duhet të ndalet. Është çështja e legalizimeve.

Ka një problem thelbësor dhe konceptual me çështjen e legalizimeve te zona e “Astirit”, por edhe në të gjithë Shqipërinë. Ligjet shqiptare parashikojnë që ndërtesat e ngritura në zona ku kalojnë projekte publike nuk mund të legalizohen. Ndërsa ato ndërtesa që janë ngritur në tokat e ish-pronarëve mund të legalizohen, dhe në raste përkatëse marrin shpronësimet kur ndërtohen vepra publike. Mirëpo, pikërisht ky është non sensi i kësaj filozofie.

Përse prona publike qenkësh më e rëndësishme se ajo individuale? Përse ndërtesat e ngritura në pronat publike nuk mund të legalizohen dhe ato që janë ngritur në pronat e ish-pronarëve mund të legalizohen?

Ky është një konceptim marksist i shtetit. Madje, e kundërta do të duhet të ishte më e drejtë. Pronat e ish-pronarëve do të duhet të ishin më vështirë për t’u legalizuar dhe jo ato publike.

Banorët e “Astirit” janë ose të gjithë pronarë ose asnjëri. Për shkak të mënyrës se si është zgjidhur çështja e pronësisë deri më tani, të paktën faktikisht, banorët e “Astirit” janë të gjithë pronarë. Nëse nuk janë ligjërisht, ky nuk është problemi i tyre, por problemi i shtetit shqiptar. Në radhë të parë, sepse i ka lejuar që të ndërtojnë në mënyrë të paligjshme, dhe për këtë është fajtor i vetëm. Në radhë të dytë, sepse ndërtimet e paligjshme në Shqipëri duhet të trajtohen nga shteti shqiptar në të njëjtën mënyrë. Duke i njohur të gjitha, ose duke mos njohur asnjërën prej tyre.

Ky raport i komplikuar midis pronës dhe veprave publike, duhet të ndiqte parimi “legalizim pastaj urbanizim”. Ndërkohë që, e kundërta ka ndodhur. Shqipëria është munduar të urbanizohet duke mos realizuar legalizimet dhe zgjidhur çështjen e pronave. Gjë që ka sjellë konflikte shoqërore dhe vështirësi në qeverisje.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Në familje nis rrënimi

Nga Lis Bukuroca Ndërtimi i demokracisë legalizohet dhe përligjet në shtëpi. Ligjet...
Read More