Po sikur çështja e Kryeprokurorit të jetë një truk i Ramës dhe i Bashës për të vonuar Reformën në Drejtësi?

Nga Ervis Iljazaj

Prej disa ditësh, çështja e zgjedhjes së kryeprokurorit të ri është kthyer në betejën kryesore politike midis mazhorancës dhe opozitës. Të gjitha argumentet juridike të njërës apo të tjetrës palë janë konsumuar, dhe si gjithmonë nuk është arritur në një konkluzion, të paktën në pamje të parë. Pa hyrë në debatin ligjor apo kushtetues, që tashmë është ezauruar, duket sikur zgjedhja e tij, me shumë gjasa duke parë kontekstin, do të shkojë drejt mazhorancës së thjeshtë.

Mirëpo, çështja e Kryeprokurorit, nuk është thjesht një çështje teknike juridike. Mënyra e zgjedhjes së tij në këtë moment, është tërësisht e një strategjie politike, në të kundërt nuk do të kishte kuptim që një proces i tillë të krijonte debate të paqena dhe konfliktuale, debate të cilat vijnë vetëm si pasojë e politizimin të çështjes. Jo vetëm kaq, por duke parë situatën, kësaj herë duket sikur kemi të bëjmë me një situatë konfliktuale të krijuar nga politika, por që i intereson të dy krahëve.

Zgjedhja e një Kryeprokurori të përkohshëm, edhe pse refuzohet nga ana e opozitës, është në favor të saj dhe të gjithë politikës, pasi në këtë mënyrë vonohet Reforma në Drejtësi, gjë të cilën asnjë nga palët politike nuk e dëshiron

Është fakt tashmë, që politika shqiptare, edhe pse Reformën në Drejtësi e votoi me 140 vota në Parlament, ka bërë çdo gjë të mundur që ta pengojë zbatimin e saj. Në të kundërt, nuk do kishim arritur në këtë pikë ku jemi. Të gjitha organet e drejtësisë së re, nëse do ekzistonte vullneti politik do të ishin ndërtuar, dhe nuk do të ishte nevoja për një kryeprokuror të përkohshëm. Praktikisht, vota unanime për Reformën në Drejtësi, koha tregoi që ishte një konsensus i plotë i politikës shqiptare për ta sabotuar atë.

Në këtë kuptim, për të vonuar sa më shumë efektet e kësaj reforme, Kryeprokurori i përkohshëm është mekanizmi perfekt.

Mazhoranca nga ana e saj, zgjedh një kryeprokuror të përkohshëm, që sado profesional dhe i ndershëm të jetë, s’do të ketë asnjëherë legjitimitetin dhe pavarësinë e plotë për të shkuar më tej në hetimet që janë duke u përfolur në këtë moment. Ndërsa opozita, po ashtu duke mos njohur legjitimitetin e një kryeprokurori të përkohshëm dhe të zgjedhur nga një krah politik pa konsensus, çdo hetim në drejtim të saj do e konsiderojë si politik dhe të pavlefshëm. Duket si një skemë perfekte, për të ndaluar çdo akuzë në drejtim të politikës.

Ndoshta, kjo duket si një kulisë politike përtej çdo fantazie, por asgjë nuk është e pamundur me këtë klasë politike që jemi mësuar deri më tani. Aq më tepër, kur dihet raporti problematik që ka patur ajo me drejtësinë, përgjatë gjithë tranzicionit shqiptar, dhe në këtë kuptim, s’do të pranonte asnjëherë me vullnetin e saj të plotë, një akuzë të pavarur totalisht prej saj. Si mundet që kjo klasë politike të aprovonte një reformë e cila do të bënte të mundur hetimin e tyre? Është një kontradiksion logjik. Kështu që, të gjitha konfliktet politike të momentit, me shumë mundësi janë të sajuara. Të sajuara me qëllimin e vetëm, që si gjithmonë, edhe kësaj herë politika të triumfojë mbi drejtësinë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ja 11 aktivitetet rinore të Institutit Europian Pashko në bashkëpunim me UET

Instituti Europian Pashko në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës organizojnë 11...
Read More