Po ju a po e shihni gorillën?

Ndërsa opozita ankohet se po prishen rregullat e lojës demokratike, qeveria vazhdon ta bëjë hapur dhe e pashqetësuar këtë gjë

Nga Enton Palushi

Pak eksperimente sociale bëhen kaq të famshëm sa ai i ‘gorillës’. Para më pak se dy dekadash, Daniel Simons vuri në testim njerëzit që të numëronin sa herë pasohej topi gjatë një ndeshjeje basketbolli. Ndërsa njerëzit bënin numërimin e topave, përmes fushës kalonte dikush me kostum gorille. Gjysma e njerëzve as e vinin re. Në fakt, disa ia kishin ngulur sytë, por nuk e shihnin. Simons e quajti këtë ‘verbëria e pavetëdijshme’.

E di që ka shumë njerëz që mund të thonë se janë të kujdesshëm, se nuk u shpëtojnë as detajet, le më një gorillë përpara syve. Sikur të ishte e vërtetë. Por Simons sjell ndërmend një rast të famshëm në vitin 1995, kur policia po ndiqte katër të dyshuar. Një oficer policie, Michael Cox, ishte i pari që mbërriti në vendin e ngjarjes dhe nisi të ndiqte njërin me vrap. Të tjerë oficerë që mbërritën aty, menduan se Cox ishte i dyshuari dhe nisën ta rrahin. Ndërkohë, një tjetër oficer policie, Kenny Conley kaloi aty pranë, por nuk reagoi. Ai tha më vonë se nuk e kishte parë skenën dhe një gjykatë e dënoi për dëshmi të rreme dhe pengim të drejtësisë. E si mund të mos shohësh diçka të tillë? Por ja që mundesh.

U duket e çuditshme akoma? Merrni një tjetër shembull. Këto ditë keni vënë re një letër virale në rrjetet shqiptare të një gruaje kundër një klinike mjekësore. Ajo thotë se ata nuk i kapën kancerin që po i shkatërronte trupin. Dihet mllefi ndaj mjekëve dhe gjendjes ku është shëndetësia shqiptare. Por, po sikur të bësh ‘avokatin e djallit’ dhe të mendosh se ata vërtet nuk e kanë parë kancerin? Një studim i mëvonshëm nga mjekët e Harvardit zbuloi se efekti i ‘verbimit të pavetëdijshëm’ është i frikshëm te mjekët dhe radiologët, që nuk shohin ndonjëherë tumoret, edhe pse i kanë para ‘hundës’.

***

Këto ditë të krizës politike në Shqipëri mund ta kuptosh se njerëzit e kanë më shumë mendjen te ‘topi i basketbollit’ që lëviz përpara syve të tyre. Teksa topi lëviz përpara syve dhe njerëzit merren me të gjitha cicmicet e mundshme, që nga historia me Bruno Vespën e deri te rreziku rus, duket se nuk po e shohim ‘gorillën’ që po lëviz në mes të lojës. Kryeministrin e kanë akuzuar se po prish garën demokratike dhe ai tamam si ‘gorilla’ vazhdon ta bëjë këtë gjë pa u shqetësuar. Edhe pse opozita thotë se ai ka manipuluar zgjedhjet, ai e vazhdon në çdo moment këtë manipulim, duke shtuar numrat e partisë së tij në Kuvend. Sepse siç kam cituar në një shkrim të mëparshëm autorët Nic Cheeseman dhe Brian Klaas me librin e tyre ‘Si të manipulosh zgjedhjet’, misionet monitoruese ndërkombëtare nuk do e pikasin kurrë tamam përmasën e vjedhjes pasi ajo nis shumë përpara ditës së zgjedhjeve dhe vazhdon shumë më pas.

Shqipëria është në një situatë paradoksale, ku deputetët marrin mandatin si opozitë e këtij kryeministri, dhe për ironi, sa më shumë keqqeveris ai, aq më shumë i shtohen numrat në Kuvend.

Jo vetëm kaq, por Rama krenohet brenda e jashtë Shqipërisë se ka arritur të mpakë opozitën në atë pikë, sa pretendon të fitojë 100 për qind të zgjedhjeve lokale. Nuk dihet se çfarë mendojnë shqiptarët, por të huajt e dinë se ka vetëm një mënyrë për të mpakur opozitën: duke qeverisur shumë mirë. Mirëpo edhe në këtë rast, sa më keq qeveris Rama, aq më shumë thotë se e ka dobësuar opozitën. A ka mundësi të ndodhë kjo në mënyrë demokratike dhe ligjore? Nuk ka shans. Vetëm nëse Rama do kishte arritur gjatë këtyre gjashtë viteve të dyfishonte pagat e pensionet, të ulte papunësinë dhe jo ta shtonte siç sugjerojnë të dhënat e tre muajve të fundit të vitit 2018, të çrrënjoste krimin e organizuar dhe korrupsionin, të zhvillonte ekonominë dhe të shtonte investimet e huaja, të përmirësonte në mënyrë spektakolare arsimin e shëndetësinë, të ulte ndjeshëm taksat dhe kostot e jetesës, të reduktonte numrin e shqiptarëve që duan të braktisin vendin në më pak se 2-3 për qind, atëherë do ishim të parët që do kërkonim me ngulm: Ta mbajmë në krye të qeverisjes këtë ‘xhevahir’ të historisë shqiptare. Opozitës mos ia pafshim kurrë sytë!

***

E di që ka shumë prej tyre që mund të thonë me cinizëm ose jo, që kjo opozitë nuk e meriton të forcohet. Dhe mund të kenë të drejtë pjesërisht. Por Edi Rama dhe Lulzim Basha luajnë në të njëjtën ligë. Vërtet Rama pretendon se është i një lige tjetër dhe e krahason veten me Ronaldon, por ky i fundit është në atë nivel se luan mirë, jo se luan keq. Sa për performancë qeverisëse, Rama mund të jetë një lojtar mesatar i Tërbunit. Ah, vetëm nëse e ka patur fjalën për ligën e keqqeverisjes. Në atë rast, po, mund të jetë Ronaldo. E meqë Shqipëria krahasohet vetëm me Sierra Leonen për dëshirën e braktisjes së vendit, ka mundësi që kryeministri i këtij vendi të jetë Messi i Afrikës.

***

Shqiptarët edhe mund të mësohen me ‘gorillën’, por të huajt nuk mund të mbyllin sytë përpara kësaj situate, ku loja demokratike, gara dhe konkurrenca normale përdhosen kaq hapur dhe në dritën e diellit. Ajo që e bën të frikshme situatën lidhet me faktin se ne shohim vetëm atë të dukshmen. Pastaj mendo se çfarë ndodh në errësirë. Prej gjashtë vitesh, Shqipëria nuk ka më qeverisje, por vetëm fushatë permanente. Çdo lëvizje ka për qëllim vetëm një gjë: dobësimin e kundërshtarit, por pa ofruar ndonjë produkt qeverisës. A nuk është e tillë edhe mbledhja me përdhunë e administratës nëpër banka shkolle apo nëpër ahengje grash vetëm për të treguar se kryeministrin e duan? Meqë ra fjala, pyesni dikë që i di nja dy gjëra nga kjo punë dhe do u thonë se në Bruksel e kemi një kryq të madh vetëm për faktin se nuk kemi administratë të hairit.

***

E dini si e etiketonin parlamentin shqiptar në një shkrim të revistës më të madhe gjermane, Der Spigel? Scheindemokratie. Në shqip nuk ka një përkthim të saktë. Disa mund të thonë demokraci lojë, të tjerë demokraci false ku zgjedhjet janë vetëm fasadë. Por kur u përdor për herë të parë nga sociologu i njohur Max Weber, termi përkufizohej si “një formë e qeverisjes që të jep idenë e një demokracie, por ku mbisundojnë elementet e diktaturës dhe të oligarkisë”. Se mos vetëm parlamenti. A nuk e shohim kudo ‘ushtrinë’ policore të Sandër Lleshajt, të gatshme për të dhunuar gra e fëmijë, në mbrojtje të interesave të fuqishme?

Në këto kushte është e rëndësishme të shohim në sy ‘gorillën’ dhe të bëjmë të paktën pyetjen që bënte ZDF gjermane në fund të kronikës televizive për protestat në Tiranë: Si mund të mbahet një qeveri kaq e lidhur me krimin?

Kuptimi i saj është i dyfishtë: i pari se si mund të mbahet vetë në këmbë një qeveri e tillë me një barrë kaq të rëndë, kur në vendet normale qeveritë shemben për shumë, shumë, shumë më pak se kaq.

E dyta: si e mbani në këmbë ju shqiptarët këtë qeveri të lidhur me krimin. Kësaj të dytës po mundohen t’ia japin një përgjigje qytetarët.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Triller në Shtëpinë e Bardhë: Një inçizim për shkarkimin e presidentit Trump?

Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Rod Rosenstein hodhi poshtë...
Read More